Skënder Gjinushi: Nuk ka gjyqësor të pavarur me këtë politikë

Flet për “Koha Jonë”, Skënder Gjinushi: “Ligjit të dekriminalizimit po kërkojnë t’i shtojnë amendamentet sepse nuk dinë kë të kapin”

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Tensioni që po shoqëron zgjedhjet në Universitetin e Tiranës, janë pjesë e politizimit dhe faj ka Partia Demokratike”. Kështu është shprehur Kryetari i PSD-së dhe ish- ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi në një intervistë për “Koha Jonë”. Ai ka theksuar se, te ne nuk janë krijuar ende kushtet e plota për të pasur zgjedhje të ndershme e të pandikuara, qofshin ato në politikë, por dhe në arsim së fundmi. Ndërsa për reformën në drejtësi, është shprehur se pas zgjedhjeve të ardhshme do të kalojë.

 Situata e fundit për zgjedhjet në universitete, si një njohës i mirë dhe një ish-ministër i Arsimit a mund të kemi zgjedhje të lira dhe nga ndikimet politike?

Sigurisht që ne nuk i kemi krijuar ende kushtet e plota për të pasur zgjedhje të ndershme të pandikuara në Shqipëri në tërësi dhe në shkollat e larta. Këto fenomene të ngjashme mbarten nga zgjedhjet e përgjegjshme si ato lokale, të cilat ndikojnë dhe në zgjedhjet e tjera. Kur para disa vitesh u fol për zgjedhje të federatave, gjysma përfundonin me grushte, në konflikte deri fizike. Këtu tregohet qartë që ka ndërhyrje sepse faktorë të jashtëm nga politizimi i kandidatëve çon në të tilla situata sepse përndryshe janë krejt të panevojshme për karakterin e shkollës, për vetë personalitetin që duhet të kenë vetë kandidatët, të cilët duhet të jenë të gjithë me arsim të lartë, me 3-4 tituj e këto pavarësisht si i kanë marrë.

Po shohim që vëmendja politike është e lartë dhe PD është ajo, e cila ka denoncuar kërcënime ndaj kandidatëve. A mund të jenë të inskenuara këto lidhje të politikës me arsimin?

Për sa i përket kërcënimit nuk mund ta marr të vërtetuar sepse çudia e parë është se pikërisht denoncimi bëhet nga politika dhe bëhet nga vatra më e keqe e politikës, nga ai që nuk ka lënë gjë pa shtrembëruar, pa deformuar dhe 30 deklarata që bën mesatarisht në ditë, 20 i ka të pavërteta dhe kur i ka të vërteta i keqpërdor, i fryn. Në këtë aspekt duket qartë se burimi është politik, i keqpërdorim sepse kalimi i fajit tek pala tjetër është absurd dhe ky person si gjithmonë e di se kush vritet e kush vret, kush vjedh e kush pret. Vetëm për të akuzuar të tjerët dhe kur e pyesin për njerëzit e vet, që janë super të njohur nuk di si të përgjigjet se çfarë ata kanë bërë dhe që nuk i ka takuar kurrë në jetën e vet. Ajo që është më e rënda është se akuzat publike dhe shpifjet të pavërtetuara asnjëherë nuk janë institucionalizuar. Pesha që po i japin gjoja kërcënimit po keqpërdoret dhe është një mënyrë se si PD-ja mbështet kandidatin dhe nuk doli hapur që mbështes këtë kandidaturë, por janë në favor të kësaj kandidature dhe kërkojnë të inkriminojnë kandidaturat e tjera dhe e gjithë kjo është një lojë e shëmtuar sepse përveç se nuk ka asnjë fakt është shumë e qartë që sapo pak të vërtetë të ketë, nuk ka lidhje me konkurrentët e tjerë.

Por në fund të fundit nuk mund ta mohojmë se ka një opozitë, e cila denoncon, ku ka shkelje të ligjit e që po mbron interesat kombëtare në mënyrën e saj demokratike?

E keqja e madhe e demokracisë së sotme është që pikërisht ka vetëm akuza dhe çuditërisht kanë kurajë të bëjnë akuzë jo vetëm ata që kanë qenë të kapur me presh në duar për vepra shumë më të rënda sesa nga ato që akuzojnë, por dhe praktika që akuzat janë vetëm mediatike, vetëm në Kuvend, të cilat nuk shoqërohen kurrë me një denoncim zyrtar dhe me zbardhje të ngjarjes dhe e keqja tjetër akoma më e madhe është se një pjesë e madhe  e tyre kanë të bëjnë me implikimin me të fortët e njerëzve të tillë ndërkohë që qeverisnin vetë. Nëse opozita do të justifikojë që vetëm këtë mjet ka, vetëm të shpifë se s’ka mjete të tjera gjoja atëherë nuk mund të justifikohet dot kur shprehet se di se me çfarë merret filani dhe ato që ka bërë ai, sipas saj, është në kohën e qeverisjes së saj. Ish-Kryeministri e ish-ministrat qenkan shumë mirë të informuar se kush është krimi, ndërkohë që, në qeverisjen e saj ka bashkëjetuar me këtë krim. Thotë që i ka njohur këta kriminelë, por nuk ka vepruar do të thotë që i ka keqpërdorur. Problemin e ka që këta kriminelë që marrin akoma  urdhra nga qeveria e vjetër, kanë merak pse po i shërbejnë qeverisë aktuale. Vetëm në Shqipëri ndodh që një ish-Kryeministër mburret që denoncon akuza të tëra sipas tij, në kohën e qeverisjes së vet. Por lind pyetja pse ka heshtur, pse ka bashkëjetuar me krimin, kur ka pretenduar se e ka zhdukur atë? Është shumë e qartë se shqiptarët e kanë kuptuar se një pjesë e mirë e politikës nuk janë kundër korrupsionit, por janë kundër korrupsionit të tjetrit. Këta nuk durojnë dot që tjetri të bëjë më shumë para se ata.

Ngërçi politik midis partive për reformën në drejtësi ditëve të fundit janë ulur në tryezën e rekomanduar nga ndërkombëtarët edhe pse përsëri u shfaqën kushte. A është ky debat aktual dhe ky neglizhim një sfumim i kalimit të paketës?

Mosbesimi jo gjithmonë përputhet me realitetin. Këtu realisht ka një perceptim, një sërë faktesh që tregojnë që në raport me krimin politik, gjyqësori nuk është lejuar të veprojë kjo për arsye të kapjes politike e partizanëve të saj, të mungesës profesionale qoftë dhe nga mungesa e kurajës për të vepruar. Në kushtet kur korrupsioni dominon në politikë dhe meqenëse se gjyqësori pavarësisht nga pavarësia, pikat kyçe i bën politika dhe shumë politikanë të implikuar nuk mund të punonin për një gjyqësor të pavarur. Kontradikta që e dimë të gjithë, por nuk e shprehin është që ju kërkohet protagonistëve të implikimit të gjyqësorit, të institucioneve kryesore në korrupsion dhe i ngarkohet atyre që janë të përfshirë me krimin, një gjyqësor që do të dënojë ata. Tani shumë pak vetë kanë kurajën që të vrasin veten me duart  e veta, kështu që rrjedhimisht ata që ndihen të implikuar, të kërcënuar nga një gjyqësor i pavarura në raport me politikën, patjetër që do punojnë për bllokimin e reformës deri në fund. Ata fazën kryesore e kanë realizuar sepse në fund të fundit ne jemi në emergjencë që nënkupton nevojën e një pastrimi të një koncepti të mos ndëshkimit, të kthehet në praktikën e ndëshkimit duke filluar nga nivelet e larta politike, ish apo aktualë. Kaluan tre vite pas një qeverisje tetë vjeçare me super afera të pagjykuara, të denoncuara publikisht e që nuk kanë nevojë për zbardhje, kanë nevojë për gjykim, për vendosje të drejtësisë. Që nga 21 Janari, Gërdeci, Rruga “Durrës-Kukës”, e një sërë çështjesh që është  e nevojshme t’i ndëshkosh. Kaluan tre vite dhe zhgënjimi i shqiptarëve është i madh sepse të paktën këto trungjet e mëdhenj të ishin të ndëshkuar, të vendoset drejtësia për çështjet më kryesore sepse nuk duhet harruar që në momentin që ka ndëshkueshmëri për çështjet thelbësore dhe vetë  gjyqësori e ka shumë të vështirë që të mbyllë çështjet e tjera dhe krijohet precedenti që pavarësisht nga shkalla e dobësisë që ka sistemi përsëri e ka të pamundur për të dënuar një tjetër me një korrupsion le të themi 100 milionë, nuk mund të mbyll nesër historinë e një deputeti apo ministri për 200 milionë. Deri më tani nuk u bë dhe nuk u vërtetua që nga pandëshkueshmëria kaluam në ndëshkueshmëri. Nuk pamë asnjë të re të mbyllet pra rrjedhimisht këto tre katër vite po ikin dhe të mos harrojmë se kur të miratohet paketa, do kohën e bërjes së ligjeve e kjo do përsëri kohë të kenë efekt në rikompozim. Faktori ndërkombëtar i dha një të shtyrë reformës në drejtësi në mënyrë të pajustifikueshme sepse reforma i kishte kaluar afatet dhe kjo u tha brenda marsit dhe tani thonë të bëhen para pushimeve. Para pushimeve që ata të pushojnë të qetë dhe nuk kemi vetëm një shtyrje, por dhe një rihapje të reformës. Venecia është shprehur për çdo çështje dhe ka dhënë zgjidhje, kurse këta marrin frazën që tani hapin dialogun politik. Nuk duhet të shkojmë në rikonceptim të reformës sepse ku shkoi puna e Venecias, e komisionit përkatës për gati 1 vit? Kështu të gjithë këto priten të shihen pas zgjedhjeve të ardhshme.

Në reformën zgjedhore tashmë në përcaktimin e ekspertëve si nga maxhoranca dhe opozita, pritet dhe realizimi sipas standardeve të OSBE-ODIHR. Opozita deri diku i ka shfaqur qëndrimet e saj dhe besoj që maxhoranca do t’i shfaqë ato në ditët në vijim. Në opinion tuaj si pjesë e partive të vogla, çfarë duhet të ndryshojë formula dhe cilat janë ato pika që ju i shihni më kryesore për t’u përmirësuar?

Shqiptarët kanë 20 vjet që dëgjojnë për reformën zgjedhore, ashtu siç dëgjojmë reformën në drejtësi. E njëjta parodi që shkoi për ligjin e dekriminalizimit po shohim tek reforma zgjedhore. Ata shkelin kodin, ata që drejtojnë procesin administrimin dhe akuzojnë KQZ-në për shkelje të ligjit, ata që urdhërojnë shitje, blerje e votim të shumëfishtë  e me radhë dhe tani ulin e thonë meqenëse u shkel kodi përsëri sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, hajde të rregullojnë përsëri kodin. Ne rregullojmë ligjet që nuk kanë faj dhe nuk largojmë ata që janë fajtorë. Po të kujtojmë manipulimin e zgjedhjeve të vitit 1996 apo të zgjedhjeve të Tiranës, a ka përgjegjës? Po dhe quhet inkriminim dhe prandaj do të jemi përsëri tek e njëjta linjë. Nuk mund të presim një ndryshim vetëm me ndryshimet e mendimeve të Kodit Zgjedhor. Këtë e kemi denoncuar disa herë për t’u bërë disa ndryshime rrënjësore. Një ndryshim thelbësor duhet të jetë në lidhje me komisionet, që a ka ardhur koha t’i bëjmë jo partiake sepse nëse janë komisione me parti fenomeni do vazhdojë. E dyta perfeksioni i kontrollit, futja e teknologjisë. Ne në zgjedhjet tona do të vendosim teknologjinë si një mjet, si p.sh kamerat e sigurisë. Numërimi dhe kontrolli elektronik i kartave duhet të ishin masa të reja, një element sigurie më shumë. Zgjedhjet normale do të kemi kur kultura e shqiptarëve do të jetë kur të mos e shesin votën dhe të votojnë siç duhet. Mendimi i partive të vogla është i nevojshëm për çdo reformë dhe janë ato, të cilat mund të sjellin një balancim dhe ndërkombëtarët duhet të ishin më të kujdesshëm.

Së fundi si do ta komentonit ligjin e dekriminalizimit dhe a mund të ketë me të vërtetë kriminelë në Parlament?

Të gjithë të pandëshkuarit dhe të fortët e politikës bëjnë ligj sesi privohen nga disa të drejta që ju jepen nga Kushtetuta të dënuar në emigracion të dënuar nga policia greke apo italiane. Nuk rregullojmë shkakun, por pasojat, dhe merremi vetëm me një nga pasojat. Kjo parodi që u zhvillua për dekriminalizimin që përgjegjësit kryesor u bënë pionierë apo denoncues të ligjit që dekriminalizon që do të thotë që deri më dje nga paska kriminalizuar ligji dhe jo këta që e bëjnë krimin pjesë të jetesës shqiptare. Por një shqiptar mund të pyesë se ku konsiston dekriminalizimi? Do të thotë se kush kapet do vuajë pasojat dhe kush nuk kapet bravo i qoftë. Krimet e mëdha të politikës nuk i dekriminalizon ky ligj, të padënuarit nuk i cenon dhe po merren me të vegjlit dhe të mëdhenjtë nuk kapen. Modeli i marrë ka tejkaluar caqet dhe nuk do të ketë asnjë efekt përveç atij propagandistik. Kjo sepse vëmendja u kthye në të inkriminuar të nivelit të 3-të e të 4-tër dhe nuk o morën me kokat e peshqve të mëdhenj që ju është qelbur koka. Po kërkojnë të shtojnë amendamentet sepse nuk dinë kë të kapin.

SHKARKO APP