Shezai Rrokaj: Reforma në drejtesi u deformua nga maxhoranca

Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj në një intervistë për InTv deklaron se institucionet e reja të drejtësisë janë të kapura nga mazhoramca.

Intervista e Deputetit të LSI-së, Shezai Rrokaj për InTv 

Si po shkon LSI jashtë parlamentit?

LSI është një forcë politike në opozitë tanimë dhe i duhet të kryejë detyrimin e saj, politik si një forcë opozitare. E integruar tani në atë që quhet fronti opozitar, bashkë me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera , që natyrisht ka për detyrë, ti tregojë shqiptarëve, ti diagnostikojë të themi keqqeverisjen e sotme, të kësaj mazhorance dhe nga ana tjetër të ofrojë alternativa dhe mbi të gjitha një ekip të besueshëm për shqiptarët që në zgjedhjet  më të afërta që duhet të vijnë sa më shpejt besoj që  duhet ti besojnë opozitës rolin për të udhëhequr Shqipërinë drejt integrimit.

Përpara se të vijnë ato parlamentaret janë lokalet, ju mendoni se do vazhdojë ta ketë Rama tepsinë vetëm edhe bakllavanë e Bashkive?

Numerikisht edhe sot e kësaj dite ai nuk e ka sepse fronti opozitar numerikisht përfaqëson më shumë votues. Por ajo që është më e rëndësishme është që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe zgjedhje të ndershme. Zgjedhje të pranueshme nga palët se gjithë këto vite tranzicion, themeli mbi të cilin ngrihen pushtetet dhe ju po e shikoni deformimin e tyre, janë zgjedhjet e lira dhe zgjedhjet e ndershme. Në qoftë se në demokraci nuk ka zgjedhje të lira është e kotë që luajmë sepse pushtetet  që përpiqen të legjitimohen janë të deformuara që në lindjen e tyre. Ndaj është shumë e domosdoshme të këtë zgjedhje të lira, që Shqipëria të realizojë kushtet minimale të një reforme në drejtësi e cila u sanksionua me një votë plebishitare 2 vite më parë, që sot u mor  dhe u deformua nga mazhoranca, duke ndërhyrë drejtpërsëdrejti në mënyrën sesi po ngrihen institucionet e drejtësisë dhe duke u përpjekur për ti kapur ato. Që me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, të përkohshme e kështu me radhë.

Sa do i zgjasë përkohshmëria Prokurores?

Po mesa duket ajo më kot u quajt e përkohshme, vetëm sepse ishte një teknikë legjislative dhe ajo po bëhet e përhershme dhe besoj këtu fillon dhe deformimi i madh. Nga ana tjetër ka probleme shumë serioze me krimin e organizuar. Ju e dini që kryefjala e ditës është krimi i organizuar, droga që edhe institucionet ndërkombëtare nuk rreshtin së përmenduri këtë dukuri kaq problematike, të gjithëpranishme kudo dhe shqiptarët duhet ta përmbysin atë imazhin e një vendi që eksporton krimin, që eksporton kanabis, që eksporton droga të forta që vijnë nga Kolumbia, Afganistani.

Por ka një pjesë të kanabisit që nuk e eksportojmë z.Rrokaj dhe është një pjesë që e konsumojnë fatkeqësisht gjithmonë e më shumë gjimnazistë dhe studentë. Z.Rrokaj çfarë kemi këtë vit për studentët?

Është dita e parë dhe dita e parë fillon me një urim për të gjithë studentët, për të gjitha familjet shqiptare të cilat besojnë ende në institucionet e edukimit në Republikën e Shqipërisë dhe përtej të gjithave problematikave që ka vetë shkolla jonë si vetë shoqëria shqiptare. Ne nuk mund të kemi një shkollë më të mirë sesa është vetë Shqipëria, unë jam pjesë e akademizmit dhe profesoratit dhe sot ka profesorë të denjë për të qenë emra të shquar të universiteteve tona, ka njerëz të përkushtuar, ka njerëz që punojnë, e kështu me radhë.

Kam përshtypjen që studentët e reflektojnë këtë. Psh: Po ta shihje te Fakulteti im i Gazetarisë, kur unë kam studiuar atje, e dalloja se kur kishte Fuga leksione ishte salla me 300 veta, kur ishte ndonjë tjetër, kishte diku te 8 veta në klasë. Kam përshtypjen që publiku e reflekton atë.

Sigurisht! Studentët te një profesor i mirë, rrinë urtë. Edhe mua nuk më ka ndodhur kurr4ë që një student të më bëjë zhurmë, studentët e mbushin sallën, janë të interesuar dhe të ndjekin. Pra universiteti ka këtë veçori, që varet nga tre gjëra: nga profesori i mirë, vetë interesi i studentit së dyti dhe pastaj të themi kushtet e studimit, biblioteka, etj, ku Shqipëria është një ndër vendet e vetme në Europë ku nuk ka biblioteka online, biblioteka të dedikuara për degë të caktuara. Janë biblioteka të cilat të gjitha vendet e botës, që studentët të mund të aplikojnë dhe të marrin automatikisht në kompjuterat e tyre literaturat e dedikuara që janë vendosura në literaturën.

A do ti ulte kjo kostot? Se një nga gjërat më me rëndësi të studentëve është blerja e librave.

Qeveria lokale ka disa vite që e trumbeton këtë nisëm,por nuk e ka bërë. Bibliotekat vuajnë nga literatura e vjetruar, sado që ka përpjekje për të furnizuar me literaturë të re, por kryesisht mungesa e bibliotekës online, bibliotekë e dedikuar që do të thotë bibliotekë e specializuar të profesioneve, i vë në kushte të pabarabarta edhe profesoratin edhe studentët në raport me universitetet homologe të vendeve që na rrethojnë.

Unë them që nuk është çështje e zonjës Nikolla. Në vend të saj do të ishte një Nikollë tjetër, që do të thotë që nuk është çështje e emrave të përvetshëm, sado që emrat e përvetshëm kanë rëndësinë e tyre. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti i disa çështjeve që mbeten pezull, bie fjala, në qoftë se në 2014 në strategjinë e arsimit parauniversitar u tha që për arsimin do të ketë 5% e GDP-së që do të investohet  për arsimin, Shqipëria vazhdon që investojë për pak se 3% gjithsej për arsimin, ku universitetet, me meqenëse jemi sot për to, shpenzojnë 0.4-0.5% për të gjitha .

Që ta bëjmë krahasimin për vendet e tjera, sa larg jemi?

Me vendet e tjera, po ju them Finlanda me të cilën rrekemi të krahasohemi shpesh në të gjithë sistemin tonë arsimor, shpenzon 7% të GDP-së së saj, vendet e Ballkanit shkojnë deri në 4.5% dhe vendet e BE-së shkojnë te 5- 5.5%.

Vetëm për arsimin e lartë?

Vetëm për arsimin në përgjithësi, që do të thotë që Shqipëria duhej të shpenzonte për arsimin 3%, sikundër vetë ka deklaruar në vitin buxhetor 2018, duhej të shpenzonte 5%, nga të cilat 3% për arsimin bazë, për arsimin parauniversitar dhe le të themi 1.5% duhej ta shpenzonte për universitetet. Ajo shpenzon sot 0.4% dhe duhej të shpenzonte 0.5 për shkencën.

Kemi njw zv.Ministër të akuzuar për plagjaturë…

Është një çështje shumë e madhe dhe plagjatura si gjithandej është kthyer në një mitacion dhe nuk na nderon që nga unë që po flas këtu meqenëse i përkas kësaj pjese akademike, por ta themi që investimi për shkencën për të cilin nuk duhet folur sepse qeveritë asnjëherë nuk i kanë parë universitetet si qendra kërkimore, asnjëherë nuk kanë investuar, asnjëherë nuk i kanë konsideruar universitetet si partner.

Ndërkohë që Hollanda vetëm duke e parë universitetin si qendër kërkimore ja doli që vendi me më pak sipërfaqe toke të ishte njëshi i bujqësisë në Europë. Se mos ja përkushtoni të gjithë kohën politikës dhe LSI-së dhe nuk shkoni më në fakultet profesor?

Jo në fakultet unë lëndët i kam mbajtur, pra është një investim shumë afatgjatë, shumë më i madh se politika. Nuk mund të shkëputesh pasi ke investuar në shkencë dhe mësimdhënie për gati 30 vjet dhe vazhdoj të mbaj lëndët e mia të zemrës dhe natyrisht jam duke përgatitur disa publikime që besoj pas 6 muajsh ose 1 viti do të dalin.

Pra do të kemi botime të reja nga profesor Rrokaj, megjithatë ajo që nuk do të kemi po aq shumë në bankat dhe auditoret ku ju jepni mësim dhe kolegët tuaj është numri i studenteve, do te keni më pak student, madje do të keni dhe kolegë të papunë, me mbylljet e degëve, psh një nga lajmet më llaftarisës ishte që në Durrës nuk do të ketë më degë hoteleri-turizëm dhe gjuhë angleze dhe në Vlorë nuk do të kishte kuzhine dhe degë të tjera që kanë lidhje me turizmin, dhe që nuk ka të interesuar për turizmin në qytete si Durrësi apo Vlora, në Kukës, në Dibër, në Gjirokastër dhe Shkodër po mbyllen degë, si e gjykoni mbylljen e degëve dhe largimin e studentëve….

Atëherë dy janë tendencat e sotme në këtë drejtim që thoni ju, e para mbyllja e disa degëve që lidhen me mësuesinë dhe përkatësisht i referohem qytetit të Vlorës dhe Gjirokastrës, por edhe ndonjë degë në Elbasan, kryesisht degët që i takojnë matematikës, fizikës, kimisë e kështu me radhë dhe nga ana tjetër ajo që befason në këtë rast është pikërisht ajo që po thoni ju, mbyllja e disa degëve që normalisht duhet të lidheshin me trendin dhe kjo është me trendin e zhvillimit të vendit dhe tregut për punësim. Dhe kjo është pikërisht çështje politike, domethënë politikat në arsim lënë për të dëshiruar në këtë drejtim, unë ju them një gjë meqenëse ju përmendët Finlandën, Finlanda merr 10% të nxënësve më të mirë që mbarojnë maturën shtetërore për mësuesinë, pra i thotë ju 10% do të vini për mësuesi, sepse  ajo ka rritje në pagat e mësuesisë, që individët të bëhen të interesuar për këtë profesion, së dyti rasti që përmendni dhe ju në lidhje me tregun e punës.

Pra kemi hotele, por nuk do kemi të diplomuar për hoteleri-turizëm…

Ekzakt, edhe këtu është çështje politike sepse arsimi privat është menaxhuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Do të ishte mirë që të gjitha këto lloj profesionesh të ishin shumë të lidhura me tregun, të ishin të lidhura me sipërmarrësin. Sepse vetë sipërmarrësit i bëjnë të interesuar. Nga ana tjetër, është çështja e pagës, e stimulimit nëpërmjet pagës. Kështu që, në këto dy drejtime që ju përmendët, ka shumë rëndësi politika nga e cila nisemi. Ju duhet ta dini që ne marrim 20% të nxënësve më të dobët që shkojnë në arsim, pra edukimi. Por edukimi është baza, mbi të cilat ngrihen si të thuash të gjitha prirjet e nxënësve për shkollën e lartë.

Si e shikoni trendin për arsimin e lartë në Shqipëri? A po shkon drejt një rënie cilësore në të gjitha aspektet?

Ka rënie në pranime si rezultat i dy tendencave themelore. Një, të ikjes së të rinjve. Ju duhet të dini që sot rreth 300 milionë harxhojnë shqiptarët për studimet e fëmijëve jashtë.

300 milionë lekë apo euro?

Euro, të cilat jo detyrimisht kthehen sepse 72% e të rinjve që studiojnë jashtë, nuk dëshirojnë të kthehen. Sepse qeveria nuk ndjek një politikë të drejtë për ata që studiojnë për shembull në vendet e UECD-së,një politikë të hapur që do të thotë kushdo që ka bërë studime master e lartë në vendet e OSD-së, duhet ta ketë të siguruar punën në Republikën  e Shqipërisë, jo vetëm të siguruar,por edhe të promovuar. Duhet të bëhen politika të veçanta.

Është bërë dikur kjo kam përshtypjen, një “Brain-gain” fushatë..

Brain-gain që ne për shembull në Universitetin e Tiranës  kishim që kush kishte studiuar në vendet e UESD-së, kishte vendin e punës të garantuar. E pranonin, por ishte një zgjedhje, jo një politikë qeverisje, por politikë akademike që ne e kishim bërë.

Ju normalisht në grupin parlamentar të LSI, dhe pse nuk dukeni, keni disa elementë me një qasje të fortë për arsimin. Kam parasysh këtu edhe znj. Malaj. Një pyetje të fundit, në këtë moment, sot që është dita e parë e vitit të ri akademik, nëse do kishit mundësi dhe do e dinit që znj. Nikolla po ju ndjek në këto momente, do ju jepnit një sugjerim praktik që ta shpëtonte këtë vit akademik? Nuk po them që po dështon ky vit, por ta bënte pak më mirë? Një 5% apo 10 %?

E para, urgjentisht duhet të hapte sistemin e shkollës doktorale sepse nuk mund të kuptohet një universitet me 5 vjet të mbyllura shkolla doktorale. Është një turp kombëtar dhe evropian domethënë. I bën universitetet tona të padenja për emrin që kanë. Të jesh universitet, do të thotë të kesh 3 ciklet e studimit. Ne nuk i kemi të treja, kemi vetëm dy, dhe kjo ne na kthen automatikisht në kolegje. Pra, urgjentisht duhet hapur kjo. E dyta, duhet të jetë rritja e menjëhershme e pagave në arsim, që duhet të lidhet me 5% e GDP-së të PBB.

Kjo ngelet për vitin tjetër..

Për këtë vit, duhet të përgatitet në këtë paketë fiskale domethënë që po bëhet gati. Duhet të parashikohet automatikisht dhe e treta, një lidhje me një bibliotekë online, premtim i bërë nga Ministria, kushton aty tek një rreth 300 mijë euro, por që mund ta paguajnë dhe vetë universitetet. Mjafton që ministria të jetë ndërlidhës me këto sisteme të mëdha të furnizimit me literaturë të specializuar. Unë po të isha ministër i Arsimit, këto tre gjëra do i kisha bërë, përndryshe do kisha dhënë dhe dorëheqjen.

Ju do kishit dashur të bëheshit ministër Arsimi apo President i Republikës?

Ministër Arsimi ndoshta, si president ka pasur një ofertë dikur nga dy parti politike që nuk më joshi. Ministër Arsimi ndoshta, por tani jo. Ministër Arsimi nuk ka rëndësi për mua.

 

SHKARKO APP