SHBA: Sfidë për Shqipërinë mbetet lufta ndaj korrupsionit
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, i tha Zërit të Amerikës se Kosovës i duhet një luftë më e frytshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të ndihmohet zhvillimi ekonomik që do të mundësonte edhe pengimin migrimit të paligjshëm. Ai ka komentuar edhe situatën në Shqipëri duke theksuar se janë shënuar suksese në rrugën drejtë BE-së.
Të kalojmë pak në pjesën tjetër të rajonit. Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri?
Mendoj se është shumë me rëndësi që Shqipëria ka shënuar sukses thelbësor në synimet e saj për t’ju bashkuar BE-së. Shqipëria është vend kandidat dhe kjo është dëshmi që vendet që bëjnë reforma të rëndësishme, që janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin, të forcojnë sundimin e ligjit, të forcojnë ekonominë e tregut për të nxitur kompanitë e huaja për investime, janë vende që bëhen kandidate për t’u anëtarësuar në institucionet euroatlantike. Ka shpërblim për reformat e vështira dhe të dhimbshme. Mendoj se ky është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e Shqipërisë që duhet të çojnë përpara reformat, ky është një mesazh për qeverinë se është çështje e përkushtimit politik që përpjekjet e saj për të përmbushur atë që është qëllimi më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe vendet tjera aspiruese, se përpjekjet e tyre qoftë të ligjvënësit apo ekzekutivit shpaguhen me përparimin drejt institucioneve evropiane. Mendoj se është me rëndësi që Shqipëria ishte pjesëmarrëse shumë efektive dhe bujare në një numër nismash me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, me pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare përfshirë Afganistanin, sikundër edhe Kosova do të thosha. Sfidat mbesin për Shqipërinë për forcimin e mëtejmë të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Për të qenë në gjendje që të cojë përpara negociatat për anëtarësim me BE-në, duhet të dëshmojë se po merr vendime dhe reformat e domosdoshme për të ecur në atë rrugë.
Po sa i përket Maqedonisë? Përveç problemeve të pazgjidhura me Greqinë, ajo po përballet edhe me probleme të brendshme politike?
Unë po ashtu besoj se Maqedonia përket në NATO dhe në BE dhe ka mundësi të kontribuojë në këto dy institucione. Nuk është larg nga kualifikimi për kandidaturën e saj apo anëtarësimin në këto organizata. Ajo duhet natyrisht të përmbushë të gjitha kriteret, që përfshijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, që përfshinë përmbushjen e standardeve demokratike. Mendoj se në Maqedoni një nga sfidat është që t’i dëshmohet BE-së se reformat demokratike, qoftë respekti për mediet, respekti për hapësirën politike, ku të gjitha liritë themelore politike, janë të respektuara nga qeveria siç ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj se qeveria e Maqedonisë e ka bërë të qartë se dëshiron të anëtarësohet në BE, së dëshiron të bashkohet në NATO dhe duhet të vazhdojë qoftë edhe me qorrsokakun me të cilin është përballur tash e disa vjet, duhet të vazhdojë dhe të forcojë reformat demokratike. Do të jetë me rëndësi për të gjitha vendet e BE-së dhe aleatët e NATO-s, që të vazhdojnë të kurajojnë Maqedoninë në këtë rrugë dhe për të punuar drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, që ndikojnë jo vetëm tek dy vendet e përfshira, por edhe tërë rajonin.
Por si të tejkalohet problemi më Greqinë?
Po të kisha zgjidhje, nuk do të isha këtu, do isha diku tjetër. Por, seriozisht mendoj që nëse të dyja vendet mund të gjejnë një hapësirë të drejtë politike, sepse është çështje e ndjeshme për të dyja vendet për shumë vjet, nëse mund të gjejnë një mundësi për rifillimin e bisedimeve intensive për çështjen, është e mundur. Ajo që nevojitet mendoj se është trimërimi nga partnerët, nga aleatët që të kërkojnë zgjidhje dhe që të dyja të kuptojnë se është me rëndësi jo vetëm për këto dy vende por edhe për rajonin dhe gjithë Evropën.