Sherefedin Shehu: Trafiku i drogës dhe rishikimi i marrëveshjes për skanimin në dogana

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu: “Muaji shkurt dhe mars, data të mundshme për protesta masive”

Intervistoi: Redjon Shtylla- Deputeti i Qarkut të Dibrës, Sherefedin Shehu në një intervistë për “Koha Jonë”, analizon ecurisë ekonomike në vend. Për sa i përket koncesionit për TVSH (tatim mbi vlerën e shtuar), z.Shehu e komenton si një punë e fshehtë e qeverisë për të fituar më shumë para për xhepat e tyre dhe e sheh pengesë për zhvillimin e biznesit. “Rapiscan”, kompania amerikane, për famën e së cilës u dha koncesioni i skanimit në dogana është larguar përfundimisht nga Shqipëria, edhe pse Shehu e ka komentuar se kontrata nuk e ka nënkuptuar pagesën prej 22 eurosh, për ato zhdoganime që nuk kalojnë fizikisht në dogana.

Koncensionet zënë një hapësirë të rëndësishme të qeverisë, aq sa 55 të tilla tashmë janë nën administrim të kompanive të huaja. Për z.Shehu kjo mënyrë e të dhënurit të drejtën koncesionarëve, përveç koston për dhënien e shërbimit me koncesion kemi edhe një kosto të shtuar për mënyrën se si realizohen dhe jepet ky shërbim. Për çështjen se kur do të rinisin protestat e radhës, të premtuar nga vetë kreu Basha, Shehu konstaton se: “Ne kemi një sezon përpara sepse kemi rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, kemi përpara festën për zgjedhjet e para pluraliste, që për PD-në këto janë momente të rëndësishme dhe në protesta të mirëfillta politike do të informohen, por këto data janë të mundshme për disa protesta masive”.

Qeveria do të japë me koncesion për 10 vjet, administrimin e TVSH-së. Sa efektive mund të jetë kjo mënyrë? A mund të rrisë vlerën e TVSH-së kontraktuesi, sa e drejtë është?

Kjo kontratë e paralajmëruar nga qeveria normalisht që do të jetë penguese dhe nuk ka asnjë element pozitiv për të ndihmuar biznesin se nuk ka një objektiv këtillë, pasi që ajo synon “rritjen” e mbledhjes së të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kjo kontratë në fakt është një model shqiptar që nuk ka asnjë synim tjetër përveç se të paguajë disa kontraktorë që të kryejnë disa shërbime për qeverinë ose që qeveria mund t’i përdorë si një kanal për të krijuar para për të vjedhur vota. Këtu kam parasysh dy faktorë: I pari lidhet me eksperiencën që kemi nga dogana, ata erdhën me një premtim për të rritur të ardhurat nga dogana, 1% të produktit të brendshëm bruto dhe nëse do të realizoheshin këto objektiva ata do të kishin të drejtë që përsërisnin kontratën për tre vjet. Megjithëse, ata nuk i rritën të ardhurat ata tani mbushin dy vjet nga nënshkrimi i kontratës dhe i kanë marrë shtetit të paktën 8 milionë euro dhe rezultati është rënie e të ardhurave në doganë, rënie nëse do të shikojmë treguesit faktik të 2015 dhe atë të 2014-s. Në konceptin ekonomik, ky fenomen quhet gropë, sepse ne supozohet që të kemi një rritje ekonomike, ne supozohemi të kemi një inflacion, supozohet që kemi një administratë që në përpjekje minimale duhet të sigurojë një administrim minimal të procesit fiskal, por ne kemi një politikë fiskale që duhet të sillte të paktën 60 miliardë lekë në vitin e kaluar më shumë në buxhet. Po t’i marrësh në konsideratë të gjithë këto faktorë që jo që nuk kanë sjell asnjë ndryshim, por dhe në vlerë minimale do të thotë që kemi një gropë fiskale, ku qeveria përveç administratës ka paguar edhe një kontraktor për të mbledhura në dogana. Problemi këtu qëndron te afati që ka koncesioni për TVSH, në 10 vjet, dhe nuk quhet më kontratë shërbimi, por kthehet në një të drejtë në një koncesion, se cila do të jetë fusha që mbulon kjo nuk ka rëndësi. Kjo mënyrë e pengon biznesin dhe tashmë do të kemi një hall më shumë në procesin e mbledhjes së të ardhurave, që do të thotë një bezdisje më shumë për biznesin. Problemi këtu ka të bëjë me faktin që e para ky kontraktor nuk jep garanci, ky sistem nuk jep garanci sepse nuk është një sistem i përdoruar apo një histori suksesi që duhet ta përdorë e ta zbatojë Shqipëria. Nuk mund të rriten të ardhurat nga kontraktorët nëse nuk luftohet krimi, kontrabanda. Shkaku i gropës, nuk kanë lidhje me argumentet që sajon ministri i Financave, jo rënie e çmimit të naftës e që sipas tij nuk varet nga qeveria, por shkak i vërtetë është kontrabanda. Në vitin e kaluar janë zhdoganuar 1 mijë ton më pak cigare dhe 40 mijë ton më pak karburante. Po t’i kthejmë në të ardhura buxhetore këto produkte të pazhdoganuara ne do të kishim një rritje reale.

Marrëveshja me koncesionarin ” Rapiscan”, filluar nga qeveria e kaluar, tashmë po duket abuzuese për sa i përket procesit zhdoganor të bizneseve që merren me import-eksport energjetik. A është logjike pagesa prej 22 eurosh për shërbim skanimi?

Edhe ky rast është një tregues sesi funksionon administrata dhe disa media kanë fajësuar qeverinë e partisë demokratike pikërisht edhe për këtë klauzolë të kontratës. Në të vërtetë është që në marrëveshjen me “Rapiscan”, nuk përjashtohen nga pagesa të gjitha mallrat e zhdoganuara dhe kjo bëhet që të mos ketë zhvendosje të zhdoganimeve në dogana, ku nuk funksionon procesi i skanimit. Energjia elektrike nuk është e përmendur në kontratë dhe ky është një interpretim absurd që i bën administrata dhe në këtë rast qeveria e ka parë si një kanal për të futur disa lekë në arkë dhe e ka përdoruar si justifikim absurd kontratën sepse ajo kontratë nuk nënkupton pagesë për ato zhdoganime që nuk kalojnë fizikisht në dogana. Kontrata kërkon për ato mallra që kalojnë fizikisht, është një interpretim për interesin e qeverisë për të nxjerrë sa më shumë fitim për xhepat e tyre. Qeveria në të ashtuquajturën rishikim që i bëri kontratës “Rapiscan” ka bërë disa manipulime në kurriz të bizneseve. E para ka krijuar këtë pamundësinë e shmangies nga pagesa dhe e dyta nuk ja ka lënë përgjegjësinë kompanisë “Rapiscan”, sepse qëllimi për dhënien e skanimit tek një palë e tretë ishte që të krijohet problemi i kontrollit të dyfishtë. Kemi një palë që merr vendimin dhe një palë që e kontrollon vendimmarrjen e palës së parë dhe kjo skemë nuk ekziston sepse ne nëpërmjet skanimit kemi parë raste që ka kaluar edhe drogë, kjo tregon që dikush me qëllim ka lejuar kalimin e drogës edhe kur ajo është parë në skaner. Logjika dhe klauzola për ata mallra që kalojnë fizikisht në pikat doganore përfshirë edhe tek ato që nuk ka proces zhdoganimi. Të gjitha importet me vlerë 1 milion euro ishin të përjashtuar nga skanimi dhe nga pagesa e tarifës të koncesianorit dhe tani u ul tarifa për ato që ishin mbi 1 mijë euro dhe u shpërnda tek këta që janë nën 1 mijë euro që në fakt këta përbëjnë shumicën dhe tarifa është fikse, por numri i atyre që importojnë nën 1 mijë euro është shumica e faturave të zhdoganuara.

55 marrëveshje koncesionare gjatë qeverisjes së majtë. Sa fiton shteti dhe qytetari nga një marrëveshje e tillë, a janë të suksesshme në Shqipëri?

Kjo varet nga sektori dhe ligji për koncesionin ka krijuar një listë të sektorëve, ku mund të jepen kontrata me koncesione dhe kjo kryesisht përfshin burimeve natyrore dhe dhënin e të drejtës të shfrytëzimit të burimeve natyrore. Këtu nënkuptohen kryesisht ujërat, pyjet, mineralet ndërsa qeveria shumicën e koncesioneve i ka në sektorë që kanë mision ofrimin e të mirave apo mallrave siç është shëndetësia tipike. Në këtë këndvështrim janë të paligjshme sepse ka tejkaluar listën apo përcaktimin që ka dhënë ligji për koncesionet. Në rastin e burimeve natyrore qytetarët kanë më shumë mundësi për të marrë shërbime sesa të paguajnë kosto dhe e vetmja kosto që paguan qytetari është ajo e ambientit dhe këtu e para ka standarde që kontrollojnë ambientin dhe e dyta ka një kontroll të dyfishtë për të analizuar se sa dëmton koncesioni dhe sa mund të përballojë komuniteti. Në qoftë se kalojnë parametrat, në këtë kufizohet dhe jepet leja e koncesionit në qoftë se japin ndikime negative për ambientin. Për sa i përket atyre publike, ata vetëm rrisin kostot e shërbimeve publike sepse këto shërbime do të ofrohen nga një privat i cili ka monopolin e shërbimit, të lidhur me qeverinë që mision parësor kanë marrjen e parave dhe rritjen e fitimeve nëpërmjet investimeve nga qeveria dhe jo rritje të cilësisë apo ofrimit të shërbimeve. Qeveria erdhi me premtimin e shëndetësisë falas por përfundoi në një shëndetësi me koncesione e cila do të ketë të paktën 2-3 herë koston më të shtrenjtë. Në disa raste këto janë shërbime që nuk ofrohen, por vetëm shkruhen në letra siç është rasti i check up, që shkruhen emra sikur e kanë marrë shërbimin dhe në anën tjetër këto njerëz mund të jenë emigrantë jashtë Shqipërisë, por nga ana e shtetit fatura është paguar koncesionarit. Nga disa informacione personale që kam nga zona elektorale e imja, në Dibër check up nuk ka siguri sepse analizat bëhen aty, por analizimi i rezultateve bëhet në Tiranë dhe në raste konkrete check up nuk ka zgjidhur problem, por ka shtuar problem. Analizat kanë qenë të pasakta dhe qytetarët janë detyruar që të përsërisin analizat përsëri në sektorin privat me pagesë dhe ka sjellë një kosto të dyfishtë. Në vend që të ndihmonte qytetarin, i krijoi një problem të dytë. Përveç koston për dhënien e shërbimit me koncesion kemi edhe një kosto të shtuar për mënyrën se si realizohen dhe jepet ky shërbim.

Renta minerale është rritur nga 2% në 10 %. Sa ka ndikuar në çmimin e shitjes. A e ka penguar biznesin e minierave kjo rritje e rentës?

Natyrisht që, kjo është një pengesë që shfrytëzojnë burimet natyrore sepse kjo kategori e shërbimeve publike e ka rentën koncesionare zero, sepse tarifa koncesionare zbatohet tek këta që kanë burime se edhe ligji nënkupton koncesionet e mirëfillta, shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe rritja e tarifës koncesionit rëndon dhe pengon futjen e kapitalit privat për shfrytëzim te burimet natyrore. Kjo ishte e padrejtë dhe u bë vetëm për të shtuar diçka në buxhet, por ajo do të ketë ndikim negativ te biznesi dhe do të nxisë informalitetin sepse biznesi do t’i kundërpërgjigjet me fshehje të faturave apo vlerës së faturave. Një pjesë e këtyre koncesioneve kontrata është bërë mbi ton dhe pavarësisht nga konjektura e çmimeve në treg, tarifa do të jetë fikse dhe do të jetë një barrë më e madhe nëse konjektura e tregut do të ulë çmimin e blerjeve të këtyre mallrave që shesin koncesionarët.

Banka Botërore e ka parë në shifra pesimiste ekonominë shqiptare për 2016. Gjatë përvojës suaj 35-vjeçare në fushën ekonomike, si e shihni me të vërtetë ekonominë e vendit dhe duke e krahasuar me atë të disa viteve më parë?

2016 ka një bazë shumë të dobët ekonomike, që do të thotë ajo fillon me një gropë fiskale të mbartur nga viti 2015 e që duhet ta mbushë gjatë 2016. Edhe ato parashikime që janë bërë për 2016-n, nuk do të realizohen ashtu siç janë. Para disa ditësh qeveria deklaroi se, 2015 u mbyll me një gropë të dytë prej 20 miliardë lekë dhe 23 miliardë të muajt korrik, të cilat janë më shumë se rritja e parashikuar, fillimisht për 2015 dhe siç e theksova dhe në fillim keni një rënie në vlerë nominale, viti 2015 ka më pak në arkë se 2014. Kjo ndodh kur pretendohet që ka rritje ekonomike, mirëpo rritja ekonomike nuk sjell rritje në buxhet, por kjo ndodh kur ka rritje fiskale. Këtu kemi evazion të theksuar fiskal, kemi kontrabandë dhe në këtë këndvështrim viti 2016, përveç administrimit të dobët fiskal do të kemi dhe një faturë të 2015. Nga ana tjetër kemi disa faktorë të tjerë, si kriza, e cila nuk varet nga qeveria dhe nuk kanë kaluar akoma si për eurozonën dhe për vendet e tjera, janë jo optimiste dhe FMN i ka korrigjuar në ulje. Në Shqipëri ka dhe probleme strukturore, qeveria të ardhurat që ka marrë i ka përdorur për investime dhe ka ulur pakon në buxhet dhe përsëri ajo pjesë që ka shkuar për investime, i ka për ato investime që nuk kanë gjeneruar punësim ose zhvillim sepse ka bërë investime kozmetike, që krijojnë një pamje vizuale më të mirë e që kanë kosto të lartë. Nuk kanë dhënë efekt në zhvillimin e ekonomisë. Politikat që ka ndjekur qeveria nuk krijojnë klimë për biznesin, së pari është burokracia që i tremb investitorët e huaj dhe rritja e barrës fiskale. Në vend që sektori privat të krijojë vende të reja pune, duhet t’ia paguajë qeverisë për taksat.

Kur do të rinisin protestat e radhës?

Jo nuk një datë fikse, por ka një axhendë, të cilën po e përgatisim për protestat e tjera. Ne do të protestojmë duke tërhequr qytetarët në keqqeverisje që shprehet në jetën e përditshme dhe kjo është një arsye e madhe që Partia Demokratike të jetë në krye të njerëzve sepse situata tashmë është e dukshme për të gjithë. Këtë protestë e bëjmë edhe për një objektiv politik, që ne që qeverisim vendin si pushtetarë. Kjo qeveri ka provuar që di vetëm të vjedhë, ne së bashku me qytetarët do të protestojmë për zgjedhje të reja dhe për një qeveri teknike. Kjo qeveri ka punuar për vjedhjen e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe ato që përmenda më lart, koncesionet dhe mënyra se si bëhen investimet, bëhen duke ushqyer klientelën dhe ndarja e parasë me të. Ne kemi një sezon përpara sepse kemi rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, kemi përpara festën për zgjedhjet e para pluraliste që për PD-në këto janë momente të rëndësishme dhe në protesta të mirëfillta politike do të informohen, por këto data janë të mundshme për disa protesta masive.

SHKARKO APP