Shehu: 22 Marsi i ‘92 vulosi ndryshimin, por jemi ende shumë larg BE-së

Flet për “Koha Jonë”, ish-kreu i PD-së, Tritan Shehu

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Ish-kreu i Partisë Demokratike si dhe një nga themeluesit e kësaj partie, Tritan Shehu vjen në një rrëfim për 24-vjetorin e krijimit dhe ardhjes në pushtet në vitin 1992, të opozitës së sotme. Në një intervistë për “Koha Jonë”, z.Shehu shpreh rëndësinë e kalimit të regjimit që pasoi në Shqipëri, e sjellë kjo nga të rinjtë e PD-së. “Doli me votën e lirë të qytetarëve të saj për herë të parë në historinë tonë, nga tuneli diktatorial, izolimi, skamja, për të hyrë në rrugën e demokracisë, ekonomisë së tregut, afrimit me familjen tonë europiane e perëndimore”, shprehet Shehu.

Sa me rëndësi ishte kujtimi i 24- vjetorit të ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet? A rezultoi udhëheqja “pa eksperiencë” i të rinjve një kthesë pozitive për Shqipërinë?

Në fakt 22 marsi i vitit 1992 nuk është thjesht fitorja e PD-së në ato zgjedhje apo ardhja e saj në pushtet. Është shumë më tepër, se nëpërmjet fitores së PD-së, Shqipëria ndërroi sistem. Doli me votën e lirë të qytetarëve të saj për herë të parë në historinë tonë, nga tuneli diktatorial, izolimi, skamja, për të hyrë në rrugën e demokracisë, ekonomisë së tregut, afrimit me familjen tonë europiane e perëndimore. Pa asnjë dyshim ajo datë është nga më të rëndësishmet e të gjithë ekzistencës sonë si shqiptarë. Në këto 24 vite shumë aspirata u realizuan, të tjera gjëra mund të ishin bërë më mirë. A mund të ishin bërë më shpejt? Ka shumë të tilla të paplotësuara, kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ajo datë “vulosi” zhvillimin tonë pa kthim mbrapa, pavarësisht oscilacioneve. Ju pyesni për eksperiencën tonë të saj kohe në drejtimin e shtetit e politikës. Ishte “zero”. Një pjesë e madhe nga ne vinte nga eksperienca të suksesshme në sektorë të veçantë, kryesisht në nivele teknike, shkencore apo pedagogjike, por pa asnjë të kaluar “drejtuese” të tillë. Kjo kishte elemente negative në kuptimin e ngushtë, por ishte e mbushur me elementë pozitivë në një analizë më të thellë. Sidoqoftë ajo që dominonte ishte pasioni, vullneti i palëkundur, besimi, entuziazmi për atë që po bënim.

Z.Shehu ju jeni një ndër udhëheqësit e parë të PD-së. A ja doli PD-ja që pas 24 vitesh të kemi sot një Shqipëri europiane?

Për mua si dhe për kolegët e mi është një krenari e veçantë që kontribuuam jo vetëm në rënien e komunizmit, por dhe në hedhjen e themeleve për një Shqipëri demokratike.  Kemi sot një Shqipëri Europiane ju pyesni? Unë e thashë dhe më lart se ndryshimet pozitive në këto vite janë të pallogaritshme dhe sot asgjë nuk mund të krahasohet me atë botë të vjetër. Dhe në këtë proces, PD-ja ka meritat e mëdha e të veçanta. Është ajo që lindi mbi këto e me këto principe, i aplikoi e para me sukses ato. Por a mjafton kjo për t’u kënaqur sot? Jo absolutisht nuk mjafton. Sot ne duhet të krahasojmë veten tonë në të gjitha planet me vendet e tjera europiane. Sepse ne jemi një vend europian, vetëm europian e perëndimor. Dhe në këtë mënyrë analiza duket qartësisht që jemi larg akoma atyre niveleve.

Cilin moment do të cilësonit më famëkeqin gjatë këtyre 24-tër vite demokraci, si nga ana socio-ekonomike, por dhe politike?

Pa asnjë dyshim të tillë do të përcaktoja ngjarjet e vitit 1997 e pasojat e tyre. Në të gjitha planet ishte periudha më tragjike e këtyre viteve, që e ktheu Shqipërinë shumë vite mbrapa në zhvillimin e  integrim. Dhe për atë influencuan shumë faktorë. Influencoi niveli i pjekurisë demokratike, brishtësia e institucioneve tona të reja, gabimet që u bënë me perceptimin e skemave piramidale, gjendja “revolucionare” e opozitës së atëhershme çuan në shpërthimin e një rebelimi komunist. Sidoqoftë ato ngjarje ishin me të vështirat e më dëmtueset.

Është folur shpesh për futjen në treg të ilaçeve kontrabandë e të falsifikuara. Si kreu i departamentit të Shëndetësisë në PD, çfarë po ndodh realisht?

Çështja në fakt është shumë më gjerë e komplekse. Nuk është thjesht problemi i futjes kontrabandë të disa medikamenteve. Po të ishte kështu do të ishte kryesisht një problem i organeve të policisë, doganierëve e tatimorëve dhe pjesërisht i instrumenteve të shëndetësisë. Problemi qëndron se sa po bëjmë ne për të importuar apo prodhuar në vendin tonë medikamente me nivel të lartë sigurie. Në botë sot prodhohen e qarkullojnë sasi kolosale ilaçesh “placebo”, jashtë standardeve e efekteve të dëshiruara. Është përgjegjësia e detyra e çdo shteti të gjejë e aplikojë mekanizmat e nevojshme ligjore e institucionale për të mbrojtur popullsinë nga ky fenomen dëmtues për shëndetin dhe rritës i kostos finale. Importi i medikamenteve nuk është si i çdo artikulli. Këtu ka rëndësi në radhë të parë siguria e tyre e lidhur me cilësinë, më tej kostoja. Siguria garantohet së pari nga instrumentet publike. Ne në vendin tonë mekanizmat e kontrollit për importin i kemi të kufizuara, qoftë nga kapacitetet teknike, qoftë nga korrupsioni. Prandaj unë mendoj që heqja nga ligji i medikamenteve i kushtit të importimit të medikamenteve që duhej të ishin regjistruar e qarkulluar në një nga vendet e BE-së apo të tjera të origjinës së sigurt,  ka çuar në rrëzimin e një porte sigurie thelbësore. Ndërsa normat e sigurisë për prodhimin vendas janë larg atyre europiane. Me këtë nuk paragjykoj këtë prodhim që duhet stimuluar e rritur, por them që duhen përcaktuar e aplikuar normat Europiane (së paku të OBSH) të GMP e GDP. Sidoqoftë ky është një argument që duhet të flasësh shumë gjatë e gjerë si edhe për rrezikun e importeve paralele, kundër mbivlerësimit të xhenerikëve vetëm për shkak të kostos së tyre aparente më të ulët, për mungesat e mëdha në medikamente që ka në spitalet e treg, për nevojën e shumëfishimit të listës së rimbursimeve, gjë që nuk na e lejon mundësia e sotme.

Shpesh keni denoncuar gjendjen në spitale e shëndetësi. E ardhur nga shpalosja e platformës së PDSH për shëndetësinë,  mund të na thoni disa nga pikat më kryesore të saj?

Po është vërtetë se ne si departament i shëndetësisë së PD-së, kemi përgatitur një draft platformë politike. Aktualisht jemi duke e diskutuar atë me kolegë e specialistë në të gjithë qendrat e vendit. Këtë e bëjmë për të thithur mendimet e sa më shumë njerëzve e përmirësuar materialin. Realisht dua të theksoj se, gjendja e sistemit tonë shëndetësor është e rëndë. Po t’i shtojmë kësaj dhe keq menaxhimin e mjeteve financiare, centralizmin e thelle, disa mega “koncesione” pa rentabilitet, mungesën e perspektives etj, situata bëhet dramatike. Ju kërkoni të dini disa nga kolonat tona të platformës, shumë shkurt do përmend disa, përveç farmaceutikes që fola më lart: Së pari është rritja e financimeve në nivele europiane. Te ne qytetari paguan shumë, direkt, paguan në farmaci, te stomatologu, te klinika te spitali privat, te publiku, paguan në dorë. Ne do të bazojmë financimin në dy kolona: prej buxhetit të shtetit që vjen nga taksimi i përgjithshëm (nuk është falas) dhe nga kontributet direkt, pra sigurimet duke dalë edhe jashtë konceptit të blerësit të “vetëm”, pra diversifikuar. Shërbimi ambulator do të ketë në qendër mjekun e familjes, që duhet të jetë një profesionist i lirë i kontraktuar e i paguar për kapitacion nga sigurimet. Pra këto do të çojnë në atë që ne të kemi në qendër të sistemit e si motorin e tij pacientin. I gjithë ky personel do të jetë pjesë aktive e hartimit dhe e  implementimit të reformës shëndetësore. Ndryshe kjo do të dështonte, siç po ndodh sot.

Nga mbledhjet me dyer të mbyllura të grupit të PD-së në media rrjedhin lajme që paraqesin debate dhe qëndrime kundër kreut Basha. Këto informacione dalin nga deputetët, por ju si pjesë e themelit të PD-së, a i shihni të gabuara këto “komunikime” të deputetëve apo tregojnë demokraci ?

Unë e kam theksuar dhe më parë se është e palejueshme dhe e pamoralshme që ato që diskutohen në mbledhje të tilla të mbyllura të botohen të nesërmen në formë procesverbalesh. Për këtë duhet të impenjohet kryetari i grupit, që ose t’i përgënjeshtrojë ato në qoftë se nuk janë të vërteta, ose të vendosë disiplinë në grup, që të tilla dukuri negative të mos përsëriten më. Të debatosh është shumë pozitive e zhvilluese, kjo duhet stimuluar. Por kur diçka e tillë bëhet në një mbledhje të mbyllur ato ngelin aty. Sot gjithsekush kur dëshiron mund të prezantojnë mendimet, objeksionet, kritikat e tij direkt në media, me emër e mbiemër poshtë. Kjo është normalja, e moralshmja. E kundërta jo. Aq më shumë unë do ta konsideroja ofenduese në qoftë se dikush tjetër do t’ia kalonte “ilegalisht” medias gjëra që unë mund të kem thënë në një mbledhje të mbyllur. Sidoqoftë këto publikime, në qoftë se janë të vërteta, kanë të bëjnë me defekt në kulturën demokratike, ndjenjën e përgjegjësisë dhe  të kurajës politike.

 

DEKLARATA

“Shqipëria ndërroi sistem. Doli me votën e lirë të qytetarëve të saj për herë të parë në historinë tonë, nga tuneli diktatorial, izolimi, skamja, për të hyrë në rrugën e demokracisë, ekonomisë së tregut, afrimit me familjen tonë europiane e perëndimore. Në këto 24 vite shumë aspirata u realizuan, të tjera gjëra mund të ishin bërë më mirë. Do të ishin bërë më shpejt? Ka shumë të paplotësuara, kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ajo datë “vulosi” zhvillimin tonë pa kthim mbrapa, pavarësisht oshilacioneve”, shprehet z.Shehu.

SHKARKO APP