“Spiuni” anglez: Sa shqiptarë duheshin në Kosovë sipas Millosheviçit
Ratmir Taniç ka qenë anëtar i grupeve negociatore shqiptaro-serbe në kohën kur Serbia udhëhiqej nga Slobodan Millosheviç. Ai ka qenë edhe pjesë e grupit politik Demokracia e Re dhe kjo parti në atë kohë ishte në koalicion me socialistët e Millosheviçit. E teksa ka dhënë një intervistë për mediat serbe në Beograd, pas saj në Serbi ai do të konsiderohej si “spiun” anglez.
Z. Taniq, dihet shumë pak rreth asaj se a ka pasur negociata mes shqiptarëve të Kosovës dhe pushtetit në Serbi, gjatë kohës së pushtetit të Milosheviqit? Të vetmet negociata, për të cilat di opinioni, ishin ato rreth kthimit të nxënësve dhe të studentëve shqiptarë në shkolla dhe në fakultete, negociata këto në të cilat ndërmjetësoi bashkësia katolike “Shën Egjidio”. Mirëpo, pohohet se kontakte dhe negociata sekrete ka pasur gjatë tërë kohës, që nga shpërthimi i krizës në Kosovë. A është kjo e vërtetë?
Kjo është plotësisht e vërtetë. Vetëm se unë këto kontakte do t’i quaja diskrete, sepse fjala kontakte sekrete ndoshta do të ishte pakëz e fortë. Pra, kanë ekzistuar procese diskrete negociatore ndërmjet Beogradit zyrtar, që do të thotë ndërmjet koalicionit treanëtarësh në pushtet të Millosheviçit dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës, që nga fundi i vitit 1994 e deri në verë të vitit 1997. Janë mbajtur nja pesëdhjetë takime diskrete në qytete të ndryshme, duke filluar nga Prishtina e Beogradi, e deri te Roma, Vatikani e Nju-Jorku.
Kush i përfaqësonte këto ekipe negociatore nga pala shqiptare e kush nga pala serbe?
Në procesin negociator, nga pala serbe merrnin pjesë përfaqësuesit e koalicionit të atëhershëm në pushtet në Serbi: SPS-i , JUL-i dhe Nova Demokratija, ndërkaq nga pala shqiptare merrnin pjesë përfaqësuesit e Rugovës, meqë Millosheviçi ishte shumë i qartë në atë se Rugovën e konsideronte përfaqësues zyrtar politik të shqiptarëve të Kosovës. Negociatori kryesor shqiptar ishte Fehmi Agani. Një grup solid i ekspertëve prezentonte ekipin negociator të Rugovës.
A mund të na thoni se cilët ishin emrat serbë të ekipit negociator?
Më së shumti ishin të angazhuar Ratko Markoviç, Dojçilo Maslovariç, Ratomir Vico, unë, kohë pas kohe Dushan Mihajloviç dhe Vuk Drashkoviç, pavarësisht nga ajo se nuk i takonte koalicionit qeveritar, dhe një grup ekspertësh me në krye Predrag Simiqin.
Cila ishte detyra juaj, si anëtar i atij ekipi, të mos themi ekipi negociator?
Thjesht, ishte vendosur që SPS-i, JUL-i dhe Nova Demokratija, si anëtarë të koalicionit qeveritar, të punojnë në përgatitjen e zgjidhjes politike për Kosovën. Të jem plotësisht i saktë, ato negociata bëheshin para së gjithash në funksion të përgatitjes së zgjidhjes politike të çështjes së Kosovës. Secila parti kishte në ekipin negociator nga një apo nga dy përfaqësues. Në atë ekip nuk kishte negociatorë kryesorë dhe negociatorë të dorës së dytë. Përgatitjet për negociatafilluan në fund të vitit 1994, ndërkaq më 1995 këto negociata u zhvilluan me një tempo shumë të ngjeshur. Askokohe përgatitej edhe marrëveshja paqësore e Dejtonit. Ishte e qartë se problemi i Kosovës nuk do të jetë në agjendë të Dejtonit, se ky problem i ishte lënë palës shqiptare dhe asaj serbe që vetë ta zgjidhnin atë. Ndërkaq, marrëveshja rreth shkollave ishte vetëm një nga rezultatet e këtyre negociatave. Dhe, meqë negociatat bëheshin hap pas hapi, hapi i parë ishin një sërë masash për rivendosjen dhe për forcimin e besimit. Një nga këto masa ishte edhe marrëveshja për shkollat.
Marrëveshja për kthimin e nxënësve dhe të studentëve shqiptarë në shkolla dhe në fakultete ishte nënshkruar më 1 shtator 1996, por kurrë nuk u jetësua. Pse?
Nuk është edhe krejt e saktë se nuk u jetësua. Jetësimi i saj filloi, por pastaj ndodhën obstruksione të vogla të ndryshme. Ndërkohë, Millosheviçi vendosi t’i anulojë rezultatet e negociatave, prandaj ai nuk dëshironte të jetësohej ajo marrëveshje.
Çka u arrit me negociata ose, siç thoni ju, me kontakte diskrete? Cili ishte formulimi i ekipit të shqiptarëve?
Qe definuar një pako e tërësishme masash për rivendosjen dhe për forcimin e besimit. Ajo pako masash nënkuptonte masat në lëmin e arsimit, të shëndetësisë, të medias, të kulturës dhe, në fund, masat në lëmin e sigurisë. Parimisht, po e theksoj parimisht, qe arritur marrëveshja për zgjidhjen e tërësishme politike të çështjes së Kosovës, me të cilën do të shmangej konflikti i armatosur. Kjo zgjidhje, pastaj, qe bërë e njohur për opinionin në shumë raste dhe në forma të ndryshme. Këtu është fjala për të ashtuquajturën autonomi e zgjeruar për Kosovën ose, nëse doni, për administrimin lokal të shqiptarëve të Kosovës. Pos kësaj, këto negociata bënë që tensionet të jenë të nivelit të ulët, kështu që asokohe kishte shumë pak incidente krahasuar me periudhën kurMilosheviqi i anuloi ato.
Ajo që u arrit në negociata ishte e mjaftueshme që të shmangej lufta dhe që Beogradi dhe shqiptarët e Kosovës të gjenin zgjidhje paqësore për problemin e Kosovës. Një zgjidhje e këtillë, praktikisht, edhe ishte definuar gjatë negociatave. Në këto negociata morën pjesë edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Natyrisht, gjithashtu në mënyrë diskrete. Pra, nuk ishin këto vetëm negociatadypalëshe, mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por ishin negociata tripalëshe, në të cilat morën pjesë edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit dhe të organizatave të forta joqeveritare, të cilat faktikisht reprezentonin diplomacitë e shteteve të tyre, por jo në formë zyrtare.
Gjatë këtyre negociatave, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ishin kundër çfarëdo ideje për secesion të Kosovës dhe kundër çfarëdo ideje për pavarësim të shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kur përfaqësuesit e shqiptarëve panë se bashkësia ndërkombëtare nuk përkrah secesionin e Kosovës, atëherë ata në heshtje çuan duart nga ky qëllim, gjetën një formulim të suksesshëm se pavarësia e Kosovës mbetet qëllim afatgjatë dhe që nuk mund të realizohet nëse nuk pajtohen të gjitha palët, pra edhe Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare, që praktikisht do të thotë – kurrë, meqë askush nuk pajtohej me secesionin e Kosovës dhe kështu heshturazi hoqën dorë nga kjo kërkesë.
E, çka nënkuptonte autonomia e zgjeruar?
Autonomia e zgjeruar e Kosovës praktikisht nënkuptonte atë që kishin nënshkruar, më 13 tetor 1998, Hollbruku dhe Millosheviçi dhe unë do t’ua diktoj këtë tekst: “Shqiptarët do të kenë vetadministrimin dhe mund të formojnë institucionet e pushtetit lokal, mund të formojnë policinë lokale, mund të kenë zgjedhje të lira dhe demokratike në të cilat do t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kosovë, se të dy palët do të përmbahen nga dhuna dhe se do të formojnë efektiva të përbashkëta të sigurisë, si njëra nga masat e rivendosjes së besimit”.
Kjo ishte përmbajtja e marrëveshjes mes Hollbrukut dhe Millosheviçit?
Pjesa më e madhe e rezultateve të negociatave, të cilat i zhvilluam me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, nga fundi i vitit 1994 e deri në mesin e vitit 1997, qe inkorporuar në marrëveshjen ndërmjet Hollbrukut dhe Millosheviçit, të 13 tetorit 1998, mendoj në pjesën politike të marrëveshjes e jo në pjesën e cila ka të bëjë me verifikuesit. Në pjesën politike të marrëveshjes, Millosheviçi qe obliguar që zgjidhja e përkohshme për Kosovën të arrihet deri më 2 nëntor 1998. Mirëpo, ai nuk e jetësoi kurrë atë, për më tepër as që deshi ta jetësojë ngase më herët edhe i anuloi rezultatet e negociatave dyvjeçare. Ky ishte manovrim i tij taktik që të blinte kohë.
Po thoni se ai i ka anuluar rezultatet e negociatave sekrete ose, siç thoni ju, të negociatave diskrete. A janë bërë këto negociata me dijen e Miloshevic135it dhe a është konsultuar ai për gjithçka?
Absolutisht. Për këtë as që ka nevojë të flitet.
Pse, pra, ai i anuloi rezultatet e negociatave?
Millosheviçi gjithmonë ka aplikuar taktikën e nxitjes së konflikteve. E para, inskenon konfliktin etnik, pastaj shtron qëllimet pseudopatriotike me të cilat shërbehet për të mbetur në pushtet. E dini se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, një vjet, një vjet e gjysmë, ishte situatë e qetë. Millosheviçi luante rolin e faktorit të paqes dhe Serbia pat hyrë në periudhën e paqes relative. Mirëpo, pastaj u shtrua çështja e legjitimitetit të pushtetit të tij dhe, përgjithësisht, e qëllimit të atij pushteti, ngase në paqe shihet se pushteti i Millosheviçit është shpenzuar historikisht.
Pse Millosheviçi nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë? Cili ishte motivi i tij? Zyrtarisht qe thënë se kjo nuk u bë me qëllim që të pengohej vendosja e trupave të huaja në Kosovë?
Millosheviçi nuk e nënshkroi atë marrëveshje ngase i duhej lufta me Paktin NATO. Kjo është ajo logjikë të cilën e përshkrova pak më parë: e shpikni konfliktin dhe, pastaj, me ndihmën e qëllimeve pseudopatriotike, mbaheni në pushtet. Dhe, sa më i madh të jetë konflikti, pseudopatriotizmi i tij më shumë ngjason në patriotizëm të vërtetë. Faktikisht Millosheviçit i nevojitej konflikti me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo ishte situatë ideale për të; ai e dëshironte bombardimin me qëllim që të vërtetoheshin të gjitha tezat e tij të trilluara. Kjo është njësoj sikur t’ua kallë dikush shtëpinë e pastaj të luajë rolin e zjarrfikësit.
Ajo që fliste më vonë Milutinoviçi në Kuvendin e Serbisë nuk ka qenë aspak e vërtetë. Ai, bashkë me Milosheviqin, faktikisht e ka gënjyer opinionin se gjoja problemi kryesor qëndron aty se trupat e huaja dëshirojnë të hyjnë në Kosovë nën flamurin e Paktit NATO, e jo nën flamurin e Kombeve të Bashkuara. Kjo është rrenë e kulluar: ekzistonte opsioni i mandatit të Kombeve të Bashkuara. Para se të niste bombardimi, ka qenë në lojë edhe opsioni që në Kosovë të mbetej e tërë Korparmata e Prishtinës dhe që ajo të bashkëpunonte me trupat e Kombeve të Bashkuara në ruajtjen e paqes në Kosovë.
Ju mendoni se Marrëveshja e Rambujesë ka mundur të nënshkruhej në mënyrë paqësore, pa dëme për interesat nacionale të Serbisë?
Mendoj, para së gjithash, se as që ka pasur nevojë të mbahej Konferenca e Rambujesë. Nëse paraprakisht kishim bërë negociatat shqiptaro-serbe, në të cilat kishte marrë pjesë edhe bashkësia ndërkombëtare dhe në të cilat parimisht ishte arritur marrëveshja për zgjidhje politike, nëse ajo marrëveshje qe përmbledhur në marrëveshjen Hollbruk-Milosheviq, çka na duhej Konferenca e Rambujesë. Ajo konferencë ishte një përpjekje e mjerë e diplomacisë evropiane që të shpëtojë atë që mund të shpëtohej. Por, meqë u bë Konferenca e Rambujesë, mendoj se marrëveshja, e cila u arrit atje, absolutisht ka mundur të nënshkruhej, pos që është dashur të insistohet në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe në mbetjen e Korparmatës së Prishtinës në Kosovë, punë kjo të cilën bashkësia ndërkombëtare ishte e gatshme ta pranonte në atë kohë.
Mirëpo, meqë Millosheviçi dëshironte luftë, ai, natyrisht, nuk ishte i gatshëm të nënshkruante as marrëveshjen më të mirë të mundshme. Tekefundit, këtë e ka pranuar edhe Milutinoviqi në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë, kur pat thënë se problemi nuk qëndron te marrëveshja politike, por te mandati i trupave. Mirëpo, mandati i trupave kurrë nuk ishte problem. Bashkësia ndërkombëtare, në atë moment, ishte e pajtimit që trupat paqësore të jenë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe që, po e theksoj, Korparmata e Prishtinës të mbetej në Kosovë. Por, Milosheviqit i nevojitej lufta.
Taniç, a ka ekzistuar plani i pastrimit etnik të Kosovës para fillimit të bombardimeve të NATO-s apo, siç thonë shumica në Serbi, dëbimi i shqiptarëve nga Kosova ka qenë pasojë e bombardimeve të NATO-s?
Ka ekzistuar plani i pastrimit etnik. Para se gjithash ka ekzistuar plani që numri i shqiptarëve të Kosovës të reduktohet nën një milion, me qëllim që pas kësaj të thuhet se janë më pak se 50 për qind dhe, prandaj, nuk e gëzojnë të drejtën për autonomi. Ky ishte plan shumë i qartë, mu sikur që ekzistonte edhe plani i pastrimit etnik. Organet tona të sigurimit absolutisht nuk kanë bërë qërime hesapesh me UÇK, por kanë qëruar hesapet me popullatën shqiptare. Kështu, tekefundit, edhe filluan konfliktet etnike serbo-shqiptare, në fillim të marsit të vitit 1998. Në vend që t’i arrestoni vëllezërit Jashari dhe disa të tjerë sipas rregullave luftarake, ju sulmoni shtëpitë e tyre në të cilat jetojnë ata, i vrani gratë, fëmijët, kushërinjtë dhe fqinjët e tyre dhe, natyrisht, kjo shkakton kryengritje të popullit shqiptar, kjo do të shkaktonte kryengritje të çdo populli.
Millosheviçi e ka ditur se me veprime të tilla do të shkaktojë kryengritjen e shqiptarëve, që të mund të thotë: ja, kemi kryengritje! Ndërsa, sa u përket incidenteve, mund t’ua përmend disa të dhëna të MUP-it tonë. Për shembull, më 1991 kishte 11, më 1992 – 12, më 1993 – 8, më 1994 – 6, më 1995 – 11, dhe më 1998, kur Milosheviqi filloi të shkaktojë konflikte etnike, kishte 1.855. Prandaj, është e qartë se kjo është pasojë e pastrimit etnik e jo shkak.
Thatë se Millosheviçi kishte plan që numrin e shqiptarëve në Kosovë ta pakësonte nën një milion?
Po. Ekzistonte plani që numri i tyre të pakësohej nën një milion dhe kjo arsyetohej me dofarë përrallash se atyre Tito u ka dhënë pasaporta e të tjera. Nxirreshin disa argumente nga naftalina. Kjo është njësoj sikur hungarezët të provonin sot t’i pastronin serbët nga Vojvodina duke pohuar se Maria Tereza i ka vendosur aty.
A ishte ky plan konsistent, i elaboruar dhe i përpunuar, apo thjesht ai ishte qëllim i përcaktuar?
Ky ishte plan i Millosheviçit dhe i bashkëpunëtorëve të tij privatë. Asnjë plan të nxitjes së konflikteve etnike, Millosheviçi nuk e ka bërë institucionalisht. Sepse, po t’i bënte ato institucionalisht, do të ballafaqohej me rezistencën e armatës, të policisë, të shërbimit të sigurimit. Këto institucione, aq sa kanë mundur, e kanë kufizuar shumë inxhinieringun e tij konfliktuoz. Të gjitha këto plane ai i ka bërë, të them, në çarqe private dhe pastaj i ka zbatuar nëpërmes kanaleve të tij private.
Po thoni se Millosheviçi i ka bërë këto plane rreth Kosovës në qarqe private. Kush ishin këshilltarët e tij privatë? Mendimet e kujt i çmonte më së shumti kur ishte fjala për politikën rreth Kosovës?
Gjithë çështjen rreth Kosovës e udhëhiqte, ta quaj kështu, Komisioni fantom shtetëror për Kosovën. Ishte ky një trup parapolitik, në të cilin ishin: Shainoviqi, Matkoviqi, Angjelkoviqi dhe gjeneralët Pavkoviq e Veliçkoviq.
Dhe ata ishin këshilltarët kryesorë?
Po. Ata zbatuan në praktikë idetë e tij për Kosovën, jashtë Kuvendit të Serbisë, jashtë Kuvendit të Jugosllavisë, jashtë armatës, jashtë Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, jashtë policisë. E dini se Millosheviçi është konfrontuar me gjeneralin Perishiq, shef i Shtatmadhorisë, rreth çështjes së Kosovës dhe me shefin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, Stanishiq. Që të dy këta i ka përzënë nga puna më 1998, të mos përdor ndonjë fjalë më banale.
Mendoni se Kosova ishte arsye e shkarkimit të Stanishiçit dhe të Perishiçit?
Unë nuk mendoj për të gjitha këto që po i them, por i di të gjitha këto që po i flas. Natyrisht se Kosova ishte arsye, ngaqë të dy qenë rebeluar kundër inxhinieringut konfliktuoz të Millosheviçit, i cili më së shumti dëme u ka bërë , para se gjithash, shqiptarëve, por në aspektin afatgjatë edhe serbëve. Sepse, nisja e luftës me bashkësinë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës ishte, në fakt, nisje e luftës në territorin e shtetit vetanak. Kjo, sipas Ligjiit Penal të shtetit tonë, quhet tradhti. Tjetër është ta izolosh “terrorizmin”, e tjetër të vrasësh gra e fëmijë dhe ta deportosh popullatën. Pastrimi etnik i shqiptarëve nga Milosheviqi ka bërë që të forcohet UÇK-ja, që të ndodhë kryengritja masovike e shqiptarëve dhe, përfundimisht, që të ndodhë konflikti me bashkësinë ndërkombëtare.