Trashgim Sokolaj: Ndryshimet në Kod, legalizim i pjesshëm i kanabisit
Drejtori i Informacionit në Ora News, Trashëgim Sokolaj ishte i ftuar në studion e RTV Ora për të komentuar ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
E quan vijimsi të politikës që kjo qeveri ka mbajtur që kur erdhi në pushtet duke nisur vite më parë me publikimin e emrave të gjyqtarëve e prokurorëve që sipas ish ministrit të Brendshëm, (atëherë Saimir Tahiri) lironin të inkriminuarit dhe vijoi me atakimin e vendimeve të gjykatave dhe deklarata publike në adresë të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Ky lloj qëndrimi që është mbajtur është pasqyruar në ndryshimet e Kodit Penal” argumenton Sokolaj duke nënvizuar nxitimin që ka kjo qeveri për të votuar këto ndryshimi
“ Synimi ka qenë i qartë. Ky draft ligjor të kalojë me këtë legjislaturë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.“
Nuk është vetëm kaq. Sokolaj argumenton dhe se këto ndryshime tregojnë një besim të tepruar ndaj strukturave të policisë.
Trashëgim Sokolaj për RTV Ora: “Ndryshimet janë voluminoze dhe prekin çdo kapitull të Kodit Penal. Ajo që të bën përshtypje është se përveç procedurës së përshpejtur që është ndjekur është dhe fakti që të gjithë ndryshimet pasqyrojnë shqetësime ose kritika që ministria e Drejtësisë, ministria e Brendshme dhe përfaqësues të maxhorancës i kanë artikuluar gjatë viteve të fundit në formë kritike ndaj punës së prokurorisë dhe gjykatave.
Indirekt këto ndryshime të draftuara nga ministria e Drejtësisë, tregojnë në mënyrë të pajustifikuar një besim të tepruar ndaj strukturave të policisë. Këto ndryshime tregojnë një besim të tepruar tek strukturat e policisë dhe një mungesë totale besimi tek gjykatat dhe prokuroria. Kjo nuk është pozitive.
Sokolaj e detajon dhe ndryshimet për ata që kapen me kanabis.
Trashëgim Sokolaj për RTV Ora: “Aktiviteti kriminal ndër vite ka treguar se i përshtatet ndryshimeve ligjore.
Nëse deri tani dënoheshin për prodhim dhe shitje të gjithe ata persona që u është kapur me shumë se tre gramë hashash në draftin e ri është parashikuar që kjo sasi të shtohet deri në 10 gram, po a është kjo një farë mënyre një legalizimi i kanabisit?
Trashëgim Sokolaj për RTV Ora: Është një lloj legalizimi i pjesshëm. Nëse më përpara në ligj nuk ishte e shkruar, gjykata krijoi një praktikë gjyqësore që nuk procedoheshin penalisht personat që kapeshin me 3 gram. Por keto ndryshime krijojne hapësira për korrupsion në radhët e policisë. Nëse një patrullë policie ndalon një automjet me tre të rinj që kanë 30 gram hashash me vete. Këta tani duhet të bëjnë pakt me njëri tjetrin e të bëjnë deklaratë se secili ka 10 gramë apo duhet të japin rryshfet policëve për të ndryshuar procesverbalin. Shpresoj që ky draft deri në dokumentin përfundimtar këto pika kritike të korigjohen.
Me kritikë sheh dhe ndryshimet ligjore për shpifjen, duke e quajtur cënim të lirisë së shprehjes.