Rusia e gatshme për privatizimin e Alpetrolit

 

Intervistë me Ambasadorin e Federatës Rusë në Shqipëri, Karpushin, dhënë korrespodentes tonë Marjana Doda.

Z. Ambasador, së pari ju urojmë për detyrën e re në Shqipëri! Cilat janë përshtypjet tuaja të para për Shqipërinë?

Në fillim, doja t’ju falënderoja për interesin e shfaqur ndaj Ambasadorit të ri të Federatës Ruse dhe për mundesinë që po më jepet për të dhënë këtë intervistë për auditorin shqiptar. Kanë kaluar shtatë muaj dhe kanë qenë të mjaftueshëm për të krijuar përshtypjen e parë rreth vendit tuaj mikpritës. Siç edhe dihet, përshtypja e parë është gjithmonë më e drejtë. Kam udhëtuar nëpër Shqipëri dhe jam njohur me shumë njerëz interesantë. Këta kanë qenë si përfaqësues të autoriteteve zyrtare të vendit, ashtuedhe shqiptarë të thjeshtë.Në të gjitha nivelet më kanë ofruar një pritje të përzemërt dhe të ngrohtë. Ambasadorin rus e kanë pritur njësoj me dashuri dhe sinqeritet si zyrtarët, ashtu edhe banorët e qyteteve të vogla. Dhe mikpritjen e madhe shqiptare mund ta krahasosh vetëm me traditat e popullit rus. Në këtë aspekt shqiptarët kanë shumë ngjashmëri me ne rusët.

Shqipëria, e cila deri në këto momente konsiderohet në Rusi si “terra incognita”, në fakt është një vend i bukur bashkëkohor me histori dhe kulturë të pasur, me monumente të shumta arkitekturore, me natyrë unike dhe të larmishme. Kam kënaqësi të punoj në vendin tuaj dhe shpresoj që përshtypjet e mia të para për Shqipërinë të mbeten gjatë gjithë shërbimit tim dhe t’i ruaj për gjithë jetën.

Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Rusisë dhe Shqipërisë?

Marrëdhëniet dypalëshe ruso-shqiptare mund të vlerësohen si miqësore dhe të qëndrueshme. Ekziston një bazë solide ligjore e bashkëveprimit ruso-shqiptar. Po zhvillohen mirë edhe lidhjet me Shqipërinë në fushën kulturore dhe arsimore.

Bashkëveprimi mes dikastereve të politikës së jashtme të Rusisë dhe Shqipërisë po ecën në mënyrë konstruktive. Konsultimet diplomatike mes ministrive të jashtme të të dyja vendeve mbahen sistematikisht që nga viti 1991. Raundi i radhës i këtyre konsultimeve duhet të zhvillohet në Moskë në maj të këtij viti. Pa dyshim, një pjesë e rëndësishme e dialogut dypalësh mbetet bashkëpunimi ndërparlamentar.

Në të njëjtën kohë, sipas mendimit tim, po ta vlerësojmë gjendjen e raporteve tona dypalëshe në tërësi, duhet të konstatojmë me keqardhje se shfrytëzimi i plotë i të gjitha mundësive të përmirësimit dhe zvillimit të tyre është akoma shumë larg.

Më duket që mund të aktivizonim bashkëpunimin tonë ekonomiko-tregtar, lidhjet në fushën e shkëmbimeve humanitare, para së gjithash atyre kulturore, si edhe në sferën e turizmit. Dua të theksojse të gjitha këto çështje janë në qendër të vëmendjes së Ambasadës Ruse në Tiranë.

Jam i bindur se, pavarësisht politikës shumë të qartë properëndimore të Tiranës zyrtare, ne do të arrijmë të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha drejtimet mbi bazëne pragmatizmit dhe të përfitimit të ndërsjellë. Mëgjithëse e kuptojmë shumë mirë, se sot ne, si edhe diplomatët e gjithë botës, jemi të detyruar të punojmë në kushte jo të favorshme të një rendi botëror në ndryshim. Situata në botë nuk po bëhet më e thjeshtë, përkundrazi, po ndërlikohet. Po ndodh një proces objektiv i krijimit të një sistemi policentrik të marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili shoqërohet me kundërshtime globale dhe me një rritje të konkurrencës në fusha të ndryshme.

Në këto rrethana, angazhimi ynë është që në përputhje me direktivat e Presidentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë të veprojmë në mënyrë të balancuar, duke mbrojtur me vendosmëri interesat tona të ligjshme kombëtare dhe duke shmangur çdo lloj konfrontimi me vende të tjera.

Çfarë përfaqëson realisht Shqipëria për vendin tuaj në aspektin gjeostrategjik, si një vend ballkanik, me dalje në det dhe aktor i zhvillimeve rajonale?

Para së gjithash, ne e shohim Shqipërinë si një partner të besueshëm me perspektivë, me të cilin mund të zhvillojmë marrëdhënie të bazuara në respektin e ndërsjellë. Jam shumë i vetëdijshëm për angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-së dhe kandidat për në BE, por pavarësisht kësaj, nuk mund të mos zhgënjejë ai fakt që aktualisht vetëm ideja e afrimit me Rusinë shkakton një frikë të pakuptueshme te disa përfaqësues të udhëheqjes shqiptare. Mjafton të dëgjosh fjalimet e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli, e cila e barazon Rusinë me xhihadistët e “Shtetit Islamik” dhe deklaron për gjoja ekzistencën e një “kërcënimi rus” për vendet e Ballkanit Perëndimor. Më duket se një qëndrim i tillë nuk është aspak profesional, pasi bazohet jo në fakte, por në emocione. Shpresoj që akuzat e pabaza si kjo nuk do të bëhen zakon tek zyrtarët shqiptarë. Të paktën, jam i sigurt se shumica e qytetarëve shqiptarë nuk ndajnë të njëjtin mendim me znj. Kodheli.

Më duhet të ripërsëris se e shohim Shqipërinë si një mik dhe partner. E respektojmë kursin e politikës së jashtme të vendit tuaj dhe presim nga ana e Shqipërisë të njëjtin respekt. Jam i bindur se në fund të fundit pragmatizmi do të mbizotërojë dhe ne, duke u çliruar nga paragjykimet, do të arrijmë t’i çojmë marrëdhëniet tona në një nivel të ri cilësor.

Tani, shtatë muaj pas nisjes së mandatit tuaj, a keni ndonjë projekt konkret ku do të fokusoheni dhe që do të realizohet gjatë periudhës së qëndrimit tuaj në Tiranë?

Është e vështirë t’i përgjigjem shkurt kësaj pyetjeje. Pala ruse po tregon vullnetin politikme qëllim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe si në fushën politike, ashtu edhe në atë ekonomike, turistike, kulturore dhe arsimore. Detyra ime si Ambasador i Rusisë është të suguroj që të ruhen rezultatet e arritura deri më sot dhe që të ecim, pa ulur ritmin, drejt horizonteve të reja.

Shpresoj sebrenda fundit të këtij viti do të mbahet sesioni i radhës i Komisionit ndërqeveritar ruso-shqiptar. Kemi marrë një konfirmim se delegacionin shqiptar në këtë aktivitet do ta kryesojë Zëvendesministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Brunilda Paskali.

Jam i bindur se për të bërë tregun shqiptar më tërheqës është i domosdoshëm shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informacioneve mes bizneseve të vendeve tona. Kjo do të sjellë kushte të favorshme për kontakte të drejtëpërdrejta ndërmjet sipërmarrësve. Me përpjekje të përbashkëta po planifikojmë ta hapim tregun shqiptar për biznesin rus.

Sigurisht, një nga prioritetet e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes vendeve tona është turizmi. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë, trashëgimia e saj historike dhe kulturore krijojnë mundësi të mëdha për tërheqjen e turistëve të huaj. Në mediat ruse po shfaqet gjithnjë e më shumë informacion rreth vendit tuaj. Agjencitë turistike shqiptare  marrin pjesë rregullisht në ekspozitat turistike që zhvillohen në Rusi. Në shumë vende ballkanike punojnë tashmë agjencitë turistike ruse dhe do të përpiqemi ta zgjerojmë praninë e tyre edhe në Shqipëri.

Më përpara turistëve rusë u ishte vendosur regjimi i vizave gjatë gjithë vitit, çka krijonte pengesa të medha. Megjithatë, që nga viti 2008 pala shqiptare i heq vizat për nënshtetasit tanë gjatë sezonit të verës. Falë kësaj, vihet re një tendencë e rritjes së numrit të turistëve që vijnë nga Rusia në Shqipëri. Bëhet fjalë për dhjetëra mijë turistë. Por duhet të pranojmë që për momentin shumica prej tyre janë turistë “njëditorë” që vijnë nga Mali i Zi dhe Greqia. Pengesa kryesore tani është mungesa e linjës direkte ajrore mes Shqipërisë dhe Rusisë.

A mund të ndodhë në një të ardhme që Rusia të bëhet pjesë e vendeve që njohin Kosovën?

Më duhet të them që nuk jam i autorizuar jo vetëm të zgjidh, por edhe të komentoj çështje që kanë të bëjnë me njohjen ose mosnjohjen e shteteve, pasi ato i takojnë kompetencës së Presidentit dhe të Qeverisë Ruse. Megjithatë, mund t’juparaqes pikpamjen time personale. Jam i sigurtqë, kur të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë dhe kur mes palëve të mos ngelet asnjë problemi pazgjidhur, çështja e njohjes së Kosovës së pavarur nga disa shtete, përfshirë këtu edhe Rusinë, do të shihet krejt ndryshe dhe ndoshta do të zgjidhet përfundimisht.

 Në argumentet që janë përdorur nga diplomacia ruse për rastin e Krimesë është marrë si shembull dhe shkëputja e Kosovës nga Serbia. A nuk kemi një qëndrim me dy standarde nga diplomacia ruse?

Në Perëndim është deklaruar shpeshherë se Kosova është një rast i veçantë. Në qoftë se është kështu, atëherë nuk është më pak e veçantë edhe situata e Krimesë. Partnerët tanë pohojnë se nuk mund të krahasojmë Krimenë me Kosovën, sepse në Kosovë u derdh shumë gjak para se të njihej pavarësia e saj. Por këtu lind një pyetje e logjikshme: mos vallë duhej të pritej që të ndodhte gjakderdhje në Krime, që populli i Krimesë të merrte të drejtën e vetëvendosjes? Në qoftë se 108 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur pa referendum, atëherë edhe vullneti i popullit të Krimesë i shprehur shumë qartë në referendumin e 16 marsit 2014 meriton respekt nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Kështu që pyetja se kush po përdor standarde të dyfishta është shumë e diskutueshme.

 Shqipëria ka deklaruar qëndrimin e saj pro sanksioneve të BE-së ndaj jush, ndryshe nga fqinjët e saj si Maqedonia apo Serbia. A do të ndikojë kjo në një ftohje të Kremlinit ndaj Tiranës?

Sigurisht, vendimi i udhëheqjes shqiptare për t’u bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë nuk kontribuon aspak në forcimin e besimit dhe zhvillimin e bashkëpunimit mes të dy vendeve tona. Megjithatë, dua të terheq vëmendjen tuaj se Shqipëria, pavarësisht qëndrimit të saj, nuk është përfshirë në listën ruse të kundër sanksioneve.

Vendimi i Tiranës për të mbështetur sanksionet e BE-së është imponuar nga jashtë. Ky hap bie ndesh me interesat kombëtare ekonomike të Shqipërisë. Në Moskë e kuptojnë këtë gjë. Në dallim nga partnerët tanë perëndimorë, ne e mbështesim mendimin që “lufta e sanksioneve” është kundërproduktive, prandaj e përdorim këtë instrument në mënyrë të kujdesshme dhe selektive. Ashtu si edhe më përpara, jemi të hapur për bashkëpunimin me Shqipërinë dhe jemi të përkushtuar për forcimin e lidhjeve tona me përfitim të ndërsjellë.

 Në tenderin për ndërmarrjen shtetërore shqiptare të naftës kompania ruse “Gazprom” nuk arriti të kualifikohet. Por me që ky privatizim rezultoi i dështuar, a e keni menduar se “Gazpromit” mund të jepej një shans i dytë për ta fituar atë? A ekziston ende një interes rus për të menaxhuar sektorin e naftës shqiptare?

E thënë më saktë, në atë tender nuk mori pjesë “Gazpromi”, por kompania serbe “NIS”, e cila është një ndërmarrje vartëse e kompanisë “Gazprom Neft”. Ka gjasa që, nëse do të merret vendimi për të privatizuar “Albpetrol”, “Gazprom neft” dhe “NIS” mund të shprehen prapë të interesuar. Në rast se ky privatizim do të zhvillohet në bazë të një tenderi transparent dhe të ndershëm, atëherë këto kompani kanë një shans të mirë për të fituar. Ato kanë çdo gjë të nevojshme për këtë: kapitalin, përvojën e veprimtarisë ndërkombëtarë dhe teknologjitë.

Kompanitë e mëdha ruse, si edhe më përpara, e konfirmojnë interesin për Shqipërinë dhe jo vetëm në lidhje me sektorin e naftës. Por, për të mundësuar ardhjen e kapitalit të madh, është i domosdoshëm vullneti politik nga të dyja palët. Aktualisht ky vullnet gjendet vetëm tek pala ruse.

 Gjithmonë e më shumë po konstatohet një zbehje e kultivimit të gjuhës dhe kulturës ruse në institucionet arsimore shqiptare, dukur shumë të pranishme brenda tyre. A do të ketë nga Rusia një angazhim të ardhshëm për ta ringritur praninë e tyre në vendin tonë, siç në fakt vende të ndryshme si Franca, Turqia, Greqia, etj, po ndërmarrin vitet e fundit përmes politikave arsimore dhe kulturore?

Duhet vënë re se në vitet e bashkëpunimit të ngushtë të BRSS-së dhe Shqipërisë gjuha ruse gëzonte popullaritet midis shqiptarëve, gjuhë që zyrtarisht ishte përfshirë në programet mësimore të institucioneve arsimore. Më vonë, pavarësisht nga prishja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona në vitin 1961, gjuhën ruse vazhduan ta mësonin në shkollat e mesme dhe universitetet e Shqipërisë bashkë me gjuhët e tjera të huaja. Pas rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, interesi për mësimin e gjuhës ruse dhe të kulturës ruse në përgjithësi në Shqipëri nuk është ulur. Shumë nga maturantët dhe të diplomuarit shqiptarë kanë dëshirë të arsimohen në Rusi për specializime të ndryshme ose të vazhdojnë studimet e tyre për doktoraturë në Rusi.

Sot për sot, qendra kryesore e mësimit të gjuhës, letersisë dhe kulturës ruse në Shqipëri është Dega e Gjuhës Ruse pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Studentët dhe pedagogët e kësaj dege vazhdojnë traditat e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet vendeve tona, pavarësisht nga kontradiktat politike. E vlerësojmë lart kontributin e pedagogëve dhe studentëve të Universitetit në forcimin e lidhjeve humanitare mes Rusisë dhe Shqipërisë.

Meriton një përmendje të veçantë edhe gjimnazi “Asim Vokshi” në Tiranë, ku gjithashtu mësohet gjuha ruse.

Veç kësaj, në kuadër të shkëmbimeve ndëruniversitare në fushën e arsimit dhe shkencës Shqipërinë çdo vit e vizitojnë studentët dhe pedagogët nga Universiteti “Lomonosov”, Universiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Moskës (MGIMO) dhe Universiteti Shtetëror i Shën Petersburgut për të ndjekur kurse të gjuhës shqipe. Po zhvillohen shkëmbime edhe në nivelin e përfaqësuesve të Akademive të Skencave të Rusisë dhe Shqipërisë.

Duhet theksuar se që nga viti 2014 po realizohet programi i përbashkët i Agjencisë Federale ruse “Rossotrudniçestvo” dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Rusisë për dërgimin e shtetasve shqiptarë për t’u arsimuar në universitete ruse, përfshirë edhe në magjistraturë dhe doktoraturë. Gjatë vitit të parë kandidatët e përzgjedhur mësojnë gjuhën ruse për të vazhduar më tej studimet sipas degëve. Vitet e fundit kuotat për studentët shqiptarë në Rusi janë rritur. Këtë vit do të lëshohen 30 bursa.

Për më tepër, që nga 1 prilli 2015 tek Qendra e gjuhëve të huaja “IRISOFT” në Tiranë kanë filluar mësimet e gjuhës ruse për të rritur, të organizuara nga Shoqata e bashkëatdhëtarëve rusë “Bota ruse në Shqipëri”.

Në një të ardhme të afërt me mbështetjen e Ambasadës sonë në Tiranë po planifikohet hapja e Qendrës së kulturës ruse, ku do të realizohet mësimi i gjuhës ruse. Kjo nismë u propozua fillimisht nga përfaqësuesit e qarqeve të biznesit shqiptar dhe u prit pozitivisht nga qytetarët e Tiranës.

Po ashtu, pas marrjes së pëlqimit nga institucionet arsimore, në të cilat mësohet gjuha ruse, bashkë me Fondin “Bota ruse” kemi në plan të hapim në ambientet e tyre klasat e gjuhës ruse me pajisje të nevojshme kompjuterike.

Vizita e Presidentit të Federatës Ruse, z. Vladimir Putin, në Serbi në tetorin e kaluar, çfarë përfaqëson në të vërtetë sipas jush përtej detajeve konkrete që ajo përcolli? A ishte ajo edhe vizitë për të “treguar muskujt” rus Perëndimit?

Siç dihet, vizita e Presidentit të Rusisë në Serbi u zhvillua me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit nga pushtuesit fashistë.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi delegacionin rus të zhvillonte bisedime të mirëfillta me Presidentin dhe Kryeministrin e Serbisë. U bisedua për bashkëpunimin ekonomik, zhvillimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e tregtisë pa taksa doganore mes të dyja venvede. Aktualisht 85% të mallrave serbe në Rusi janë të përjashtuar nga taksat dhe kjo listë do të zgjerohet edhe më tej. Në përfundim të bisedimeve u nënshkruan disa marrëveshje ndërqeveritare, duke përfshirë edhe marrëveshjen për bashkëpunim tekniko-ushtarak, memorandumin për baskëveprimin në fushën e energjisë, marrëveshjen për rindërtimin e hekurudhave, etj.

A ishte kjo një “tregim muskujsh” siç u duket disa gazetarëve? Nuk e besoj. Rusia nuk ka nevojë për të demonstruar aftësitë e saj.

Për sa i përket rëndësisë së vizitës së Presidentit Rus në Beograd, duhet nënvizuar përkushtimi i udhëheqjes serbe për të mbrojtur pavarësinë e saj në vendimmarrje, siç po e demonstron tani shumë qartë edhe partneri strategjik i Shqipërisë – Turqisë, të cilën kreu i shtetit rus vizitoi më 1 dhjetor të vitit të kaluar.

Për Moskën, vizita e Putinit në Serbi, me të cilën na lidhin marrëdheniet miqësore shumëshekullore dhe e cila nuk i mbështeti sanksionet kundër Rusisë, ka qenë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të raporteve ekonomike, politike dhe kulturore.

           Jemi mësuar që diplomatët nga BE-ja dhe vende të tjera janë aktivë në jetën politike shqiptare, duke dhënë këshilla, sugjerime dhe duke marrë shpesh rolin e asnjanësve në konfliktet politike në Tiranë. Ndërsa ambasadorët rusë në Tiranë kanë pasur një angazhim më të ulët publik në këtë drejtim. Pse ndodh kjo?

Asnjë ambasador, kushdo qoftë ai, nuk është i autorizuar t’ia japë këshilla vendit të qëndrimit. Kjo bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike dhe është e papajtueshme me statusin e shefit të misionit diplomatik. Për këtë arsye nuk ia lejoj vetes të komentoj ngjarjet brenda vendit, si edhe të jap këshilla në lidhje me objektivat ekonomike dhe politike të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, detyra e çdo ambasadori është të përfaqësojë shtetin e tij në të gjitha fushat. Për mua është me rëndësi shumë të madhe pjesëmarrja ime personale në vendosjen e urave lidhëse dhe kontakteve ndërmjet vendeve tona. Pa asnjë mëdyshje, unë do të bëj çmos për të vazhduar punën time në këtë drejtim.

Sot e kësaj dite hapësira mediatike është shumë e hapur dhe përmban informacione të bollshme. Jam i gatshëm të takohem me gazetarë, pasi e konsideroj punën informuese një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë sonë. Më duket se në radhë të parë duhet ndryshuar faqja zyrtare e Ambasadës në internet. Në qoftë se ajo është bërë në mënyrë të duhur dhe jo të rëndomtë, përditësohet rregullisht dhe mbushet me informacione përkatëse tematike, atëherë mund të ngjallë interes tek publiku i gjerë. Në këtë rast, faqja e Ambasadës mund të shërbejë jo vetëm si një burim informacioni për punën tonë, por edhe si një instrument efikas për t’ia përcjellë shqiptarëve, të cilët interesohen për vendin tonë, informacionin e vërtetë për rolin e Rusisë në politikën botërore dhe për qëndrimin e saj ndaj çështjeve kyçe.

Disa mund ta quajnë këtë agjitacion, por unë jam kundër këtij formulimi. Nuk është asgjë tjetër veçse synimi për të siguruar objektivitetin. Fatkeqësisht, jemi shumë pak të pranishëm në hapësirën mediatike të Shqipërisë, kurse interneti është një mjet i përshtatshëm që na lejon të tregojmë pa asnje kufizim dhe pengesë për qëndrimin tonë.

Kemi dëgjuar se Moska ka disa plane për të ndihmuar disa media në Shqipëri. Cilat janë ato media?

Moska është e interesuar për zhvillimin e bashkëveprimit të gjithanshëm me Shqipërinë, përfshirë këtu edhe fushën e mediave. Por pala ruse niset nga ajo që mediat nuk duhet t’i nënshtrohen ndikimit të faktorëve të jashtëm. Për fat të keq, kemi vënë re që paanësia e mediave shqiptare vuan shumë shpesh nga ndikimi i konjunkturave politike, në radhë të parë lidhur me çështje më të nxehta të axhendës ndërkombëtare. Aktualisht mbështetja e mediave shqiptare po realizohet nëpërmjet shpërndarjes së materialeve informuese të Ambasadës Ruse. Dua të përsëris edhe një herë se jam i hapur për çdo lloj komunikimi me të gjitha mediat. Jam i gatshëm të mbaj kontakte të rregullta edhe me ju. Le të hapim së bashku “Rusinë e re” për “Shqipërinë e re”.

 

        A keni kërkuar për hapjen e një koridori ajror Moskë-Tiranë që t’i shërbejë turistëve rusë?

Po, kemi diskutuar për këtë çështje me partnerët tanë shqiptarë. Megjithatë, implementimi i kësaj iniciative nuk varet vetëm nga vullneti i mirë i palëve, por, në radhë të parë, nga perspektivat e përfitimit ekonomik, domethënë nga qëndrueshmëria e fluksit turistik nga Rusia. Në vitin 2013 numri i turistëve rusë arriti në 12 mijë njerëz. Ky tregues duket i pamjaftueshëm për të vendosur një linjë ajrore charter të drejtpërdrejtë. Janë të nevojshme përpjekjet shtesë për të promovuar potencialin e stërmadh turistik të Shqipërisë në tregun rus. Meqë ra fjala, dëshmi e gjallë e rritjes së interesit ndaj vendit tuaj janë edhe rastet e shumta të blerjes nga qytetarët rusë të pasurive të paluajtshme në zonat turistike të Shqipërisë.

 Nëse në një takim zyrtar ku jeni i ftuar ju del përpara Ambasadori amerikan Donald Lu, e takoni apo bëni sikur nuk e keni shikuar?

Duhet të pranoj se qëndrimet e Rusisë dhe të SHBA-ve ndaj një sërë çështjesh të axhendës ndërkombëtare janë të ndryshme. Megjithatë, jemi shprehur më përpara dhe do të shprehemi gjithmonë për dialog. Dëshmia e fundit për këtë ishte pjesëmarrja e përbashkët e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, z. Lavrov, dhe Sekretatit të Shtetit të SHBA-ve, z. Keri, në bisedimet për programin bërthamor të Iranit që u mbajtën në Lozanë në fund të marsit. Dua të citoj fjalët e Presidentit Putin se izolimi i Rusisë nuk ka qenë zgjedhja jonë. Shpresoj se i jam përgjigjur pyetjes suaj. Dhe doja të përfitoja nga ky rast për t’i uruar homologut tim amerikan, i cili, meqë ra fjala, e di mjaft mirë gjuhën ruse, suksese në postin e ri dhe shëndet të plotë atij dhe familjes së tij.

  Ju personalisht keni vërejtje apo sugjerime për klasën politike në Shqipëri?

Nuk do të doja të jepja këshilla dhe rekomandime për klasën politike të Shqipërisë, e cila duket mjaft e pjekur për të analizuar në mënyrë të pavarur ngjarjet aktuale dhe për të marrë vendime të duhura. Dua të them vetëm që duhet t’i japim fund pushimit të zgjatur në kontaktet tona për çështjet kyçe dypalëshe dhe ta çojmë baskëpunimin tonë ekonomik në nivelin e potencialit të marrëdhenieve ruso-shqiptare. Edhe më tej do të vazhdojmë t’ia dërgojmë palës shqiptare informacione mbi mundesitë tona, ku do të përfshihen edhe të dhënat për konferenca, forume, ekspozita dhe panaire që zhvillohen në Rusi. Kam përmendur më sipër fushat me perspektivë të bashkëpunimit dypalësh. Për shembull, duke marrë parasysh politikën e sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, që tani mund të diskutonim me kolegët shqiptarë për sigurimin e politikës së balancuar në fushën e shkëmbimeve bujqësore në nivelin e sipërmarrësve të ndërgjegjshëm të të dyja vendeve, duke u bërë ballë përpjekjeve për të eksportuar në Rusi prodhimet bujqësore nga vendet e treta sikur të ishin prodhime shqiptare.

 

 

 

SHKARKO APP