Shezai Rrokaj: Me PD Tirana mbeti në vendnumëro

Profesori i njohur Shezai Rrokaj është kandidat i LSI për anëtar i Këshillit Bashkiak. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Rrokaj flet për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve dhe alternativën e LSI-së për Tiranën. Duke vlerësuar programin e LSI-së, Rrokaj vë në dukje se PD-ja nuk realizoi asnjë nga premtimet që bëri 4 vite më parë për Tiranën. Ai shprehet se ndarja e re administrative është një projekt i jep zgjerim Tiranës. Lidhur me kandidatët kryesorë për Tiranë, Rrokaj shprehet se “Veliaj është modeli i njeriut të suksesit në qeverisjen qendrore”.

 

 

Z. Rrokaj jemi në kulim e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, nga të cilat na ndajnë më pak se tre javë. Këto zgjedhje bartin një rëndësi të veçantë në krahasim me zgjedhje e kaluara vendore nisur edhe nga reforma Administrativo-Territoriale. Si mendoni, si do të ndikojë kjo reformë tek zhvillimi i bashkive të reja?

Mendoj se do të ketë një ndikim shumë pozitiv. Unë sapo vij nga një tur elektoral nga njësia 6 e cila lidhet direkt me Kasharin. Aty është si e prerë me thikë ndërkohë që banorët i përkasin si hapësirë gjeografike Kasharit, ndërsa janë të regjistruar si banorë të njësisë 6. Aty mungonte e gjithë infrastruktura që lidh Bashkinë ekzistuese të Tiranës me komunën ekzistuese të Kasharit.  Kjo do të ndikojë jashtëzakonisht shumë pozitivisht. Do të krijojë një territor të njehsuar, nga pikëpamja urbane, që do të thotë me një sistem të plotë komunikimi rrugor, me një sinjalistikë të plotë, me një koncept infrastrukturor të plotë që ka të bëjë me gjelbërimin, që ka të bëjë me kanalizimet, me rregullimet e ujërave të zeza, sistemin shkollor etj. Nga pikëpamja ekonomike do të bëjë atë që quhet njehsimi i tregut, që niset nga prodhimi deri tek shitja duke prodhuar tregje të mbrojtura, që do të thotë se do të ketë një impakt kontrolli, që kur prodhohet prodhimi e deri sa vijnë tek tregjet e mëdha të shitjes. Në këtë mënyrë do të kemi tregje me cikël të mbyllur nga njëra anë dhe tregje të mbrojtura nga ana tjetër. Ndarje e re administrative është një nga fitoret më të mëdha të demokracisë pasi për herë të parë, fondet që jepeshin dhe parcelizoheshin dhe nuk mjaftonin vetëm për të mbajtur burokracinë, tanimë ato do të jenë të fokusuara, të përqendruara duke eliminuar burokraci të panevojshme.  Për shembull, këta banorë që jetonin në territorin e Kasharin por që ishin banorë të njësisë 6, komunën e kishin kaq larg po aq larg sa kishin edhe qendrën e njësisë numër 6. Nuk kishte një qendër, një zyrë për të marrë një vërtetim të thjeshtë. Futja e Tiranës në njësi kaq të rëndësishme administrative do të ndajë përfundimisht zonën industriale nga zona funksionale, që është një nga pikat e programit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që do të thotë se do të dihet ku prodhohet, ku përqendrohen industritë, ku janë banesat etj. Madje, kjo ndarje ishte shumë e vonuar. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka kërkuar edhe më përpara këtë gjë. Shumë mirë që u bë tani. Por, tani duhet ecur drejt projekteve të shtrira, ku gjëja e parë që duhet të konceptojë bashkia është një projekt urbanizimi, i cili do të legalizojë gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës si një njësi kompakte dhe një projekt urbanizimi i cili integron gjithë këtë shtrirje hapësinore të përcaktuar nga njësia e re administrative.

Ju jeni kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim për këshillin bashkiak të Tiranës. Si mendoni, cila do të pesha e këtij këshilli në raport edhe me ndarjen e re administrative –territoriale dhe rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve? 

Ne jemi futur në këshill për të zbatuar gjithë programin politik të LSI-së. Ne nuk do të bëjmë asnjë koncesion për zbatimin e këtij programi sepse ky është mandati që na japin votuesit tanë. Pra, gjëja e parë që do të bëjmë ne është zbatimi i pikave të programit që kemi për Tiranën, për rininë dhe për gruan. Pikat e programit janë të qarta dhe shumë të realizuara. Krahas programit që ka shpalosur kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Tiranës Erjon Veliaj, ne jemi të mandatuar të zbatojmë edhe programin e bashkëngjitur të LSI-së i cili ka pika të përbashkëta me programin e z. Veliaj. Ky program për Tiranën në kuadrin e njësisë së re administrative ka nevojë për një projekt urbanizues të të gjithë zonës, dhe ka nevojë për kthyer Tiranën nga një qendër e ftohë dhe pasive administrative në një qendër që do të harmonizojë dy elemente të rëndësishme të programit të LSI-së; më shumë shërbime dhe më shumë punësim për të rinjtë. Më shumë shërbime në ato që quhen nevoja komunitare, të procesit të legalizimit, të hapësirave të gjelbra, të pastrimit, të çerdheve, të kopshteve, të shkollave, të sinjalistikës e deri tek ajo që quhet zhvillimi i Tiranës. Nëse ne nuk e kthejmë Tiranën në një qendër zhvillimi të iniciativave të individëve duke inkurajuar rininë, gruan dhe gjithë sipërmarrjen, ne nuk garantojmë mundësi të sigurta për të rinjtë tanë dhe ata që shpresojnë për këtë ndryshim të madh, ku politika qendrore të harmonizohet me politikën vendore, do ta kemi të pamundur të ndërtojmë politika konkrete zhvillimi. Ne duhet t’ia kthejmë Tiranën rinisë. Duhet ta rinojmë Tiranën. Tirana është shumë apatike. Kryetari i Bashkisë në ikje, me gjithë mbështetjen që i dhamë dhe i kemi votuar në çdo lloj buxheti,  por ai ndërmori një rrugë tjetër duke e lënë bashkinë në duart e nënkryetarëve që përballeshin me këshillin dhe nuk përballeshin direkt me projektet. Ne duam, një Tiranë që të japë shpresë për rininë dhe të japë shpresë për qytetarët e vet.  Duhet që Tirana të marrë përmasat e një institucioni që rrezaton një shërbim dinjitoz.  Tirana duhet të shndërrohet përmes projekteve të qarta dhe të sigurta, që njerëzit të shikojnë se Tirana e tyre bëhet dhe më pas që ky model të rrezatojë në gjithë hapësirën mbarëshqiptare. 

Një veçanti tjetër e këtyre zgjedhjeve do të jetë edhe barazia gjinore në këshillat bashkiakë. Sa do ta ndihmojë kjo politikën shqiptare, por edhe në vetë rolin e gruas në aspektin ekonomik dhe social të zhvillimit të vendit?

Dy prioritetet madhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë dy shtresat që kanë impakt të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në zhvillimin e vendit. Këto janë rinia dhe gratë. Ne mendojmë se gruaja është një element i rëndësishëm për ta mbajtur shoqërinë në binarët e duhur të demokracisë për rolin që ka në familje dhe në shoqëri. LSI e kishte zgjidhur shumë kohë më parë atë që Kuvendi e zgjidhi së fundmi nëpërmjet ligjit për përfaqësimin gjinor 50 me 50. Ne e kishim zgjidhim kohë më parë përfaqësimin 50 me 50 të gruas në raport me gjininë mashkullore në të gjitha strukturat e LSI-së, që nga kryesia e madhe e deri tek strukturat më të ulëta të piramidës politike. Por, ne mendojmë, që si këshilltarë, të luajmë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim në kuptimin që duhet inkurajuar më shumë roli i gruas si veprimtare shoqërore, si sipërmarrëse nëpërmjet nxitjes së saj për të ndërmarrë misione në zhvillimin e biznesit, duke filluar nga biznesi i vogël deri tek një biznes më i lartë. Ne do të krijojmë një marrëdhënie të veçantë të strukturës sonë në këshillin bashkiak, me përfaqësimin e gruas nëpërmjet takimeve të shpeshta, realizimit të projekteve,  trajnimeve dhe kurse profesionale për t’i ndihmuar gratë që të konkurrojnë të sigurta në tregun e punës; gratë që kanë në fokus sipërmarrjen artizanale dhe Tirana është e njohur në këtë drejtim. Ne duam ta nxitim këtë pjesë të sipërmarrjes duke organizuara panaire brenda dhe jashtë vendit. Në këtë drejtim, ne kemi një vizion të qartë të cilin duhet të zhvillojmë edhe më tej sepse gjykojmë që mbështetja që i ka dhënë gruaja LSI-së dhe anasjelltas është e jashtëzakonshme, pasi ajo aty ka gjetur forcën politike, ku roli i gruas harmonizohet midis faktit si nënë dhe si element ndërlidhës me shoqërinë.

Cila është arsyeja që jeni fokusuar te rinia, biznesi, gratë dhe vajzat e reja, gjatë takimeve elektorale në kryeqytet?

E para, sepse është popullsia më aktive. Gratë për arsyet që përmenda më lart. Rinia është ajo që i jep energjinë një vendi dhe i siguron të ardhmen atij, përmes politikave arsimore, formimit të saj, profesional dhe energjisë që shpalos për të garantuar zhvillimin e vendit. Ajo forcë politike që mbështet politikat e saj mbi rininë ajo forcë politike ka parasysh të ardhmen e vendit.  Ne kemi bindjen që nuk është thjesht administrata publike siç perceptohet rëndom vendi ku ne do të punësojmë njerëzit. Administrata publike duhet të përthithë të gjithë elementin që ka zotësinë e duhur për të ndërtuar politika zhvillimore për vendin. Apo për të ndërtuar politika legjislative të cilat krijojnë hapësira zhvillimin. Ne e konsiderojmë zhvillimin e biznesit të vogël dhe biznesit të mesëm si gjeneratorë punësimi, si elementi kryesor i cili detyrimisht duhet të na japë impaktin e duhur, i cili përqendrohet tek fermeri, tek kooperativat e reja, të bashkimit të fermerëve. Nga ana tjetër, sipas specifikave të zonave, aty ky është bregdet, sipërmarrja e biznesit të vogël dhe të mesëm përqendrohet te turizmi. Çdo politikë duhet të orientohet në krijimin e lehtësirave të duhura për këtë lloj sipërmarrjeje. Sepse vetëm këtu ne synojmë të hapin vende pune dhe të krijojmë zhvillim në mënyrë që ata edhe t’i shërbejnë shoqërisë. 

Një tjetër premtim i LSI është një paketë konkrete për të stimuluar punësimin  e grave dhe vajzave. Çfarë përmban konkretisht kjo paketë  dhe ku konsiston ajo?

E para është inkurajimi i gruas dhe vajzave si sipërmarrje. Pra ne nuk duhet ta konceptojmë këtë shtresë gjinore thjeshtë si element për t’u punësuar nga sipërmarrja burrërore, por ato vetë duhen inkurajuar, sepse siç e kanë treguar edhe mjaft shembuj, të cilat sot janë dhe kandidate të drejtuar bashkitë. E dyta, ne mendojmë se në të gjithë veprimtarinë e zhvillimit të biznesit të mesëm dhe të vogël, që nga fermerët në bujqësi, tek turizmi, shërbimet sociale, biznesi fason etj., në përgjithësinë e vet synojnë të orientojnë bizneset e tyre ndaj grave. Sepse ato, nga vetë natyra e tyre janë më të përqendruara dhe më rezultateve në punë. LSI ka kuptuar orientimin e vetë biznesit, dhe këtë e ka kthyer në një model politik të orientimit të tregut të punës.

 Lëvizja Rinore për Integrim do të ketë një përfaqësim të madh në listat e LSI-së për këshillat bashkiakë në të gjithë vendin, ku në Tiranë LRI nga 61 ka 39 kandidatë. Pse i gjithë ky besim për të rinjtë?

Lëvizja Socialiste për Integrim e ka vizion politik mbështetjen ndaj rinisë. LSI punon me të gjithë të rinjtë, nuk pret që të bëhen 18 vjeç për votim, pra nuk ka një politikë vote, por politikë besimi dhe vizioni, sepse mendojmë që një rini e orientuar në politikën e duhur  është një rini me më shumë garanci për të ardhmen. Një rini e lënë në duart e fatit dhe të mëshirës, bie pre e elementit keqbërës, që nga veset e ndryshme, që me gjithë avantazhet që ka demokracia, nuk i eliminon dot. LSI ka një politikë që e ndërton që në gjimnaze, dhe e vazhdon edhe në universitet, dhe më pas me angazhimin e mëpasshëm të shumë të rinjve. Në Këshillin Bashkiak rinia zë gati 60 % të këshilltarëve të LSI, dhe kemi bërë shumë mirë, sepse nuk mund t’ja kthejmë rininë Tiranës me vizione të cilat e mbajnë Tiranën në stanjacion, e mbajnë Tiranën të ngujuar në makthin e moszhvillimit. Rinia ka energjinë e duhur për të ecur përpara. Përfshirja e rinisë në Këshillin Bashkiak dhe në të gjithë strukturën politike të LSI-së dhe në të gjithë administratën publike, dhe inkurajimi i saj, na jep një mundësi që të përgatisim një rini për të ardhmen, për të drejtuar dhe zhvilluar bashkinë, mbi bazën e asaj që duhet njehsimi dhe integrimi. LSI mendon që forca që mund ta integrojë dhe që i ka të gjitha shanset për integrimin e Shqipërisë në Evropë, është rinia, prandaj dhe e orientojmë këtë gjë. Ne mendojmë që të krijojmë një zyrë e cila të projektojë dhe të krijojë nxitjen e formimit profesional të të rinjve sipas nevojave. Mendojmë që në zonat rurale, me qenë përfshihen edhe komunat,  të hartojmë programe nxitje me bursa të kushtëzuara , me qëllim rritjen e numrit të profesionistëve në këto zona. Gjithashtu, do të krijojmë atë që quhet mekanizmi i punësimit të rinisë, do të bëjmë studime periodike të tregut të punës, për të projektuar kërkesën e tregut për punonjës të kualifikuar. Duke e mbështetur rininë, ajo ka si kundërpërgjigje energjinë e duhur për të ecur përpara më shpejt.

“Më shumë shërbim dhe punësim” është slogani i Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 21 qershorit. Pse është zgjedhur ky slogan?

Ky slogan është zgjedhur për dy elementët kryesore të jetës në komunitet. Këto nuk janë zgjedhje politike, këto janë zgjedhje vendore, zgjedhje që duhet të prekin dy nevoja kryesore të qytetarit, larg sloganeve dhe parimeve të mëdha. Qytetari në një komunitet, në një bashki ka nevojë  për një shërbim më të mirë, dhe ka nevojë që punësohet. Dhe këto kërkesa janë të përditshme në çdo familje, duke filluar që nga legalizimet, urbanizimet, që nga kanalizimet, shkolla, kopshte, ndriçimi i rrugëve, etj., pra gjithçka, Po ta shikosh Tiranën, kudo ka vend të themi pse se kemi dhe këtë gjë? Pra, ne duhet të kthejmë sytë nga një shërbim më i mirë, që Tirana të mos i ngjajë të shkuarës, por ti ngjajë asaj ëndrre që kanë shqiptarët për tu integruar, pra të jetë një metropol i integruar në Evropë.  Nëse do të jetë një metropol i integruar  në Evropë, ajo duhet të rrisë shërbimin për qytetarët. Nga ana tjetër, ne e kemi një problem të rëndësishëm politik vizioni, punësimin e të rinjve dhe mendojmë që Tirana si metropol nuk duhet të jetë thjeshtë dhe vetëm një  qendër ku ti shërbesh në zyrat që ka bashkia e Tiranës, por duhet të gjenerojë punësim, iniciativë të lirë, sipërmarrje, një komunikim më të zhdërvjelltë me prodhimin, meqenëse po rrethohet tani më nga 13 komuna. Sa i përket zhvillimit të turizmit, ne kemi vende piktoreske, dhe në këtë rast ne duhet ta integrojmë hapësirën e gjelbër që rrethon Tiranën për ta bërë atë një element rekreativ dhe të mos e mbajmë Tiranën të mbytur dhe të ngujuar në qendrën e saj. Duhet të krijojmë një Tiranë polifunksionale, me disa qendra të cilat e lidhin atë më mirë edhe me qytetet e tjera, dhe me të gjitha komunat që e rrethojnë. 

Po për sa i përket garës për kryeqytetin. Si mendoni,  pse qytetarët e Tiranës duhet të votojnë më 21 qershor për kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, Erion Veliaj?

E para, modeli që dha PD-ja me gjithë mbështetjen tonë fillestare ishte modeli që nuk duhet ndjekur. Pra, nuk ishte modeli i duhur. Tirana mbeti në vendnumëro. Projektet e mëdha për të cilat ne i dhamë mbështetje mbetën në vendnumëro që nga trami imagjinar e deri tek kopshtet dhe çerdhet që gjithmonë i miratonin, aq sa u katandis që të ardhurat nga parkimet në Tiranë nuk mblidhet as 6 për qind. Bashkia ka mbetur në ditë të hallit, që nga gropat, mungesa e pusetave, që nga rrugët e pashtruara, që nga kanalizimet. Ndërsa Erion Veliaj është modeli i njeriut të suksesit në qeverisjen qendrore, tek i cili ne kemi shpresat se këtë model suksesi dhe përkushtimi ai do ta orientojë me energjinë e duhur në qeverisjen e Bashkisë së Tiranës. Së dyti, ne jemi në një koalicion i quajtur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” e cila duhet të harmonizojë qeverisjen qendrore me atë vendore, sepse në fund të fundit qeverisja qendrore duhet të ushqehet me projekte të nevojshme zhvillimi të cilat krijojnë siguri tek qeverisja qendrore për financimin e këtyre projekteve. Harmonizimi i politikave qendrore me politikat vendore, ne na jep garancinë e duhur që projekti i duhur të marrë financimin e duhur. Së treti, mendoj se Erion Veliaj është testuar nga elektorati i majtë dhe nga forca e majtë në brendësi të së cilës ka dy parti kryesore, Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, por natyrisht edhe një koalicion shumë më të gjerë. Ai është testuar si njeriu që i ka të gjitha mundësitë dhe mbështetjen për ta drejtuar Tiranën që të ndërtojë tanimë me ndarjen e re administrative një vizion të ri integrues të gjithë këtij territori, në kuptimin që në Tiranë të vlerësohet gjithë mendimi që shpreh gjithë kjo shtresë, apo ajka e shoqërisë shqiptare. pra, për të marrë vërtet elementet e një metropoli. Pra, i takon Erion Veliajt që këtë pasuri mendore, kulturore, institucionale ta shndërrojë në një sinergji zhvillimi. Së fundmi, lidhet me atë që Lëvizja Socialiste për Integrim u qëndron gjithmonë pakteve politike. Ne jemi seriozë në pakte. Nuk u ikim atyre. Nëse Ilir Meta pas konsultimit me strukturat vendos si përfaqësues i LSI-së që të bëhet ky koalicion, ne asnjëherë nuk bëjmë sikur, ne do t’i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë politik. Gjithë politika jonë e përditshme elektorale shkon në dy drejtime, votoni për LSI-në si subjekt politik dhe votoni për Erion Veliajt si kandidat, sepse Veliaj nuk është vetëm kandidat i PS-së. Sot kjo forcë politikë e shprehur brenda koalicionit ka ndërtuar një vizion të ri që kandidatët janë kandidatë të miratuar, janë kandidatë të konsultuar nga i gjithë spektri politik i majtë. Ne e konsiderojmë Veliajn si kandidat të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, siç konsiderohen kandidatët tanë kudo që janë si kandidatë të kësaj aleance dhe nuk janë thjesht dhe vetëm kandidatë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pra, ne jemi futur në këtë fushatë elektorale me një vizion integrues dhe jo një vizion copëzuar. Vizioni është unik; integrimi i Shqipërinë në Bashkimin Evropian. 

SHKARKO APP