Saimir Pirgu: Fati në karrierë vjen një herë, herën e dytë të takon ty
Talenti pa diskutim e sidomos puna dhe kërkimi yt si artist për të bërë gjithmonë më të mirën, pa u vetëkënaqur për arritjet e tua të bën të diferencohesh nga të tjerët.”. Është pikërisht fjala për tenorin me famë botërore Saimir Pirgun. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” Pirgu rrëfen për interpretimet e tij të para në muzikë, duke treguar paralelisht edhe për vendosjen në Itali. Po ashtu ai tregon edhe për ardhjet e tij jo aq të rralla, por as të shpeshta në vendlindje duke rrëfyer se mban kontakt të përhershëm me TKOB për ta bërë edhe Shqipërinë pjesë të kalendarit të aktiviteteve të tij.
Keni interpretuar në skenat më të mëdha botërore. Me siguri secila prej tyre mbart një ndjesi më vete. Na përmendi disa prej interpretimeve që ju keni ndjerë më shumë.
Jetoj në botën e artit dhe ushqehem me të çdo ditë e çdo sekondë të jetës sime. Mbase është dashuria e madhe për operën që reflektohet tek arti im. Jam munduar gjithmonë në aktivitetin tim si artist lirik të interpretoj më të mirën e roleve dhe të fokusohem në brendësi të tyre, për të nxjerr në pah ekzekutimin tim, ndonëse nuk është e kollajshme sepse unë nuk jam krijues, por interpretues. Pra është vështirësia e të pasurit një art që është në kompeticion të përhershëm me ekzekutimet e artistëve të tjerë, por brenda kësaj bote jam munduar të gjej mënyrën time të të kënduarit për ta bërë më interesante një rol të shumë kënduar nga të gjithë.
Janë disa prej tyre interpretimeve siç mund të jetë Rodolfo në Boheme, IDOMENEO, Idomeno re di Creta, Duka i Mantovës nga opera Rigoletto, Alfrendo në Traviata, Nemorino në Elisir D’amore. Romeo në Romeo&Juliette. Secili prej këtyre roleve ka ndihmuar në botën time të interpretimit dhe fal tyre kam arritur edhe suksesin ku do që i kam interpretuar.
Ndërkohë që flasim kanë kaluar plot vite që nga momenti kur ju keni nisur të hidhni hapat e para në muzikë. Si i rikujtoni fillimet tuaj?
Me shumë nostalgji dhe me shumë respekt , sidomos për guximin që kam patur të përballem në moshë shumë të re me shumë përgjegjësi e me shumë teatro të rëndësishëm . Kur je i ri bota të duket më e prekshme nga çdo aspekt, mbase sot nuk do ta kisha kaq të kollajshme të interpretoja një rol të ri direkt në një teatër të rëndësishëm.
Vendosja juaj në Itali. Si ka qenë përshtatja e një artisti shqiptar me jetën atje?
Unë me Italinë kam lidhje të shumëfishta. Së pari kam studiuar atje, jam edukuar artistikisht ( për operan flas) dhe ndaj shumë gjëra të përbashkëta me kulturën dhe mënyrën e të qenurit “Shqiptar që këndoj artin Italian nëpër botë”. Kam zgjedhur të jetoj në Verona të Italisë për shkak të dashurisë për artin tim. Është atdheu i operas e ndoshta nëse nuk do ta kisha nisur jetën time artistike në Itali sot mbase nuk do të isha ky që jam. Ja përse.
Kur e kuptove që kishe zë dhe çfarë të ka lidhur kaq fort me muzikën klasike?
Për të patur zë kam patur që i vogël, edhe në qytetin tim të lindjes kur këndoja në shtëpinë e pionierit, por eventi i tre tenorëve Pavarotti-Domingo- Carreras i një të diele në televizion, kur isha adoleshent më ka lënë mbresa të veçanta. Nga ai moment fillova të afrohesha më shumë me operan duke ndërruar degën nga violinë për kanto në shkollën “Onufri” në Elbasan e më vonë në Liceun Artistik në Tiranë.
Një shqiptar i suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Një nga artistët më të njohur të botës së lirikës. Është fryt i punës së palodhur apo edhe fati ka pjesën e tij?
Fati vjen një herë, herën e dytë të takon ty. Talenti pa diskutim e sidomos puna dhe kërkimi yt si artist për të bërë gjithmonë më të mirën, pa u vetëkënaqur për arritjet e tua të bën të diferencohesh nga të tjerët.
Së bashku me Ermola Jahon, jeni ndër shqiptarët e parë që keni interpretuar në Operan Mbretërore të Londrës, për tu rikthyer aty sërish kohë pas kohe. Ç’do të thotë kjo për ju?
Ka patur të tjerë artistë më parë, si Enkelejda Shkoza e gjithashtu edhe Inva Mula. Unë dhe Ermonela kemi interpretuar disa herë në Londër dhe Traviata jonë e përbashkët, bëri shumë jehonë në gjithë trevat tona që dy shqiptarë ishin bashkë në Operan Mbretërore në Londër. Sigurisht, kjo ka qenë një krenari e madhe, por jo e parashikuar dhe fal zotit prodhoj sukses për ne të dy duke mundësuar rikthimin tonë në këtë teatër. Unë dhe Ermonela përsëri këtë vit në dhjetor do të jemi në Operan shtetërore të Vjenës me operan Traviata.
Ardhjet tuaja në Shqipëri nuk janë as të rralla, por le të themi edhe jo aq të shpeshta. Kjo ndodh për shkak të axhendës suaj apo prej mungesës së aktiviteteve këtu?
Jo kryesisht për faj të kalendarit tim artistik që bëhet pothuajse një 3 vjeçar përpara, pra shumë e vështirë për tu kombinuar me mundësitë kohore në Shqipëri.
A vlerësohen aq sa duhet artistët në vendin tonë?
Jo, por fatkeqësisht kjo ndodh në çdo fushë artistët nuk janë vetëm, bashkë me ta janë dhe doktorët, profesorët, kërkuesit, arkeologët, sportistët e çdo fushë tjetër e jetës tonë civile gjithashtu dhe vetë politika kërkon më tepër respekt nga kjo shoqëri. Shoqëria jonë është tepër e egër dhe ka shumë vështirësi që duhet ti kalojmë me një integrim që do kohë. Fatkeqësisht, të gjithë ne shqiptarët vuajmë historinë tonë, por në këto dy dekada shumë gjëra kanë ndryshuar e po ndryshojnë dita ditës. Janë krijuar breza të rinjsh që kanë studiuar e parë botën tashmë. Vetëm kërkon një disiplinim më të mirë, të të gjitha forcave intelektuale shoqërore e sidomos politike për ti dhënë Shqipërisë një ndryshim radikal të shumë mentaliteteve që po e mbajnë të varur e të krahasuar me historinë tonë fatkeqe.
Në shoqërinë tonë është kthyer disi në fenomen që një pjesë e mirë e talenteve vlerësohen jashtë vendit, dhe më pas mirëpriten plot bujë. Cili është mendimi juaj për këtë?
Kjo gjë ndodh në çdo vend të botës, jo vetëm tek ne. Shqipëria nuk ka vuan nga mungesa e talenteve nëpër botë, përkundrazi këto ndihmojnë për imazhin e mirë të saj. Por ka dhe shumë disinformacion, ka shumë nga këta të ashtuquajtur të famshëm që as nuk mund të krahasohen me artistët e vërtet në Shqipëri, që japin kontributin e tyre të përhershëm. Për këtë gjë është detyrë e institucioneve kulturore të bëjnë shumë kujdes për përzgjedhjen apo nominime të figurave që nuk janë të vërtetë, qofshin ata me famë kombëtare apo me aktivitet të vetëquajtur ndërkombëtar.
Thuhet se artistët kanë dy jetë: atë të skenës që njihet dhe përditshmërinë. Si është Saimiri në përditshmërinë e tij?
Po e vërtetë. Skena ka një Saimir tjetër, ndërsa në jetë jam njeri si gjithë të tjerët.
Nëse nuk do të merreshit me muzikën klasike. Në ç’profesion tjetër mendoni se do të shkëlqenit dhe do të ishit po kaq i suksesshëm?
Nuk e di dhe fal zotit nuk më duhet të mendoj për këtë.
Çfarë i thoni vetes gjithmonë përpara një koncerti?
Përqendrohu në atë që po bën.
Të qenurit i suksesshëm dhe kaq popullor krijon miqësi, por përpos këtyre edhe rivalitete e xhelozi. Ju ka ndodhur ti ndjen këto rivalitete apo xhelozi gjatë punës suaj?
Është normale të kesh edhe rivalitete e xhelozira kur je një njeri që ke sukses. Por të gjitha këto të ndihmojnë, në një fare mënyre, për tu rritur me frymën që nuk je i padiskutueshëm.
Gjërat tuaja më të çmuara në jetë?
Gjëja më e çmuar në jetë për mua është familja. Ata janë forca ime.
Jemi në tetor, muajin e sensibilizimit për sindromën Down. Ndërkohë vitin e shkuar ishit pjesë e nismës për Down Syndrome Albania. Cili do të jetë kontributi juaj për këtë vit? Po një mesazh që përcillni?
Këtë vit fatkeqësisht unë e kam patur të pa mundur të jem aty, por vitin tjetër po mendojmë të organizojmë një event akoma më të madh, që të mundësoj akoma më shumë sensibilizimin ndaj kësaj pjese të shoqërisë shqiptare. Ajo që po mundohemi të krijojmë është një rrjet më të madh dhe internacional në bashkëpunim me shumë organizata të tjera në botë që të mundësojmë realitete të ndryshme dhe të ndihmojmë sadopak qendrën tonë të re .
I keni plotësuar të gjitha dëshirat që keni patur në jetë?
E konsideroj veten me shumë fat e me shumë dëshira të plotësuara, e me shumë të tjera që do mundohem ti plotësoj gjatë jetës.
Dhe së fundmi, cila është axhenda juaj e koncerteve? A është pjesë e saj edhe Shqipëria?
Tashmë ndodhem në Washington në National Opera për operan Boheme. Më pas do të jem në Vienw me operan Traviata, dhe e mbyll vitin në operan e Berlinit me Elisir D’amore. Ndërsa jam në kontakt të përhershëm me TKOB për ta bërë edhe Shqipërinë pjesë të kalendarit tim.
Intervistoi: Sidorela Lepuri