Shkencëtari shqiptar që bëri të flasë Perëndimin

Nga Skënder Minxhozi, JAVA

 

Doktor Kabashi, ju jeni një kërkues tashmë i afirmuar në Kanada dhe jashtë saj, në fushën e studimit të shkaqeveqë çojnë në atë që njihet si ALS (ose sëmundjaLuo Gerhig), ose si skleroza amfiotrofike anësore. Një sëmundje që ka prekur aktualisht më shumë se 30 mijë amerikanë, sipas statistikave. Çfarë është shkurtimisht ALS dhe ku konsiston studimi juaj rreth kësaj sëmundjeje?

-ALS, AmyotrophicLateral Sclerosis- (Skleroza Laterale Amiotrofike) ështe një sëmundje nervore degjenerative që progresivisht  çon në humbjen e mundësisë për të komanduar muskujt, deri në paralizë totale të trupit. Kjo sëmundje është përshkruar për herë të parë në Qendren Spitalore ku unë punoj, në Pitie Salpetriere Paris, nga Profesor Charcot, një ndër neurologët më të njohur në botë. Prandaj kjo sëmundje në Francë njihet si semundja e Charcot (Sharko).

E veçanta e kësaj sëmundjeje është shkatërrimi gradual i neuroneve motore në tru. Këto neurone, me aksone të gjatë mbi 1 metër, tek shumica e njerëzve mbajnë në lëvizje gjithë trupin. Mosfunksionimi i tyre sjell degjenerimin dhe vdekjen e muskujve trupore.

Në një proces që ngelet enigmatik, neuronet motore vazhdojnë të vdesin tek këto pacientë, gjë që në mënyre graduale dhe progresive sjell paralizimin dhe humbjen e aftësive të lëvizjes, të përtypjes, deri të frymëmarrjes. Në shumicën e pacienteve kjo sëmundje shkakton vdekjen brenda 2-5 vjetëve. Për momentin nuk ka asnjë trajtim efikas të sëmundjes.

 

Duke kërkuar në internet është mjaft e lehtë të kuptohen përmasat e jehonës pozitive që ka pasur studimi juaj. Si ndjeheni duke qenë një njeri i famshëm, për të cilin shkruajnë të gjitha mediat e specializuara perëndimore?

-Unë kam pasur durim, pasion dhe po ashtu fat që të vazhdoja studimet në fushën e shkencave neurologjike për të kuptuar më mirë sëmundjen ALS që përshkrova më sipër. Këto njohuri që kam fituar gjatë punës shkencore që bëj prej gati 15 vjetësh më kanë dhënë mundësi mua dhe grupit që drejtoj të kërkojmë në thellësi e të kuptojmë çdo ditë e më mirë çfarë ndodh me neuronet në tru e si mund të evitohet shkatërrimi i tyre. Këto kërkime kanë dhënë fryte e përfundimet e  kërkimeve janë publikuar në revista prestigjioze shkencore dhe më pas kanë pasur jehonë në shtypin ndërkombëtar.

Kuptohet që ndjehemi krenarë si ekip për vlerësimet e larta dhe për jehonën pozitive që ka pasur puna jonë e viteve të fundit. Cilido pjestar i ekipit jep kontributin e tij në këto studime që na shquajnë dhe na bëjnë të njohur në fushën e shkencave të shëndetit e që afrojnë momentin final të zbulimit të një kure për të lehtësuar pasojat apo për të shëruar  ALS e te tjera sëmundje neurologjike degjenerative.

Është tepër e rëndësishme që të vazhdojmë këto punime për të zgjidhur një e nga një enigmat e ALS. Ajo më e rëndësishmja është të kuptojmë më mirë përse neuronet motore vdesin tek pacientet e prekur dhe si mundet që nëpërmjet teknologjive moderne të biologjisë molekulare dhe gjenetikës të ngadalësojmë,  e ndoshta të ndalojmë degjenerimin e tyre.

Unë mendoj që çdo hap përpara i grupit qe drejtoj dhe i kolegëve në të gjithë botën është si një gur në këtë mur të lartë diturie që po ndërtojmë. Të gjithë shpresojmë, tek e fundit, t’i zbulojmë e kuptojmë më mirë misteret e trurit njerëzor, të avancojmë  me risi në fushën e shkencave neurologjike e të përmirsojmëmënyrën e jetesës të këtyre pacientëve, deri në shërim të plotë.

Ndërkaq ka një sënsibilizim të madh për njohjen e sëmundjes dhe financimin e kërkimeve shkencore në këtë fushë. Siç e dini gjatë këtij viti ALS u bë mjaft e njohur për shkak të nismës së « kovës së akullit » (icebucket challenge), në të cilën u përfshinë personalitete të rangut botëror si presidenti amerikan Obama, apo Bill Gates, etj. Kjo fushatë e ka nxitur me tej punën shkencore të instituteve dhe grupeve kërkimore.

 

Kur vëren suksesin tuaj dhe e krahason atë me situatën e mjeruar të kërkimit shkencor në Shqipëri, nuk mund të mos ndjesh keqardhje. A e keni edhe ju këtë ndjesi?

Kuptohet që studimet shkencore kërkojnë kohë e durim dhe kompletimin e një shkollimi të gjatë në  një fushë të caktuar. Gjithashtu janë të nevojshme si pasioni, ashtu edhe fondet  financuese. Do të ishte me shumë vlerë të bashkepunohej per organet perkatese shqiptare, me institucione e grupe shkencore të Bashkimit Europian, duke paraqitur projekte që mund të tërhiqnin vemendjen për të akorduar fonde për realizimin e tyre. Sidoqoftë, jam i sigurtë që përparimet e mëtejshme në fushën e edukimit do të ndikojnë në te ardhmen, për zhvillimin e shkencave të aplikuara, sidomos ato të shëndetit, edhe në vendin tone.

Kërkimet shkencore jane prioriteti i shoqerive te perparuara dhe financimet vijnë nga burime të ndryshme. Si shembull mund të jap larminë e shoqatave që kanë financuar punimet tona, që nga qeverite kanadeze (Canadian Institute of Health Research), qeveria amerikane (Department of Defense), qeveritë europiane (Marie Curie Actions), qeveria franceze (Association Nationale de la Recherche), por dhe shoqata që jane ngritur me ndihmen e pacienteve dhe te familjeve të tyre, në shumë vende te botes, si per shembull Fondacioni « Frick » në Zvicer.

Megjithatë, unë besoj që pasioni për shkencën mund të anashkalojë nevojat financiare. Si shembull, më vjen ndërmend shkencëtarja italiane Rita Levi Montalçini, që gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa fshihej në një bodrum në Torino, arriti të kryejë studime shumë të rëndësishme në fushën e neuroshkences, duke përdorur një mikroskop të thjeshtë dhe vezë pule. Bazuar në këto kërkime Dr. Rita Levi Montalçinit iu akordua çmimi Nobel në vitin 1986.

 

Na tregoni pak për formimin tuaj. Ku i keni kryer studimet e larta dhe çfarë eksperiencash pune keni pasur deri më sot?

Pas studimeve në shkollën e mesme «Gjergj Kastrioti» Durrës, unë u transferova në Amerikë në vitin 1995. Një vit me vonë u regjistrova në Kolegjin Mount Saint Mary në Emmitsburg, Maryland. Kur familja ime u vendos nga Shqipëria në Kanada, unë i vazhdova dhe i perfundova studimet universitare në Montreal, në McGill University.

Në vazhdim, karriera ime shkencore filloi në një ndër qendrat më të njohura të Neurologjisë në Kanada e në botë, Montreal Neurological Institute, ku plotësova studimet e doktoraturës nga viti 2001-2006.

Më pas kompletova studimet postdoktorale deri në vitin 2009 në Universitetin e Montrealit. Me përfundimin me sukses te tyre, ky Universitet më akordoi titullin shkencor «Profesor i Asociuar», që vazhdoj ta mbaj edhe pse punoj në Institutin e Studimeve të Trurit e Shtyllës Kurrizore, që është pjesë e Universitetit të Sorbonës në Paris. Punoj në këtë institut që nga viti 2011, pas një konkurimi ndërkombëtar, ku u përzgjodha të drejtoja ekipin shkencor që studion sëmundjet neurologjike degjenerative. Kështu u ktheva nga Kanadaja në Europë, për të punuar në këtë Institut Kerkimor prestigjoz, që është më i madhi për studimet në fushën e neuroshkencës në Francë. Instituti është vendosur në kompleksin spitalor Pitie Salpetriere. Pikerisht këtu, grupi që drejtoj vazhdon studimet mbi një model të thjeshtë gjenetik të peshkut-zebër, në një laborator të specializuar për këtë qëllim.

 

Ju e kaloni jetën tuaj mes Amerikës Veriore dhe Europës, por vini jo rrallë në Shqipëri. Ju keni qenë së afërmi në Tiranë. Çfarë përshtypje ju lenë vizitat në vendin tuaj?

Periudha që kalova në Shqipëri ishte shumë e shkurtër për të arritur të jap konkluzione për realitetin e perditshem. Pa diskutim, kam vënë re progres në shumë fusha dhe jam shumë i gëzuar për përparimet në infrastrukturën e vendit. Gjithashtu, bisedat me kolegët që punojnë në fushën e shendetit, më kanë bërë të ditur që në përgjithesi është një dëshirë shumë e madhe për të avancuar dhe për të ndjekur modelin europian. Gjate një vizite të fundit kam pasur mundesinë të takoj dhe të bisedoj për këto mundësi me ministrin e shëndetësisë, z.Ilir Beqja si dhe Profesor Doktor Mentor Petrela, që drejton Departamentin e Neuroshkencave dhe Neurokirurgjine, si dhe me Profesor Doktor Jera Kruja që drejton Repartin e Neurologjise ne Tirane.

Kuptohet, ka shumë për të bërë e do të duhet kohë për të përfunduar reformat e nisura. Pa dyshim që nëse shoqëria civile do t ‘i vërë rëndësi prioriteteve të duhura dhe nëse çdo qytetar do të marrë pjesë aktive në progresin e vendit, mundësitë janë të pafundme për përparim në çdo fushë, e sidomos për rritjen e nivelit të jetesës të të gjitha shtresave të popullsisë.

 

Ka një debat që vijon prej vitesh në skenën politike dhe median shqiptare, rreth fenomenit të rrjedhjes së trurit, por edhe mbi mundësitë reale që kapacitetet intelektuale të formuara në Perëndim, të ftohen për të dhënë kontributin e tyre në rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Një iluzion naiv, sipas jush, apo një mundësi reale?

Rrjedhja e trurit ose “brain drain” është një fenomen që ndeshet në çdo shoqëri që edukon të rinj, të cilët vazhdojnë më pas karrierën në vende më të përparuara. Në përgjithësi, kjo lidhet me mundësitë ekonomike që një shtet ofron për individët e arsimuar jashtë vendit.

Unë kam njohur shumë të rinj shqiptarë që jetojnë e punojnë në Amerikën e Veriut dhe Europë dhe mund te them me bindje që shqiptarët janë shumë të lidhur me vendin ku kanë lindur. Prandaj edhe shumë prej tyre janë kthyer në atdhe e marrin pjesë aktive në përparimin e vendit në fushat ku punojnë. Nëse Shqipëria do të vazhdojë të përparojë, unë jam optimist dhe i sigurtë që do të kemi atë që në anglisht quhet «reverse brain drain», pra truri i larguar do të kthehet në atdhe.

SHKARKO APP