Shezai Rrokaj: Protesta e studentëve një proces emancipues për shoqërinë shqiptare

Deputeti i LSI, Profesor Shezai Rrokaj deklaroi në një intervistë për Ora News deklaroi se studentët kanë të drejtë në kërkesat e tyre.

Ju jeni pjesë e sistemit të arsimit. Pra, jepni mësim, jeni pedagog. Si e shihni këtë reagim, të pazakontë?

Jo, është një moment që gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me sinqeritetin e duhur dhe vëmendjen e duhur për disa aspekte shumë të rëndësishme të jetës së saj që kanë të bëjnë edhe me gjendjen në të cilën ndodhet vendi në këto momente, por edhe me aspiratat që ka Shqipëria për tu bërë një vend i Bashkimit Evropian. Pjesa e arsimit është një pjesë shumë e rëndësishme, ku  qeverisjet në këtë hark kohor, 28 vjeçar, ju më besoni unë kam qenë rektor i universitetit dhe kam një dije të plotë. E kam përdorur gjithmonë arsimin si slogan, si prioritet, por asnjëherë nuk e kam parë arsimin si pjesë të vetëdijshme dhe të qenësishme të zhvillimit të vendit.

Asnjëherë nuk është rregulluar. A mund ta themi këtë?

Arsimi i lartë dhe arsimi në tërësi nuk është parë prioritet në këto vite të tranzicionit sepse po ta shikonim atë si prioritet, arsimi  i lartë, bie fjala meqenëse jemi për arsimin e lartë, duhet të ishte trajtuar nga qeverisjet si partnere zhvillimi dhe jo si vasalë në hierarkinë e shtetit. Është luftuar jashtëzakonisht gjithë këto vite dhe të paktën 15 vjet fuqishëm që arsimi të njohë atë element të rëndësishëm të sanksionuar në kushtetutë si institucion autonom. Por qeverisjet të ardhura të gjitha nga një sistem totalitar, e kanë shfrytëzuar atë edhe për fushata elektorale, edhe për hapje universitetesh me vend edhe pa vend, por asnjëherë nuk është parë arsimi si element i qenësishëm i zhvillimit të vendit. Momenti aktual është moment shumë i rëndësishëm sepse ndërkohë që të gjitha vendet e Rajonit subvencionojnë arsimin deri në 5% të PBB, pa folur për Finlandën që shpenzon 7% të PBB, qeverisjet tona,edhe kjo aktuale, vazhdon të bëjë shumë slogane për arsimin, por në fakt nuk i jep rëndësinë e duhur duke shpenzuar 5% të PBB, gjë që do ta vendoste edhe arsimin e lartë në ato parametra që ka Rajoni apo edhe vendet e OECD-së.

Profesor në këto kushte, ku fare mirë dhe politika në tërësi e ka përdorur ose keqpërdorur, atëherë kujt mund t`ia besojmë këtë strukturë mjaft të rëndësishme, që të mos përballen studentët vit pas viti me ndryshime, me probleme,  me protesta dhe reagime të kësaj natyre? Pra, duket që politika nuk e bën dot këtë gjë.

Politika e ka konsideruar Reformën në Arsim të lidhur me mandatin e qeverisë. Reformat sociale nuk lidhen me mandatet e qeverisë. Ndaj, edhe ata kërkojnë një konsensus social, ku politika nga njëra anë, grupet e interesit nga ana tjetër, fokusohen dhe nxjerrin atë që quhet rruga e duhur për të ndjekur në arsim. Tek ne dy qeverisjet që sapo kanë kaluar, 2 ligje i kanë ndërruar njëri pas tjetrit dhe jo vetëm i ndërrojnë, por krijojnë një kakofoni grafiko ligjore të tillë që njëherë mbështesim Sistemin e Bolonjës, ky ligj e nxjerr në skaj Sistemin e Bolonjës, krijon përplasje bord-senat, krijon përplasje rektor-administrator. Ende vazhdojnë universitet të mos hapin sistemin doktoral dhe shumë probleme të tjera të kësaj natyre. Lobingje të caktuara shoqërore ndërhyjnë në ligjin e arsimit të lartë për të ndërtuar disa kapituj të cilët nuk kanë fare lidhje me misionin publik të universiteteve, kështu që gjëja e parë që duhet të bërë, kjo lëvizje i shërben jo thjesht dhe vetëm problemit të tarifave të cilat nuk kishte pse ti merrte fare në përgjegjësi Këshilli i Ministrave, kur ky ligj ja njeh universiteteve, aq më pak të luhet nga ana e qeverisë, që të drejtën e tarifave e kanë universitetet. Universitetet e kanë oksigjen sot tarifën e studentit sepse universitetet marrin nga buxheti i shtetit, pra nga fondi i pakushtëzuar vetëm 11 muaj rrogë, kështu që të gjitha shpenzimet operative, orët suplementare, pedagogët e jashtëm, të gjitha këto i paguajnë me të ardhurat e studentëve. Pra duhet filluar nga alfa, alfa është: cili është pozicioni i arsimit në shoqërinë shqiptare dhe si ky pozicion është i barabartë me vendet e rajonit dhe vendet OECD. Duhet kaluar nga 3.2% që është buxheti i këtij viti në 5% siç ka qenë edhe vetë strategjia e kësaj qeverie edhe kur ishim ne në bashkëqeverisje me ta. E dyta, ne po i de motivojmë kërkuesit shkencor, nga ana tjetër shumë të rinj dhe shumë kërkues po marrin rrugën e emigrimit sepse nuk ndihen të motivuar, nuk ndihen të plotësuar në vendin tonë, atëherë gjëja e parë që duhet të bëjmë është të ndjekim shembujt e rajonit mbi motivimin edhe profesoratit, por sidomos të një politike të drejtë midis titullit të formimit dhe kategorisë së punësimit. Ju e dini që në nuk kemi ndërtuar sot në një perspektivë të paktën të mesme që sa inxhinierë, domethënë nuk kemi një strategji zhvillimi, mund të kemi strategji sektoriale zhvillimi, por nuk e kemi të lidhura me strategjinë e formimit universitar. Jo vetëm për të ndërtuar këtu një shoqëri të planifikuar, por një shoqëri të përshtatur ku të rinjtë të dinë, edhe universitetet të mos krijojnë profile mbas profilesh, të cilat shtojnë radhët e të papunëve. Dhe ky është një problem që kërkon dialog. Unë i kam ndjekur edhe disa prononcime, edhe shumë të rinj marrin role dhe kjo është një gjë shumë ë mirë. E rëndësishme është të kuptohet që ky është një proces tek i cili duhet të bashkohet gjithë shoqëria shqiptare. Të shihet jo si sfidë personale e ndonjërit që bie fjala e quan edhe veten shkencëtarë. Dhe unë kam pasur mjaft profesorë në edukimin tim jashtë Shqipërisë, por profesorët dhe studiuesit e kanë shumë të vështirë ta quajnë veten shkencëtar.

Njerëzit duhet të ulen pak, të jenë pak të mençur. Dhe të kuptojnë që duhet të qëndrojmë në vendin tonë, siç kanë preferuar dhe siç të gjithë këta pedagogë dhe studentë që kanë preferuar të rrinë në Shqipëri. Por ama Shqipërinë duhet ta mbështesim dhe duhet ta ndërtojmë të gjithë me një filozofi të përbashkët. Dhe në këtë pikëpamje nuk ka në këndvështrimin tim një këndvështrim politik të majtë apo të djathtë, opozitar apo maxhorancë. Arsimi është një e mirë publike kombëtare. Dhe përballë kësaj të mire publike duhet një politikë kombëtare.

Ndaj mua më vjen shumë mirë që studentët kanë qëndruar jashtë ndërhyrjes politike të mirëfilltë e cila gjithmonë e shfrytëzon situatën dhe është e drejta e saj. Por unë mendoj që kjo lëvizje do të shihte shumë mirë për Shqipërinë nëse do të konvertonte të gjithë faktorët vendimmarrës, në një gjë që arsimi të ndihet si politikë kombëtare. Të ndihet si një e mirë kombëtare, një e mirë që kalon përtej interesave të ngushta partiake. Sepse çdo student, çdo i ri, çdo familje shqiptare në fund të ditës nuk e mat jetën e vet me sa i takon të majtës apo të djathtës, por sa ajo plotëson të mirat apo kërkesat që ajo ka për vetveten.

Mendoni se ky reagim është një lloj fillimi pozitiv i atij ndryshimi që ju thatë për të shmangur dhe atë dështimin në thonjëza të politikës që e ka shfrytëzuar për interesa të tjera, a mjafton?

Unë mendoj që kjo është një lëvizje përtej interesave të ngushta të rritjes, pavarësisht që janë artikuluar këto. Nuk mund të vazhdojnë më me slogane, nuk mund të vazhdojë më me një destabilizim të vendit dhe nuk mund të vazhdohet më me një vend që bën ç’është e mundur që qytetarët të largohen dhe të ndihen të papërfaqësuar. Ka nevojë për një moment reflektimi që duhet të lidhet edhe me aspiratën që ka Shqipëria për t’u bërë pjesë e BE-së.

Kështu që e shikoj si një emancipim shoqëror. Ka nevojë shoqëria pas gjithë kësaj përgjumje apo një makijazhi politik të përdorimit të sektorëve socialë si të suksesshëm, si beteja të mëdha të arritura përtej sloganeve, ishte një realitet dhe është një realitet i nxirë, për të cilin duhet ti shikojmë gjërat me sy ballëpërballë dhe duke i parë gjërat në sy ne shikojmë se cili është në themel problemi.

A mendoni se ka vend për reflektim dhe do të reflektohet në terma konkretë për atë se çfarë duan studentët?

Duhet detyrimisht të reflektohet. Jo për të plotësuar egoizmin as të politikës, as të maxhorancës, as të opozitës, por as të individëve të caktuar që i shfrytëzojnë për para qoftë edhe këto lloj manifestimesh. Ajo që ka rëndësi në shoqërinë shqiptare është që arsimi të kujtohet që është përtej dhe mbi politikë. Është e mirë kombëtare, e për një të mirë kombëtare duhet filluar aty ku vendet që na rrethojnë e ku ne aspirojmë i kanë dhënë rëndësinë. Çfarë vendi zë arsimi në shtetin dhe në qeverisjen shqiptare? Duhet filluar këtu e para. E dyta, duhet partneritet. Të mos shikohet shkolla apo bota akademike si ajo tjetra, nuk dua të përdor epitetet që kryeministri apo shumë të tjerë i kanë përdorur për botën akademike. Akademia e Shkencave është quajtur agjenci funeralesh, apo pedagogët janë quajtur fundi i bishtit të kavallit. Pra nuk është më momenti për këto gjëra. Është momenti për një reflektim të thjeshtë, më shumë dashuri sepse këta studentë janë bijtë e këtij vendi që kane preferuar të shkollohen në Shqipëri. Këto gjëra kemi 20 vjet që i themi, edhe në Parlament. E ngrita në Parlament unë dhe shumë të tjerë se nuk janë tekstet falas deri në klasën e 9. Pse nuk investohet 5% siç është premtuar edhe nga kjo qeverisje për arsimin e lartë. Pse nuk ka bibliotekë online për studentët? Ka 4 vjet që premtohet. E kanë premtuar këtë vit. Shpresoj ta bëjnë, shumë mirë që të bëhet. Sepse këto gjëra janë pse nuk ka një sistem kontrolli të punës shkencore. Siç e kanë të gjithë vendet e tjera në mënyrë që ne të mënjanojmë plagjiaturat, që kanë shpërthyer dhe do të shpërthejnë. Sepse politika shqiptare duke u prirur drejt masivimit, për shkak se nuk donte të investonte në universitetet publike, e pa si valvul shpëtimi hapjen e universiteteve private, të cilat mbinë si kërpudhat pas shiut. U konsideruan jo si institucione dijeje, por si biznes fitimprurës. Pra, do të bëhemi njëherë seriozë që t’i fillojmë problemet pikërisht aty ku janë, që të shikojmë se kjo rini për të cilën investon shoqëria shqiptare, gjithë këtë investim po e transferon sot në Perëndim. Sa mjekë dhe sa infermierë po ikin? Pse po ikin? Sepse e shikojnë të ardhmen e tyre në një vend tjetër. Janë pakësuar lindjet. Popullsia po plaket. 50 për qind e vendeve të punës sot janë me shkollë 8 apo 9-vjeçare. Pse? Sepse truri po ikën. Pra duhet vendosur një sistem dhe një reformë e tillë përtej sloganeve, përtej makijazhit që t’i përballim problemet në pikëpamje kombëtare. Sepse reformat në shëndetësi, në arsim, në bujqësi nuk janë reforma mandatesh, janë reforma që japin impakt për 20-30 vjet. Çfarë mund të bëjë politika në Parlament në qoftë se nuk bashkëpunon me grupet e interesit, me gjitha strategjitë sektoriale, me gjithë sistemin e edukimit, në mënyrë që të ndërtohet një shkollë, e cila e bën të motivueshëm individin të qëndrojë.

SHKARKO APP