Saimir Tahiri: Shqiptarët të mos aplikojnë për azil në BE, sepse do të refuzohen

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri këshillon shqiptarët të mos aplikojnë për azil në vendet e BE-së, pasi do të refuzohen nga autoritetet e shteteve përkatëse. Nga Londra, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Tahiri ka dhënë një intervistë pas takimi me Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Theresa May, ku ka treguar detaje për marrëveshjen e nënshkruar. – “Unë po e shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë me dije qytetarëve shqiptarë që të frenohen në çdo iniciativë për të shkelur në vendet e BE me kërkesa për azil, sepse nuk do të pranohen. Nga ana tjetër i kërkova Ministres të shkurtojnë procedurat e trajtimit të kërkesave për azil, pasi zgjatja në kohë e përpunimit të procedurave dhe e verifikimit shërben si një lloj ftese për ata që duan qoftë edhe të kalojnë atë periudhë kohe, që është shqyrtimi i kërkesës, në Britaninë e Madhe apo ne vende të tjera të BE-së”, theksoi Tahiri.Ministri Tahiri gjithashtu e ka njohur ministren britanike me reformat e ndërmarra nga qeveria për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve etj.

Intervista e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhënë për Top Channel:

Zoti Tahiri, sapo keni përfunduar takimin me Ministren britanike të Punëve të Brendshme, znj. May dhe keni nënshkruar edhe një Marrëveshje për Antitrafikun. Cilat janë detajet e kësaj marrëveshjeje?

E sigurova Ministren për angazhimin tonë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe për reformat që kemi ndërmarrë, si nga pikëpamja e forcimit të kontrollit në kufi, ashtu edhe nga pikëpamja e përcaktimit të protokolleve të standardizuara për identifikimin dhe luftën kundër viktimave të mundshme të trafikimit. Ashtu siç i bëra me dije rezultatet tona të deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe terrorizmit.

Zoti Tahiri në Britani të Madhe ka një numër jashtëzakonisht të madh shqiptarësh që vijnë sot e kësaj dite dhe kërkojnë azil. Çfarë i kërkuat homologes britanike për përshpejtimin e shqyrtimit të atyre që vijnë në Britani të Madhe për azil politik?

Unë po e shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë me dije qytetarëve shqiptarë që të frenohen në çdo iniciativë për të shkelur në vendet e BE me kërkesa për azil, sepse nuk do të pranohen. Nga ana tjetër i kërkova Ministres të shkurtojnë procedurat e trajtimit të kërkesave për azil, pasi zgjatja në kohë e përpunimit të procedurave dhe e verifikimit shërben si një lloj ftese për ata që duan qoftë edhe të kalojnë atë periudhë kohe, që është shqyrtimi i kërkesës, në Britaninë e Madhe apo ne vende të tjera të Bashkimit Europian. Ministrja më siguroi që janë duke riparë procedurën e vlerësimit të kërkesave për azil nga Shqipëria me qëllim klasifikimin e Shqipërisë si një vend prej nga nuk priten kërkesa për azil dhe shkurtimin e kohës së procedurës, në mënyrë që ne të procedojmë menjëherë me rikthimin e shtetasve që vijnë dhe kërkojnë azil në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe.

SHKARKO APP