Saimir Tahiri: Kush po luan me tritolin?

Zoti Tahiri, para pak disa ditësh keni ngritur zërin ndaj një rasti të rëndë në Fier, ku bashkëshorti me precedentë penalë, ka vrarë gruan pasi nuk e linte të dilte nga shtëpia. Çfarë mund dhe duhet të bëjë maxhoranca aktuale, që situata si kjo të mos përsëriten? Si është e mundur të lejohet të gjykojë më tej gjyqtari që ka dhënë këtë vendim?

Dhuna në familje është një plagë e shoqërisë. Jo pa shkak, gati gjysma e krimeve me pasojë fatale për jetën e njeriut, ndodh brenda familjes. Por kush mendon se zgjidhja është vetëm e policisë, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa ka fshehur problemin e vërtetë. Ka një sërë hallkash e mekanizmash institucional, të drejtësisë, shoqëror por edhe përgjegjësi të vetë individit, që duhet të funksionojnë e koordinohen siç duhet, për ti dhënë një zgjidhje definitive këtij problemi realisht shqetësues. Rasti më i fundit në Fier, është dëshmia më e qartë, por jo e vetme, e dështimit të sistemit gjyqësor, me pasoja fatale siç ishte vrasja e një gruaje. Është për këtë arsye që si Ministër i Brendshëm kam ngritur shqetësimin e vendimeve të gjykatave që më së paku janë absurde, por që prodhojnë pasoja të rënda duke ricikluar kriminalitetin mbrapsht në shoqëri. Siçështë për këtë arsye, që nuk më duken të mjaftueshme as nismat e përfaqësueseve gra në parlament apo kudo që kujtohen sa herë ndodhin ngjarje të tilla që marrin vëmendjen e publikut, siç nuk më duket as e arsyeshme që një korpus i tërë i shoqërisë civile dhe donatorë, të mos përmbushin misionin e tyre duke i shkaktuar shoqërisë pasoja të rënda. Ndërkohë ky ishte vetëm një rast, kur na u bë shumë e qartë për të gjithë, pasoja e një vendimi gjyqësor skandaloz. Por ju them me siguri se të tilla ka shumë, pavarësisht se nuk gjejnë hapësirë në media. Janë pikërisht këto lloj vendimesh skandaloze e të papërgjegjshme që e bëjnë të domosdoshme reformën rrënjësore në drejtësi, e konceptuar jo si një kërkesë kryesore në procesin e integrimit të vendit në BE, por si një nevojë imediate pikësëpari për të mirën e qytetarëve shqiptarë, si një kërkesë në rritje e qytetarëve ndaj politikës dhe më tej akoma si një proces jetik për suksesin e luftës kundër krimit, kryesisht atij të organizuar dhe kundër korrupsionit. Por kujdes, të mos mendoj njeri se reforma në drejtësi zëvendëson korpusin e gjyqtarëve apo i bën të korruptuarit të ndershëm. Jo, do vijojmë të kemi probleme me drejtësinë deri kur themelet që hedh reforma të fillojnë të japin rezultatet e veta. Ju më pyesni se si është e mundur që të lejohet të gjykojë më tej gjyqtari që ka dhënë këtë vendim. Në fakt këtë pyetje duhet t’ia drejtoni Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por druaj se do të merrni ndonjë përgjigje. U bë një kohë e gjatë që këto institucione heshtin përballë fakteve kokëforta të korrupsionit dhe pazareve të gjyqtarëve me krimin dhe kriminelët. Unë personalisht ka kohë që po vijoj të ngre zërin me forcë, jo vetëm në mënyrë të hapur publike por edhe më së shumti institucionale. I jam drejtuar me disa letra Presidentit të Republikës në funksionin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke denoncuar rastet konkrete të vendimeve të gjykatave që janë më së paku të diskutueshme, e deri në shumë absurde. Por Presidenti e ka më kollaj të ankohet publikisht se po e sulmon politika sesa të merret seriozisht me sulmin që u bëhet qytetarëve nga korrupsioni në gjykata dhe vendimet skandaloze të gjyqësorit.

 

U duk sikur në zonën e Fushë-­Krujës ra për disa muaj vala e atentateve me lëndë plasëse. Ndërkohë në orët e fundit po vërehen sërish raste të tilla. Çfarë mund të bëhet më shumë në drejtim të parandalimit të këtij fenomeni barbar?

Fenomeni i përdorimit të lëndëve plasëse në ngjarje të ndryshme kriminale nuk është i ri për shoqërinë shqiptare. Ajo që po evidentohet më shumë kohët e fundit është se kjo metodë po përdoret për të kryer atentate, që në pjesën më të madhe të tyre janë larje hesapesh. Kjo pasi shpërthimi zhduk pothuajse të gjitha gjurmët e mundshme dhe e bën shumë të vështirë zbulimin e autorëve. Që prej marrjes së detyrës, ne jemi fokusuar ne veçanti në identifikimin dhe ndërprerjen e rrugëve nga furnizohen trafikantët dhe kriminelët me lëndë plasëse. Kur kam marr detyrën, kemi gjetur një kaos skandaloz lidhur me administrimin e lëndëve eksplozive, sidomos ato për përdorim civil, që përdoreshin edhe për ngjarje kriminale. Ndërkohë kuadri ligjor ishte i pamjaftueshëm, deri edhe me parashikime qesharake për dënime me gjobë. Për këtë qëllim kemi propozuar dhe më pas miratuar në parlament disa ndryshime në Kodin Penal, ku kemi forcuar ndëshkimet për mbajtjen e lëndëve eksplozive në mënyrë të paligjshme, të cilat aktualisht dënohen me burgim nga pesë deri në tetë vjet, ndërsa kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim dënohet nga 15 deri në 20 vjet burg. Po ashtu kemi forcuar ndëshkimet për shkeljen e rregullave për mbajtjen, prodhimin dhe përdorimin e lëndëve plasëse për qëllime civile. Edhe në këtë rast dënimet kanë shkuar nga 1 deri në 5 vjet heqje lirie. Në këtë kontekst ne kemi forcuar edhe kontrollin ndaj subjekteve private që janë licensuar për të përdorur lëndët plasëse për qëllime civile. Nga ana tjetër Policia ka kryer një sërë operacionesh të rëndësishme ku janë kapur sasi të konsiderueshme lëndësh eksplozive, si edhe grupe kriminale që përdornin bombat me celular. Kështu janë kapur grupe kriminale në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe së fundi, javën e kaluar edhe në Durrës. Sigurisht që është një punë delikate, pasi në pjesën më të madhe këto grupe kriminale duhet të mbahen në hetim për një kohë të gjatë nga policia deri sa arrihet në dokumentimin e veprimtarisë së tyre kriminale dhe arrestimin e tyre. Policia e Shtetit është duke punuar me përkushtim për të bërë të mundur që kjo veprimtari kriminale të marrë fund, ndaj sërish dua t’i bëj thirrje çdo qytetari shqiptar që ka qoftë edhe dyshimin më të vogël për kryerjen e veprimtarive të tilla, por edhe të çdo lloj tjetër veprimtarie kriminale, të bëjë me dije strukturat e Policisë. Ju siguroj se çdo indicie e tillë do të trajtohet me seriozitetin maksimal duke ruajtur konfidencialitetin e cilitdo. Por duhet të kuptojmë se lufta ndaj krimit nuk është një luftë të cilën policia mund ta bëjë e vetme.

 

Javët e fundit ka një debat të ndezur rreth ngjarjes në rrugën e Kavajës. Opozita ka bërë akuza të forta ndaj qeverisë, përfshirë Kryeministrin dhe ju personalisht. Si e keni përjetuar këtë përplasje në distancë me opozitën?

Opozita në këtë periudhë po shfaqet plotësisht si ai i mbyturi që tenton të shpëtojë duke u kapur pas flokëve të vet. Fatkeqësisht, e verbuar nga sukseset e dukshme dhe të matshme të Policisë së Shtetit dhe qeverisjes në përgjithësi, opozita po përpiqet të përbaltë gjithçka, çdo sukses, çdo operacion të rëndësishëm, çdo aksion të policisë që synon të kthejë ligjshmërinë në këtë vend, të lodhur nga paligjshmëria e shndërruar në sistem në 23 vitet e fundit. Edhe ngjarja e Rrugës së Kavajës u tentua të instrumentalizohet, duke u synuar të goditej Policia e Shtetit. U hodhën akuza nga më të ndryshmet, hipoteza dhe hamendësime nga më të stërholluarat, vetëm e vetëm për t’i veshur policisë, fajin e bashkëpunimit me krimin. Kjo ka edhe arsyet e veta, pikërisht pse i kanë bërë vetë këto gjëra në të kaluarën, tani mendojnë se duhet ti bëjmë edhe ne. E vërteta është se Policia e Shtetitështë në krye të detyrës, duke mos njohur asnjë të paprekshëm. Drejtuesit e policisë nuk kanë më lidhje me botën e krimit, siç ndodhte në të kaluarën, e as bëjnë biznes me krimin siç ndodhte në të kaluarën. Në këtë ngjarje, Policia është treguar në lartësinë e detyrës së saj, me veprime profesionale dhe tërësisht ligjore. Hetimi është drejtuar nga Prokuroria dhe të gjitha veprimet kanë qenë konform ligjit. Fakti është që nëse do të kishte shkelje procedurale apo ligjore nga ana e Policisë së Shtetit, do ishte shumë e qartë për këdo. Duke ju rikthyer reagimit të opozitës, dëshiroj të bëj vetëm një thirrje; Lëreni Policinë e Shtetit të kryejë detyrën. Lëreni të qetë policinë të luftojë krimin. Kriminelët nuk mund të jenë “tanët” apo “tyret”, të këtij apo atij, dhe as mund tëgjejnë mbrojtje në asnjë cep të politikës. Fatkeqësisht, opozita vetëm këtë ka bërë deri tani, ka sulmuar policinë dhe ka mbrojtur botën e krimit. Kjo është fatale për shtetin e së drejtës dhe për barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim. Në qershorin e vitit të shkuar policia hyri në Lazarat. Më pas, në fund të verës, kryet gjithashtu një tjetër operacion të ngjashëm në Veri. Sot ndodhemi në kushtet kur është kapur laboratori i kokainës në Xibrakë. Megjithatë, sipas opozitës, ka ende debate rreth rolit, pozitës dhe transparencës së krerëve të policisë së shtetit, përfshirë edhe ju, në luftën kundër narko­trafikut. Si e shpjegoni këtë qëndrim të pakicës? Mbaj mend që edhe gjatë operacionit në Lazarat, opozita quante bandit e plaçkitës punonjësit e policisë që sakrifikonin jetën dhe quante qytetarë që po vuanin shtetin policorë ata që qëllonin me armë ndaj policisë. Fatkeqësi, por ky është e qëndrimi që po mban opozita edhe sot. Është e vetmja opozitë në botë që kritikon policinë për operacionet e suksesshme antidrogë. Dhe të mendosh që janë operacione që e kanë nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga harta e zezë e kultivimit të drogës. E pra Lazarati, Dukagjini, të gjitha bazat e drogës që ne kemi goditur fuqimisht vetëm në 1 vit e gjysmë qeverisje ishin aty edhe më parë dhe askush nuk i prekte. Sepse drejtuesit e policisë ishin të lidhur drejtpërdrejtë me këto trafiqe të paligjshme, sepse ndanin paratë me botën e krimit bënin pazare në kurriz të ligjit dhe policëve të thjeshtë. E vetmja rrugë që opozita e sotme ka zgjedhur për të mos i njohur këto arritje të policisë, që janë vlerësuar me nota tejet pozitive nga partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, është që të hedhë baltë mbi policinë e Shtetit dhe të sajojë akuza bajate. Për fatin tonë të mirë realiteti i luftës dhe rezultateve të policisë ndaj trafiqeve të paligjshme e veçanërisht ndaj trafikut të drogës flasin vetë, e nuk kanë nevojë për shumë komente. Në qoftë se ne që po luftojmë kultivimin dhe trafikimin e drogës, jemi të lidhur me kriminelët, nuk di si do quheshin këta që këtë luftë nuk e bënë për një ditë të vetme kur ishin në qeveri.

 

Duket se ka një rritje të dhunës në familje. Prindër që përplasen me fëmijët e tyre, bashkëshortë që konfliktohen etj. Sa e vërtetë është kjo statistikat tuaja dhe si e shpjegoni?

Siç ju thashë, dhuna në familje është një fenomen shumë shqetësues. Është shqetësues për shoqërinë shqiptare, është tejet shqetësues për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për Policinë e Shtetit. Ne jemi të angazhuar me të gjitha kapacitetet për të bërë maksimumin e mundshëm për ta frenuar këtë. Dhuna në familje është një rreth vicioz, ku parandalimi është aktiviteti më i rëndësishëm.

Për këtë arsye ne kemi nisur një fushatë të gjerë sensibilizimi për të ndërgjegjësuar njerëzit që të denoncojnë rastet e dhunës. Policia nuk mund të jetë brenda mureve të çdo shtëpie. Si çdo krim tjetër, dhuna në familje nuk mund të luftohet e vetme nga Policia, ndaj ne besojmë se vetëm të pasurit e qytetarëve aktivë, që do të denoncojnë çdo rast të dhunës, edhe nëse janë viktima, edhe nëse janë dëshmitarë, edhe nëse janë fqinjët që dëgjojnë se pas murit ngjitur dikush dhunohet, do të bëjë të mundur luftimin e këtij fenomeni të shëmtuar. Shifrat flasin për punë të suksesshme deri tani. Ka pasur një rritje prej 571 kërkesë­padi për urdhra mbrojtjeje gjatë vitit 2014, krahasuar me vitin 2013. Por kjo nuk do të thotë se ka rritje të dhunës në familje, por do të thotë se ka rritje të raportimit të dhunës, që tregon një rritje të besimit të viktimave të dhunës në familje se Policia e Shtetit do të trajtojë me seriozitet këtë çështje. Dhuna në familje është një krim i heshtur, rritja e raportimit tregon vetëm rritjen e besimit ndaj policisë. Ne kemi trajtuar me seriozitet çdo raportim për rastet e dhunës dhe kemi nxitur inspektorët të trajtojnë me përparësi dhe profesionalizëm çdo rast të denoncuar. Por duhet pranuar se kërkohet një angazhim më i madh i gjithë shoqërisë, organizatave të shoqërisë civile gjithashtu, një ndërthurje e mekanizmave institucionale dhe shoqërore për ta referuar këtë problem shqetësues. Ashtu siç duhet që drejtësia ta shohë si prioritet maksimal këtëçështje.

 

A është më e fortë sot siguria dhe rendi publik, se një vit më parë?

Sigurisht që rendi dhe siguria publike janë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me pak vite më parë. Statistikat e tregojnë qartë këtë, por dëshmitarët më të mirë të këtij realiteti të ri janë qytetarët shqiptarë. Duhet të keni parasysh që kur ndodh një ngjarje e rëndë, pavarësisht se sa të sigurtë janë në jetën e përditshme qytetarët, perceptimi publik për rendin lëkundet. Por në të vërtetë, situata është më mirë se ç’ka qenë. Kemi ende shumë punë për të bërë, por mendoj që kemi arritur të realizojmë premtimin tonë kryesor, që është rikthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Sot Policia e Shtetit është në krye të detyrës në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve, larg ndikimeve partiake apo lidhjeve me elementet kriminale. Jemi vetëm në fillim të rrugës tonë për ta bërë Shqipërinë vendin e sigurtë që presin me plot të drejtë qytetarët. Për këtë duhet më shumë bashkëpunim nga qytetarët, më shumë koordinim me institucionet në vend dhe partnerët ndërkombëtarë, më shumë impenjim, luftë ndaj korrupsionit dhe përkushtim nga sistemi i drejtësisë por edhe një opozitë që të lërë policinë të bëj punën e saj pa baltë e shpifje publike për përfitim politik.

 

Ju kanë pyetur shpesh për kandidimin hipotetik në garën për bashkinë e Tiranës. Si e shihni në parim një sfidë të tillë? A ju intrigon ajo më shumë se posti që mbani aktualisht?

Unë jam shumë i fokusuar dhe i angazhuar ne detyrën qe po kryej aktualisht si Ministër i Punëve të Brendshme dhe shumë i përkushtuar ta bëj sa më mirë.

“JAVA”

SHKARKO APP