Skënder Minxhozi: Arrestimi i deputetëve, fundi logjik i nivelit të lartë të akuzave të ngritura prej tyre
Prokuroria dorëzoi në Gjykatën e Lartë kërkesën për vlerësimin e arrestit të dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Për të diskutuar mbi këtë çështje, i ftuar në edicionin qendror informativ në Top Channel ishte analisti Skënder Minxhozi.
Ilir Paço: Është dita e dytë që dy deputetë ndodhen të ndaluar në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ka patur debate dhe polemika për arrestimin e tyre, ndërkohë që Prokuroria ka dërguar kërkesën për arrest në gjykatë, duhej pritur vendimi i gjykatës apo mendoni se arresti është procedure e drejtë?
Skënder Minxhozi: Është një çështje që ka aspektin e saj të thellë teknik që duhet ta trajtojnë juristët dhe avokatët e të pandehurve më shumë se politikanët, media dhe opinioni publik. Arrestimi është një veprim i fortë që i jep ngjarjeve një drejtim të caktuar dhe të pakthyeshëm dhe tregon përmasat e mëdha të kësaj ngjarjeje prej më shumë se 3 javësh. Është fundi logjik i nivelit të lartë të akuzave që u hodhën në treg dhe zhurmës që ato shkaktuan. Do të ishte e vështirë që të mos ndodhte asgjë kur të gjithë krerët e shtetit u paraqitën në Prokurori. Ishte e pritur që diçka të ndodhte. Nëse duheshin arrestuar apo duheshin ndjekur në gjendje të lirë është një detaj teknik.
Ilir Paço: Cilat janë pasojat politike që mund të ketë burgosja e dy deputetëve?
Skënder Minxhozi: Pasojat po i shohim dhe do i shohim edhe më tej. Opozita u mundua të krijojë një kauzë, shpalli një fushatë kombëtare për protestë popullore të bllokimit të parlamentit që lidhej me largimin e Metës. Kjo kauzë është tkurrur, nuk u gjet përgjigjja e pritur tek opinioni publik dhe sot është kthyer më shumë në një aferë pallati se sa në një aferë të shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër pozita ka dalë e plagosur politikisht nga kjo që ka ndodhur. Kryeministri dhe kreu i Kuvendit kanë pësuar një dëm politik, sidomos në rajonet veriore ku deputetët kishin dhe mund të kenë ndikim mes zgjedhësve. Por kanë dalë të humbur nga kjo edhe për shkak të përgjegjësisë për përzgjedhjen e kandidatëve, që tregon se sistemi ka dështuar.
Ilir Paço: Kemi një deklaratë tjetër të Ambasadës Amerikane, pas çdo veprimi politik apo juridik ndaj dy deputetëve të arrestuar….
Skënder Minxhozi: Ambasadat janë treguar mjaft aktive sa i përket ngjarjeve që kishin të bënin me dy deputetët,por lidhur me këto edhe për procesin e dekriminalizimit të institucioneve. Kjo lidhet me imazhin që ka vendi ynë si një demokraci e dobët dhe e korruptuar në sytë e të huajve. Pasqyrojnë një padurim të kuptueshëm të ndërkombëtarëve për atë që po ndodh në Shqipëri. Jemi në një rajon ku po ndodhin dhe kanë ndodhur procese spastrimi të klasës politike. Në Rumani po ndodh aktualisht për të disatën herë një spastrim i tillë. Nëse personat dhe problemet riciklohen në Shqipëri të huajt nuk kanë si të jenë të kënaqur.
Ilir Paço: Opozita po e kushtëzon hyrjen me mbarimin e procesit të dekriminalizimin të Kuvendit përpara datës së fillimit të fushatës. Si e shihni këtë lëvizje të saj?
Skënder Minxhozi: Një tjetër lëvizje e dobët që nuk ka për t’u prodhuar. Ky kushtëzim është një copë e zezë e qepur me pe të bardhë sepse pjesëmarrja në zgjedhje nuk mund të justifikohet me një proces që kërkon kohë, kërkon asistencën ndërkombëtare. Ka mjaft aspekte që lidhen me punën e institucioneve qendrore që nuk ka lidhje me zgjedhjet lokale. Besoj që opozita po përpiqet të krijojë një kauzë që t’i vështirësojë jetën mazhorancës në parlament, por besoj që në 21 Qershor do dalin të dyja palët në zgjedhje dhe na pret një fushatë zgjedhore interesante.