Shkjau: Gjuha e Blushit si e opozitës, po dëmton PS-në

Flet për “Koha Jonë”, deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau

Intervistoi: Redjon Shtylla

Debati në Partinë Socialiste në lidhje me shkeljen e statutit, qëndrimet e disa deputetëve dhe themeluesve të kësaj partive pro deputetit Ben Blushi, për deputeten e re Esmeralda Shkjau janë pjesë e diskutimeve të brendshme të partisë dhe se padyshim,  në kohën e duhur brenda zhvillimit të kongresit do të marrin përgjigje. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e Qarkut Durrës pranon se statuti ka nevojë të reflektojë ndryshime, por siç edhe është shprehur: Unë shpresoj që Blushi të mos jetë armiku i PS-së dhe i qeverisjes, pasi gjuha e përdorur është e njëjtë si me të opozitës”. I kundërshton zërat që brenda grupit ka zëra kritikë dhe mosbesues ndaj Kryeministrit Rama. “Askush në PS nuk ka dyshime se Edi Rama është i duhuri për ta udhëhequr forcën tonë politike drejt atyre reformave për të cilat jemi angazhuar”. Në lidhje me PD-në deputetja Shkjau e konkretizon punën e opozitës si: “Servir dhunë dhe në vend të fakteve të flet vetëm përmes gjuhës së akuzave nuk i shërben askujt”.

Në PS debatet janë bërë gjithnjë e më të pranishme. Si një ndër deputetet e reja, si do t’i vlerësonit dhe kanalizonit debatet jo të drejtpërdrejta të kreut të PS-së me z.Blushi. Mbi ato që ka shprehur dhe ka ndarë me median mbi shkeljen e statusit për zgjedhjen e kandidatit, a ka të drejtë z.Blushi?

Është e drejta e çdo personi të ketë ambicie, por nga ana tjetër kjo çështje ka të bëjë me mënyrën se si do të vendosi kongresi. Ne mendimin tim pavarësisht debatit për procedurat, Edi Rama është kryetari legjitim i Partisë Socialiste, që jo vetëm ka marrë votën plebishitare të socialistëve, por edhe shqiptarëve qoftë në 2013, qoftë në 2015. Për më tepër, në vitin 2013 askush prej nesh, as deputetet, as kryesia, as anëtarët e asamblesë e as vetë z.Blushi nuk u kujtua për zgjedhjet e kryetarit pasi zgjedhjet e kryetarit në atë moment do kishin qenë një farsë. Mua nuk më vjen keq që Blushi të ketë ambicie, por më vjen keq për gjuhën që Blushi përdor për të shprehur ambicien e tij pasi është një gjuhë që dëmton qeverisjen (dhe është një gjuhë e njëjtë me Berishën dhe Bashën). Unë shpresoj që Blushi të mos jetë armiku i PS-së dhe i qeverisjes, siç është Berisha dhe Basha. Por gjithsesi për çështjen e kryetarit dhe statutit do të vendosë kongresi. Edhe statuti p.sh ka nevojë të reflektojë ndryshime. Në statut ne kemi parashikuar çfarë ndodh me kryetarin kur humbet zgjedhjet parlamentare  (jep dorëheqjen), por nuk kemi parashikuar çfarë ndodh me të kur fiton. Partitë e tjera të majta që zgjedhin kryetarin me parimin “një anëtar një votë”, si Partia Laburiste p.sh, në momentin që kryetari zgjidhet kryeministër nuk zhvillon më zgjedhje në parti për aq kohë sa nuk ka një nocion kundër tij, apo një kandidat që mbështetet nga shumica e kongresit. Dhe duke kujtuar faktin që PS-ja është edhe pjesë e partitive socialiste në Europë dhe organizohet sipas modelit laburist, është e qartë dhe e vendosur se për aq kohë sa kryetari ka fituar zgjedhjet, procesi për rizgjedhjen e tij është i pavlefshëm. Ajo që ka më shumë rëndësi është krijimi i një regjistri dixhital për anëtarët e PS-së, se ne na ndihmon të identifikojmë fare lehtë mbështetësit tanë, militantët tanë, personat e angazhuar. Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre ne masim kontributin e gjithë secilit.

Kolegët tuaj që janë dhe themeluesit e PS-së, janë të një mendimi dhe pranojnë disa me zë e disa nën zë se statusi është shkelur dhe duhet një kryetar i ri, i cili mund të risjellë një ndryshim të kjo forcë? Si i keni parë këto qëndrime që po ndodhin brenda partisë suaj?

Ne jemi pjesë e një familjeje politike, ku pavarësisht kontributeve që kemi dhënë jemi pjesë e një projekti që tejkalon moshën dhe meritat e gjithsecilit dhe ka në fokus realizimin e një numri të madh reformash për të cilat ne jemi angazhuar. Ashtu siç theksova edhe më sipër vëmendja mediatike në zhvillimin e këtij procesi të brendshëm në Partinë Socialiste ka qenë ndoshta përtej pritshmërive që mund të ketë pasur gjithsecili. Them përtej pritshmërive, pasi gjithsecili nga ne deputetët e PS-së ka pasur detyrat e tij për të kontribuar në një objektiv të përbashkët që u vendos me Kryeministrin, njëkohësisht Kryetarin e PS-së për shtimin e anëtarësisë. Ky objektiv lidhej me arritjen e një numri prej 150 mijë anëtarësimesh apo anëtarësh real brenda PS-së në 25- vjetorin e saj. Sa i takon qëndrimeve të mbajtura nga kolegët e PS-së, dua të them se nuk kam parë asgjë jashtë normales. Mund të them se nuk kam konstatuar asnjë deputet të ri apo të vjetër që është në kërkim të një Kryetari të ri për Partinë Socialiste. Përkundrazi, askush në PS nuk ka dyshime se Edi Rama është i duhuri për ta udhëhequr forcën tonë politike drejt atyre reformave për të cilat jemi angazhuar dhe jemi votuar në dy palë zgjedhjeje janë bërë pjesë e diskutimeve të brendshme në parti dhe padyshim që në kohën e duhur brenda zhvillimit të Kongresit do të marrin edhe përgjigje.

Opozita në çdo deklaratë publike paraqitet me fakte që sipas tyre, kjo qeveri po jep vendin me koncesion? A ka shkuar çdo reformë e qeverisë në funksion me realitetin?

Personalisht jam kundër një politike agresive dhe të ndërtuar mbi bazë akuzash të forta e shpeshherë dhe bombastike. Unë e mirëkuptoj fare mirë pozicionin e opozitës dhe rolin e saj në jetën politike në vend. Edhe për qeverisjen, por në tërësi për të gjithë maxhorancën një opozitë e fortë dhe e ndërtuar mbi argumente është shumë e vlefshme, pasi na ndihmon të korrigjohemi aty ku gabojmë. Por një opozitë që në vend të alternativës, të servir dhunë dhe në vend të fakteve të flet vetëm përmes gjuhës së akuzave nuk i shërben askujt. Nëse do të bëjmë një krahasim me numrin e koncesioneve të dhëna përgjatë qeverisjes së djathtë dhe atyre që janë dhënë në këto 3 vite qeverisje do të kuptojmë fare qartë diferencën. Qëllimi i opozitës në daljet publike të eksponentëve të saj është manipulimi i publikut dhe krijimi i një bindjeje se qeveria vjedh, përfaqësuesit e maxhorancës janë të korruptuar, ministrat janë jo të denjë. Përmes kësaj situate opozita po kërkon të fitojë terren, duke e përdorur si kapital politik në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që, në fakt, partneriteti publik me privatin nuk është aspak një model i krijuar prej nesh. Në çdo vend të botës ka një bashkëpunim mes qeverive dhe sektorit privat për të ndërtuar vepra apo për të dhënë shërbime sa më cilësore për qytetarët. E njëjta gjë po ndodh edhe në vendin tonë ku disa shërbime në sektorë të ndryshëm, pas konsultave me ekspertë janë dhënë me koncesion. Nuk mund të jesh paragjykues dhe kritik ndaj çdo vendimi të qeverisë për të bashkëpunuar me sektorin privat. Për fat të keq, opozita në vendin tonë e bën këtë gjë. Ajo që unë kërkoj vazhdimisht është që përfaqësues të institucioneve shtetërore qofshin ato edhe ministri, të përgjigjen me fakte për çdo akuzë dhe të pavërtetë të fabrikuar nga opozita. Fatmirësisht aktualisht funksionon një portal qeveritar transparenca.al, ku qytetarët kanë mundësi të dëgjojnë të vërtetat mbi çdo vendim apo partneritet me privatin që qeveria ndërmerr.

Shihet qartë se ligji i dekriminalizimit, reforma në drejtësi dhe byroja e hetimit janë një trinom i përbashkët. Sipas jush, cila është pika e përbashkët që duhet të ketë maxhoranca dhe opozita për zgjidhjen e ngërçit të krijuar?

Kur ekziston vullneti i përbashkët nuk mund të ketë kurrsesi ngërç. Politika duhet të tejkalojë vetveten kur flitet për çështje madhore që kanë aftësinë të ndryshojnë jetën dhe shërbimet e qytetarëve që na kanë zgjedhur. Ajo që ka ndodhur të enjten e kaluar në Parlament ka qenë diçka e shëmtuar jo vetëm për ne si deputetë që jemi prezentë në sallë, por edhe për çdo qytetar që e ka ndjekur atë seancë. Ligji për dekriminalizimin është votuar me një frymë tërësisht konsensuale mes përfaqësuesve të shumicës dhe atyre të opozitës. Në të njëjtën frymë ka ecur edhe përgatitja e akteve nënligjore për ta bërë funksional këtë ligj të rëndësishëm dhe që mbi të gjitha përcakton filtrat për të pasur gjithmonë njerëz të denjë në Parlament. Në dijeninë time, përfaqësuesit e Partisë Socialiste nën asistencën e ekspertëve të sjellë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë dakordësinë e saj për propozimet e bëra mbi formularët të cilëve do t’i nënshtrohet çdo zyrtar i lartë. Sa i takon Byrosë Kombëtare të Hetimit, gjërat më duken fare të qarta. Ministri i Brendshëm ka bërë publik komunikimin që është zhvilluar me opozitën për këtë çështje nëpërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Për këdo ka rëndësi që Byroja e Hetimit të kalojë në mënyrë që struktura që do të çojë përpara drejtësisë zyrtarët e lartë të jetë funksionale. Ndërkohë që, sa i takon reformës në drejtësi besoj se procesi është futur në rrugën e duhur dhe ngelet vetëm implementimi i rekomandimeve që do të vijnë nga Komisioni i Venecias. Kryeministri gjatë takimit të zhvilluar me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, shprehu edhe angazhimin e maxhorancës që reformën ta kalojmë brenda muajit mars. Unë shpresoj që të gjithë kolegët e opozitës në Parlament të paktën për këtë reformë kaq jetike për qytetarët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe ta votojnë sapo ajo të vijë në Parlament. Nuk dua të besoj që skenarët e bllokimit të Parlamentit dhe seancave plenare do të përdoren si alibi nga opozita për të zvarritur reformën në drejtësi. Jam e bindur që çdo deputet që do të votojë këtë reformë në fund të mandatit të tij do të ndihet i kënaqur për kontributin e dhënë për çdo qytetar që përballet me padrejtësitë dhe korrupsionin në dyert e gjykatave tona.

Gjithmonë te deputetët e rinj rrezaton një model ndryshe, më afër elektoratit dhe banorëve. Ju personalisht keni realizuar evenimente në ndihmë të personave në nevojë. Çfarë ju frymëzon në punën tuaj dhe si e gërshetoni përgjegjësinë dhe dëshirën për të ndihmuar?

Në momentin që kam vendosur të jem pjesë e strukturave të PS-së dhe më pas të drejtoj FRESH-in në qytetin e Durrësit, unë e kisha krijuar një profil personal që orientohej drejt aktiviteteve me karakter social. Por pavarësisht kësaj jam e idesë se gjithsecili vendos vetë për profilin që do të mbajë përgjatë mandatit të deputetit dhe çfarë kontributi do të japë. Unë jam zotuar se përfshirja në politikë  nuk do të më bëj që të ndryshoj asgjë nga vetja. Për këtë arsye kam qenë gjithmonë e idesë që me nisma ligjore, por edhe me fjalën time në Kuvend të përfaqësoj në mënyrë sa më dinjitoze ata njerëz që më kanë zgjedhur. Ka qenë tërësisht zgjedhje personale që të mos marrë protagonizëm në Kuvend me shfaqje apo veprime që janë jashtë karakterit dhe asaj që unë përfaqësoj. Rolin tim si e zgjedhur e Partisë Socialiste do ta jap përmes nismave ligjore që së bashku me koleget e partisë sime do të dorëzojmë së shpejti në Kuvend. Ky është frymëzimi im. Kjo është puna ime. Sa i takon aktiviteteve të bamirësisë, më shumë sesa formë angazhimi i shoh si detyrim personal ndaj atyre njerëzve që kanë nevojë. Qëllimi që ato bëhen mediatike nuk është për të treguar se një deputete e Kuvendit të Shqipërisë po organizon një ceremoni të tillë, por për ngacmuar çdo pjesë humanizmi te ata që kanë mundësi të kontribuojnë për të pamundurit dhe nevojtarët ta bëjnë këtë gjë.

SHKARKO APP