Skulptori: Përgjigje ironikëve të bustit të Hilarit
Prej gjashtë ditësh ai nuk njihet vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, pasi mediat e huaja kanë folur për veprën e realizuara nga Idriz Balani. Bëhet fjalë për autorin e bustit të kandidates për presidente e Amerikës, Hillary Clinton, e cila tashmë ka shtatoren e saj në qytetin e Sarandës. Busti është inauguruar një javë më parë në një ceremoni të veçantë. Qyteti ndihet i nderuar, por mediat botërore kanë ironizuar këto ditë, pasi pretendojnë se kanë zbuluar vendin me adhuruesit më të mëdhenj të zonjës Clinton. “Dita” ka folur sot me atë që “ngjizi” zonjën Clinton në qytetin bregdetar. 63-vjeçari, i lindur në Konispol, ka njohur qytetin e Durrësit që 1 vjeç ku edhe jeton aktualisht. Nuk e mohon që vendi ku është rritur me magjinë e tij ka ndikuar që ai një ditë të zgjidhte të studionte në Institutin e Lartë të Arteve Figurative. E njeh punën e dy kohëve, pasi ka punuar si gjatë viteve të komunizmit, ashtu edhe tani. Sipas tij nuk kanë ndryshuar shumë gjera që atëherë. Nëse dikur i vinin porosi për realizimin e një vepre, tani janë konkurset që të fusin në garë. Babai i dy fëmijëve që i ka kushtuar jetën daltës nuk e ka trashëguar këtë profesion. Fëmijët i ka lënë të lirë të zgjedhin rrugën e tyre. Si është ndjerë nga ironia e medieve të huaja? Balani thotë se ata nuk e njohin historinë e Shqipërisë dhe ndihmën që na kanë dhënë amerikanët ndër vite. Në këtë bisedë për “Dita”-n mjeshtri i shumë veprave rrëfehet…
***
-Z. Idriz, ju keni ardhur 1 vjeç në Durrës, çfarë lidhje keni me këtë qytet?
Lidhja me qytetin e Durrësit është shumë dimensionale. Këtu u rrita, këtu u shkollova, këtu u formova dhe për më tepër po këtu u afirmova. Ne vitin 1965 hyra për herë të parë në studion e skulptorit Sabri Tuci. Në këtë studio ku kishin kaluar mjaftë djem e vajza të talentuara, si Kristaq Rama, Dhimiter Harallambi, Nelo Llukaci, Zef Ujkaj, Agim Shami, Myrvete Dajlani, Qazim Kërtusha, Hamlet Ajazi, Spiro Mazhe,Ibrahim reci, etj. Këtu unë mora mësimet dhe njohuritë e para për artin në përgjithësi, për plastiken e vizatimin në veçanti.
Sa ka ndikuar ky qytet që ju te vazhdoni studimet për arte figurative?
Shumë. Magjia e këtij qyteti, lidhja e detit më tokën, e njeriut me detin dhe historinë, e lashtësisë me të sotmen. Marrëdhëniet e çuditshme të pjesëve të veçanta të peizazhit durrsak me të tërën, poetika e brendshme që ka ky qytet, ndikuan tek unë fuqimisht në rrugën e artit. Tek unë dalta u afrua si një nevoje e brendshme e imja për të shfaqur impresionet e brendshme. Asnjë artist në Durrës nuk mund të rrijë indiferent përballë zërave të brendshëm të këtij qyteti, prandaj shumë nga punimet e mia i janë kushtuar dhe vazhdojnë t’i kushtohen atij. Janë këto arsyet, që unë zgjodha skulpturën dhe konkurrova për në Institutin e Lartë të Arteve Figurative, ku dhe u pranova.
-Dita e një skulptori është ndryshe? Cila është përditshmëria juaj?
Unë tashmë jam skulptor profesionist e si i tillë, dita fillon me kafen e mëngjesit dhe me titujt e gazetave. Në orën 7. 30 hyj në studio dhe vazhdoj punën deri në orën 11.00. Pas një pushimi të shkurtër rikthehem përsëri në studio, ku merrem me lexim, skicë-ide, bocete, ose kur kam diçka tjetër , takohem me kolegë ose mbaroj punë, që kanë të bëjnë me projekte të ndryshme. Mbasdreka vazhdon prapë në studio dhe në shumë raste deri vonë në mbrëmje.
-Ju keni punuar përpara viteve ’90 edhe tani. Çfarë mbani mend nga ajo kohë dhe si punohet ditët e sotme?
Për mua është e njëjta gjë. Para viteve ’90 kam punuar me përkushtim dhe kam realizuar mjaft buste, por edhe monumente. Sigurisht atëherë ishin porosi të atij shteti e sot janë porosi nëpërmjet konkursit. Mua më ka pëlqyer gjithmonë arti realist dhe jam munduar, që të perfeksionoj, brenda natyrës time, elementet më kryesore siç janë kompozimi, impostimi, plastika, vizatimi, zbërthimi i karakterit, ngjashmëria dhe gjendja e brendshme emocionale e heroit tim për çdo rast.
Para viteve ’90 shteti më pajisi me studio, paradite punoja si mësues në shkollën e mesme artistike e pasdite në studio. Sigurisht sot ka më shumë hapësirë, jam më i lirë, për t’u marrë edhe me tema e trajtime, që në atë kohë ishin tabu. Edhe atëherë unë u mora me heronjtë e dëshmorët, por edhe sot, tema e preferuar është po ajo. Pas vitit 2005 kam punuar dhe janë vendosur mjaft vepra në Kosovë si, në Mitrovicë, Pejë, Prekaz, Prishtinë, Deçan e Viti.
-Sa vlerësohen veprat e artit sot. Si janë qytetet në sytë tuaj, a nuk do të ishte më mirë që të mbusheshin me shtatore, sidomos ato turistike?
Unë mendoj, që vlerësimi është, ndoshta jo atje ku do të duhej. Po të shohim se sa vepra arti janë vendosur gjatë këtyre viteve, numri nuk është i vogël. Vetëm në Durrës në këto vite janë vendosur rreth 12 vepra ( skulptura parku) dhe buste. Është punuar dhe janë vendosur vepra në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Sarandë etj. Në 100-vjetorin e pavarësisë u vendosen mjaft vepra në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë. Kosova nuk kishte buste e shtatore të heronjve të vet, prandaj vakuumi i krijuar gjatë regjimit serb në tërësi bëri, që të ketë një bum të realizimit e vendosjes se këtyre veprave. Sa më shumë vepra të ketë aq më mirë është. A ka vend për të bërë kritikë? Sigurisht që ka. Kemi nevojë të vlerësojmë figurat tona historike, sepse kështu vlerësojmë historinë tonë.
-Ju së fundmi keni realizuar edhe bustin e Hillary Clinton, na tregoni, si u përzgjodhët për këtë realizim?
Që nga periudha e luftës së Kosovës në Tiranë operon Misioni Diplomatik për Paqe e Prosperitet (DMPP). Ky mision është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore nga Ajzenhaueri, ish-President i SH.B.A. dhe ka për detyrë të punojë me forcë e të shpërndajë në të gjithë botën frymën e paqes, mirësisë e zhvillimit.
Në Tiranë ky mision ka ardhur nëpërmjet Ambasadorit Holbrooke dhe Presidentit të Kosovës Dr. I. Rugova. Guvernator i këtij Misioni është Dr. Shefki Hysa, Ambasador i Paqes. Duke qenë pjesë e këtij misioni, kemi biseduar dhe kemi planifikuar, që në kuadër të veprimtarisë së këtij misioni, të kemi dhe vlerësime të figurave të shquara, që kanë dhënë kontribute të veçanta për kombin shqiptar. Të tillë janë: Richard Holbrooke, Madlen Ollbrajt, Presidenti Clinton, ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton, Presidenti Bush, Dr. Ibrahim Rugova, Fan S. Noli, Bilal Xhaferri, etj. Pas realizimit të bustit të Ambasadorit Richard Holbrooke në qytetin e Vitisë, Kosovë dhe sidomos pas vizitave, që znj. Clinton bëri në Kosovë e Shqipëri u mendua, që kishte ardhur koha për një bust te saj. Duke ndjekur me vëmendje vizitën e saj në vendin tonë, duket se u ngacmova nga thjeshtësia, vitaliteti, por edhe sharmi i saj, fillova një bocet për të.
Fjala e saj brilante në Kuvendin e Shqipërisë; “100 vjet ishim bashkë e 100 vjet të tjera do të jemi bashkë”, bëri që unë të mendoj seriozisht për këtë vepër. Në bashkërendim me Misionin Diplomatik e fillova punën dhe erdhëm deri në inaugurimin e saj. Sigurisht çdo vepër ka vështirësitë e saj. Së pari duhej zbërthyer karakteri i saj. Kemi të bëjmë jo me thjeshte me ish-sekretaren e shtetit amerikan, e cila në atë kohë në senat e ngriti dhe e bëri prezent çështjen kombëtare shqiptare, por tani kemi të bëjmë me Kandidaten për President në SHBA.
-Ishte e vështirë të derdhje në bronz zonjën Clinton?
Kalova me qindra foto nëpër duar, ku gjendja e saj psikologjike e për pasojë edhe plastika e qëndrimi i saj ndryshonte nga fotoja në foto. Arrita në konkluzionin se, zonja Hillary duhet të kishte një qëndrim serioz, ku të pasqyrohej gruaja, nëna, shoqja, bashkëshortja, por edhe liderja. U përpoqa dhe mendoj se e arrita të jap gruan më të “fuqishme” sot në botë, vizionin e saj, mirësinë dhe krenarinë. Nëpërmjet plastikës, mendoj se i kam bashkuar në një karakterin dhe ngjashmërinë. U përzgjodh Saranda si një ndër qytetet më atraktive, si një nga perlat e bregdetit shqiptar.
-Shume media të huaja janë habitur dhe na kanë ironizuar për këtë bust, i keni ndjekur, cili është mendimi juaj?
Të huajt nuk e njohin historinë tonë, mbrojtjen dhe mbështetjen që ka dhënë shteti amerikan vazhdimisht për kombin shqiptar. A nuk ishte Presidenti Wilson që dha një kontribut të shquar, që Shqipëria të bëhej anëtare e Lidhjes së Kombeve. A nuk ishte Presidenti Clinton që urdhëroi trupat e NATO-s që të fillonin bombardimet në Kosovë. A nuk ishte presidenti Bush, që deklaroi Pavarësinë e Kosovës? Pikërisht kemi të njëjtën vijë politike dhe të njëjtin qëndrim, prandaj u vendos që të bëhej busti i zonjës Clinton. Shtatorja e Presidentit Clinton është vendosur në Prishtinë, Willsoni në Tiranë, Bushi në Fushë- Krujë.