Sabit Brokaj: Reforma në drejtësi, efekt më të fuqishëm se në Kroaci e Rumani

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj është shprehur se reforma në drejtësi do të kishte kuptim dhe nuk do të quhej dështim, vetëm nëse do të fillonte me hetimin e çështjeve të mëdha që kanë tronditur këtë vend. Ai përmend se pa zgjidhjen e “Gërdecit” dhe “21 janarit” gjithë mundi për miratimin e reformës në drejtësi do të ishte një kohë dhe energji e humbur, pasi nuk do kishte rezultat. Brokaj vlerëson këmbënguljen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE, pa të cilët reforma nuk do të ishte miratuar, por as nuk implementohet. Teksa përmend pengesat që i janë nxjerrë reformës gjatë tërë rrugëtimit të saj, ish-ministri i Mbrojtjes nënvizon se do ketë sërish pengesa, por nëse zbatohet dhe për këtë ka besim, atëherë efektet e saj do të jenë shumë më të fuqishme se në Kroaci dhe Rumani. Vende në të cilat ish-kryeministrat janë në burg për afera korruptive.

***

 Prokuroria Speciale lajmërohet se punën e parë që do të marrë në dorë do të jenë dosjet e mëdha, si “Gërdeci”, “21 janari” etj. Besoni se do të shkohet deri në fund…?

Reforma në drejtësi është një nga reformat më të mëdha që ka njohur Shqipëria në këto 25 vite. Dhe të gjithë shqiptarët janë të interesuar, madje e presim me padurim implementimin e saj dhe dhënien e rezultateve të pritshme për të cilat është miratuar. Dhe kur themi se presim zbatimin e reformës në drejtësi, gjithnjë kemi parasysh, unë gjykoj që jo vetëm ne por dhe populli shqiptar, zgjidhjen e dosjeve të mëdha të cilat ende nuk janë zbardhur dhe përmbajnë në vetvete ngarkesa të mëdha. Dhe këto dosje të mëdha që pritet të zgjidhen nga zbatimi i reformës në drejtësi janë afera e “Rrugës së Kombit”, tragjedia e “Gërdecit” ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm, u plagosën qindra të tjerë, “21 janari” ku u vranë katër demonstrues të pafajshëm dhe u plagosën shumë të tjerë nga Garda e Republikës. Por dhe dosje të tjera të mëdha…

Pra ju mendoni se reforma në drejtësi merr kuptim nëse fillon me këto dosje dhe me njerëzit që kanë ushtruar autoritetin e tyre në ndodhjen e këtyre ngjarjeve…?

Në të gjitha kohrat, pra dhe në kohën e sotme sistemi i drejtësisë është ngritur si sistem për të dhënë drejtësi, për vënien në vend të një të drejte të marrë në mënyrë të padrejtë për arësye të ndryshme, qoftë dhe nga vetë sistemi i korruptuar i drejtësisë. Këto janë përfitime individuale nga e drejta e njerëzve, të thjeshtë apo dhe të tjerë për t’u ankuar në tempullin e drejtësisë dhe për të marrë atë që i takon në bazë të ligjeve të shtetit. Pra duke zbatuar strikt ligjet e shtetit.

Por kur flasim sidomos për “Gërdecin” dhe “21 janarin” këto janë çështje të mëdha që kanë efekt kombëtar, pasi janë krime shtetërore, pavarësisht se e kanë pësuar në kurrizin e tyre qytetarët shqiptarë. E kanë pësuar nevojtarët shqiptarë, që në vend që të ndjejnë dorën mbështetëse të shtetit, kanë ndjerë shpërthimin e municioneve dhe plumbat e shtetit, nga të cilët kanë humbur jetën. Dhe nuk janë pak, por qoftë dhe për një person të vetëm, qoftë për humbjen e një jete njerëzore për shkak të korrupsionit shtetëror dhe vrasjes së drejtëpërdrejtë të shtetit, drejtësia duhet të bëjë drejtësi dhe përgjegjësit duhet të përgjigjen para ligjit.

Duke qënë çështje të mëdha, nëse nuk fillon reforma në drejtësi me “Gërdecin”, “21 janarin” etj., mendoj se nuk ka kuptim kjo reformë. Pasi kam përshtypjen se ajo do të denatyrojë misionin për të cilin është miratuar dhe është harxhuar aq shumë energji, burime njerëzore dhe mbështetje ndërkombëtare. Ndërkohë që kjo reformë nuk do ketë asnjë efekt mbi njerëzit.

Dhe shkeljet kanë të bëjnë me çështjet e mëdha, por dhe me njerëzit që e kanë ushtruar pushtetin e tyre dhe për pasojë kanë ndodhur këto ngjarje. Nga angazhimi kriminal i një autoriteti të lartë, kur merr dhe karakter shtetëror, dëmi është kolosal për vendin dhe afatgjatë për pasojat. I kalon caqet e një çështjeje që ka të bëjë me individin. Prandaj ne mezi e presim që reforma në drejtësi të fillojë pikërisht me këto çështje. Kjo do sjellë optimizëm, por indirekt do të rregullonte dhe disiplinonte shumë çështje të tjera.

Roli i SHBA e BE me ekspertët e tyre për reformën në drejtësi ka qënë i jashtëzakonshëm për miratimin e reformës në drejtësi. Mendoni se pa këtë rol dhe më tutje kjo reformë nuk zbatohet siç duhet…?

Ashtu sikurse e kemi pohuar që në fillim, por dhe sot e kësaj ditë, pa këmbënguljen e partnerëve tanë kryesorë ndërkombëtarë SHBA dhe BE kjo reformë nuk do të miratohej. Por dhe deri në zbatimin përfundimtar, do t’i vihen gurë nën rrota kësaj reforme të rëndësishme. Zgjatja, zvarritja, pengesat pa kriter që i janë vënë gjatë tërë rrugëtimit të saj reformës në drejtësi, nuk kanë për të pushuar as kur të vijë problemi i zbatimit në praktikë. Dhe të gjithë e dinë, e kuptojnë kush janë dhe përse i vënë pengesa zbatimit të kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këmbëngulja e SHBA dhe BE është një nga vendimet më pro shqiptare për këto 25 vite që partnerët tanë ndërkombëtarë kanë marrë për Shqipërinë. Konseguenca e tyre është vendimtare deri në hallkën e fundit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe është një garanci se Reforma në Drejtësi do të zbatohet në Shqipëri.

Besoni se reforma në drejtësi në Shqipëri do të japë ato efekte që ka dhënë në Kroaci, Rumani dhe vende të tjera ku është zbatuar…?

Po që se këmbëngulja e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe prania e ekspertëve të tyre do të jetë siç është parashikuar dhe në ligj, reforma mund të ketë efekte më të mëdha se në Kroaci, Rumani dhe vendet e tjera ku ka gjetur zbatim sipas kushteve të atyre vendeve. Pra, mendoj se do të ketë efekte shumë më të mëdha në Shqipëri se sa në këto vende që përmenda. Pasi në ato vende ka pasur korrupsion në përmasa dhe të mëdha, por jo si në Shqipëri.

Nuk ka pasur “Gërdec”, “21 Janar” etj, nuk ka pasur tragjedi njerëzore, drama njerëzore ku ushtruesi i dhunës dhe i këtyre tragjedive ka qënë vetë shteti dhe autoritetet e larta të shtetit. Prandaj them se efekti në Shqipëri do të jetë më i fuqishëm. Nëse nuk do të jetë efekti i fuqishëm në përputhje me reformat dhe ngjarjet që janë shumë më të mëdha se në vendet e rajonit, atëherë mund të themi se reforma në drejtësi në Shqipëri ka dështuar. Por kam besim tek partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE se do t’i shkojnë deri në fund kësaj reforme.- Tema.

SHKARKO APP