Tonin Marinaj: Kontratat ime me banorët e Malësisë së Madhe
Intervistë me kandidatin e koalicionit të majtë në Malësi të Madhe, Tonin Marinaj
Kandidati i Partisë Socialiste në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj shprehet se shanset që koalicioni i majtë të fitojë në këtë bashki janë më të mëdha se kurrë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Marinaj rendit i si arsye të suksesit jo vetëm reformat që ka bërë mazhoranca aktuale, por edhe programin me të cilin ai ka hyrë në këtë garë. Ai shprehe se programi i tij është një kontratë që bazohet në zhvillimin e zonës, rritjen ekonomike, investimet në infrastrukturë, transportin publik dhe investime.
Zoti Marinaj, Kopliku është një zonë tradicionalisht e djathtë. Sa shanse keni për të kthyer rezultat?
Në fakt unë nuk e di ku bazoheni në këtë konstatim, pasi që nga viti 2005, ku në këtë zonë janë zhvilluar 3 palë zgjedhje të përgjithshme, në dy prej tyre, 2005 dhe 2013, ato i ka fituar Partia Socialiste dhe koalicioni i saj, vetëm në njërën prej tyre, në vitin 2009 ka fituar PD, edhe në këtë rast, për shkak të mbështetjes nga deputeti Paulin Sterkaj. Pavarësisht kësaj, ndryshe nga zona të tjera, këtu tek ne vlerësohet më shumë personi që kandidon, besueshmëria ndaj tij, gatishmëria për të shërbyer dhe për të qenë në dispozicion të malësorëve, jo vetëm në menaxhimin e punëve publike, por edhe në hallet dhe problemet e tyre. Tek unë, ata më parë por edhe tani, kanë gjetur dhe do gjejnë njeriun, që është vënë dhe do vazhdojë të vihet në shërbim të tyre, me përulësi, respekt dhe pa përtesë. Ju pyesni, sa shanse keni për ta kthyer rezultatin? Përgjigjja ime në këtë rast është, sipas vlerësimeve të stafit tim, se ne kemi shanse jo vetëm të ruajmë rezultatin prej rreth 1,500 votave plus të marra në 2013, por mund edhe ta dyfishojmë këtë avantazh. Ne do i fitojmë këto zgjedhje, tek kjo nuk besoj vetëm unë dhe stafi im, por shumica e malësorëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
A janë ndjerë në elektorat debatet e brendshme të PS-së, kujtojmë që një deputet i Shkodrës është larguar nga grupi parlamentar?
Në vlerësimin tim, por jo vetëm timin, PS është një parti demokratike, e hapur në proces, rritje e zhvillim, kjo në përputhje me kërkesat e kohës. Debati brenda PS është i shëndetshëm dhe nuk ndikon aspak në dobësimin e mbështetjes popullore, por përkundrazi. Sa i përket largimit të deputetit për të cilin ju flisni, ai vetë ka thënë që i përket PS, por në ditët e fundit ai është parë edhe në mbështetje të një kandidati të PS, në një tjetër Bashki të qarkut Shkodër, ku ai ka ndikim më të madh. Unë jam zgjedhur për të kandiduar në emër të PS, i mbështetur nga të gjitha organizatat bazë, me konsensus të plotë dhe pa kontestime. Kështu që nuk shoh arsye, që çfarëdo lloj debati konstruktiv, apo jo, brenda PS, të ndikojë në mbështetjen time nga strukturat dhe njerëzit në PS, aleatët dhe më gjerë.
Cilat mendoni se janë përparësitë tuaja përballë kandidatit të djathtë?
Është disi e vështirë të flasësh për veten, po të pyesësh qytetarët e Malësisë së Madhe, do të rendisin një sërë prej tyre, përpara se të flas unë për veten, do të rendisja mbështetjen e gjerë, pa asnjë rezervë nga të gjitha strukturat e PS dhe të aleancës së saj, mbështetjen e veçantë nga deputeti i zonës z. Paulin Sterkaj, mbështetjen popullore dhe të qytetarëve edhe me bindje të tjera politike. Në aspektin personal, mund të përmendja reputacionin e familjes time, marrëdhëniet shumë njerëzore që im atë, Zef Marinaj, ka patur dhe vazhdon të ketë me malësorët, unë vetë ju jam gjendur me çfarë kam mundur dhe sa herë më kanë kërkuar mbështetje. Kam eksperiencë të gjatë dhe të suksesshme në drejtimin e veprimtarisë private, po ashtu kam patur mundësi të kem eksperiencë të suksesshme në struktura drejtuese të institucioneve publike, kam patur eksperiencë të gjatë politike dhe në marrëdhënie me njerëz, eksperienca që unë mendoj se kanë formësuar tek unë një personalitet drejtuesi të aftë, për të marrë përsipër funksione të rëndësishme, si në këtë rast për kryetar bashkie. Një përparësi tjetër, që mendoj ta përmend është edhe se unë kam një vizion dhe objektiv të rëndësishëm, “ta nxjerr Malësinë e Madhe nga kompleksi i provincës, dhe ta vendos në vendin që meriton, si Bashki e kenun, me respekt për ligjin dhe me dinjitet”.
Si është bashkëpunimi i strukturave të PS me LSI?
Bashkëpunimi është mjaft i mirë, e përmenda edhe më sipër këtë, jo vetëm me këtë subjekt, por me të gjitha subjektet, që janë në këtë koalicion të madh për Shqipërinë Europiane, një tjetër garanci kjo e fitores së pa diskutueshme.
A mendoni se aksionet e qeverisë për dritat, apo luftën ndaj kanabisit, do të ndikojnë në zgjedhje?
Në analizën time, masat apo reformat e ndërmarra nga Qeveria në këto 18 muaj, kanë qenë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së jetesës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve, por edhe të mirë-funksionimit të shtetit. Gjendja kaotike e trashëguar në drejtim të rendit publik, por edhe të menaxhimit të institucioneve dhe parave publike, i ka patur të nevojshme reformat, të cilat edhe mund të perceptohen në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, por qytetarët e Malësisë së Madhe, në shumicën e tyre,mendojnë se këto reforma, pavarësisht ndikimeve të momentit, do të sjellin përmirësime të rëndësishme për jetën dhe sigurinë e tyre, në të ardhmen. Shteti duhet bërë dhe reformat kanë edhe koston e tyre, që duhet konsideruar. Në një plan tjetër, kemi të bëjmë me zgjedhje lokale, ku qytetarët do të zgjedhin personin e duhur, për drejtimin e duhur në Malësi, personin që do të dijë të drejtojë më mirë punët dhe hallet e banorëve. Se kundërshtari politik dhe opozita përpiqen të krijojnë indinjatë morale mbi zgjedhësit, të përfitojnë duke kultivuar pakënaqësi, por e thënë thjeshtë kjo, si do ia bëjë një kryetar bashkie i opozitës, nëse fiton? A mos do u thotë qytetarëve, mos paguani dritat? Dritat duhen paguar dhe shteti duhet bërë. Rendi duhet të vihet e ligji duhet të mbrohet. Se shqiptarët duhet të bëjnë një shtet funksional Evropian, dhe malësorët njëkohësisht, duhet të kenë njeriun më të mirë të mundshëm, në krye të Bashkisë.
Ju si kandidat, çfarë i ofroni banorëve të Malësisë së Madhe me zgjedhjen tuaj?
Kam një program të konsultuar dhe të hartuar me kujdes, të cilin po ua paraqes qytetarëve si një kontratë me ta. Në realizimin e këtij programi, unë do të kem mbështetjen e deputetit, qeverisë socialiste, por edhe për shkak të natyrës sime, do të paraqitem me projektet e mia, kudo ku është e mundshme, që të mbledh fonde për realizimin e tyre.
Me zgjedhjen time si kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, unë do të ofroj sa vijon: Një drejtim me kompetencë, kjo edhe nëpërmjet përfshirjes në administratë të kapaciteteve më të mira drejtuese, tërheqjen në vendimmarrje të qytetarëve, ofrimin e shërbimeve në mënyrë cilësore, në çdo fshat, pavarësisht nga largësia me qendrën. Krijimin e departamentit të zhvillimit të zonës, me objektiva dhe synime konkrete. Mirë-administrimin e burimeve, fondeve dhe pronave të bashkisë. Hartimin e planit urban për të gjithë Malësinë e Madhe, urbanizimin e qytetit të Koplikut, si kryeqendër administrative e Malësisë, dhe i qytezës së Bajzës si qendër kulturore dhe e traditës, përmirësimin dhe rregullimin e të gjitha qendrave dhe rrugëve, që lidhin fshatrat me Koplikun. Zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm, kanalizimeve, pastrimit dhe administrimin e mbetjeve urbane. Në drejtim të arsimit, do të ndërtojmë një shkollë 9 vjeçare në Koplik, do të mirëmbajmë dhe mirëpajisim të gjitha shkollat, do mundësojmë që brenda 4 vjeçarit, të mos bëhet mësim pasdite, dhe klasat të jenë vetëm me 25 – 30 nxënës; do hapim degë profesionale në gjimnaz dhe shkollat e mesme. Mirëmbajtja dhe rikonstruksioni i të gjitha qendrave shëndetësore, që kanë nevojë, gjithashtu do t’i gjendemi qytetarëve pranë për çdo nevojë konkrete shëndetësore. Do të mbështesim zhvillimin e turizmit malor dhe liqenor, për këtë të fundit do të ndërtojmë rrugën në breg të liqenit dhe do të mundësojmë krijimin e 2-3 plazheve, gjireve, bregu liqenit. Do të përmirësojmë sistemin e ujitjes nga 1 748 ha, që ujiten sot, në fund të 4 vjeçarit do të arrijmë në 9 113 ha. Do të ndihmojmë fermerët me strukturën e mbledhjeve dhe shitjen e produkteve, kjo me qëllim që të mos ketë prodhime që mbeten stok. Do të përmirësojmë tregjet, si dhe në zonën e lirë ekonomike, do të mundësojmë punonjës të kualifikuar, përmes kurseve, që do të ngrihen me mbështetjen dhe me fondet e bashkisë. Në drejtim të sporteve, ndër të tjera, do bëjmë të mundur ndërtimin e një stadiumi me standarde të pranuara, kurse në fushën e kulturës, do të ndërtojmë dy qendra kulture në Koplik dhe Bajzë, si dhe do mbështesim zhvillimin e evenimenteve kulturore e të kontribuojmë në drejtim të ruajtjes së traditave. Do të synojmë gjithashtu një ndërhyrje edhe në shërbimin e transportit publik me Shkodrën dhe me pikën kufitare të Hanit të Hotit. Për sa përmenda, kemi programe te mirë-hartuara dhe të mbështetura, premtimet janë serioze, realiste por edhe ambicioze, në funksion të vizionit që kemi.
Intervistoi: Matea Cane