Selami Xhepa: PD-ja humbi nga imazhi i njollosur i “gardës së vjetër”, të cilën ende nuk e ka larguar

 

“Partia Demokratike vazhdon të ndëshkohet për shkak se në krye të saj janë disa drejtues që sjellin kosto politike për këtë parti me imazhin e tyre”. Ky është konstatimi i ish-deputetit të kësaj partie Selami Xhepa, i cili ka qenë një nga “yjet” e fitores së PD-së në vitin 2005 kur dhe shërbeu si këshilltar i kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha.

Në një intervistë për lajmepolitike.com, Xhepa analizon humbjen e PD-së në zgjedhjet e 21 qershorit, duke e lidhur atë me mungesën e një analize të plotë për disfatën e së djathtës në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Për Xhepën, mungesa e Berishës në këtë fushatë elektorale nuk ka pasur asnjë ndikim, as pozitiv as negativ.

Profesori në ekonomi(në sfterëën e qarkullimit të kapitaleve) lë të kuptohet se është koha që Berisha duhet të tërhiqet nga dominimi i drejtimit të PD-së, kur thekson se është vendim i vetë zotit Berisha vullneti për tu larguar apo jo nga politika aktive në PD-së. Xhepa vëren se riorganizimi i kryer brenda PD-së në 2 vitet që shkuan nuk ka mundur të ndikojë në rezultatet e këtyre zgjedhjeve edhe për shkak se pranë kësaj partie janë afruar disa të rinj, të cilët ende nuk kanë arritur të formësohen si personalitete politike dhe thekson se përkundrejt këtyre, imazhi i ish-drejtuesve  të PD-së kanë qënë një kosto të rëndë…

Zoti Xhepa jemi drejt përfundimit të numërimit të votave edhe për këshillat bashkiakë , ndërkohë që për bashkitë, PD-ja përjetoi një humbje të thellë në shkallë vendi.  Cilat mendoni se janë arsyet e kësaj humbjeje?

Mendoj se rezultati është dëshpërues për PD-në dhe ndoshta më shumë sesa vetëm për PD-në, sepse qytetarët ndoshta kanë pritur të shohin një aternativë bindëse tek kjo forcë opozitare, në kushtet kur zhvillimet gjatë dy viteve të qeverisjes se PS-së dhe mazhorancës aktuale nuk kanë qenë ato që janë pritur nga shqiptarët. Kjo do të thotë se mënyra se si PD-ja e ka ndërtuar qenien e saj në opozitë në këto dy vite dhe mënyra se si i ka përcjellë këto mesazhe në fushatën elektorale, nuk ka arritur që të krijojë bindjen e nevojshme dhe të mjaftueshme për tu thënë shqiptarëve se ka një alternativë të re tek kjo forcë opozitare. Kjo mund të vijë ndoshta për një mori arsyesh, por ajo çfarë është thelbësore është se PD-ja sot duhet të bëjë një vlersim më serioz se ajo që ndodhi në vitin 2013, ku humbja kaloi pa iu nënshtruar një procesi të rëndësishëm analize të hollësishme kritike dhe një vetëgjyqësie të brendëshme, që të krijonte një qëndrim të ri opozitar.

Për sa i përket vitit 2013, megjithëse nuk pati një analize, në fakt nuk pati gjithashtu as fajtorë që të merrnin përgjegjësinë e humbjes, por pati mënjanime të disa drejtuesve të PD-së, si dhe prurje të reja. Të cilat me sa duket nuk sollën asnjë rezultat pozitiv…

Unë personalisht jam shumë skeptik me qëndrimet kritike që ka mbajtur PD-ja, për sa i përket analizës së humbjes në vitin 2013. Pra nuk mendoj se realisht PD-ja arriti të bëjë një gjykim të thelluar të shkaqeve të humbjes dhe personalisht mendoj se nuk mundet që reflflektimi i vetëm do të ishte mënjanimi i figurave të rëndësishëme të kohës. Për mendimin tim nuk kemi të bëjmë me ndonjë largim nga radhët e PD-së të personave që mund të kenë peshë edhe në humbjen e vitit 2013. Largimet nga PD-ja janë ekzekutuar për personat që nuk kanë pasur ndonjë peshë në humbjen e PD-së. Nga ana tjetër prurjet e reja ishin një gjë shumë e rëndësishme, por profili i tyre mbetet ende në nivelet modeste, ose më mirë të themi se nuk kanë krijuar atë profilin e lartë publik për të krijuar besim tek elektorati. Mendoj se PD, duhet të investojë fuqishëm për të krijuar personalitete të reja që të kenë vokacion politik dhe kredibilitet tek publiku në mënyrë që t’i japin fuqi kësaj force politike, e cila ka pësuar këto rezultate dëshpëruese.

A i ka tani mundësitë PD, sepse u duk se ajo e mbylli këtë proces të reformimit. Duhet të presim që të maturohen figurat e reja publike, apo duhet një riorganizimim me personalitete që i ka PD-ja, por që nuk spikasin në nivelet e saj drejtuese?

Kjo është një analizë e cila i takon forumeve të larta drejtuese brenda PD-së dhe unë mendoj se duhet ta bëjnë me seriozitet dhe të gjejnë kurajon e brendëshme për të kryer procesin e analizës. Sidoqoftë unë mendoj se tashmë publiku e ka dhënë verdiktin e vet në raport me një sërë figurash politike të cilët kanë një të kaluar të rëndësishme në PD. Personalisht mendoj se është shumë e rëndësishme që PD-ja të krijojë një lidership të ri dhe efiçent, me një profil publik të panjollosur, por më së shumti është se qasja politike që PD-ja duhet të bëjë në opozitën e saj, është që të jetë e ndryshme nga ajo se çfarë ka bërë deri tani. Pra PD-ja duhet që të jetë përfshirëse në procese të rëndësishme të reformave duke dhënë qëndrime dhe pozicione politike në përputhje me linjën e saj dhe jo të përjashtohet, por të mbajë qëndrime politike në momente të caktuara të rëndësishme të Shqipërisë, të cilat përputhen me nevojat e elektoratit, më shumë se sa me nevojat e brendëshme të elementëve të caktuar brenda PD-së.

Nëse nuk e kam kuptuar gabim, jeni duke thënë se PD po vijon të ndëshkohet edhe për kohën kur ishte në qeverisje para vitit 2013, pra për shkak të disa dejtuesve politike që janë ende në krye të kësaj partie?

Unë mendoj se është një situatë delikate brenda PD-së. Unë nuk jam pjesë e forumeve të larta të kësaj partie dhe ndoshta nuk e njoh situatën nga brenda PD-së. Mendoj se një pjesë e rëndësishme e atyre figurave drejtuese të PD-së që kanë qenë edhe më përpara, sigurisht që në një farë mase mund të përbëjnë edhe ndonjë barrë në imazhin publik dhe për rrejedhojë është e rëndësishme që PD të vazhdojë të fuqizojë profilin e lidershipit të ri politik, duke krijuar një profil dinjitoz për sfidat me të cilat përballet vendi dhe qëndrimet politike që duhet të mbajë kjo forcë në raport me këto sfida.

Për sa i përket ish-liderit të PD-së, ai nuk ishte aktiv në këtë fushatë. A mungoi realisht Berisha në krye të PD-së në këto dy vite, apo ishte aty? Çfarë specifike pati mungesa e tij në fushatën  elektorale, mos ndoshta mungesa e tij ndikoi në uljen e energjive të fushatës? Cili do të ishte roli i Berishës aktiv në këtë fushatë elektoale?

Personalisht mendoj se në krye të fushatës elektorale ka qenë zoti Basha dhe zoti Berisha ka patur një shkëputje me aq sa e kam ndjekur unë fushatën elektorale. Pavarësisht eksperiencës së tij goxha të gjatë në drejtimin e fushatave elektorale, personalisht nuk mendoj se ndonjë angazhim aktiv i zotit Berisha do të kishte sjellë ndonjë përmirësim në rezultate. i mbetet gjykimit të vetë zotit Berisha se çfarë angazhimi do të ketë ai.

Ju jeni larguar nga PD-ja kur keni qenë deputet i kësaj partie. Në rast se do të ketë një proces të ri të hapjes së saj, ju do të afroheni sërish?

Unë kam qenë dhe mbetem një demokrat i vendosur me shpirt dhe me zemër, me bindjet e mia të plota, sepse besoj tek parimet e demokracisë, tek liria e individit. Por qenien time në mënyrë aktive nuk e shoh pazgjidhshmërisht të lidhur me veprimtarinë e strukturave të Partisë Demokratike.

SHKARKO APP