Rudina Xhunga: Atë që nuk bënë studentët do ta bëjë tërmeti
Gazetarja e njohur Rudina Xhunga e ftuar në rubrikën “Opinion”, foli për aktualitetin në vend. Xhunga tha se atë që nuk e bënë protestat e studentëve e bëri ky tërmet. Sipas saj, viti 2020 do sjellë surpriza, pasi do përmbysen sisteme e do vijnë të tjerë.
Duke u ndalur tek video e publikuar nga Presidenti i Republikës për shkeljet e kreut të KED, Ardian Dvorani, Xhunga tha se nuk jemi më në kohën e shpjegimit dhe se këto duhet të ishin bërë më përpara.
“Një video e mirë e bërë në mënyrë profesionale. Kur kemi video të mira, iu përket gazetarëve t’i bëjnë, por këta i morën të gjitha. Në fillim Rama e tani Meta.
Është një video shpjeguese. Nuk jemi në kohën e shpjegimit. Nuk ka kë shpjegon më. Njerëzit janë të shpjeguar. Presidenti ka shumë të drejtë të kërkojë dhe të shpjegojë, problemi është kujt ia kërkon dhe kujt ia shpjegon. Këto gjëra duhet të ishin bërë përpara.
Këtë video Meta me siguri e ka bërë para tërmetit dhe është rikthyer por harron ndikimin e kësaj ngjarjeje në jetën e shqiptarëve”, u shpreh Xhunga duke iu referuar tërmetit.
Ajo deklaroi më tej se ky tërmet po nxjerr nga loja një klasë politike.
“Jemi në një dhjetor gri, komplet të fokusuar në problemet e pas tërmetit dhe traumën e post tranzicionit. Ishte një tërmet që na shkundi nga themelet, që nxori në skenë njerëz të rinj, të mirë apo të këqij nuk e dimë, ka nxjerrë njerëz të rinj; dhe po nxjerr jashtë loje njerëz të tjerë; një tërmet që po nxjerr nga loja opozitën shqiptare e cila është kthyer në denoncuese dhe jo ndikuese. Sikundër po tregon një maxhorancë, e cila po e bën rozë gjithçka, po e bën rozë sa mundet por të gjithë e dimë që nuk është rozë.
Po nxjerr nga loja një klasë politike ky tërmet. Të gjithë kujtojmë që do mbarojë, tani do bëhen ca shtëpi, do rregullohen ca lagje e do mbarojë. Jo, ta dinë ata që kujtojnë që do mbarojë, nuk do mbarojnë shpejt pasojat e këtij tërmeti. Do përmbysin sisteme e do sjellin të tjera. Do duken rrugës pasojat e këtij tërmeti. Na ka shkundur tërmeti. Politikanët të mendojnë si të duan, nuk kanë të bëjnë me të njëjtët njerëz, nuk janë të njëjtët shqiptarët me para tërmetit”, deklaroi Xhunga.
A do mendojnë ndryshe pas këtij tërmeti shqiptarët?
“Pa asnjë dyshim. Unë jam e sigurt. Besoj që njerëzit e traumatizuar me tërmetin të cilët kërkuan ndihmë e shpëtim dhe vazhdojnë ta kërkojnë dhe tani gjithandej kanë kuptuar që kanë nevojë për një sistem të ri politik. E kanë kuptuar me kohë por tani do ta vënë në pah. Unë besoj fuqimisht që do veprojnë. Ishte një moment që na shkundi dhe jemi akoma të traumatizuar. Viti që vjen do sjellë surpriza në Shqipëri. Se si do t’i sjellë nuk është në dorën e politikanëve, të cilët po bëjnë maksimumin, Rama me punë dhe me show, Basha me show, Ilir Meta me video, po përpiqen por është përtej tyre. Nuk e di se çfarë do të ndodhë ekzaktësisht por unë e ndiej që kjo do të ndodhë. Ata që nuk e kuptojnë që shqiptarët i ka shkundur e tundur tërmeti dhe i ka kthyer në realitet dhe tani nuk presin më politikanët që ta përmbysin tranzicionin se ata që nuk e bënë 30 vjet nuk do ta bëjnë as vitin e 31-të, ata të presin surpriza në vitin që vjen. Unë e besoj fuqimisht këtë gjë. Atë që nuk e bënë dot protestat e studentëve, do ta bëjë ky tërmet”, tha ajo më tej.
Por a ka mjaftueshëm shqiptarë për të bërë shkundjen? Sipas Xhungës kur kalon një tronditje ti fillon e rigjallërohesh.
“Do riaktivizohen shqiptarët. Kur rigjallërohesh bën llogari të tjera. Me llogaritë pas rigjallërimit të shqiptarëve në 2020 nuk janë a i bëri 500 shtëpi Erdogani apo jo. Të jemi të sigurt. Nuk do duartrokasë kush për lagjet që do bëjë Erdogan, bashkë me qendrat shëndetësore me materiale anti-sizmike apo me xhamitë aty ngjitur. Jo, kanë llogari të tjera për të bërë shqiptarët pas 2020 dhe ato janë llogaritë me sistemin e vjetruar politik shqiptar, i cili nuk po ia del dot të kalojë mbi veten. Tani çdo lajm po kalon në mënyrë të sipërfaqshme sepse shqiptarët e dinë, presin një gjë më të madhe se sa përplasjet mes palëve, me video apo me fjalë apo me batuta”, deklaroi ajo.
Xhunga theksoi më tej se ky shok do sjellë reagimin. “E mirëpres dhe e promovoj reagimin. Ti nuk mund të ikësh. Ata që ikën, ikën. Ata që duan ende e kanë të qartë që nuk kanë ku të ikin më. Ku do shkojnë në Angli, do thonë që jemi gay, sepse vetëm për këta arsye të mbajnë në Londër dhe po bëhet qesharake situata me njerëz që në home office, i njohin shumë mirë se janë nga fshati i tyre dhe i thonë ata jam gay dhe do vij këtu. Nuk kanë ku shkojnë. Ti nuk je një vend që merr dot azil politik. Ku do shkojnë? Do ndjekin Agron Tufën. Jo, do rrinë këtu. Kemi shtëpitë këtu, kemi këtë vend, kemi fëmijët këtu. Do rrimë dhe do reagojmë”, përfundoi gazetarja, Rudina Xhunga.