Soreca: Shqipëria duhet të fillojë bisedat për anëtarësim! Duam që institucionet e reja të luftojnë krimin zgjedhor
Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, në një intervistë dhënë në emisionin “Përballë”, në RTSH, shprehet i mendimit se Shqipëria duhet të fillojë bisedat për anëtarësimin e saj në BE.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Lutfi Dervishi, lidhur me procesin e animimeve në gjykatë të pretendimeve të opozitës për krime zgjedhore të konsumuara nga mazhoranca në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ambasadori Soreca u shpreh se Institucionet e reja po tregojnë objektivin, synimin, qëllimin e tyre për të luftuar krimin zgjedhor.
“Ne duam që kjo gjë të ndodhë dhe e kemi thënë që prej ditës sonë të parë, ditës pas zgjedhjeve, siç e thatë edhe ju, që duam që kjo gjë të ndodhë dhe të shikojmë rezultate. Është shumë e rëndësishme që institucionet e reja të drejtësisë të fokusohen fort në këtë çështje, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek institucionet e reja”, theksoi ambasadori Luigi Soreca.
Intervista e plotë
L. Dervishi: Përshëndetje, mirëserdhët në program! Në mbyllje të turit trijavor “Javët e Evropës 2021”, Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca tha se kushtet e vendosura ndaj Shqipërisë janë plotësuar dhe po presim fillimin e bisedimeve. Ka ardhur koha për të ndërmarrë këtë hap. Çfarë do të thotë në terma konkretë kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët? A ka rrezik për shtyrje tjetër të nisjes së bisedimeve? Gjatë tri javëve të fundit, Ambasadori i BE-së në Tiranë, së bashku me disa kolegë të vendeve anëtare të Unionit udhëtuan me autobus 2.230 km, nga Vermoshi në Konispol. Vizituan 24 bashki, inspektuan 50 projekte të financuara nga Bashkimi Evropian dhe morën pjesë në mbi 100 aktivitete. Sonte në “Përballë”, Luigi Soreca, Ambasador i BE-së, do të flasë jo vetëm për përshtypjet e udhëtimit të pazakontë, por edhe për pritshmëritë që ka nga takimi i Këshillit Evropian për Çështjet e Jashtme më 21 qershor. Zoti Ambasador, mirëserdhe në program!
Ambasadori Soreca: Është kënaqësi që rikthehem, Lutfi.
Lutfi Dervishi: Javët e Evropës i nisët në Vermosh, në një kohë me dëborë dhe i përfunduat në ditët e nxehta në Konispol, dy ditë më parë. Çfarë ishte në të vërtetë ideja dhe mesazhi i këtij turi?
Ambasadori Soreca: Është e vërtetë që ka qenë një udhëtim që prej skajit më verior të Shqipërisë e deri në atë më jugor. Ideja ka qenë që ne të takonim qytetarët e Shqipërisë, që të kalonim këtë periudhë me kufizime, për shkak të pandemisë, dhe mendimi ynë ishte që gjëja më e mirë do të ishte që të largoheshim nga zyrat tona në Tiranë e të shkonim pranë qytetarëve të Shqipërisë aty ku ata mësojnë, studiojnë, punojnë, banojnë. Jo vetëm që t’i dëgjonim ata, por edhe t’u shpjegonim se çfarë mund të bëjë BE-ja për ta dhe çfarë është BE-ja, sepse BE-ja është një çështje shumë konkrete dhe duhet të jetë e tillë për qytetarët shqiptarë. BE-ja ka qenë këtu për një kohë të gjatë, por mendoj se gjatë këtyre dy viteve që unë kam qenë në Shqipëri, ka pasur nevojë për të shpjeguar edhe më shumë se çfarë është BE-ja, Shtetet Anëtare, dhe se çfarë kanë bërë ata për qytetarët e Shqipërisë. Tani, akoma edhe më shumë në këtë kohë, për të çelur Konferencën e parë Ndërqeveritare: po na vjen ky çast, kështu që duhet shpjeguar ky ndryshim që do të sjellë pikërisht kjo konferencë e parë dhe rolin, për shembull, që do të duhet të luajë qeveria vendore gjatë viteve në vijim. Pra, një sërë objektivash, në një autobus nga veriu në jug.
Lutfi Dervishi: Zoti Ambasador, Shqipëria zakonisht ka qenë në dy pjesë, Shqipëria e kryeqytetit, e Tiranës, dhe Shqipëria tjetër. Sa dallon Shqipëria tjetër nga Tirana metropol?
Ambasadori Soreca: Është ndryshe, është një vend ndryshe, është e paevitueshme, është e qartë. Tirana është një qytet tejet modern, ndërkohë që ne kemi shkuar gjatë këtij udhëtimi ndonjëherë në zona mjaft të thella dhe rurale, por ajo që nuk ndryshon është pasioni që unë pashë në të gjitha bashkitë, në 24 bashkitë që ne vizituam. Dhe mesazhi që unë u kam dhënë kryetarëve të bashkive dhe qytetarëve të Shqipërisë është që ne kemi nevojë për ju ashtu siç keni edhe ju nevojë për ne më shumë se kurrë, sepse puna që do të duhet të bëhet në vitet në vijim do të jetë përgjithësisht një punë që do të bëhet në nivel vendor. 70% e punës për të bërë atë që ne e quajmë legjislacioni i Bashkimit Evropian dhe standardet e BE-së do të duhet të vihet në zbatim në nivel vendor. Kështu që dëshironim të bisedonim me qytetarët, t’i dëgjonim ata, por edhe drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, çfarë nevojash kishin ata, sepse kështu ne mund të formësojmë më mirë asistencën e ardhshme financiare që Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i japë Shqipërisë, madje edhe ta rrisë në momentin që do të fillojnë bisedimet.
Lutfi Dervishi: Zoti Ambasador, ju përmendët dy herë deri tani fjalën që jeni për të dëgjuar. 21 ditë, 24 bashki të vizituara, 50 projekte të BE-së të inspektuara, takime me të rinj. Cili është mesazhi kryesor që gjetët gjatë dëgjesës në takimet me qytetarët shqiptarë?
Ambasadori Soreca: Më duhet t’ju them që fjalët më të rëndësishme që ne dëgjuam ishin shpresë dhe mbështetje. Ka një dëshirë tejet të madhe për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në të ardhmen e Shqipërisë, pra, edhe në ato zona që ishin më të largëtat nga kryeqyteti. Njerëzit duan që zëri i tyre të dëgjohet, të rinjtë duan që zëri i tyre të dëgjohet dhe duan që të marrin pjese në vendimmarrje. Mua më la shumë mbresa, për shembull, në Ersekë, në Kolonjë, kur u takova me kryetarin e bashkisë, dhe ai tashmë ka filluar një nga ato ide që edhe unë kisha, që ishte që të krijohej një Këshill Rinor në bashki, me anë të të cilit çdo ide do të kalojë nga ky Këshill Rinor përpara se të bëhet vendim i Këshillit Bashkiak. 30% e shqiptarëve janë nën moshën 29 vjeç. Ata janë e ardhmja e Shqipërisë dhe aseti më i madh që ka ky vend. Por mua më është dukur shumë e logjikshme që të rinjtë e Shqipërisë, ata të rinj që unë takova, me të gjithë këtë potencial që ata kanë shprehur, duhet të jenë pjesë në një formë më aktive e së ardhmes së Shqipërisë, më shumë seç janë tani, e vendimmarrjes në nivelin bashkiak dhe në atë qendror.
Lutfi Dervishi: Zoti Ambasador, ju përmendët që Shqipëria asetin më të madh ka bukurinë natyrore dhe rininë e saj, por në takimet që keni pasur, a keni hasur dëshirën e madhe që kanë të rinjtë për ta lënë këtë vend, për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë?
Ambasadori Soreca: Më duhet t’ju them që unë në fakt u befasova, në mënyrë pozitive, sepse dëgjojmë shumë që të rinjtë po largohen nga Shqipëria. Sigurisht që ata duan të largohen, dëshirojnë të mësojnë. Kemi folur me ta, për shembull, për Programin Erasmus+ dhe fakti që Programi Erasmus+, në fakt, pothuaj është dyfishuar, nga 14 miliardë euro në 26 miliardë euro, që do të thotë që në rast se deri më tash kemi pasur 14.000 qytetarë të Shqipërisë që kanë shkuar në Evropë për të mësuar ose për të shkëmbyer mësimdhënie, tashmë do të kemi më shumë se sa kaq. Dhe shumica po thoshin, ne dëshirojmë të largohemi që të mësojmë, por të rikthehemi, sepse ne i përkasim këtij fshati, qyteti, kësaj lugine, por duam të bëhemi pjesë e të ardhmes së Shqipërisë. Kështu që po, sigurisht, në rast se standardet e jetesës në Shqipëri nuk do të përmirësohen, rreziku ekziston, por kjo është edhe fuqia shndërruese, transformuese që ka edhe ndihma e BE-së që standardet e jetesës në aspektin afatmesëm të rriten, që edhe të rinjtë me të cilët ne takohemi të shkojnë jashtë të studiojnë, por ata të ndjekin atë dëshirë të madhe që kanë për t’u kthyer dhe për të kontribuar për të ardhmen e Shqipërisë që e duan aq fort.
Lutfi Dervishi: Zoti Ambasador, në turin tuaj nga skaji verior në skajin jugor, ju në fund deklaruat që jeni kthyer në një një ambasador për turizmin e Shqipërisë. Kur miqtë tuaj ju pyesin pse duhet të vijmë në Shqipëri për të kaluar pushimet, çfarë ju thoni ju atyre? Cili është argumenti që i bindni?
Ambasador Soreca: Që nga dita e parë që kam ardhur në Shqipëri, unë kam arritur të zbuloj pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Është edhe interesi im ky, sepse unë i kam shumë qejf malet, por edhe bregdetin dhe kam zbuluar që Shqipëria është vendi i përsosur për këtë gjë, si për mua, për ju, për të tjerë, por edhe për ambasadorë të Shteteve Anëtare dhe unë i përdor rrjetet e mia sociale për të reklamuar Shqipërinë me anën e fotografive që ne vendosim në rrjetet sociale. Por ajo që unë dëshiroj të them është që evropianët kanë dëshirë të vijnë në Shqipëri, sepse evropianët e duan historinë, por duan edhe trashëgiminë kulturore dhe 70% e turistëve evropianë e zgjedhin destinacionin e pushimeve në bazë të pranisë së trashëgimisë kulturore në atë destinacion. Dhe Shqipëria është plot e përplot me identitetin e vet kulturor historik, i cili duhet ruajtur, mbrojtur, dhe prandaj, siç e dini edhe ju, ne po investojmë shumë te turizmi, te mbrojtja e trashëgimisë kulturore, jo vetëm në zonat që janë prekur nga tërmeti, por edhe në zona të tjera. Prandaj unë mendoj që përveç produktivitetit të Shqipërisë, e ardhmja e saj do të vendoset shumë në qëndrueshmërinë e turizmit.
Lutfi Dervishi: Turizmi duket që është miniera më e madhe e Shqipërisë në një kuptim dhe gjatë këtij turi ju keni njoftuar një ndihmë prej 40 milionë eurosh për turizmin, bashkë me BERZH-in, por me një kusht: që turizmi të jetë i gjelbër. Nga ky udhëtim që ju keni bërë, çfarë mendoni se e rrezikon turizmin në Shqipëri? Nga se është i rrezikuar turizmi?
Ambasadori Soreca: Mendoj se Shqipëria ka një strategji kombëtare të turizmit, të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2023, por kjo duhet përmirësuar, duhet sjellë në një nivel më të lartë, ajo që ne e quajmë modeli i administrimit te destinacioneve, që në fakt është një projekt që ne e diskutuam me operatorë turistikë në Sarandë përpara disa ditësh. Pra, është një skemë me anën e së cilës bëhen bashkë të gjithë aktorët vendas, pra, operatorë të biznesit, qeveria vendore, operatorët turistikë dhe qeveria qendrore, në mënyrë që të bëhen plane afatgjata për mënyrën se si do të ecë turizmi për një periudhë afatgjatë. Dhe të mos kemi vetëm një sezon. Ekziston rreziku që të vijohet me një sezon në vit dhe janë bërë disa dëme, dhe prandaj ne po themi që kushti për ne që të investojmë te Evropa, ashtu siç është Shqipëria Evropë, është që të sigurohemi që ajo marrëveshje e gjelbër që po vë në zbatim Bashkimi Evropian brenda për brenda BE-së të aplikohet edhe në Shqipëri. Ne po nisim pikërisht këtë program me 40 milionë euro për turizmin, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, së bashku me BERZH-in. Kemi edhe një projekt tjetër si ai i 40 milionëve “BE-ja për Kulturën”, pra rreth atij koncepti që ka të bëjë me turizmin e qëndrueshëm. Turizmi i qëndrueshëm është ai lloj turizmi i cili mund ta bëjë Shqipërinë një destinacion tërheqës. Turistët evropianë në veçanti, por edhe shumë turistë të tjerë, shikojnë pasurinë që ka Shqipëria, asetet, si turizmin malor dhe atë të aventurës, turizmin kulturor. Ky bën dallimin. Për shembull, zhvillimi i bujtinave është shumë më produktiv se sa, për shembull, një hotel dhjetëkatësh në breg të detit.
Lutfi Dervishi: Për fat të keq, dashuria jonë me betonin nuk është konsumuar ende dhe ndoshta betoni mund të jetë një nga armiqtë e mëdhenj të turizmit. Por, le të kalojmë te një pyetje që e mendoj të rëndësishme në kuptimin e ruajtjes që ju thoni. Gjatë turit që keni pasur në Përmet keni diskutuar me kryetarin e bashkisë, me përfaqësues të OJQ-ve dhe mediave për rëndësinë e ruajtjes së Lumit Vjosa. Nëse kemi një gjë që nuk e ka askush tjetër është lumi i vetëm i egër, i fundit në Evropë. Çfarë mund të bëhet më shumë për të kaluar nga ndërgjegjësimi dhe fjalët te veprime konkrete që Vjosa të mbetet e padëmtuar nga mania apo uria për hidrocentrale?
Ambasadori Soreca: Rritja e ndërgjegjësimit është shumë e rëndësishme dhe, në fakt, Vjosa – si lumë i egër dhe i fundit në Evropë – është shumë e rëndësishme. Dhe kjo fushatë po ndodh në të gjithë botën sepse Vjosa, siç e thatë ju, është në fakt një pasuri unike për Shqipërinë, por është bërë tashmë, është kthyer edhe në një pikë reference për atë se ku dëshiron të shkojë Shqipëria në të ardhmen. Dhe ky është një element tërheqjeje për turistët evropianë, pra vendimi që do të marrin autoritetet shqiptare për Lumin Vjosë. Prandaj ne morëm vendimin që të flisnim publikisht për këtë çështje dhe të përgëzonim iniciativën që është ndërmarrë për të bërë një park kombëtar për Vjosën. Dhe është shumë e rëndësishme që kjo punë të ndiqet dhe të pasohet më pas edhe nga një iniciativë që u njoftua nga kryeministri Rama gjatë fushatës zgjedhore, që është shumë e rëndësishme, por tani duhet të kalojmë te faktet. Parku është i rëndësishëm për të ruajtur në aspektin afatgjatë një pasuri unike të Shqipërisë. Ne, së bashku me ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe me partnerë ndërkombëtarë si Zvicra dhe Japonia, vazhdojmë të jemi në kontakt me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në mënyrë që plani kombëtar për zonat e mbrojtura të jetë vërtet për zonat e mbrojtura, që të shmangim rrezikun që fragmentizimi ose qasja jo e plotë të ndodhë. Pra, të mos fragmentarizohet kjo gjë, dhe kjo vlen edhe për Vjosën, për parkun kombëtar, dhe vëmendja që është sjellë këtu është shumë e rëndësishme, por tani duhet të kalojmë te faktet.
Lutfi Dervishi: Të lëvizim në një moment tjetër të rëndësishëm. Muaji qershor që sapo kemi filluar është një muaj i rëndësishëm për vendin. Partitë politike kanë zgjedhjet e tyre, PS-ja ka kongresin, PD-ja ka garën për kryetarin, por në fakt vendi, Shqipëria pret hapjen de facto të negociatave, hapje të cilën ne para dy viteve e kemi festuar. Dhe pyetja është, a është ky proces tashmë vetëm në dorën e vendeve anëtare të Këshillit apo ka ende gjëra që duhen bërë nga Tirana zyrtare?
Ambasadori Soreca: Ju me të drejtë përmendët faktin që në mars të vitit 2020 Këshilli mori vendimin për çeljen e negociatave. Ky është një gur kilometrik, pra nuk mund të ketë kthim prapa, por në të njëjtën kohë, disa kërkesa, kushte u vendosën në tryezë në mënyrë që të organizohet Konferenca e parë Ndërqeveritare dhe natyrisht që do të ketë kushte dhe standarde të tjera që do të duhet të arrihen në vitet në vijim. Por, e para ka qenë në lidhje me Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe pavarësisht pandemisë ne, Bashkimi Evropian, kemi arritur në vlerësimin që këto kushte që u caktuan janë plotësuar, që nga, për shembull, efikasiteti dhe funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese, si dhe efikasiteti dhe funksionaliteti në rritje i Gjykatës së Lartë apo fillimi i punës së BKH-së me 27 hetuesit, me emërimin e tyre, pra të gjitha këto gjëra. Ky vlerësim tashmë është në tryezën e Këshillit. Ne shikojmë një konsensus të madh në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, ato vende të cilat janë pak më skeptike ose kanë qenë pak skeptike në të shkuarën, pranojnë që kjo ecuri është bërë tashmë, ky përparim në terren është arritur. Dhe natyrisht që kemi datën në 22 qershor kur do të merret ky vendim. Sigurisht që ekziston pyetja ose çështja që ka të bëjë me metodologjinë e re, që është dimensioni rajonal, pra ne e dimë që kemi edhe një vend tjetër që po vlerësohet në të njëjtën kohë, që është Maqedonia e Veriut. Edhe për këtë shtet ne kemi arritur në përfundimin që kushtet janë plotësuar, por jemi ende duke bërë biseda me disa Shtete Anëtare në lidhje me këtë çështje. Kështu që ne shpresojmë që në datën 22 qershor Këshilli do të pranojë pikërisht këtë gjë dhe do të japë një datë për organizmin e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Unë mendoj se Shqipëria duhet të fillojë bisedat për anëtarësim dhe fuqia shndërruese e këtij procesi të integrimit evropian – të cilin unë e kam përjetuar vetë, personalisht, gjatë këtyre tri javëve – duhet të ecë përpara, duhet të çohet përpara se kjo është vlera e shtuar e bisedave për anëtarësim. Pra, mundësia për të ndryshuar gjërat duke i imponuar standarde, afate kohore vendit kandidat, Shqipërisë, në mënyrë që ecuria, përparimi, progresi të jetë i qëndrueshëm dhe Shqipëria në fund të këtij procesi të bëhet Shtet Anëtar i BE-së.
Lutfi Dervishi: A presim befasi nga ky proces, nga data 21-22 qershor? Mundet Shqipëria të mbetet peng i mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut apo i një vendi anëtar që thotë le të presim edhe pak?
Ambasadori Soreca: Mendoj se është e rëndësishme që Shtetet Anëtare që e kanë bërë të qartë që dëshirojnë që të dyja shtetet të ecin në mënyrë paralele, pra së bashku. Prandaj Bashkimi Evropian dhe Portugalia që ka presidencën e BE-së po punojnë me Shtetet Anëtare që janë të interesuara për këtë çështje që kjo gjë të vazhdojë të ecë përpara. Ne shpresojmë që kjo do të ndodhë. Shqipëria natyrisht që do të vlerësohet në bazë të meritave të veta. Unë jam i bindur që Shqipëria… pra, Bashkimi Evropian e ka dhënë pasaportën për të ecur përpara dhe ne shpresojmë që të dyja shtetet të ecin së bashku. Më pas do të shikojmë se si do të jenë situatat, por tashmë e gjithë vëmendja është për t’u siguruar që të dyja shtetet, ashtu siç e meritojnë, të ecin së bashku te hapi tjetër, të kalojmë…
Lutfi Dervishi: Zoti Ambasador, BE-ja e ka asistuar Shqipërinë në dy ngjarje madhore: tërmetin dhe pandeminë. Së fundi patëm dhe dërgesën e transhit të katërt të vaksinave Pfizer. Nga inspektimet e bëra në 50 projekte të BE-së, çfarë keni konstatuar në këto projekte që ju i financoni?
Ambasadori Soreca: Po, në fakt po bisedoja me një mik dhe po thosha, jeta ka ndryshuar vërtet së tepërmi që nga nëntori i vitit 2019, me Konferencën e Donatorëve, me faktin që ne po sillnim tashmë kaq shumë asistencë financiare dhe detyra ime ishte që kjo asistencë financiare të vihej në zbatim sa më shpejt që të ishte e mundur për qytetarët shqiptarë. Dhe më duhet të them që rezultati pas një viti e pak muajsh është, do të thosha madje, vërtet i shkëlqyer. Sa i përket asistencës sonë pas tërmetit, ne kemi parë, për shembull, shkolla që janë ndërtuar me standarte të fjalës së fundit të shkencës, ose rindërtime, ose ndërtime nga fillimi. Ne i kemi inspektuar këto shkolla së bashku me qeverinë shqiptare dhe në fakt është thënë pikërisht se sa cilësi e mirë është përdorur. Ajo që ka qenë e rëndësishme është që vetë nxënësit të merrnin pjesë në bisedime, në konsultime për mënyrën se si do të rindërtohej shkolla, se si do të dukej ajo, pra qasja që ne e quajmë “Të rindërtojmë më mirë së bashku”, pra konsultime me qytetarët. Shumë e rëndësishme ka qenë kjo për ne dhe e njëjta gjë dhe për programin “BE-ja për Kulturën”. Ne për shembull, kemi qenë për të parë dy nga projektet e para te të cilat ka filluar puna, kisha në Rubik dhe kisha në Kepin e Rodonit, por edhe në Durrës, te Kulla Veneciane. Pra, të gjitha këto gjëra po vijojnë dhe pas disa muajsh ne do të shikojmë edhe punë më të shumta, për shembull, tashmë, kur ju ecni në Sheshin Skënderbej e shikoni që mozaiku është mbuluar për punimet që do të bëhen. Për pandeminë po ashtu ka qenë shumë e qartë që spitalet e Covid-it janë përforcuar me asistencën që ka dhënë Bashkimi Evropian. Kjo është shumë e qartë. Ne e kemi ndihmuar së tepërmi Shqipërinë që të dalë nga kriza e pandemisë dhe tashmë për vaksinat. Çdo javë vijnë transhet me vaksinat Pfizer që i jepen qeverisë së Shqipërisë dhe deri në fund të gushtit, çdo javë, ne do të sjellim transhe të tjera derisa të arrijmë 150.000 vaksina. Pra, mendoj se Shqipëria, meqënëse është aq pranë nesh edhe gjeografikisht, besoj që e kuptoni se sa interes të madh kemi ne për Shqipërinë.
Lutfi Dervishi: Doja të ndalesha në dy mesazhe që më kane bërë përshtypje gjatë udhëtimit tuaj trijavor nëpër Shqipëri. Në Përmet, një 17 vjeçare ju ka thënë se e shihte veten pas 15 vitesh si prokurore që të jepte kontribut për shtetin e së drejtës. A do të thotë kjo që duhet ndoshta edhe një dekadë tjetër që ne të shikojmë atë drejtësi që duan shqiptarët?
Ambasadori Soreca: Emri i saj është Esmeralda dhe më tha që mund ta përmend emrin e saj sonte. Jemi lidhur me të që prej atij momenti, pasi edhe ajo ka dëshirë të mësojë nga përvoja ime.
Lutfi Dervishi: Kjo do të thotë që ajo do të bëhet një herë prokurore, pastaj do të kalojë në diplomaci që të bëhet ambasadore e BE-së në një vend tjetër.
Ambasadori Soreca: Unë i uroj shumë suksese. Është një vajzë tejet e zgjuar, me ide shumë të qarta dhe është një ambasadore e vërtetë e rinisë shqiptare. Jo, nuk do të duhet aq kohë, sepse Shkolla e Magjistraturës po punon tashmë me shpejtësinë më maksimale të mundshme, të plotë, për të nxjerrë nga radhët e saj të gjithë ata magjistratë që do të duhen çdo vit. Sigurisht që do kohë për të krijuar një gjyqtar për Gjykatën e Apelit, por nuk mendoj që do të duhet kaq shumë kohë. Por, Esmeralda, shpresoj për të, ajo të jetë bërë prokurore pas 10-15 vitesh. Ajo tha 15 vite, sepse tha jam ende vajzë e re dhe do të më duhet që të përgatitem, por drejtësia në Shqipëri është tashmë duke dhënë rezultatet e saj të para. Unë kam parë dhe kam qenë vetë dëshmitar i kësaj pune që po bëhet, i kësaj ecurie që kemi pasur. Ndoshta jo aq e shpejtë sa ç’kishim shpresuar që do të ishte dhe jo aq shpejt sa do të kishin dashur qytetarët e Shqipërisë që të bëhej, por po t’i mbledhim të gjitha gjërat bashkë duket ajo pika e ndryshimit, e kthesës.
Lutfi Dervishi: Në gjuhën e BE-së gjithmonë fjala progres përmendet shpesh dhe përdoret edhe për rastet kur nuk ka progres. Themi nuk ka progres, pak progres, mungesë progresi. Por, nëse mund të flisnim për atë që drejtësia po ecën, është e dukshme, për dikë më shumë, për dikë më pak, po çfarë nuk po funksionon, çfarë mund të bëhej më mirë në këtë proces ku nga ana e shqiptarëve ka shumë pritshmëri?
Ambasadori Soreca: Qytetarët kanë të drejtë që të kenë pritshmëri të larta sepse kanë investuar vetë dhe janë investuar në këtë proces. Ecuria, progresi ose përparimi është më i ngadaltë, por ama po ndodh. Ju ndoshta e mbani mend që në intervistën tonë të parë ne kemi folur për konceptin “Ndiq paranë”. Kjo gjë po ndodh tashmë. Besoj që ju ku i keni vënë re disa raste, edhe raste të një profili të lartë, ku sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve, i pasurisë që është arritur me origjinë të jashtëligjshme, po punohet, edhe SPAK-u edhe BKH-ja po punojnë edhe më shumë për këtë çështje. Prokurori i Përgjithshëm Olsion Çela ka instruktuar prokurorët që të përqendrohen te konfiskimi. Dhe siç e dini, ju e njihni edhe vetë, për mua kjo është pikënisja, pikënisja e luftës, e goditjes së krimit të organizuar dhe të pasurisë së jashtëligjshme. Pra, kjo po ndodh gjithnjë e më shumë, çdo ditë. Dhe unë mendoj që ky mund të quhet përparim, progres.
Lutfi Dervishi: Po ju vetë sapo thatë që është fillimi. Kur e shikoni pikën e lartë të kësaj përballjeje të drejtësisë me krimin e organizuar dhe me peshqit e mëdhenj?
Ambasadori Soreca: Unë mendoj që fillimi i bisedave për anëtarësim është një pikë shumë, shumë e rëndësishme. Është një çast i rëndësishëm, sepse kjo do ta lejojë Shqipërinë, domethënë agjencitë e BE-së, që të përshpejtojnë nivelin e ndërhyrjeve, por edhe mënyrat e ndërhyrjeve. Kështu që sa më shpejt që të fillojmë bisedat për anëtarësim, aq më shumë do ta godasim krimin e organizuar dhe pasuritë që janë krijuar në formë të jashtëligjshme. Kështu që unë shoh një përshpejtim të shpejtë pasi të fillojnë këto bisedime.
Lutfi Dervishi: Le të qëndrojmë te një çështje e nxehtë, çështja e drejtësisë. Një tjetër mesazh i juaji, por ndoshta kjo lidhet me kohën kur keni punuar prokuror, ka të bëje me përkujtimin e 29-vjetorit të vrasjes nga Mafia të gjykatësit të njohur italian Giovanni Falcone. Ju theksoni se ata, Mafia, nuk e vranë integritetin e tij moral, shembullin e tij, ndjenjën e tij të detyrës, vlerat e tij. Idetë e tij janë akoma gjallë, ato ecin me këmbët tona. Në Shqipëri ne qartësisht e kemi krimin e organizuar, kemi Mafien, kemi mafiozët, domethënë i kemi anti-heronjtë, por duket se ende nuk po shfaqen në skenë heronjtë. Kur mendoni se mund të vijë kjo ditë?
Ambasadori Soreca: Në datën 23 maj unë po shihja sërish disa nga intervistat që ka dhënë Giovanni Falcone në muajt e fundit të jetës së tij dhe koncepti i heronjve doli nga këto intervista pas një pyetjeje që ju bë atij nga një gazetar francez, i cili po e pyeste nëse ai e mendonte edhe veten hero. Ai tha jo, unë jam e kundërta e heroit, ne nuk na duhen heronj, ne na duhen ata që i shërbejnë publikut, që të kenë ndjesinë e detyrës, ndjesinë e integritetit, ndershmërinë në jetën e tyre. Pra, ajo që dëshiroj të shikoj unë janë jo heronjtë që duhet të vdesin për t’u bërë hero, por njerëz që kanë një ndjesi të fortë të detyrës, të të shërbyerit ndaj publikut dhe që e bëjnë punën e tyre me ndershmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prandaj formimi i magjistratëve në Shkollën e Magjistraturës është shumë i rëndësishëm që të shmangim pasjen e heronjve, por të atyre që shërbejnë në administratën publike, në institucionet publike, që misioni i tyre …
Lutfi Dervishi: Heronj është përdor si metaforë, jo si njerëz që duhet t’u lexojmë emrin në pllakat e betonit diku. Zoti Ambasador, jemi nga fundi. Ndoshta dy pyetje të fundit. Ju i ndoqët nga afër zgjedhjet parlamentare ditën e votimit në Shqipëri dhe një nga mesazhet që erdhi, qoftë nga Bashkimi Evropian qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mesazhi i dytë, në të vërtetë, ishte që të hetohen parregullsitë e zgjedhjeve. Ju përmendët Kryeprokurorin e Përgjithshëm, ai vetë ka kërkuar përshpejtimin e hetimit të parregullsive, ka shkuar nëpër prokurori duke kërkuar të njëjtën gjë, por Shqipëria ka një rekord jo të lavdërueshëm sa i përket hetimit të krimeve zgjedhore. Çfarë ju bën ju të mendoni që këtë radhë do të jetë ndryshe?
Ambasadori Soreca: Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të vitit 2017, ne kemi aktorë të rinj tashmë. Në skenë kemi aktorë të rinj, kemi SPAK-un, dhe ju e keni parë edhe vetë që SPAK-u i ka kërkuar KQZ-së që të japë prova me audio, me video, kundër blerjes apo shitjes së aluduar të votës, pra të krimeve zgjedhore. Kjo është njëra gjë. Gjëja tjetër është që Olsion Çela, Prokurori i Përgjithshëm, në fakt i kërkoi Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që të fillonte hetimet kundër atyre prokurorëve të cilët kanë zvarritur ose kanë vonuar gjërat me anën e mënyrës se si e kanë bërë detyrën. Për shembull, për zgjedhjet e Dibrës. Pra, ky është një sinjal i qartë, i cili nuk kishte ekzistuar më parë. Institucionet e reja po tregojnë objektivin, synimin, qëllimin e tyre për të luftuar krimin zgjedhor. Ne duam që kjo gjë të ndodhë dhe e kemi thënë që prej ditës sonë të parë, ditës pas zgjedhjeve, siç e thatë edhe ju, që duam që kjo gjë të ndodhë dhe të shikojmë rezultate. Është shumë e rëndësishme që institucionet e reja të drejtësisë të fokusohen fort në këtë çështje, në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të kenë besim tek institucionet e reja.
Lutfi Dervishi: Zoti Ambasador, shumë faleminderit që ishit sonte në emisionin “Përballë” në televizionin publik.
Ambasadori Soreca: Ishte kënaqësi për mua që u riktheva. Faleminderit!