“Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë si pikë tranziti për terroristët”

Zëvendës drejtori i policisë Italiane Roberto Della Rocca gjatë një interviste për News24sqaroi qëllimin e vizitës së tij në Shqipëri dhe Kosovë dhe përse zgjodhi pikërisht këto dy shtete. Rocca argumentoi se Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë si vend transit për terroristët dhe nënvizoi se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar.

Cili është qëllimi i vizitës në Tiranë dhe Prishtinë?
– Ju faleminderit për intervistën, ju faleminderit dhe për pyetjen.
Sigurisht që vizita ime përkon dhe me një plan të bashkëpunimit ndërkombëtar nga ana e Italisë me të gjitha vendet e tjera në mënyrë të veçantë me Shqipërinë. Pasi Shqipëria është një vend shumë i afërt për ne. Sigurisht që vizita e ministrit Alfano ishte me njëkarakter politik, kurse kjo e imja është e një niveli teknik. Pasi unë jam specialist i fushës.

Disa ditë më parë ishte Ministri i Brendshëm Alfano në Tiranë. U fol për njësinë task-forcë në luftën kundër terrorizmit. Kur dhe ku do ngrihet kjo njësi?
– Ne kemi patur bisedime me drejtorin e përgjithshëm të policisë shqiptare me të cilin kemi bashkërenduar krijimin e kësaj task-force. Ne kemi rënë dakord që në kuadër të të gjithë bashkëpunimit tonë do të vijnë në Itali disa ekspertë shqiptarë që do të trajnohen dhe do të shikojnë nga afër aktivitetin dhe punën që bëjnë ekspertët tanë.
Nga ana tjetër na është dhënë hapësira e mundshme që dhe ekspertë italian të mund të vijnë në Shqipëri për të dhënë ndihmesën e tyre për të bashkërenduar veprimtaritë tona në këtë fenomen që po përshkon të gjithë Evropën dhe që tashmë përbën shqetësim për të gjithë ne.

Pse Shqipëria dhe Kosova? A janë dy vende vende që mund të prodhojnë apo të tranzitojnë terrorrizem ne Europe?
– Sigurisht pra Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë dhe si pika tranziti dhe përvoja e këtyre ditëve të fundit na ka mësuar se çdo vend mund të shërbej si pikë tranziti për fenomene të tilla. Gjithsesi duke qenë se Shqipëria dhe Kosova ndodhen në atë rrugëkalimi të lidhjes nga vendet e lindjes dhe Evropës perëndimore sigurisht që bashkëpunimi me autoritetet e këtyre vendeve është thelbësor për ne. Por ajo çka dua të nënvizoj është se gjatë vizitës në Shqipëri dhe Kosovë kemi gjetur gatishmërinë maksimale të autoriteteve përkatëse të këtyre vendeve dhe gjithashtu vetëdijen se nëse ky bashkëpunim realizohet falë lidhjes mes të gjithëve ne atëherë sigurisht që do të kemi dhe rezultate pozitive.

A keni informacion për celula terroristesh nga Shqipëria dhe Kosova në Itali?
– Unë më tepër se sa një celulë do të flisja këtu për disa masa dëbimi rezultat kjo i një veprimtarie hetimore që ka zgjatur ndërkohë dhe faktikisht dëbimi i elementëve të cilët në rastin konkret mund të jenë të armatosur apo të hartojnë programe apo aksione terroriste. Sigurisht që këto masa parandaluese janë dhe masat më të mira që këto elementë të dëbohen nga territor i shtetit italian.
Përsa i përket bashkëpunimit me autoritet shqiptare dhe kosovare, dua të them se ky bashkëpunim ekziston dhe qëllimi ynë është që të forcohet më tej në një luftë sa më efikase ndaj këtyre fenomeneve. Pra është e rëndësishme që ne të parandalojmë problemet që në pikënisjen e tyre.

Në 19 janar u kap në Itali një celule e tillë. Nga informacionet që keni ishte e importuar, apo bëhet fjalë për një celule të themeluar në Itali?
– Unë nuk mund t’ua u them këtë pasi bëhet fjalë për procese hetimore që janë duke u kryer pasi përndryshe nuk do të arrinim askund. Sigurisht që në vëmendjen tonë janë një sërë shtetasish, kryesisht po punojmë për të parandaluar ata luftëtarët e huaj të cilët rekrutohen për të luftuar në emër të xhihadit në vendet ku ka konflikt dhe kryesisht në Siri. Por për të qetësuar dhe publikun që na ndjek, në momentin që ne do të vërejmë apo do të hasim shtetas shqiptar që synon të përfshihet në veprimtari të tilla, ne sigurisht që do të njoftojmë në kohë reale autoritet shqiptare dhe të gjithë sëbashku do të bëjmë të mundur që t’i ç’aktivizojmë dhe t’i parandalojmë qëllimet e këtyre personave për terrorizëm.

Financimet e terrorizmit gjejnë më shumë lehtësi tani që Bankat evropiane janë shtrirë në Lindje. A ka gjurmë të tilla në Shqipëri?
– Sigurisht që financimet ekzistojnë, por nuk mund të jenë kaq haptazi nëpërmjet filialeve të bankave evropiane. Ne kryejmë një pune të kujdesshme për mbikëqyrjen e kësaj veprimtarie të një financimi të mundshëm, kjo falë dhe një përvoje që ne kemi duke patur parasysh luftën ndaj organizatave kriminale dhe mafioze që janë të ndryshme. Dhe kjo bën pjesë në luftën kundër trafikut apo parave të pista gjithashtu dhe në përvojën që në kemi në luftën për pastrimin e parave. Ne kemi dhe një bashkëpunim ndërkombëtar të frytshëm në këtë aspekt.

Krimi i Organizuar është një tjetër çështje e rëndësishme, për të cilën ju vazhdimisht keni kërkuar bashkëpunim nga institucionet shqiptare ligjzbatuese. Si ka qenë ky bashkëpunim 17 muajt e fundit?
– Ne kemi një bashkëpunim të frytshëm mes organizatave të policisë. Bashkëpunimi asnjëherë nuk ka munguar madje ka ardhur duke u rritur dhe përpiqemi ta intensifikojmë më tej. Kjo edhe për faktin se tashmë lufta kundër krimit të organizuar në përgjithësi dhe lufta ndaj të ashtuquajturës mafia italiane i përket gjithë botës. Pra faktikisht janë të përfshira të gjitha vendet, si vendet e Ballkanit, si Kina etj. Ne kemi përvojë të gjatë dhe të madhe në këtë drejtim edhe pse duhet të përmirësojmë teknikat e luftës kundër këtyre fenomeneve kriminale.
Forcat e policisë duke qenë forca të rendit publik merren me ndjekjen e kriminelëve, aty ku ata do të investojmë ne do të përpiqemi t’i ndjekim ata dhe të parandalojmë veprimtaritë kriminale. Bashkëpunimi mes dy policive ka qenë i frytshëm dhe do të jetë dhe në të ardhmen.

Trafiqet nëpërmjet rrugëve detare mes Shqipërisë dhe Italisë, a janë akoma një shqetësim për policinë italiane?
-Rruga detare ka qenë dhe mbetet një nga rrugët e trafikut, por tashmë nuk përbën një nga rrugët kryesore të trafikimi sepse ka dhe mënyra dhe rrugë të tjera të trafikimit. Edhe pse deti Adriatik dhe jo vetëm duke patur parasysh dhe kanalin e Sicilisë janë hapësira detarë të patrulluara dhe monitoruara më së miri kjo edhe për faktin se kemi hasur një fenomen të ri sikundër është ai i emigracionit klandestin, ndaj ne tregojmë kujdes në patrullimin dhe mbikëqyrjen e hapësirave detarë në mënyrë që të luftojmë me efikasitet trafiqet e çdo lloj natyre qofshin.

Po thoni që trafiku i lëndëve narkotike në drejtim të Italisë nga Shqipëria është minimizuar?
– Në një farë mënyre ka rënë ky trafik sepse duke pasur parasysh se ka rënë niveli i sekuestrimeve të lëndëve narkotike që trafikohen nëpërmjet rrugëve detare. Megjithatë trafiku i lëndëve narkotike ekziston sepse sikundër thamë ndjek dhe rrugë të tjera të kalimit të paligjshëm, gjithsesi ne punojmë në këtë drejtim që të minimizojmë trafiqet e paligjshme.

Rasti i uljes së një avioni Italian në Divjakë për t`u furnizuar me lëndë narkotike, sipas informacioneve tuaja është një rast i izoluar, apo një rrugë normale e trafikut të paligjshëm?
– Me këtë çështje merret policia shqiptare dhe unë nuk mund të ndërhy në këtë pjesë megjithatë përsa i përket mënyrës së trafikimit më duket në një farë mënyrë e tipit amerikano-jugor jo dhe aq evropian, kjo për faktin se që të trafikosh drogë nëpërmjet përdorimit të avionëve është me të vërtet e kushtueshme.
Megjithatë ne dje patëm mundësi të flisnim dhe me autoritet shqiptare, në momentin që kushtet klimaterike do ta lejojnë në do të rifillojmë mbikëqyrjen nga ajri për të gjitha zonat për të shmangur kultivimin e lëndëve narkotike në territorin shqiptar.

Rasti i Riformatos a është hetuar nga pala italiane, sepse sot nuk ka ende një hetim të përfunduar nga pala shqiptare?
– Autoritetet gjyqësore shqiptare kanë dërguar një letër porosi ndërkombëtare për të patur të gjitha informacionet e nevojshme përsa i përket rastit Riformato dhe kemi një verifikim në proces e sipër. Por gjithsesi në këtë rast kemi të bëjmë me një çështje që është në hetim të plotë nga autoritet shqiptare.

Çfarë mund të bëjë policia shqiptare më mirë për të luftuar krimin e organizuar, trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe të fitojë më shumë besim në bashkëpunimin me ju?
– Unë mund të them se jam i fiksuar pas filozofisë së parandalimit. Pra në rast se ne arrijmë të parandalojmë në kohë të gjitha veprimtaritë kriminale është bërë gjysma e punës. Në botën që jetojmë sot, në luftën kundër krimit të organizuar, mafies, trafikut të lëndëve narkotike dhe pse jo luftën ndaj terrorizmit ne duhet të bashkëpunojmë sëbahsku.
Sepse vetëm nuk shkojmë askund. Pra është e rëndësishme që ne të kemi një proces lufte ndaj këtyre fenomeneve kriminale, duke përdorur jo vetëm mjetet teknologjike për të përftuar informacionet në kohë reale, por gjithashtu është e rëndësishme që të kemi të gjitha ato instrumente juridike të cilat bëjnë të mundur luftën me sukses ndaj këtyre fenomeneve kriminale.
Gjithashtu do të doja të theksoja dhe faktin përsa i përket trafikut të drogës, një fenomen ky që po zgjerohet dhe ka një kërkesë në rritje përsa i përket përdorimit të drogave. Është e rëndësishme që shoqëria, familja dhe shkolla të punojnë për t’i përgatitur brezat për të parandaluar të gjitha veprimtaritë kriminale që rrjedhin prej përdorimit të lëndëve narkotike dhe jo vetëm. Pra është e rëndësishme që ne të bashkëpunojmë për të pasur sukses ndaj fenomeneve kriminale.

A ka një listë policia italianë për shtetas shqiptar të shpallur në kërkim për llogari të drejtësisë italiane?
– Doja të thoja që është e vërtet që ka persona të kërkuar qoftë shtetas shqiptar të cilët janë të kërkuar nga drejtësia italiane, por sigurisht dhe shtetas Italian që ndoshta ndodhen në territorin shqiptar dhe që kërkohen nga policia italiane. Gjithsesi këto janë procese që kryhen dhe e rëndësishme është të kapen në kohë reale.

Cila do të jetë axhenda e ditës tuaj të fundit në Tiranë?
– Gjatë ditës time të fundit të qëndrimit tim në Shqipëri do të kem rastin të takojë prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe më tej do të kemi shfaqjen e një filmi dokumentar në kuadër të veprimtarive të zhvilluara nga projekti PAMECA IV. Ky është një film dokumentar i realizuar nga policia rrugore italiane që ne e kemi shfaqur dhe në Itali dhe që titullohet “Young Europe” dhe që është një dokumentar i rëndësishëm që iu drejtohet të rinjve për të gjitha pasoja që mund të shkaktojë një drejtim jo i duhur apo i rrezikshëm i automjeteve kjo si rezultat i përdorimit të alkoolit apo lëndëve narkotike. Ky dokumentar është i shëndetshëm sepse në një farë mënyre i bën më të përgjegjshëm të rinjtë për rreziqet që mbart përdorimi i këtyre lëndëve gjatë drejtimit të mjeteve.
Faleminderit Z. Della Rocca

SHKARKO APP