Shqiptarët në Irlandë, një histori suksesi

Emigranti shqiptar në Irlandë: “Kam zgjedhur punën si Perëndi”

Kjo është historia e Ndrek Gjinit, autor, gazetar dhe mësues me profesion, i cili emigroi në Irlandë në 2002. Ai tregon në një intervistë ekskluzive për gazetën “Koha Jonë” mënyrën se si arriti jo vetëm të integrohet në shoqërinë irlandeze, por të bëjë edhe irlandezët të kthejnë sytë nga Shqipëria dhe pse jo dhe ta vizitojnë atë.

Gjini, më thoni diçka për veten Tuaj, familjen dhe si ndodhi që u gjendët në Irlandë?

Nuk është aspak e lehtë të flasësh për veten. Kjo pasi njeriu ndryshe e percepton veten e tij dhe ndryshe e perceptojnë të tjerët atë. Por gjithsesi, unë po e tregoj historinë time, sipas meje.

Kam shkruar e botuar poezi e publicistikë që në vitin e tretë të shkollës së mesme. Pasi mbarova Universitetin  në Shkodër në degën Gjuhë/Letërsi, punova dy vjet mësues dhe një vit gazetar në gazetën lokale në Pukë. Në vitin 1991 u vendosa në Tiranë. Fillimisht kam punuar në gazetën “Kombi”, më pas në Agjencinë Telegrafike Shqiptare  dhe në gazetën “Rilindja Demokratike”. Në vitin 1996, fillova punë si zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. Më pas, jam kthyer prapë në gazetën “RD”. Gjatë gjithë këtyre viteve përveç punës së përditshme kam vazhduar të shkruaj letërsi dhe kam botuar edhe disa libra.

Në vitin 2002 kam emigruar familjarisht në Irlandë. Vendimin për të ikur e mora pasi u binda se isha totalisht i paaftë për t’iu përshtatur ‘normave të reja’ që kishin nisur të formësohen në ndërgjegjen kolektive të shoqërisë shqiptare, ku një maskara quhej i zgjuar, një hajdut quhej i shkathët, një vrasës quhej hero, e një bandit bëhej ministër.

Në Irlandë nuk është se gjeta parajsën. Pata fat përsa i përket marrjes së statusit si refugjat politik, pasi e përfitova atë me intervistën e parë. Fillimisht jeta aty ka qenë një aventurë e vërtetë. Nuk dija asnjë fjalë anglisht. Më duhej të mësoja gjuhën e të punoja për të mbajtur familjen. Jetonim në Castlebar, një qytet mjaft i vogël në perëndim të Irlandës. Nuk kishte as kurse ku mund të shkoje të mësoje gjuhën. Fillova punë si ndihmësfurrtar. Lodhesha shumë. Pas punës me orë të tëra ulesha e mësoja anglisht në shtëpi. Më ndihmonin shumë gruaja dhe djali. Ia dola mbanë. Kërkova të bëj njohjen dhe konvertimin e diplomës universitare që kisha marrë në Shqipëri. Më thanë nuk bëhet pasi Shqipëria nuk e kishte firmosur ende marrëveshjen e Bolonjës. Në 2004 u regjistrova në Castleber College for Further Education për të bërë një kurs 1-vjeçar me kohë të plotë për gazetari të shkruar. E përfundova me sukses. Ndërkohë përveç punës dhe shkollës vazhdova të shkruaj dhe të botoj në gazetën lokale të Castlebar “The Connaught Telegraph.” Botova aty mbi 40 artikuj. Në vitin 2005 disa poezi të miat u botuan në një antologji prestigjioze titulluar “Present Tense”. Në këtë antologji përfshiheshin autorë mjaft të njohur, njëri nder to madje, ishte fitues i “Çmimit Nobel”.

Në vitin 2005, u vendosëm në qytetin Galway. Aty u regjistrova në shkollë të lartë, në Galway Mayo Institute of Technology, në programin me kohë të plotë për Bachelor në Heritage Studies (Trashëgimi Kulturore). Aty studiova për katër vjet dhe u diplomova me BA (Honours) në Heritage Studies (Studime Trashëgimie). Më pas vazhdova programin Master of Arts in Writing në Universitetin e Irlandës në Galway. Edhe këtë e përfundova me sukses. Gjatë gjithë këtyre viteve që, natën punoja si menaxher në një lokal në stacionin e trenit dhe ditën shkoja në shkollë.

Që nga 2006 e në vazhdim kam punuar edhe si përkthyes (freelance) me disa kompani të ndryshme si dhe kam shkruar e botuar shkrime të miat si dhe disa përkthime në shtypin irlandez dhe atë shqiptar. E ndjej veten me fat pasi disa shkrime, poezi, përkthime dhe intervista të miat janë botuar në disa gazeta dhe antologji prestigjioze të Irlandës.

 

Ju e keni bërë të njohur Shqipërinë në Irlandë jo vetëm me anë të poezive, apo jo?

Po e vërtetë. Në 2012, fillova punë  si asistent në Drejtorinë e Artit dhe Kulturës në bashkinë e qytetit Galway. Përkonte kjo me 100-vjetorin e  Pavarësisë së Shqipërisë. I ekzaltuar nga ky përvjetor i shënuar mendova të bëj dhe unë diçka për vendin tim. I bëra një kërkesë me shkrim kryetares së bashkisë dhe këshillit bashkiak të qytetit Galway, ku u kërkoja leje për të hapur një ekspozitë fotografike rreth Shqipërisë  në këtë 100-vjetor të pavarësisë së saj, në hollin e madh të bashkisë së qytetit. Fatmirësisht ata e miratuan kërkesën timen. Por tani më duhej të veproja shpejt për realizimin e kësaj veprimtarie. Duheshin gjetur fotot, kornizat, bërë ftesat dhe organizuar aktiviteti. U kërkova ndihmë për fotot Ministrisë së Kulturës në Tiranë. U shkrova e-mail disa drejtorëve që i kisha pasur miq dikur. Nuk mora asnjë përgjigje. I shkrova ministrit të Kulturës përsëri, por nuk mora përgjigje. Isha në hall. Kisha vetëm dy javë kohë. Mora në telefon ambasadorin e Shqipërisë në Londër, zotin Mal Berisha. Frika e dështimit po më shkatërronte psikologjikisht. Kur po flisja me ambasador Berishën isha krejtësisht i tronditur.

“Mos u mërzit, më tha, – nuk do të lëmë të dështosh.” Si do t’ja bëjmë, kam vetëm dy javë kohë- i thashë.

“Aleksandër Meksi, në bashkëpunim me Institutin e Albanologjisë kanë botuar një album të madh e të plotë për 100- vjetorin e Pavarësisë dhe është në anglisht,” më tha ambasadori duke shtuar: “Z.Meksi më ka dhuruar një kopje të këtij albumi dhe unë do ta postoj ty që të marrësh fotot, t’i vendosësh në korniza dhe ta hapësh ekspozitën.”

Albumi erdhi. Me mikun tim të mirë Sajmir Beganji zgjodhëm fotot e duhura. Kornizat i porositëm dhe u bënë brenda natës. Të nesërmen i vumë në hollin e madh të bashkisë. Ekspozita u hap më 26 nëntor 2012. Hapjen zyrtare e bëri nënkryetari i bashkisë, Frank Fahy, (i cili aktualisht është kryetar bashkie). Në atë ceremoni mori pjesë dhe nënkryetari i Parlamentit të Irlandës,  një ministër si dhe disa deputetë. Ishin të pranishëm mjaft drejtorë e funksionarë të bashkisë e zyrtarë të tjerë. Kishte dhe shqiptarë. Hapjen e kësaj ekspozite e organizova edhe në Muzeun e qytetit Ennis si dhe në bibliotekën e qytetit Cork.

Disa muaj mw vonë fillova punë në Drejtorinë Arsimore të qytetit Galway, si koordinator programi, për Galway Write a Book Project. Trajnonim mësuesit për nxitjen e nxënësve për të shkruar krijimtari letrare. Në 2013, organizova dhe hapa të njëjtën ekspozitë fotografike rreth Shqipërisë në hollin e Drejtorisë Arsimore të qytetit me rastin e 101 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë herë patëm fatin të kemi aty për të hapur zyrtarisht këtë ekspozitë ambasador Mal Berishën, si dhe disa diplomatë të tjerë shqiptarë. Gjithçka shkoi mjaft mirë. Ambasador Berisha dha me këtë rast dhe një intervistë për radion lokale si dhe zhvilloi takime me kryetarin e bashkisë dhe me Presidentin e Universitetit. Që nga viti 2014, jam licencuar si mësues dhe jam regjistruar si i tillë pranë Teaching Council Ireland (Këshilli i Mësuesve). Gjithashtu, jam edhe redaktor i revistës letrare, The Galway Review.

 

A ka qenë e vështirë të tërhiqnit vëmendjen e irlandezëve drejt Shqipërisë?

Në fillim të vitit 2015, i propozova kryetarit aktual të bashkisë Galway, zotit Frank Fahy, që në listën prej dhjetë vendesh të ndryshme që kryetari i bashkisë ka të drejtë të vizitojë gjatë mandatit të tij, të përfshijë edhe Shqipërinë. Ai ia parashtroi propozimin tim Këshillit Bashkiak dhe fatmirësisht ky propozim u miratua. Në tetor të vitit 2015, pata fatin që zoti Fahy të më zgjidhte mua për ta shoqëruar në vizitën e tij në Shqipëri. Takuam atje kryetarët e bashkive Tiranë, Shkodër dhe Kamzë, ish-Kryeministrin Sali Berisha, nënkryetarin e Partisë Demokratike, Spaho, këshilltarin e Presidentit për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani, vizituam Krujën, Shkodrën dhe Durrësin, si dhe realizuam një vizitë në “Albanian International School” në Tiranë. Shqipëria kishte ndryshuar shumë. Zoti Fahy në raportin e tij para Këshillit Bashkiak u shpreh se shqiptaret janë njerëzit më bujarë dhe mikpritës që ai ka takuar në jetë. Ai tha se ka mbetur i befasuar nga talenti dhe energjia krijuese e këtij populli. Fahy e krahasoi Shqipërinë me Maltën. Gjithashtu, jam në proces të përfundimit të përkthimit të një libri me poezi të Presidentit aktual të Irlandës, Michael D. Higgins, si dhe punoj intensivisht për editimin dhe botimin e antologjive vjetore të “The Galway Review”. Kam pasur fatin t’i prezantoj bordit drejtues të kësaj reviste disa shkrimtarë shqiptarë dhe fatmirësisht shkrimet e disave prej tyre janë miratuar dhe kanë kaluar për botim, si për shembull poezitë e Visar Zhitit, një tregim i Lazër Stanit, apo dhe poezitë e disa autorëve nga Kosova e Shqipëria.

Historia juaj merr më shumë ngjyra në këto kohëra kur fati i emigrantit është kryefjala e realitetit të sotëm. Çfarë kujtoni nga ditët e para të mbërritjes suaj në Irlandë?

Shi, mërzi, lodhje dhe vetmi.

 

Si do ta përshkruanit këtë vend? Diçka të veçantë që ka?

Në një libër që shpresoj të botohet së shpejti e kam quajtur Irlandën “Ishulli i Gjelbër”. Libri është bërë në formën e një ditari dhe titullohet “My Life in the Green Planet”. Irlanda sipas meje gjënë më të veçantë ka shiun, gjelbërimin dhe shkrimtarët. Këto të fundit janë me të vërtetë gjenialë. Por shahen shumë me njëri tjetrin si të ishin shqiptarë.

Si është një ditë e juaja? A mund të na e përshkruani pak ju lutem?

Ditë krejt e zakonshme do thoja, si e çdo qytetari, prindi apo bashkëshorti shqiptar, irlandez, gjerman apo kinez, që ka zgjedhur të ketë si perëndi të tij punën. Mëngjese të nxituara, punë, stres, lodhje, gëzime e shqetësime, fatura për t’u paguar, beteja shumica të humbura, disa edhe të fituara. Ditë që nganjëherë i ngjajnë aq shumë njëra- tjetrës sa të bëjnë ta humbësh kuptimin e jetës.

Fati është bashkudhëtar me njeriun. A mendoni se ai ka qenë në anën tuaj? Apo fati vjen kur punon papushim?

Fati? Unë mendoj se po punove fort për të, ndonjëherë ndodh që edhe mund të të vijë.

Çfarë ndjetë kur vjershat e Presidentit irlandez, z. Higgins, të përkthyera nga Ju, në gjuhën shqipe, ranë në duart e tij?

Ky është rasti tipik, ku mund të them se fati ndonjëherë edhe mund të të vijë, por pasi ke punuar fort për të. Kjo për faktin se qe fat që unë u njoha me z. Mal Berisha, qe fat që ai më tregoi se do të vinte në Irlandë për të paraqitur letrat kredenciale te  Presidenti Higgins, qe fat që më pyeti se çfarë dhurate mund t’i sillte ai Presidentit. Unë i fola gjatë rreth karrierës së Presidentit Higgins. Ndër të tjera i thashë që ai është edhe poet dhe ka botuar katër libra me poezi. I tregova se unë i kisha përkthyer disa poezi të tijat dhe miku im i mirë Mujo Buçpapaj i ka botuar në gazetën “Nacional”. Ia dërgova faqet e gazetës ku ishin botuar këto poezi dhe kurrë nuk mendoja se ambasador Berisha do i bënte ato në formën e një libërthi të vogël dhe do ia jepte si dhuratë Presidentit të Irlandës. Kjo është vepër e ambasador Berishës. Përkthimi është punë e imja, botimi është mirënjohje dhe vlerësim që më kishte bërë Mujo Buçpapaj. Pra puna krejt rastësisht solli këtë fat.

Ju lutem,  a mund të ndani ndonjë moment që ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj kohe në Irlandë?

Janë shumë. Por unë do përmend njërin që më ka prekur shumë. Është një e-mail që kam marrë tre ditë pasi isha i ftuar si ligjërues në programin MA in Writing, në Writer’s Seminar,  në Universitetin e Irlandës, Galway.

Një studente e këtij kursi që ishte nga Amerika më dërgon një e-mail dhe më thotë se atë ditë në auditor ishte ulur edhe i dashuri i saj, i cili nuk ishte student i atij kursi, por kishte ardhur nga Amerika ta vizitonte atë. Ajo më lutej nëse unë mund t’i dërgoja asaj një poezi, të cilën unë e pata lexuar dhe analizuar atë ditë në atë leksion. Poezia fliste rreth asaj se si një baba i thotë të birit se ia ka falur mosmbajtjen mend të ditëve, kur ai hidhte hapat e parë duke qarë e qeshur njëkohësisht, duke u mbajtur tek krahu i të atit. Kjo pasi, siç thoshte poezia, edhe i ati nuk do i mbajë mend momentet kur do të hedhë hapat e tij të fundit duke qarë e qeshur njëkohësisht, duke u mbajtur fort pas krahut të të birit.

Studentja thoshte se i ati i të dashurit të saj kishte vdekur krejt papritur dhe se ata bashkë ishin nisur të merrnin pjesë në funeral dhe ajo dëshironte që këtë poezi t’ja lexonte nënës së të dashurit të saj, e cila kishte humbur bashkëshortin. Ky e-mail më ka prekur shumë. Nuk mund ta harroj kurrë.

A keni takuar shqiptarë në Irlandë?

Po kam takuar. Por dua të them se e ndjej veten me fat që jetoj në një qytet, ndoshta i vetmi në Europë ku po t’iu thuash se je shqiptar të shohin me sy të mirë. Shqiptarët në këtë qytet janë një histori suksesi. Janë pronarë dyqanesh e restorantesh me emër, punojnë në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në banka. Kanë emër të mirë.

Sa e rëndësishme është të shkruani për Ju?  Ku e gjeni frymëzimin?

Të shkruarit është një sëmundje, e cila në disa raste, tek disa individë, bëhet e pashërueshme. Kjo ‘sëmundje’ tek unë ka agravuar dhe është gati në fazën e të qenit e pashërueshme. Përsa i përket frymëzimit them se nuk e di ku e marr. Është diçka magjike, e pashpjegueshme dhe e befasishme. Po ta dija ku e gjej frymëzimin do e gjeja dhe do rrija aty me të gjatë gjithë kohës, dhe si një dashnor i marrosur do ta mbaja shtrënguar atë pas vetes.

A keni një mesazh për ata shqiptarë që mendojnë të emigrojnë?

Fatkeqësisht nuk kam. Secili bën zgjedhjen e tij sipas kushteve dhe rrethanave që i paraqiten.  Për më shumë, duke iu referuar Oscar Wilde do të thoja se, “nuk jam më aq i ri sa të di gjithçka”.

SHKARKO APP