Servet Pëllumbi: Ku vepron vota e lirë nuk ka vend as për grusht shteti
Ish-kryeparlamentari Servet Pëllumbi dhe një nga figurat historike të PS-së, flet në një intervistë për TemA TV, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend dhe brenda mazhorancës.
Nga Ina Boja
Zoti Pëllumbi! Jemi pak muaj para zgjedhjeve lokale. Partia Socialiste është në provën e parë të saj pas ardhjes në pushtet. Këto zgjedhje janë testi i parë poliitik i saj për reformat që ka ndërmarrë. Si i shihni ju këto reforma, kanë prodhuar pozitivitet apo e kundërta ka ndodhur?
Në të vërtetë këto zgjedhje vendore nuk janë testi i pare për Partinë Socialiste, që ka provuar si pushtetin qendror, edhe atë vendor. E veçanta ka të bëjë me faktin që këto zgjedhje do të bëhen për here të pare me një ndarje të re territoriale mbi bazën e së cilës do të votohet vetëm për 61 njësi vendore, gjë që ka për të sjellë ndryshime strukturore, cilësore e funksionale, në vetëqeverisjen vendore. Kuptohet, në këtë rrafsh, ky ka për të qenë testim, si për partitë pjesëmarrëse, ashtu dhe për elektoratin shqiptar, sepse kërkon pjekuri politike më të madhe, përgjegjësi demokratike në përzgjedhjen e kandidaturave dhe vizion bashkëkohor administrativ vetëqeverisës.
Zgjedhjet vendore, si rregull, nuk kanë karakter politik, sepse nuk kanëtë bëjnë me çështjen e pushtetit politik, pra me qeverisjen e vendit. Megjithatë, ato kanë rendësi të veçantë për ekuilibrin e pushteteve, për të testuar vlerësimin e elektoratit për reformat e realizuara nga partitë qeverisë, por dhe për alternativat që ofron opozita, e cila deri tani vetëm shan, fyen e proteston! Me këto shpjegohet interesi në rritje për këto zgjedhje. Rezultatet që do të arrihen më 23 qershor do të kenë ndikimin e tyre, deri vendimtar, për zgjedhjet politike plot pas dy vjetëve. Rrethana të tilla të natyrës politike po i bëjnë këto zgjedhje mjaft të tensionuara. Madje mund të mos përjashtohen as hapat e rrezikshëm destabilizues për vendin. Shënjat e para janë që tani prezente në kërkesat e opozitës për revolucion, për përmbysjen e rendit kushtetues…
Cila mendoni ju se është pesha e LSI-së në këtë koalicion, anon nga pozitivja apo negativja?
Eshtë fakt që “pesha”e LSI-së si parti në koalicionme PS-në ka ardhur në rritje dhe kjo për mendimin tim, është pozitive. Ndryshe nuk do të kishin kuptim koalicionet. Ndërkaq, kjo nuk ka pse të lexohet si revansh në dëm të aleatëve të tjerë më të mëdhenj apo dhe më të vegjël. Mirëpo, ruajtja e ndjenjës së realizmit dhe e masës ka rendësi të veçantë për koalicionet e sukseshme e të qëndrueshme. Pakti PS-LSI për ndarjen e kandidimeve në 61 njësitë vendore, në përputhje me përqindjet e marra në zgjedhjet e 2013-ës, më duket i drejtë dhe fitues.
Ndërkombëtarët po i cilësojnë këto zgjedhje si një test për klasën politike shqiptare dhe për mazhorancën në veçanti. Kjo, për faktin se situata lidhet edhe me domosdoshmërinë për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore. Sa mendoni se është e aftë mazhoranca ta kalojë këtë test?
Të gjitha llojet e zgjedhjeve, në thelb, shërbejnë si teste, sepse për to angazhohen të gjitha strukturat: partitë, institucionet, shoqëria civile, qytetarët si pjesëmarrës aktivë gjatë fushatave dhe si votues të drejtpërdrejtë. Prandaj ndërkombëtarët, me të drejtë u japin rendësi parësore testimeve të tilla dhe kanë krijuar struktura të posaçme për ndjekjen e tyre në proces para, gjatë e pas zgjedhjeve. Të gjithë kemi qenë në një formë a në një tjetër dëshmitarë të kontributit të institucioneve Europiane, sidomos të Këshillit të Europës dhe OSBE-së për zgjedhjet e zhvilluara gjatë 25 vjetëve në Shqipëri. Verejtjet dhe sugjerimet e tyre kanë qenë vendimtare për ecurinë e demokracisë në Shqipëri. Kuptohet, jo gjithmonë e ka marrë noten kaluese klasa jonë politike…Le të shpresojmë se tani që kemi statusin e vendit kandidat për integrim në BE dhe presim hapjen e negociatave për antarësim, do të realizojmë më 21 qershor zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme.
Debati i ditëve të fundit është përqendruar tek disa akuza që janë publikuar nga një ish-deputet i PS-së në adresë të kryetarit të Kuvendit, njëherësh aleati kryesor i PS-së në koalicion. Cilat mendoni se janë arsyet që sollën këtë situatë dhe sa lidhet kjo me pakujdesinë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PS-së nga ana e kryetarit Rama në zgjedhjet e 23 qershorit?
Në të vërtetë ju pyesni për atë që tashmë njihet si “çështja Doshi”, e cila ka aspektin kryesor juridik me të cilin po merren organet e drejtësisë që duhet të hetojnë dhe të japin verdiktin e tyre në mënyrë të pavarur, por që ka edhe një aspekt politik për të cilin është angazhuar jo pak politika, media dhe mbarë opinioni. Në këtë vështrim duke gjykuar për kohën e zgjedhur për ciklimin e një “telenovele” të tillë, mendja të shkon menjëherë në disa pista: 1.Te zgjedhjet vendore për të venë në shënjestër koalicionin qeverisës që ka të gjitha shanset për t’i fituar zgjedhjet e 23 qershorit, madje për të marrë dy të tretat e njesive vendore. Përvoja tregon se në raste të tilla përçarjet janë nga skenarët më të preferuar të politikanëve humbës të “tipit Berisha”.Mënyra si po e nxitin dhe përdorin “çështjen Doshi” PD dhe personalisht S.Berisha, është një dëshmi e qartë për këtë version. 2.Nuk përjashtohen as skenarët në të cilët implikohen faktorë të jashtëm e të brendshëm, që kanë vepruar edhe më pare për destabilizimin e Shqipërisë, për ta penguar e vonuar integrimin e saj në BE, mundësisht që Shqipëria të mbetet e vetmja në Ballkanin Perëndimor jashtë Europës së Bashkuar.
3.Mund të jetë edhe një mpleksje interesash të bizneseve të lidhura me krimin e organizuar, për të dhënë e marrë mesazhe, apo paralajmërime për hapje rrugësh, e dhënie favoresh…Këtu mbase futemi në sferën e hamendjeve, prandaj nuk po e vazhdoj më tej. Koha le ta provojë apo ta hedhë poshtë.
Themelore është, se kemi të bëjmë me një çështje që na dëmton të gjithëve, sepse është një investim për përkeqësim të mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë në botë. Tërheq vemendjen edhe akti që gjëra të ngjashme, si nga një dorë e pa dukshme,“gatuhen” edhe në Kosovë! Gjithsesi, problemit të përzgjedhjes më të mire të kandidaturave për deputetë, apo për kryebashkiakë, për të cilën më pyesni si kalimthi, “Doshi gejti” i jep thekse të forta aktuale. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lihet si kompetencë individësh të veshur me çfardo lloj pushteti…
Zoti Pëllumbi! Ju jeni ndër drejtuesit e hershëm me kontribute të mëdha në drejtimin e Partisë Socialiste. Sot pas 24 vitesh të themelimit, si ju duket organizimi i brendshëm i saj. A ka më shumë demokraci në radhët e PS-së?
Kohët ndryshojnë, njerëzit, idetë, përvojat po ashtu, prandaj matjen e progresit apo regresit nuk kemi pse ta bëjmë mbi bazën e krahasimit me të kaluarën kur vihej theksi më tepër te demokracia e forumeve. Sot në kohën e internetit dhe të rrjeteve sociale ka të tjera mundësi në drejtim të zgjerimit dhe përdorimit të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe do të ishte e pafalshme po ti linje pas dore. Drejtuesit e sotëm të PS-së, bije fjala, e përdorin mjeshtërisht një formë të tillë moderne komunikimi. Konkretisht unë përmes një rruge të tillë marr informacion të rregullt për veprimtaritë kryesore të Këshillit të Ministrave. Një informim i tillë, mbase do bërë më mire edhe për linjën e veprimtarisë së PS-së, në qendër dhe në bazë. Pa harruar, gjithsesi, që asgjë nuk mund t’i zevendësojë kontaktet e gjalla me njerëzit…!
A është lidershipi i PS-së në nivelet e pritshmërisë së elektoratit të saj?
Më duket se përgjigja që dhashë më sipër vlen edhe për këtë pyetje. Veç do të shtoja, se elektorati kërkon shtet funksionues, ligje që zbatohen, fjalë e premtime që mbahen, njerëz të punës dhe që ecin me ritmin e kohës. Mendoj se këto i gjen te mishëruara në një masë të konsiderueshme te lidershipi i PS-së dhe i koalicionit të Rilindjes së Shqipërisë. Kuptohet, pa përjashtuar verejtjet dhe kritikat që kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten force kryesore lëvizëse e reformave dhe e zhvillimit.
Mënjanimi nga pushteti i drejtuesve me përvojë në PS është fakt që evidentohet lehtë. Shumica e ministrave i përkasin gjeneratës së re të kësaj partie. A mendoni se ishte zgjidhja e gabuar nga ana e kryeministrit Rama dhe nëse po, a do të ketë kjo kosto në zgjedhjet e ardhshme lokale?
Nuk shoh ndonjë përjashtim të “drejtuesve me përvojë në PS”. Jeta bën të vetën, njerëz me përvojë plaken, u lëshojnë vendin më të rinjve. E tillë është dialektika e jetës që nuk le vend për qejfmbetje. Në PS ka nga ata, që nuk di pse ju të medias i quani “senatorë”, që kanë nga 20-25 vjet deputetë…pra me pushtet legjslativ të rendësishëm. Po ashtu, nuk mendoj që ka gabuar kryeministri Rama që ka përzgjedhur të rinj në qeverisje, por në se do t’i jepej ndonjë këshillë, kjo mund të ishte që këshilltarët të zgjidhen nga ata më me përvojë dhe që të rinjtë e përzgjedhur të testohen më shpesh dhe të zevendësohen pa qejfmbetje mbi bazën e rezultateve të punës.
A keni ju këshilla për zotin Rama në këtë prag zgjedhjesh vendore për përcaktimin e kandidatëve apo edhe për strategjinë elektorale?
Do ta përshëndetja një testim të kandidaturave në elektorat dhe në asambletë e PS-së, në bazën e PS-së, si dhe një fushatë moderne zgjedhore si ekip të një koalicioni që synon një fitore bindëse në dy të tretat e njesive vendore për t’i thënë Berishës, se ku vepron vota e lire nuk ka vend, as për grusht shteti, as për “tritol-terrorizëm”dhe as për “revolucion të butë”!