Turku Ahmet: Si e lashë Stambollin për Tiranën
Ahmet Kayhan është 29 vjeç dhe nuk i vjen keq fare që e braktisi Stambollin për Tiranën. Në ‘dritare.net’ turku i Tiranës ndan historinë e tij, përshtypjet që pati në fillim për Shqipërinë, dallimet dhe ngjashmëritë kulturore turke dhe shqiptare, martesën e tij më Ivën që është shqiptare e kulluar dhe mezi po mëson turqisht, por ama zakonet e Turqisë dhe huqet e Ahmetit i di të gjitha. Origjina e Ahmetit është nga Gaziantepi i Turqisë, qyteti i bakllavasë turke.
***
Prej sa vitesh jeton në Tiranë dhe pse vendose të vish në Shqipëri?
Në Tiranë po bëj gati 6 vjet. Kam ardhur në fund të 2010-ës. Në fakt nuk e njihja Shqipërinë. Një shok erdhi në fillim këtu, më foli për këtë shtet dhe kështu erdha pas një oferte për punë të Sallonit Royal.
Kishe dëgjuar më parë për Shqipërinë?
Jo, nuk kisha dëgjuar asnjëherë për Shqipërinë, madje nuk dija as ku ndodhej si vend. Kur erdha më pëlqeu shumë Shqipëria. Në fillim ishte padyshim i vështirë sepse nuk e flisja gjuhën shqipe. Kur dilja për kafe përpiqesha të flisja, dëgjoja biseda. Dhe sa më shumë kafe të pija me shqiptarë, mësoja më shumë gjuhën shqipe. Tashmë kanë kaluan 6 vjet dhe e kuptoj relativisht mirë.
Ke mbaruar ndonjë shkollë profesionale për parukier në Stamboll?
Fillova punë që kur isha 15 vjeç si berber me një usta. Ai më mësoi zanatin që e kam ushtruar në Stamboll përgjatë 10 vjetësh. Përvojë dhe shkollë bashkë. Të pandara, sepse ashtu duhet të shkojnë. Pastaj erdha për punë në Tiranë. Unë i bëj të gjitha, pres, stiloj dhe lyej flokë. Por specialiteti im është boja. Në Stamboll punoja veç me bojën. Boja kërkon përkushtim dhe kohë, kërkon durim dhe shije. Nuk është hidh e përziej, është art.
Më trego 24 orë të një turku?
Zgjohem në mëngjes herët që vij për në punë. Një turk punon 12 orë. Pas punës iki në palestër 1 ose 2 orë ose ka raste që luaj kalçeto me shqiptarët, fle gjumë dhe sërish të nesërmen punë. Kjo është një ditë e zakonshme e imja. Kur kam pushim largohem nga Tirana, kam shumë qejf natyrën, detin, iki në Elbasan ose në Durrës apo Shkodër. Edhe në Stamboll të njëjtën gjë bëja, kur kisha pushim largohesha nga qyteti i zhurmshëm. Natyrën e kam shumë qejf për shembull Malin e Dajtit. Konsumoj çaj në çdo orar, pa dallim nëse jam në shtëpi apo në punë. Sepse ne turqit e pimë shumë çajin turk (çajin e zi) si në verë edhe në dimër. Të të tregoj një rast. Kur ikja në Antalia për pushime, temperatura shënonte 40 gradë dhe unë pija çaj poshtë çadrës. Sepse realisht më relaksonte çaji.
Këtu në sallon ka edhe turq të tjerë. Si jetojnë turqit në Tiranë?
Këtu me mua punojnë pesë turq. Tre turq punojnë me stilimin e flokëve për femrat, ndërsa dy të tjerët për meshkujt. Këta që njoh, por edhe turqit e tjerë që jetojnë këtu, jetojnë në radhë të parë me punën.
Punojnë jashtëzakonisht shumë. Së dyti, është familja. Për ne familja është shumë e rëndësishme. Dy janë gjërat bazë për ne. Pa punë nuk jetohet dhe turqit janë fanatikë. Unë personalisht jam më tolerant për faktin se jam bektashi. Por si bektashinjtë, edhe sunitët, nuk dallojnë shumë, të dy janë myslimanë. Dallimi qëndron tek raporti mes femrës dhe mashkullit. Bektashinjtë e konsiderojnë femrën të barabartë me mashkullin, ndërsa sunitët e shohin femrën më poshtë se mashkulli. Bektashinjtë janë më të hapur, janë më demokratë, jo aq radikalë. Gjithashtu edhe familja ime është më e hapur. Jam përshtatur shumë mirë në Tiranë. Turqit jetojnë në mënyrë të thjeshtë dhe kjo është arsyeja e përshtatjes sime.
Gjatë këtyre 6 viteve në Shqipëri çfarë të ka bërë përshtypje?
Ka një diferencë në kulturën e punës. Turqit janë pak më shumë punëtorë në krahasim me shqiptarët. Këtu njerëzit janë mësuar të rrinë pak më rehat se ne. Pastaj parukierët në Turqi punojnë me një ndihmës, ndërsa këtu një parukier i bën të gjitha. Për shembull, asistenti lan flokët ndërsa parukieri i drejton, kurse këtu parukieri i lan flokët, drejton, bën make up-in etj. Këtu në Royal punojmë me asistentë. Në fillim ishte e vështirë sepse asistentët nuk ishin mësuar me këtë praktikë. Në Stamboll, sallonet e bukurisë kanë një mënyrë të punuari si ustai, asistenti, parukieri. Çdo që nis në fillim është e vështirë, por pasi u njohëm u kuptuan dhe punojmë shumë mirë së bashku. Ajo çka e dallon Tiranën me Stambollin është klima. Në Stamboll bën shumë ftohtë si në dimër dhe në verë, ndërsa këtu e shijon çdo stinë, si dimrin, pranverën, vjeshtën. Fakti që shoh nga ballkoni Malin e Dajtit, kjo më mrekullon në krahasim me Stambollin që shikon vetëm pallate.
Si ndodhi që u martove me një vajzë shqiptare?
Vajzat shqiptare nuk dallojnë shumë nga vajzat turke sepse jetojmë në Ballkan dhe kanë ngjashmëri në kulturë. Me bashkëshorten time u njohëm në Sarandë, në një dasmë. U dashuruam me shikim të parë dhe nuk na u bë fare pengesë gjuha. Kur u tregova prindërve të mi që do martohem me një vajzë shqiptare, në fillim u habitën pastaj e pranuan normalisht. Bashkëshortja ime mësoi në fillim se ç’zakonesh kemi në familje, që respektojmë shumë moshën e madhe, që gjyshit i puthet dora, i mësoi për bukuri, madje kupton turqisht dhe flet pak. Nuk e praktikon shumë për shkak se këtu flasim shqip, por me kësmet, kur do jetojmë në Stamboll, them se do e përmirësojë. Edhe pse kemi gjuhë të ndryshme, unë dhe bashkëshortja kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrit. Sepse të dy flasim gjuhën e dashurisë