“Shqipëria, një shembull shumë i mirë për politikën e jashtme”
Flet Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për të implementuar plotësisht reformat lidhur me Bashkimin Evropian. Një fakt të tillë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein e ka pohuar gjatë një interviste për “EurActiv”. Duke shtuar se gjithsesi, situata ekonomike ua ka vështirësuar atyre ta bëjnë një gjë të tillë. Ndërkaq, sipas tij, Shqipëria është një shembull shumë i mirë për afrimin e politikës së jashtme me atë që ndjek aktualisht Bashkimi Evropian në tërësi.
Kryeministri shqiptar kohët e fundit ka folur në favor të "bashkimit të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova". Si mundet që deklarata të tilla të përshpejtojnë rrugën e Tiranës për në BE? A keni biseduar për këtë me Edi Ramën?
Deklaratat e bëra nga kryeministrit shqiptar, të cilave ju jeni duke iu referuar, u pritën me shumë habi prej meje dhe kolegëve të mi në Parlamentin Evropian. Është e qartë për mua se ato u ishin drejtuar një audience lokale dhe ishin të ndikuara nga klima e tensionuar parazgjedhore në Shqipëri para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Megjithatë, deklarata të tilla sigurisht që nuk janë të dobishme për të nxjerrë në pah rolin e deritanishëm shumë konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Dhe unë për këtë arsye, i kam diskutuar ato me kryeministrin.
A ka ndikuar kriza ekonomike greke në rrugën e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, drejt integrimit në BE-së?
Kriza ekonomike greke nuk e ka prekur procedurën aktuale, sipas të cilës do të gjejë vend anëtarësimi në BE. Megjithatë, ajo ka pasur në mënyrë të pamohueshme një ndikim në perceptimet publike për zgjerimin në BE në përgjithësi. Sot, qytetarët e BE-së janë më të shqetësuar në lidhje me pranimet e ardhshme. Si përfaqësues të zgjedhur, ne duhet ta marrim parasysh këtë. Në të njëjtën kohë, është detyra jonë për të gjetur përgjigje politike që tregojnë se ne mund t’i bëjmë të dyja: forcimin e brendshëm të prosperitetit ekonomik-social dhe solidaritetit të BE-së, si dhe ofertën për ta ndarë me ata fqinjët që dëshirojnë të kontribuojnë për të sa më mirë.
Cila është sfida kryesore, sipas mendimit tuaj, në lidhje me të ardhmen e FYROM -it në BE? Si mund të kalohen trazirat serioze politike që ajo ka kaluar?
Situata aktuale në FYROM, para së gjithash, kërkon një hetim të thellë dhe të pavarur të të gjitha akuzave që dalin nga përgjimet masive në vend. Së dyti, vendi ka nevojë të jetë më i angazhuar për zbatimin e reformave thelbësore që forcojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe medias. Në javët e fundit], qytetarët e FYROM kanë treguar pakënaqësi dhe dëshpërimin e tyre me gjendjen e tanishme të vendit. Protestat theksojnë dëshirën e qytetarëve për të jetuar në një vend demokratik, jeta politike, sociale dhe ekonomike e të cilit, të jetë e bazuar në sundimin e ligjit.
Komisioni Evropian ka vendosur që të mos ketë më zgjerim gjatë pesë viteve të ardhshme. A mendoni se kjo i ka dekurajuar shtetet e që shpresojnë për BE-në?
Po, unë besoj se deklarata e Junkerit, sipas të cilës "asnjë zgjerim i mëtejshëm nuk do të zhvillohet gjatë viteve të ardhshme" ka qenë me të vërtetë për të ardhur keq. Kjo ka shkaktuar shumë nervozizëm në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht disa deklaratave qetësuese që pasuan. Ajo gjithashtu ka shkaktuar shqetësim për të gjithë ata që janë të angazhuar për një politikë aktive të zgjerimit të BE-së. Kolegët e mi social- demokratë në Parlamentin Evropian dhe unë vetë, kam qenë ndër të parët për të kritikuar një qasje të tillë të re mbi politikën e zgjerimit në Komisionin Evropian.
Është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të zbatojnë plotësisht reformat e nevojshme lidhur me Bashkimin Evropian. Ata duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Megjithatë, gjendja e vështirë ekonomike e ka zvogëluar dukshëm kapacitetin e vendeve për të zbatuar reformat ambicioze ekonomike dhe politike. Kjo, nga ana tjetër, e bën më të vështirë për të përmbushur kriteret e pranimit të BE-së. Por është e rëndësishme për të shmangur një tërheqje serioze në vrullin e reformave dhe për t'iu kundërvënë "lodhjes së zgjerimit" në shtetet anëtare të BE-së dhe "lodhjes së anëtarësimit" në disa nga vendet kandidate.
Zhvillimet e fundit tregojnë qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë mbështetje për të ruajtur vrullin e reformave gjatë pesë viteve të ardhshme. Prandaj, unë besoj se ne duhet të vazhdojmë duke ofruar një politikë të zgjerimit aktiv dhe të përkushtuar të BE-së.
Serbia nuk merr pjesë në sanksionet e BE-së kundër Rusisë, dhe një pjesë e elitës politike në Beograd thuhet se kërkon lidhje më të ngushta me Moskën. Mundet faktori rus që të ngadalësojë rrugën e Serbisë drejt BE-së?
Shpejtësia e procesit të anëtarësimit të Serbisë drejt BE-së do të përcaktohet vetëm nga shpejtësia me të cilën do të zbatohen reformat e nevojshme lidhur me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, është gjithashtu e vërtetë se si një shtet anëtar i BE-së, Serbia do të jetë e detyruar për pozicione të përbashkëta me BE-në për çështje të politikës së jashtme. Udhëheqja e tanishme duhet të jetë e vetëdijshme për këtë. Vende të tjera kandidate janë tashmë për afrimin e politikës së tyre të jashtme në BE-në dhe Shqipëria është një shembull shumë i mirë për këtë.