Të prezantosh “Fiks Fare” si Fiori Dardha…

(Nga Albina Gjergji)

Gjithmonë kam besuar tek njerëzit që guxojnë. Tek ata njerëz, që pavarësisht kushteve, rrethanave, kostos, tentativave për t’i ndalur hovin… në thelb mbesin pozitivë e përsëri guxojnë. E kur qëllimet në vetvete janë në proporcion të drejtë me dëshirën… ndiq ëndrrën e mos u ndal, por “lufto”! Lufto fiks fare si Fiori Dardha, e cila edhe pse para 7 vitesh u tërhoq nga ekrani, ishte po ky i fundit që i ringjalli shpresën dhe e bindi se dashuritë e mëdha jo gjithmonë kanë fund të trishtë. Përkundrazi, mjafton një shkëndijë fati dhe ëndrra nis po aty ku ishte ndërprerë dikur. Kështu ka qenë rikthimi i saj në televizion, por me një ndryshim të vogël, ky ekran është më i madhi sot për sot në Shqipëri dhe Fiori ka fatin të drejtojë emisionin më të ndjekur investigativ përkrah Genti Pjetrit (doktorit). Sigurisht, të drejtosh një format të tillë, përtej fatit qëndron edhe një përgjegjësi e madhe, sepse parë nga ekrani, loja e dy “aktorëve” kryesorë që moderojnë emisionit duket e lehtë, por në fakt përtej asaj çka ne shohim, fshihet një punë mjaft delikate. Të harmonizosh përçimin e informacionit në publik, të krijosh batuta e në të njëjtën kohë ta bindësh publikun që përtej ironive, lajmi duhet marrë seriozisht nuk është aspak e lehtë. Këtë na e konfimon edhe vetë prezantuesja Fiori Dardha, e cila në një bisedë me “Koha Jonë” tregon se,të bësh gazetari, të përçosh informacion, të mbash qëndrim, të krijosh situatë dhe të transmetosh njëkohësisht humor është shumë e vështirë. E ndërsa “Fiks Fare” vazhdon punën intensive në shqyrtimin dhe zgjidhjen e problemeve të shumta që shoqëria jonë ka, Fiori Dardha gjen kohë për t’ju përgjigjur disa pyetjeve për suplementin “Koha Tjetër”.  

Jemi pothuajse në fund të sezonit të radhës të emisionit investigativ, “Fiks Fare”, ku bashkë me doktorin prezantoni prej një viti e gjysmë. Si do ta cilësonit deri tani këtë eksperiencë Fiori dhe çfarë note do t’i vinit vetes në përshtatjen tuaj me këtë format?

Po më kujtoni klasën e tetë me këto notat (qesh). Në mendimin tim në këtë profesion nuk ka nota, publiku nuk të ve notë, ai të pëlqen, ose jo! Gjithsesi, mendoj që me publikun e Fiks-it “e kam kaluar klasën”.

Parë nga ekrani, pothuajse gjithçka duket e lehtë për t’u realizuar, por në fakt përtej asaj çka ne shohim, fshihet një punë e detajuar dhe mjaft delikate. Sa e vështirë është ta harmonizosh përçimin e informacionit në publik, të krijosh batuta e në të njëjtën kohë ta bindësh publikun që përetj ironive, lajmi duhet marrë seriozisht?

Vëzhgimi juaj është shumë i saktë, aq sa nuk kam çfarë t’i shtoj më shumë. Të bësh gazetari, të përçosh informacion, të mbash qëndrim, të krijosh situatë dhe të transmetosh njëkohësisht humor, kuptohet që është shumë e vështirë.

Në “Fiks Fare” trajtohen e preken ngjarje reale, në shumë raste të dhimbshme. Apeli juaj si staf në shumicën e rasteve është dëgjuar nga shteti, por a ka ndonjë rast në veçanti, apeli i së cilës ka hasur në vesh të shurdhër dhe cili ka qenë reagimi juaj si staf më pas?

Ne trajtojmë aq shumë raste, saqë unë e kam të pamundur t’i mbaj mend të gjitha. Nuk kujtoj të ketë patur ndonjë rast pa reagim të strukturave shtetërore, apo të shoqërisë civile. Stafi i "Fiks- it" e bën të pamundur mosreagimin.

Përshtatja me Doktorin, si e kujtoni nga puntata e parë deri tani?

Sigurisht që nuk e kam patur të lehtë dhe Doktori duhet ta ketë patur akoma më të vështirë se unë, për faktin se për rreth 11 vite e kish konsoliduar drejtimin e emisionit me një tjetër partner. Tashmë merremi vesh pa fjalë me njëri- tjetrin. Merita kryesore për harmoninë tonë i përket drejtorit të "Fiks- it", z.Filip Çakuli, i cili në mbledhjet tona të përditshme arrin të na unifikojë mendimet dhe stilin e prezantimit. Gjithçka pas mbledhjeve me Filipin është më e qartë dhe më e thjeshtë për ne.

Sa i rëndësishëm është sinkronizimi i batutave me njëri-tjetrin dhe si e keni arritur atë?

Sigurisht që harmonizimi dhe organizimi i batutave eshte element shumë i rëndësishëm. Tashmë me Doktorin kemi krijuar një dyshe që e kuptojmë menjëherë njëri- tjetrin. E gjitha i ngjan një ndeshjeje volejbolli, “njëri pason topin dhe tjetri zhyt”. Në gjithë këtë jam shumë komode, pasi Doktorit nuk i mbarojnë batutat dhe humori besoj që na buron natyrshëm.

Ju ka ndodhur në ndonjë moment të harroni diçka, batutë, apo shprehje që e kishit përsëritur në kokë para emisionit? 

Batutat në emision janë spontane, por mund të kem harruar ndonjë argument, të cilin duhej ta trajtonim përgjatë transmetimit. Pastaj, unë flas aq shumë, saqë është vështirë të kuptohet kur harroj diçka.

Emisioni televizionit, apo televizioni emisionit, kush mendoni se e ka rritur më së shumti audiencën?

Eshtë Top Channel që arrin të bëjë këtë emision dhe është "Fiks Fare" që meriton këtë televizion.

Po të transmetohej në një ekran tjetër “Fiks Fare”, mendoni se do të kishte të njëjtën shikueshmëri?

Kjo është hipotezë dhe ne të Fiks- it merremi me fakte dhe jo me hipoteza.

Përtej humorit e të qeshurave tuaja, “fshihet” një Fior mjaft e ndjeshme. Këtë e konfirmojnë edhe miket që ju njohin nga afër. Mund të na thoni një ngjarje, trajtuar në emisionin “Fiks Fare”, që realisht ju ka prekur tej mase shumë, aq sa mund t’ju ketë lënë edhe pa gjumë?

Nuk më vjen hiç mirë që kjo anë e imja është bërë e njohur tashmë. Është e vërtetë, të gjitha rastet ku trajtohen problemet e njerëzve në nevojë e sidomos rastet që kanë lidhje me fëmijët më shqetësojnë. Shpesh interesohem edhe personalisht se si shkon zgjidhja e problemeve të tyre. Shpesh i gjithë stafi kontribuon me aq sa mundet financiarisht për rastet që ne trajtojmë në emision. Ndoshta ngarkesa ime emocionale vjen edhe prej moshës, “duke u plakur” e duke u bërë më të ndjeshëm!

Si arrini ta menaxhoni emocionin në transmetim kur bëhet fjalë për histori të trishta?

Nuk përpiqem aspak ta fsheh emocionin. Sigurisht që nuk qaj, por nuk mund të bëj ironi dhe të krijoj situata kur transmetojmë raste të kësaj natyre, përkundrazi, irritohem ndaj shkaktarëve.

Nënë e një djali, që quhet Abel dhe partnere jete e një regjisori në karrierë. Si e gjen kohën Fiori për ta shijuar familjen?

Për njerëzit që do, koha gjendet gjithmonë.

E njohur si një vajzë që vlerëson të vërtetën (mire, apo keq), origjinalitetin dhe thjeshtësinë, donim t’ju pyesnim, që nëse ekrani nuk ju ka ndryshuar, po ardhja e Abelit në jetën ka ndryshuar diçka në ju?

Sigurisht që ngjarja më e rëndësishme në jetë nuk kish si të kalonte pa lënë një shenjë të fortë tek unë. Tashmë gjërat i mendoj dy herë; një herë për Abelin dhe një herë për vete.

Momenti më i bukur i 24 orëshit të Fiorit?

Dhe unë po përgjigjem me një klishe, e cila në këtë rast është fare e vërtetë: Momenti më i bukur i ditës është kur kthehem nga puna dhe takoj djalin. Shkrihem fare, sidomos kur e zë gjumi në kraharorin tim.

Na përshkruaj një ditë “gri” tuajën?

Nëse unë nuk ngopem me gjumë, atëherë e nesërmja për mua do të jetë një ditë gri. Nuk funksionoj, nëse nuk arrij të fle mjaftueshëm.

Duke qenë se ritmi i jetës është përshpejtuar dhe angazhimet po ashtu tani që jeni nënë janë të shumta, fundjavat, si dhe ku i shfrytëzoni zakonisht?

Në të shumtën e rasteve tek mami. Unë vdes të rri te mami. Jam partizane e shprehjes “edhe burrin t’a kisha edhe te mami të isha”.

Ama edhe për mikeshat ju ngelet kohë…

Më parë kisha mundësi t’i frekuentoja më shpesh mikeshat e mia, por gjithsesi edhe tani e gjej kohën të takohem me to. Këtu nuk hyn Elona, simotra ime, me të cilën rrimë edhe gjatë në shtëpitë e njëra- tjetrës.

Ç’gabim nuk duhet të bëjë kurrë një shoqe, që të mos ju humbasë?

Unë jam shumë tolerante në shoqëri, por njëkohësisht edhe shumë drastike. Kam humbur shumë pak shoqe në jetë. Ende kam mikesha shoqet e fëmijërisë, por me të njëjtin sinqeritet sillem edhe me shoqërinë e re. Ajo çka unë nuk toleroj dot në shoqëri janë hileja dhe mosmirënjohja. I neveris hileqarët dhe mosmirënjohësit.

Ç’tipar duhet të zotërojë ajo që të jetë pjesë e “çmendurive” tuaja?

Tashmë nuk jam më në fazën e çmendurive, ato janë konsumuar në rininë e hershme.

Ç’ves nuk duroni dot tek të tjerët?

Çdo njeri ka vese, madje unë vetë kam të tilla. E rëndësishme është që të mos jenë të dëmshme për të tjerët.

Po tek vetja?

Fakti që i jap gjërave shumë rëndësi dhe mendoj më shumë seç duhet.

Falni, apo ju falin më shumë?

Unë jam natyrë që fal, madje këtë e konsideroj si një pikë të dobët timen. Gjithsesi fal, por nuk harroj.

Aktive edhe në Facebook, ku herë pas here nuk mungon humori i hollë dhe as debatet që një temë e postuar nga ju mund të krijojë. Ç’raport keni me rrjetet sociale?

Me rrjetet sociale kam një “marrëdhënie të shkëlqyer”. Mua më pëlqen komunikimi dhe rrjetet sociale janë një portë e hapur për të gjithë.

Reagimi juaj, nëse hasni në komente jo të pëlqyeshme?

Në fillimet e punës sime në "Fiks Fare" lexoja dhe konsideroja çdo koment që shkruhej për mua. U gëzohesha komenteve pozitive (siç ndodh edhe sot), reagoja ndaj sulmeve, duke u përpjekur të jap më të mirën time (siç ndodh edhe sot), pranoja çdo kritikë profesionale e të argumentuar, duke e konsideruar si një mënyrë për t'u përmirësuar (siç ndodh edhe sot) dhe për të qenë e sinqertë deri në fund, mërzitesha shumë kur lexoja komente fyese e denigruese (gjë që nuk ndodh më sot)! Sot, jo vetëm nuk mërzitem, por as nuk më bëjnë përshtypje komentet ku unë e shumë persona publike fyen në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, duke derdhur vrer për ta e familjarët e tyre. Ndodh që kur lexoj komente të kësaj natyre, për kuriozitet të klikoj tek profilet e këtyre personave. Kur shoh fotot e tyre, materialet që postojnë, statuset që publikojnë, mënyrën se si shkruajnë e injorancën që reflektojnë, më kap gazi dhe them me vete, “A ia vlen të mërzitesh për këtë tipin/tipen këtu?"

Ka patur ndonjë moment që keni dashur ta mbyllni fare adresën e Facebook? Pse?  

Jo, asnjëherë!

Si e shikoni raportin e personave publikë me rrjetet sociale?

Unë në profilet e mia ndaj me ata që më ndjekin përditshmërinë time, pa i vënë shumë filtra e duke u përpjekur të jem sa më e drejtpërdrejtë edhe në opinionet ndaj çështjeve të caktuara. Më ndodh të shoh postimet e disa personazheve dhe ndonjëherë habitem me mënyrën sesi ata i serviren publikut, ndërkohë që unë njoh realitetin. Gjithsesi deri diku përpiqem ta kuptoj sjelljen e tyre, sepse sot rrjetet sociale janë një mënyrë shumë e mirë PR-i. Një gjë është e sigurt: Jeta e personazheve publikë, nuk është aq e bukur sa në instagram.

Dhe meqë dolëm në këtë temë… deputetja, Majlinda Bregu para disa ditësh ka dorëzuar në Kuvend projekt-ligjin për disiplinimin e komenteve në median online? Si e shikoni këtë nismë të deputetes demokrate? Pro, apo kundër?

Jam totalisht pro!

Përpara se të aktivizoheshit në “Fiks Fare” keni qenë pjesë e Cez Shpërndarje në sektorin e Marrëdhënieve me Publikun. Ju kishte munguar ekrani?

Në atë kohë nuk e kuptoja shumë, por tani e kuptoj se më kishte munguar ekrani, po aq sa i kisha munguar unë atij. Tani e kuptoj se zv/drejtorja e "Fiks-it", Denisa Haxhiaj, ka bërë shumë mirë që më ftoi të merrja pjesë në audicionet për përzgjedhjen e prezantuesit të ri të emisionit dhe gjej rastin ta falenderoj publikisht për këtë. Televizioni është gjëja që di të bëj më mirë në jetë!

Audrey Hepburn thotë, “Unë besoj në “rozë”. Unë besoj se të qeshurit është djegësi më i mirë i kalorive. Unë besoj në puthje, shumë puthje. Unë besoj në të qenit i fortë, ndërsa gjithçka shkon mbrapsht. Unë besoj se vajzat e lumtura janë vajza të bukura. Unë besoj se e nesërmja është ditë e re dhe Unë besoj në mrekulli”… sa e gjeni veten tek kjo shprehje?

Unë besoj në përjetimet dhe ndjesitë e mia.

 

SHKARKO APP