Sadedin Çeliku: Ekonomia shqiptare po lëngon

 

Flet për “Koha Jonë”, ish-zëvëndës/ministri i Transporteve, Sadedin Çeliku

“Qeveria qysh në ditët e para e filloi keq punën, sepse e filloi me rregullimin e zyrave dhe të institucioneve dhe jo me investime publike. Sigurisht, edhe ato investime quhen, por jo me interes publik”. Kështu e nis një intervistë për “Koha Jonë”, ish-zv/ministri i Transporteve, Sadedin Çeliku, duke shprehur më tej edhe pakënaqësi të tjera ndaj kabinetit ekzistues. Kështu sipas tij, rregulli numër një është ulja e shpenzimeve qeveritare dhe rritja e të ardhurave. Teksa vë në dukje edhe faktin që në qeverisje sipas tij, poste mjaft të rëndësishme u janë dhënë shumë femrave. Për të përfunduar me argumentin e ndryshimeve në qeveri, rreth të cilave ai shprehet se nëse duam një situatë tjetër, duhet të ndryshojmë atë që shkon keq. “Problemet ekonomike nuk zgjidhen as me rritje taksash dhe as me politika të ashpra. Të mos harrojmë se disa ministra nuk kanë asnjë eksperiencë si drejtues, por edhe asnjë formim”, citon Çeliku për “Koha Jonë”…

Besoj se është koha e përshtatshme të analizojmë qeverinë dhe efektivitetin  e qeverisjes duke patur parasysh se u bënë dy vjet. Si e gjykoni situatën ekonomike në vend?

Siç është informuar opinioni publik, kjo qeveri gjeti një ekonomi të pashëndetshme dhe me mjaft  probleme nga qeveria e drejtuar nga Partia Demokratike, ku do të veçoja borxhin publik nga 57% të PPB që është tavani, në 72% të PPB. E na lind e drejta të themi se qeveria po drejton në kushte krize, me defiçit të lartë buxhetor, me një bilanc eksport-importi negativ, me kredi të këqija, me fatura të papaguara, pa llogaritur koncensionimin e sektorëve strategjikë, gjë të cilën e konsideroj një gabim të madh dhe pa rentabilitet etj.

 

Si veprohet në këto raste për shëndoshjen e financave publike?

Rregulli numër një është ulja e shpenzimeve qeveritare dhe rritja e të ardhurave.Të jem i sinqertë, më vjen keq që shpenzimet janë rritur, në vend që të ulen dhe të ardhurat nga tatime e dogana nuk po realizohen, madje ka informalitet të madh dhe evazion fiskal të lartë. Evazionin si rregull nuk mund ta bëjë një qytetar i thjeshtë, ose qoftë dhe një biznesmen pa ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë apo dhe të nëpunësve të lartë të administratës publike, kurse informaliteti nganjëherë shkaktohet edhe si pasojë e rritjes së taksave shpesh pa vend, por dhe nga njerëz të pandërgjegjshëm. Rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë poshtë pritshmërive dhe ekonomia thuajse është në staniacion, të ardhurat kanë rënë, investimet e brendshme nuk gjenerojnë të ardhura dhe as vende të reja pune, ndërsa investimet e huaja janë rrudhur. Kjo situatë do të zgjasë limitet në kohë te uljes së borxhit, do çojë në masa më të rrepta dhe do të agravojë më tej problemet sociale.Duhet të përmirësohet klima e biznesit përmes politikave të reja fiskale. Të gjitha këto janë disa nga konstatimet, të cilat kërkojnë politika ndryshe nga ato deri tani.

 

Sipas jush, çfarë duhet koregjuar për ta përmirësuar situatën?

Më lejoni të them se qeveria qysh në ditët e para e filloi keq punën, sepse e filloi me rregullimin e zyrave dhe të institucioneve dhe jo me investime publike. Sigurisht, edhe ato investime quhen, por jo me interes publik. Kështu, u shpenzuan miliona dollarë për rikonstruksionin e godinave të policisë, qendrave shëndetësore, për kryeministrinë dhe rikonstruksione që lidhen me ndryshimet e ministrive. Por nuk është ky i gjithë problemi, sepse nga pikëpamja strukturore qeveria ka krijuar shumë hallka të tepërta të cilat dublojnë njëra-tjetrën dhe që janë niveli i dytë i qeverisjes qendrore. Unë nuk e kam fjalën që duhet t’i futemi regjimit të kursimeve, sepse ajo do të na çonte në rrugë të gabuar, por shpenzimet duhet të kenë prapavijë efektivitetin. Bie fjala, ka shumë mundësi të ristrukturohen ministritë. Kështu, mund të bashkohej Ministria e Transportit me atë të Zhvillimit Urban duke krijuar kështu Ministrinë e Transportit dhe Punëve Publike, të shkrihej Ministria e Integrimit sepse me të merret dhe Ministria e Jashtëme, por e tërë qeveria; Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Turizmit dhe Tregëtisë është më e dobëta dhe ka mjaft përgjegjësi për situatën e sotme ekonomike, pse jo dhe Ministria e Arsimit mund t’i bashkohej Kulturës. Këto bashkime nuk janë mekanike, por mjaft funksionale. Kjo do jepte impakt pozitiv në uljen e borxhit publik nëse duam ta bëjmë. Në fund të fundit, kështu kanë qenë më parë dhe nuk kemi pse provojmë eksperienca të reja. Po kështu, disa drejtori të përgjithshme dhe agjensi duhen shkrirë sepse janë hallka të tepërta dhe barrë për ekonominë.

 

Ju thatë se nuk janë realizuar të ardhurat nga tatimet dhe doganat. Si mund të rregullohet kjo punë?

Punës nuk i kanë gjetur njeriun, por njerëzit kanë gjetur punën. Kryeministri më duket se ka ngatërruar barazinë gjinore me prioritetet e qeverisë. E them këtë se në poste kyçe ka vënë gra me formim profesional të dyshimtë. Në krye të tatimeve grua, në doganave grua, në krye të spitalit “Nënë Tereza” grua, në krye të INUK-ut grua, në krye të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave përsëri grua, në krye të Autoritetit të Konkurrencës prapë grua.Të mos harrojmë se disa janë dhe në konflikt interesi. Nga ana tjetër, theksova se të ardhurat nuk realizohen nga korrupsioni dhe evazioni fiskal. Natyrisht që dhe barazia gjinore ka rëndësi, por kur gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur duhet ndërhyrje dhe ndryshime. Më duket i pakuptueshëm edhe  deklarimi i kryeministrit kur thotë se nuk ka ndërmend të bëjë ndryshime.Unë nuk e kam fjalën thjesht për ndryshim emrash, por për ndryshime substanciale.

 

Mos duhen bërë ndryshime në qeveri?

Të them të drejtën, kam bërë disa shkrime muaj më parë ku theksin e vë tek ndryshimet në qeveri sepse ka mjaft paaftësi, ngathtësi dhe keqmenaxhim. Nëse duam një situatë tjetër, duhet të ndryshojmë atë që shkon keq. Problemet ekonomike nuk zgjidhen as me rritje taksash dhe as me politika të ashpra. Të mos harrojmë se disa ministra nuk kanë asnjë eksperiencë si drejtues, por edhe asnjë formim. Më vjen keq kur shikoj ministra tërë ditën në televizione, sepse mendojnë se ky popull i varfër i gëlltit deklarimet e tyre dhe e ha sapunin për djathë, por nuk i shikoj asnjëherë dritat e ministrive ndezur. Nëpunësit e ministrive shkojnë në punë në ora 09.00, sepse mungon tërësisht disiplina e punës. Por ka dhe ministra që gënjejnë në CV-të e tyre sa i takon formimit, sepse nuk i ka verifikuar njeri.

Ju shprehët ndryshimet në rehabilitimin e Kryeministrisë, mendoni se ishte veprim i drejtë i kryeministrit?

Nuk mendoj se ishte ide e mirë. Në kohën që kryeministri ishte ministri i Kulturës, ai, zoti Edi Rama inicioi prejektin “kthim në identitet “ dhe të kuptohemi, ishte një projekt milionash, madje në kohë të vështira. U suvatuan dhe u lyen pallatet dhe ministritë dhe u bë mirë, pavarësisht se jo gjithçka u kthye në identitet. Presidenca, Kryeministria, Parlamenti, Gjykata Kushtetuese janë shteti. Kryeministrat shkojnë e vijnë, por kurrë nuk janë dhe s’mund të bëhen shteti. Personalisht, gjykoj se nuk është vepruar mirë sepse institucioni i Kryeministrisë nuk është më bukur se më parë. Nëse duhen korrigjuar dhe marrë masa, duhet ndërhyrje në kalatë dhe monumentet të cilat janë kthyer në gjebaptore, aq më tepër që ishte një premtim elektoral që mesa shohim nuk po realizohet.

A mendoni se janë mbajtur premtimet elektorale?

Nuk mendoj se janë mbajtur të gjitha premtimet, sepse lidhur me  papunësinë përshembull, nuk është bërë asgjë, përkundrazi ajo është rritur. Pra, njerëz në nevojë kemi më shumë. Këtë e vërtetojnë dhe dyndjet e kohëve të fundit drejt Gjermanisë, por dhe drejt vendeve të tjera. Njerëzit duan rrugëdalje sepse kanë humbur shpresat. Ajo që kam merak ta them është se qeveria duhet të shqetësohet seriozisht dhe të merret më shumë me punë sesa me llafe, sepse deri më tani nuk po shikojmë rezultate konkrete, por as përmirësime situate.

SHKARKO APP