“Teherani e Tirana, një marrëdhënie në ngritje”

Flet për “Koha Jonë”, ish-ambasadori iranian në vendin tonë dhe njëkohësisht, kryetari i Shoqatës së Miqësisë së Iranit me Shqipërinë, z. Ali Eghbali

 ***

Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm ne transportimin e një pjese të gazit nga Irani në Europë dhe njëkohësisht të sigurojë nevojat e saj për gaz. Këtë fakt e ka bërë me dije gjatë një interviste për “Koha Jonë”, ish-ambasadori iranian në vendin tonë dhe njëkohësisht, kryetari i Shoqatës së Miqësisë së Iranit me Shqipërinë, z. Ali Eghbali, duke iu referuar prirjeve konkrete për bashkëpunim që shfaqin dy vendet tona. Duke shtuar në këtë kuadër se marrëdhëniet e Teheranit dhe Tiranës në vitet e fundit shënojnë një ngritje. Nga ana tjetër, ai pohon se gjithashtu, çështja e luftimit me dhunën dhe grupet radikale, të cilët vetëm në dukje janë myslimanë, mund të jetë objekt i diskutimeve dypalëshe. “Kuptohet, kjo gjë kërkon disa parakushte, njëri prej të cilëve është mospranimi i grupeve radikale dhe ekstremiste në Shqipëri”, citon ish-ambasadori iranian …

Intervistoi: Eglantina NASI

Eghbali, një delegacion zyrtar shqiptar, i kryesuar për herë të parë nga një kryediplomat vizitoi së fundmi Iranin. Si paraqitet në sytë tuaj një vizitë e tillë? A bëhet fjalë për një realitet të ri mes dy vendeve tona dhe në kuadrin e kujt po krijohet ai? Cilët janë faktorët që sipas jush po ndikojnë në këtë ballafaqim të papritur mes dy vendeve tona, pas një pauze disa-vjeçare?

– Në fillim dëshiroj që në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Miqësisë së Iranit me Shqipërinë t’u uroj Vitin e Ri popullit dhe qeverisë së shtetit mik të Shqipërisë dhe të shpreh dëshirën time për suksese, shëndet e siguri për të gjithë ju. Po ashtu, kam një falënderim të veçantë për ju që sërish kërkuat që të më intervistoni dhe në këtë mënyrë më dhatë mundësinë për të komunikuar me publikun e gjerë në Shqipëri. Marrëdhëniet e Teheranit dhe Tiranës në vitet e fundit shënojnë një ngritje dhe ndonëse kjo vizitë u realizua me vonesë, por arriti që në njëfarë mënyre të kompensojë vonesën e Shqipërisë, në krahasim me shtetet tjera europiane, në bashkëpunimin e gjithanshëm me Iranin. Shumë shtete europiane, sidomos në Europën Qendrore dhe Lindore gjatë kohës së negociatave të Iranit me 5+1 filluan negociata në nivele të larta dhe që tre vjet kishte kërkesa të shumta për të udhëtuar në Iran dhe negociuar me doktor Zarif, kryediplomatin e Iranit. Është e qartë për të gjithë se midis dy popujve, atij iranian dhe shqiptar ka shumë të përbashkëta kulturore, të cilat kanë rrënjë shekullore dhe Irani gjithashtu është një shtet i rëndësishëm në furnizimin e Evropës me energji, sidomos me gazin natyror.

Si një diplomat iranian që e njihni nga afër Shqipërinë, cilat fusha mendoni se meritojnë intesifikim të bashkëpunimit dhe do jepnin efikasitetin deri tani të munguar? A ka interes konkret në sektorin e energjisë, gazit, transportit nga kompani iraniane për të investuar në Shqipëri; apo në atë të kulturës dhe edukimit etj. Po në fushën politike cili është interesi konkret i bashkëpunimit Shqipëri-Iran? Ku përputhen “valët” e tyre?

– Europa dhe në veçanti, rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka rrugë tjetër për realizimin e diversitetit energjetik përveç bashkëpunimit me Iranin. Republika Islamike e Iranit është poseduesi më i madh i rezervave të gazit natyror në botë dhe zë vendin e pestë në botë për nga rezervat e naftës, kurse Shqipëria importon gjysmën e sasisë së naftës së konsumit të brendshëm dhe pjesën kryesore të gazit që konsumon. Shteti juaj duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeografik, mund të luajë një rol të rëndësishëm ne transportimin e një pjese të gazit nga Irani në Europë dhe njëkohësisht të sigurojë nevojat e saj për gaz.

Doktor Ruhani, si kryetar i “Qeverisë së Mirëplanifikimit dhe Shpresës” në pjesëmarrjen e parë të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së inicioi votimin e rezolutës “Bota pa dhunë”, e cila u votua unanimisht. Prandaj çështja e luftimit me dhunën dhe grupet radikale, të cilët vetëm në dukje janë myslimanë, mund të jetë objekt i diskutimeve dypalëshe. Kuptohet, kjo gjë kërkon disa parakushte, njëri prej të cilëve është mospranimi i grupeve radikale dhe ekstremiste në Shqipëri.

A mendoni se vlen hapja e një ambasade shqiptare në Teheran dhe përse? Cili do të ishte impakti dhe kontributi real i saj sipas jush në raportet mes dy vendeve?

– Që nga koha kur kam qenë prezent në shtetin tuaj të bukur kam qenë i mendimit se prania permanente e përfaqësuesve të Shqipërisë në Teheran mund të ndihmonte në konceptimin dhe njohjen më të mirë të realiteteve politike – si demokracia fetare, ekonomike – si rëndërtimi dhe zhvillimi, e kulturore – si dinamika intensive të progresit shkencor dhe teknologjik në Iran nga ana e udhëheqësve tuaj. S’ka dyshim se hapja e ambasadës do të ndihmonte edhe udhëtimet, edhe shkëmbimet turistike midis dy shteteve. Është një realitet fakti që dy popujt ushqejnë respekt dhe interes të ndërsjelltë dhe në mënyrë reciproke kërkojnë të vizitojnë vendet turistike dhe monumentet e kultit në dy shtetet.

Prej kohësh, pala zyrtare shqiptare ka drejtuar ndaj asaj iraniane kërkesën për njohjen e Kosovës shtet. Si e shihni këtë? Dhe ku bazohet Irani në mosrealizimin e saj. A do të vazhdojë të mbahet ky qëndrim dhe përse.

– Çështja e Kosovës ka aspekte të ndërlikuara politike dhe ndërkombëtare dhe unë mendoj se mënyra më e mirë është arritja e një zgjidhjeje të kënaqshme për të dyja palët, në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare, brenda kornizës së organizmave ndërkombëtare, posaçërisht OKB-së. Po ashtu, mendoj që edhe autoritet kosovare duhet të iniciojnë takime me autoritetet e larta shtetërore në Iran, ku të shpjegojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre.

Aspekti fetar. Baba Mond Brahimaj u vlerësua para pak kohësh nga ish-presidenti amerikan, Barak Obama me një çmim të posaçëm. A shihni pas këtij çmimi një vlerësim për vetë bektazhizmin si të tillë, teksa Shqipëria njihet si qendra botërore e tij? Cilat janë sfidat me të cilat po përballet së fundmi bektazhishmi dhe ku qëndron kontributi i vendit tonë në këtë aspekt?

– Unë prej vitesh nuk jam në Shqipëri dhe kur isha atje kam pasur një bashkëpunim të baraspeshuar dhe ekuilibruar me të gjithë krerët fetarë. Një pjesë e popullsisë së Shqipërisë janë ithtarë të Bektashizmit, i cili hyn në grupet e myslimanëve alevi dhe ky komunitet ka një lidhje të veçantë me dymbëdhjetë imamët, sidomos me Imam Riza (a.s.), mauzoleumi i të cilët ndodhet në qytetin Mashhad në Iran. I respektuari baba Edmond Brahimaj si një lider Bektashian gëzon respektin tim ashtu siç respektohet nga populli i Shqipërisë. Me rëndësi është fakti që grupet (komunitetet) fetare ne shtetin tuaj kanë raporte miqësore me njëra-tjetrën dhe shquhen për një bashkëjetesë të shkëlqyer.

Referuar konfliktit në Siri, cili është qëndrimi i Iranit që u prezantua edhe në takimin e Astanas për zgjidhjen e krizës? Përse besoni se kjo është rruga e duhur dhe ku qëndron në të vërtetë thelbi dhe kontributi i partneritetit me Rusinë lidhur me këtë kauzë?

– Republika Islamike e Iranit gjithnjë ka këmbëngulur dhe këmbëngul në zgjidhjen paqësore përmes negociatave të këtij konflikti dhe në përcaktimin e fatit të shteteve nga vetë popullata e çdo shteti. Në parim, vendimmarrja për një shtet nga jashtë dhe pa iu referuar vetë popullit dhe pa respektuar standardet demokratike nuk jep garanci për stabilitet dhe nuk krijon kushte për progres dhe zhvillim të një shteti. Vendosja e paqes reale në Siri është dëshira e çdo qenie humane, sidomos e myslimanëve dhe unë mendoj që negociatat e Astanasë mund të luajnë rol të rëndësishëm në procesin e vendosjes së paqes në Siri.

Çfarë paraqet presidenca e re amerikane “Trump” për vendin tuaj? Si e shihni atë dhe horizontet e reja që ajo ofron për Iranin si të tillë dhe kontinentin aziatik në tërësinë e tij? Kjo edhe në kuadrin e marrëveshjes bërthamore Iran – 5+1, e cila tashmë e ka vendosur Iranin në një pozicionim të ri kundrejt botës. Cili është parashikimi juaj për të ardhmen e vendit tuaj nën kuadrin e saj?

– Negociatat e Iranit me 5+1 është një nga arritjet më kolosale në historinë e diplomacisë së re, e cila u realizua falë rolit të pazëvendësueshëm të doktor Zarif, ministrit të jashtëm të R.I. të Iranit dhe bashkëpunimit me dy përfaqësueset e lartë të Bashkimit Europian për politikën e jashtme, si dhe z. John Kerry, sekretar i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe tani në përvjetorin e parë të marrëveshjes bërthamore si Irani, ashtu dhe pala tjetër, sidomos zonja Mogerini si përfaqësuese e Europës, ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Kinës dhe Kerry theksuan vazhdimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, në dhjetor 2016 Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore konfirmoi se Irani e ka zbatuar me rrigorozitet marrëveshjen bërthamore. Zoti Trump sapo e ka filluar punën si president dhe duhet parë se çfarë qasjeje praktike do të ndërmarrë në lidhje me të, por padyshim që opinioni i specializuar dhe racional në strukturat shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të këshillojnë presidentin e ri se vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes bërthamore si një marrëveshje ndërkombëtare është në dobi të të gjithëve, madje dhe të SHBA-ve dhe prishja e kësaj loje para së gjithash do të çonte në margjinalizimin e qëndrimit të SHBA-ve në lidhje me programin bërthamor paqësor të Iranit.

 

SHKARKO APP