“Të shpërndahet parlamenti”

 

Sekretari i Përgjithshem i FRD, Gazmend Oketa, flet për procesin e dekriminalizimit të politikës dhe koalicionin me PS-në
 
Fernada Cenko
 
Arsyet e hyrjes në parlament të dhe në politikë të personave me precedentë penalë janë disa. Është përgjegjësia e kryetarëve që zgjodhën të fortët. Janë hapësirat ligjore dhe Kodi Zgjedhor që mundëson kandidimin e kujtdo edhe kur dihen publikisht se kanë pasur probleme me drejtësinë. Në fund është dhe vetë sistemi politik dhe juridik, që sot e bën gati të pamundur largimin e politikanëve me probleme ligjore, duke e ngatërruar çështjen me gjithfarë argumentesh juridikë. Në situatën kur të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për kriminelë në radhët e tyre, Sekretari i Përgjithshem i Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa sheh vetëm një mënyrë sesi mund të pastrohet politika. Në një intervistë për Koha Jonë ai thotë se shpërndaja e parlamentit mund të shpëtojë politikën nga ky fenomen. Në të kundërtën, duhet të presim që deputetëve me probleme penale tu mbarojë mandati dhe të shpresojmë se krerët e partive nuk do t’i kandidojnë më ata. “Sot ne vuajmë faktin se në kuvend ka individë me precedent penalë, por sistemi zgjedhor që ne kemi e ka mundësuar një gjë të tillë dhe praktikisht është e pamundur që ky parlament të dekriminalizohet pa u shpërndarë apo pa mbaruar mandatin”,- shprehet Oketa. Ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes gjatë qeverisjes së PD, flet dhe për koalicionin me Partinë Socialiste. Pyetjes nëse kalimi tek e majta i një force si FRD-ja është ‘tradhti’ e parimeve politike, Oketa i përgjigjet se kështu mendojnë; “vetëm ata të cilët vuajnë nga kompleksi i katundarisë dhe e perceptojnë politikën si parcela të ndara me ligjin 7051”. Lidhur me zhvillimet në PD, Oketa konfirmon edhe një herë një mendim të përgjithshëm që qarkullon mes ish-drejtuesve të PD-së. Sipas tij, Basha nuk është kryetari real i partisë. 
 
Fernada Cenko
 
Çështja “Doshi” dhe “Frroku” janë kthyer në çështje dite për politikën tonë. Sipas jush është sajesë, apo politika po merret seriozisht me ndërshkueshmërinë?
 
Është e vërtetë që këto dy çështje kanë dominuar debatin politik por dhe atë mediatik që nga dita që janë bërë publike si çështje. Vënia kaq shumë e theksit tek to ka tërhequr vëmendjen nga shumë çështje të tjera të cilat janë më të rëndësishme për jetesën e përditshme të qytetarëve, siç është ekonomia, punësimi, shëndetësia apo dhe arsimi. Megjithatë, fakti që të gjitha institucionet e shtetit, si prokuroria, Kuvendi dhe gjyqësori po merren me intensitet dhe shpejtësi maksimale me këto çështje, të krijon përshtypjen e një përpjekjes serioze për të rritur shkallën e ndëshkueshmërisë edhe në nivele të larta të politikës. A ka sajesë? Historia politike e këtyre 25 viteve tranzicion ka dëshmuar se shpifja, sharjet, përbaltja e kundërshtarit me dhe pa të drejtë, kanë qenë arma më e fortë e një pjese të politikanëve shqiptarë. Të shpresojmë se këtij modeli po i vjen fundi, dhe uroj që dhe shoqëria shqiptare ta këtë kuptuar se nuk mund të ecet më përpara me të tilla modele.
 
 
Dekriminalizimi është një proces që sipas jush ka nisur me rastin Doshi dhe Frroku, apo është një debat politik që do harrohet pas ca kohësh? 
 
Çështja “Doshi” në fakt nuk filloi si histori dekriminalizimi, e nuk ka pse shitet si e tillë. Sot ne vuajmë faktin se në kuvend ka individë me precedent penalë, por sistemi zgjedhor që ne kemi e ka mundësuar një gjë të tillë dhe praktikisht është e pamundur që ky parlament të dekriminalizohet pa u shpërndarë apo pa mbaruar mandatin. Ajo çfarë duhet të na shqetësojë të gjithëve është sistemi i çbalancuar që është krijuar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, i cili krijon problematika të tilla. Nëse nuk i heqim varësinë nga politika sistemit të drejtësisë, nëse nuk respektojmë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, mund të bëjmë disa arnime apo mund të mbyllim përkohësisht një plagë, por në një mënyrë apo një tjetër plagë të tjera do të hapen.
 
 
Çështja Doshi kë dëmtoi më shumë, kreun e Kuvendit, PS-në dhe kryeministrin, apo opozitën që nisi protestat duke u bazuar në akuzat e tij? 
 
Besoj se më së shumti dëmtoi imazhin e politikës shqiptare, i cili për hir të së vërtetës edhe pa këtë histori është goxha i dëmtuar. 
 
 
 
Kush përfitoi nga kjo histori?
 
Nëse i referoheni përfitimit politik, askush.
 
 
PD thotë se janë 19 deputetë me precedentë penale në radhët e mazhorancës. Si eksponent i së djathtës si i vlerësoni këtë pretendim?
 
Raporti me të vërtetën dhe drejtësinë nuk ka lidhje me faktin nëse je i djathtë apo i majtë. Ka një institucion shqiptar, dhe ky është institucioni i prokurorisë, ku mund të depozitohen kallëzimet penale për cilindo i cili ka kryer një vepër të tillë, pavarësisht krahut politik. Nëse PD ka prova për pretendimet e saj, do ishte në interesin e shoqërisë shqiptare që këto prova ti përcilleshin prokurorisë dhe të mos mbeteshin thjesht në nivel thashethemi apo shantazhi politik. Personalisht do ta vlerësoja shumë një veprim të tillë nëse do ndodhte.
 
A ka politikan me precedentë penal edhe brenda së djathtës?
 
Nuk jam prokurori i përgjithshëm i vendit dhe nuk bëj pjesë tek ata politikanë që baltos dikë thjesht se kështu funksionon politika në Shqipëri. I qëndroj parimit se duhen respektuar institucionet, dhe mua nuk më intereson krahu politik i njerëzve me precedent penal, por më intereson vendosja e drejtësisë dhe funksionimi siç duhet i shtetit shqiptar.
 
Cila është mënyra më e mirë për të mbajtur larg politikës personat me precedentë penale? Dhe le të themi hapur politika e ka në traditë përfshirjen e të fortëve…
 
Mendoj se mënyra më e mirë është që ti kthehet qytetarëve shqiptar e drejta për të zgjedhur me votë përfaqësuesit e tyre. Sistemi aktual ja ka hequr këtë mundësi qytetarëve dhe i ka kthyer ata thjesht në noterë të listave të mbyllura të kryetarëve të partive politike. Askush nga individët e përfolur nuk ka hyrë në kuvend me armë në krah, përkundrazi kan hyrë me kostum e kollare të cilat ja kanë veshur forcat politike që kanë pasur nevojë për shërbimet e tyre. Fakti që kjo situatë ka ardhur duke u përkeqësuar tregon dështimin e sistemit që kemi aktualisht. Siç dhe nga ana tjetër nuk mund të lë pa përgjegjësi dhe shoqërinë shqiptare një pjesë e mirë e së cilës ende nuk e ka kuptuar rëndësinë e votës, por e këmben atë në tregun zgjedhor për interesa fare të vogla. 
 
 
Ju sapo keni nisur një rrugë bashkëpunimi me Partinë Socialiste për zgjedhjet lokale. Ndiheni komod ju, por edhe elektorati juaj, duke qenë forcë e djathtë?
 
Në situatën në të cilën ndodhet Shqipëria dhe vetë e djathta shqiptare, shqetësimi ynë kryesor mbetet shteti dhe institucionet e tij. Fryma e Re Demokratike, është dhe do të mbetet një forcë e qendrës së djathtë. Pavarësisht diferencave që ka ndërmjet forcave të ndryshme politike, të ulesh dhe dialogosh apo të gjesh pikat ku mund të bashkëpunosh me një forcë tjetër politike, në të mirë të interesit publik, është një gjë krejt normale në politikën e vendeve të qytetëruara. Vetëm ata të cilët vuajnë nga kompleksi i katundarisë dhe e perceptojnë politikën si parcela të ndara me ligjin 7051 mendojnë ndryshe. Shqetësimi juaj apo dhe i opinionit publik nuk duhet të jetë se sa komod ndjehemi ne në këto bisedime që kemi nisur, por mbi cilat parime dhe objektiva do të zhvillohen këto bisedime. FRD është shprehur që ditën e saj të parë të themelimit se është dhe do të jetë një forcë pozitiviste në skenën politike shqiptare, një forcë e moderuar dhe pa asnjë kompleks ndaj forcave të tjera. Të kesh në plan të parë interesin për forcimin e shtetit dhe institucioneve të tij si dhe interesat e qytetarëve, besoj se je qartësisht në pozicionimin tënd si forcë e djathtë, pa e lidhur këtë pozicion me ata që flasin në emër të të djathtës, por kanë shkatërruar si atë ashtu dhe shtetin shqiptar.
 
Kush janë kërkesat që ju keni në këtë koalicion?. Z. Topi tha pas takimit me Ramën se “Gjejmë pika të përbashkëta që mund të bashkëpunojmë”. Për çfarë e ka pas fjalën?
 
Ashtu siç edhe u bë publike pas takimit, pavarësisht diferencave apo pozicioneve të ndryshme politike, ka vend për të bashkëpunuar për çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me kahet politike. Një nga to është përshembull sistemi i drejtësisë, një tjetër mund të jetë kushtetuta e cila kërkon një konsensus maksimal për t’u rishikuar, ashtu siç dhe nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për zgjedhje administrative dhe qytetarët shqiptar kanë nevojë për një politikë jo konfliktuale, por për një debat konstruktiv e bashkëpunim edhe midis forcave me kahe të ndryshme përsa kohë interesi qytetar dominon mbi atë partiak.
 
 
Keni besim tek Rama, duke qenë se shumë nga të vetët janë zhgënjyer, Gjinushin, Milon edhe përfaqësues të tjerë partie?
 
Nuk mund të flas në emër të partive të tjera politike, ashtu siç dhe nuk mund të paragjykoj asnjë bashkëpunim përsa kohë ai nuk ka filluar apo nuk është konkretizuar. Nëse paragjykimi do dominonte mbi arsyen atëherë secili politikan do ulej në tavolinë i vetëm dhe do fliste me veten e tij.
 
Ju keni kritikuar Berishën. Pse nuk gjeni një gjuhë të përbashkët me Bashën? A është Basha kryetari real i PD-së?
 
Fakti që gjithnjë e më shpesh ngrihet pyetja se cili është kryetari real i PD, tregon se ka diçka që nuk shkon me drejtimin e asaj force. Personalisht mendoj se z. Basha nuk është kryetari real i asaj force politike.
 
Si e shikoni neglizhencën e PD në këto zgjedhje? Nuk afroi as PDIU-n, e cila është në opozitë ende, as Ju. Basha ka bërë takime shumë vonë në krahasim me Ramën sa i përket aleatëve, madje publikisht s’ka bërë as ftesa…
 
Kjo është një pyetje dhe një çështje që i takon PD dhe besoj se aty mund të merrni përgjigjen e kësaj pyetje.
 
Duka po “rrezikon” kandidimin nga PD-ja. Duke e njohur mire mendimin e qytetarëve Durrsak, kush fiton Dako apo Duka nën siglën e PR-së?
 
Kjo është një pyetje e cila do të marrë përgjigje me 21 qershor, ditë kur qytetarët durrsak do ta thonë vetë mendimin e tyre.
 
2 SOM 
 
Dekriminalizimi
Çështja “Doshi” në fakt nuk filloi si histori dekriminalizimi, e nuk ka pse shitet si e tillë. Sot ne vuajmë faktin se në kuvend ka individë me precedent penalë, por sistemi zgjedhor që ne kemi e ka mundësuar një gjë të tillë dhe praktikisht është e pamundur që ky parlament të dekriminalizohet pa u shpërndarë apo pa mbaruar mandatin.
 
Aleanca me PS
Pavarësisht diferencave që ka ndërmjet forcave të ndryshme politike, të ulesh dhe dialogosh apo të gjesh pikat ku mund të bashkëpunosh me një forcë tjetër politike, në të mirë të interesit publik, është një gjë krejt normale… Vetëm ata të cilët vuajnë nga kompleksi i katundarisë dhe e perceptojnë politikën si parcela të ndara me ligjin 7051 mendojnë ndryshe. 
 

SHKARKO APP