Shpresa Beka, sakrificat dhe arritjet e një sopranoje të guximshme
(Intervistoi: Albina Gjergji)
“Një jetë me klasikët”, kështu është titulluar koncerti vokalistik i mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dheBaletit të shtunën që lamë pas, një koncert ky, i cili ngjiti në skenë dy prej emrave mjaft të njohur për publikun shqiptar. Shpresa Beka, e cila mund të thuhet me plot gojë që ishte edhe “Mbretëreshe” e mbrëmjes, së bashku me baritonin Ylber Gjini interpretuan disa nga veprat e mëdha të Mozart, G. Verdit, Çesk Zadejës, Prenk Jakovës, etj.. I pritur jashtëzakonisht mirë dhe i cilësuar nga audienca si një koncert mbresëlënës, duke lënë mënjanë modestinë, Beka tregon për “Koha Jonë” se ky koncert me të vërtetë ishte i tillë, i suksesshëm. Sopranoja Shpresa Beka ka kryer studimet e larta me rezultate maksimale në Akademinë e Arteve në Tiranë në 1999. Ajo është fituese e çmimit të parë në konkursin e zërave të rinj Lirik të vitit 1999, fituese e çmimit të tretë në konkursin e parë ndërkombëtar, “Marie Kraja”, ndërsa në vitin 2010 u shpall fituese e çmimit “Kult” si interpretuesja më e mirë e vitit. Aktualisht është soliste në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ndër rolet më të spikatura që ka interpretuar përmendim atë të Fiordaligi në, “Cosi fan tutte”, Donna Elvira tek “Don Giovani”, Donika tek “Skënderbeu”, Kontesha tek “Dasma e Figaros”, Adalgisa në “Norma”, Leonora në “Il Trovatore”, etj.. Por sa e vështirë ka qenë për Shpresa Bekën prekja e suksesit të sotëm, sakrificat që ka bërë në emër të pasionit, mbështetja e munguar nga institucionet e Kluturës dhe ajo e dhuruar nga familja, domethënia e çmimeve dhe lidhja e fortë me operan, sopranoja e talentuar i rrëfen për “KJ”.
Përpara se të nisja formulimin e pyetjeve për këtë intervistë, hyra në Youtube dhe rifreskova kujtesën jo vetëm me të rejat e fundit të krijimtarisë suaj artistike Shpresa, por edhe me koncertet e mëparshme që keni mbajtur. Mund të na thoni sa interpretime numëron repertori juaj deri më tani dhe çfarë i veçon nga njëri-tjetri?
Në repertorin tim janë plot 12 role të realizuara në skenë dhe koncerte, numri e të cilave nuk mund ta cilësoj konkretisht, por mund të them që janë të shumtë. Veçoria do të thoja është që unë kam arritur për fat të prek autorë të rëndësishëm si Verdi, Pucini, Moxart, Bize, Bellini, të cilët janë të stileve të ndryshme dhe këtu qëndron edhe veçoria.
Në kuriozitetin tim gazetaresk doja të kapja edhe ndonjë detaj të veçantë, që për veshin e syrin tim mund të të bëjnë ndryshe nga artistet e tjera. Në fakt e pranoj, që jam mahnitur nga plastika e jashtëzakonshme, shtrirja dhe potenca juaj vokalistike. Për nga interpretimi aktoresk; si dhe sa e vështirë është të futesh nën lëkurën e personazhit që emocionalisht ndryshon në varësi të historisë që mbart?
Ju falenderoj për vlerësimin. Në fakt, në të gjitha rolet që kam interpretuar jam munduar ta sjell personazhin tek vetvetja, që do të thotë: si mund të ishte Shpresa një “Manon Lescaut”? Si do ta përjetoja unë realisht atë personazh dhe atë kam bërë… kam sjellë vetveten tek personazhi që kam interpretuar.
Ndërkohë që keni 15 vitesh që jeni pjesë e TOB keni interpretuar rolin e Donikës në “Skënderbeu” , gjithashtu tek opera “Manon Lescaut”, “Il Trovatore”, “Don Giovani”, "Il Tabaroo", "Carmen", “Aida”, etj.. Opera më e veçantë, cila mbetet për ju Shpresa?
Çdo rol më ka falur emocione të veçanta dhe të fuqishme t’ju them të drejtën dhe e kam të vështirë t’i ndaj, por një gjë e them me siguri, që kur këndon Verdin, apo Pucinin shpirti im ngrihet peshë.
Që në moshën 10-vjeçare në skenë, si e kujtoni daljen tuaj të parë përpara publikut? Me cilin rol dhe çfarë kujtimesh ruani?
Kam kënduar që fëmijë në skenë në Shtëpinë e Pionierit asokohe. Di të them që kam fituar çmime gjithmonë me këngët që më caktoheshin atëherë, si nga ana interpretative, ashtu edhe vokale.
Opera më e vështirë për ju dhe pse?
Opera më e vështirë, “Il Trovatore” e Verdit, për arsye se kërkon një teknike të lartë vokale, sepse Verdi i tillë është. Në partiturën verdiane këngëtari haset me të gjitha elementët e teknikës si shtrirja, axhiliteti, dramaticiteti, etj. me radhë dhe nëse një këngëtar nuk i ka të ezauruara këto nuk mundet ta këndojë dot Verdin.
Karakterin, operan që do donit të interpretonit në vazhdimësi?
Opera, të cilen dua ta interpretoj dhe të cilën e kam gati është “Toska”. Është një rol, i cili është adapt për vokalin tim.
Sipas jush, çfarë e rrit artistikisht një talent Shpresa?
Skena. Ajo e rrit artistikisht artistin. Eksperiencat e artistit sa më të shumta të jenë, aq më shumë e rrisin personalitetin e tij.
Na përmendi disa nga bashkëpunimet më domethënëse?
Për fatin tim në shumë prej roleve që kam interpretuar kanë qenë bashkëpunime si me dirigjentë, ashtu dhe regjisorë të huaj. Kam qenë e vlerësuar prej tyre dhe kjo gjë më ka dhënë sodisfaksion shumë të madh.
“Një jetë me klasikët”, kështu titullohej koncerti i mbajtur këto ditë në TOB. I vlerësuar nga të pranishmit si mbresëlënës, këtu ju interpretuat disa vepra të klasikëve botërorë edhe përkrah baritonit, Yber Gjini. Na flisni pak mbi këtë sukses të radhës?
Koncerti erdhi shumë spontanisht t’ju them të drejtën, pasi unë po përgatitesha për të kënduar rolin e Leonorës në operan “Il Trovatore”, e cila do të vihej si vepër e kalendarit artistik në muajin prill, por meqënëse kjo vepër ra dhe nuk u realizua në këtë sezon, atëherë mendova të realizoj një koncert vokal dhe të isha gjithashtu e pranishme përpara publikut. Në koncert ftova edhe baritonin Ylber Gjini, ku së bashku sollem disa duete të bukura për publikun artdashës. Publiku na priti mjaft mirë dhe mund të them me plot gojë që ishte një koncert i suksesshëm.
Sikurse suksesin, një artist mundet të njohë edhe dështimin. Juve ju ka ndodhur ta përjetoni ndonjëherë këtë të fundit?
Për fat jo dhe e di përse? Sepse unë asnjëherë nuk marr përsipër të bëj role, të cilat nuk mund t’i realizoj. Aty ku unë guxoj kam garanci tek vetja ime.
Çdo artist, apo edhe njeri i thjeshtë ka muzat e tij në art. Ju kë keni pasur dhe keni në muzikën klasike si pikë frymëzimi?
Sigurisht! Unë adhuroj Maria Callas. Për mua ajo mbetet unike. Sot në tregun operistik këndojnë mjaft soprano me famë si; Ana Netrebko, Angela Georgiu, etj., që padyshim janë soprano të mëdha, por mua Maria Callas më duket e pazëvendësueshme, e jashtëzakonshme. S'gjej fjalë ta përshkruaj.
Vështirësitë më të mëdha, me të cilat përballet një soprano në tregun artistik?
Rivaliteti jo i ndershëm, që do të thote, kur ty të skarcojnë që në pikënisje, pra të hiqet mundësia për të dalë para publikut.
Duke qenë se disa prej emrave të operistikës shqiptare kanë bërë emër edhe jashtë vendit, me kaq talent sa posedoni, po ju e keni menduar ndonjëherë mundësitë e të kërkuarit të suksesit ndërkombëtar?
Ah, jo me thënë të drejtën dhe e di pse? Duke qenë pjesë e Teatrit unë gjithmonë kam kërkuar të jem pjesë e kalendarit artistik të këtij Teatri, plus dhe shumë arsye të tjera që pak a shumë merren me mend, si ana financiare që është më e rëndësishmja dhe plot arsye të tjera.
Vazhdimisht shpreheni se familja ka qenë mbështetje kryesore. Për çfarë i jeni më së shumti mirënjohëse?
Atëherë, duke qenë se unë vij nga një familje jo artistësh dhe vetë jam artiste në profesion unë kam gjetur një mirëkuptim të vështirësive që ka ky profesion tek prindërit dhe motrat e mia, sepse kur je produkt i prindërve artistë ke shumë privilegje, sepse ato i njohin mjaft mirë sakrificat që kërkon ky profesion, por dhe mua nuk më ka munguar ky privilegj. Edhe sot që unë jam bërë nënë vetë, mamaja ime vazhdon dhe jep ndihmën e saj në rritjen dhe edukimin e djalit tim, si e si që unë të mos kem shkëputje nga puna, apo mbingarkesë, si fizike ashtu dhe emocionale. Prandaj u jam mirënjohëse, sepse ndoshta mund edhe t’i kem rënduar pak.
Po mbështetje institucionale keni ndjerë që ju ka munguar ndonjëherë?
Po shumë herë, më vjen keq që e them këtë, por kjo është e vërteta. Unë kur i kam hyrë kësaj rruge dhe këtij profesioni nuk kam menduar se filani, apo fisteku do më ndihmojë për të arritur këtë, apo atë gjë. Jo, unë këtë rrugë e kam zgjedhur dhe e kam vazhduar, sepse shoh tek vetja ime aftësinë dhe talentin për të ecur përpara, por ja që realiteti nuk është kështu. Është krejt e kundërta.
Sakrificat që ju është dashur të bëni për hir të pasionit?
Ah, kam kaluar shumë sfida të forta, të cilat më është dashur t’i përballoj për të fituar skenën dhe këtë sakrificë e kam bërë vetëm për hir të pasionit që kam për artin.
Angazhimi i radhës, cili do të jetë?
Angazhimi ynë në skenë nuk varet nga ne, por nga kalendari artistik i Teatrit. Për sezonin që vjen kam planifikuar koncerte dhe angazhimet në role që do të jenë ato, të cilat Teatri do vendosë në kalendarin e tij.
Sa çmime numëron karriera juaj artistike dhe ç’domethënie kanë për ju trofetë Shpresa?
Çmimin e parë ene konkursin e zërave të rinj lirik e kam marrë kur isha ende studente. Pastaj erdhi çmimi i tretë në Festivalin e parë Ndërkombetar operistik, “Maria Kraja”. Sigurisht që trofetë kanë domethënie shumë të madhe për mua, sepse unë isha ende një studente dhe ta fillosh karrierën me vlerësime është një hap i sigurtë për të ardhmen.
Jeni vlerësuar nga Akademia Kult me një çmim që mbart sa vlera, po aq edhe emocion. Si jeni ndjerë teksa u renditet tek artistët më të mirë të vitit, përkrah ikonave të tjerë të artit?
Çmimi “Kult” është një çmim mjaft i rëndësishëm për mua, që ashtu sikurse e thatë edhe ju renditen artistët më të mirë të vitit. Ky çmim erdhi pas interpretimit në operan “Norma”. Ka qenë dhe është një sodisfaksion i paharruar i karrierës sime.