Vangjel Tavo: Me këtë opozitë, PS-LSI do qeverisin gjatë
Intervistoi: Qamil Xhani
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, nuk shef diferenca mes ministrave të LSI dhe atyre të PS. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Tavo shprehet se kabineti qeveritar funksion si ekip dhe jo sipas ndarjeve partiake. Lidhur me ndryshimet në qeveri, Tavo shprehet se ky është një atribut i Kryeministrit Edi Rama. Suksesin në zgjedhjet e 21 qershorit, Tavo e lidh me reformat e koalicionit qeverisës dhe me mungesën e alternativave të opozitës. Madje, shton se me këtë opozitë, koalicioni PS-LSI do të qeverisë për një kohë shumë të gjatë.
Zoti Tavo, LSI arriti të marrë rezultatin me surprizues në zgjedhjet vendore. Si i komentoni akuzat e PD që rritja e LSI është me vota të blera?
Së pari, më lejoni të theksoj që zgjedhjet e 21 qershorit u zhvilluan në një klimë mëse normale, me standarde demokratike dhe me një proces votimi dhe numërimi që vërtet mund të konsiderohet i denjë për një vend i cili aspiron të jetë pjesë e BE. Kishte raste sporadike, siç ishte rasti i Vorës, ku fenomeni i presionit dhe blerjes së votës nga ana e opozitës, i la një damkë procesit zgjedhor demokratik në mbarë vendin.
Në lidhje me rezultatin siç e quani ju surprisues të LSI, unë besoj që ky rezultat nuk ishte aspak surprisë por mëse i pritshëm. LSI është një parti dinamike. Ajo progreson dita ditës dhe zgjerohet nga zgjedhjet në zgjedhje. Kjo rritje e paprecedentë në historinë politike të vendit vjen për disa arsye që kanë të bëjnë me filozofinë europiane të LSI-së, vizionin dhe mbështetjen që ka për të rininë, shërbimin ndaj qytetarit, stabilitetin politik që i ka ofruar vendit, zgjidhjet konkrete që ka ofruar në shërbim të qytetarit, dhe në rastin e zgjedhjeve vendore, padyshim, edhe figurat dinjitoze të kandidatëve për kryetarë bashkie. LSI është parti e së ardhmes ndaj askush nuk duhet të surprizohet nga rritja e mbështetësve të saj, pasi ajo vërtet ecën më shpejt, ofron në programin e saj më shumë shërbim dhe punësim dhe gjithmonë gjendet në krah të qytetarit, ndaj edhe fitoret e LSI në çdo zgjedhje, parlamentare apo vendore, do jenë gjithmonë e më të mëdha.
Fitoren e zgjedhjeve e shihni si sukses të reformave të mazhorancës apo dobësi dhe mungesë alternative të opozitës?
Për dy vite mazhoranca qeverisëse ka bërë një punë të shkëlqyer në drejtimin e vendit, në parlamentarizëm, në kryerjen e një sërë reformash tejet të rëndësishme për vendin. Kjo mazhorancë riktheu besimin e shtetit ligjor dhe po bën progres të dukshëm drejt arritjes së standardeve për anëtarësimin në familjen europiane. Sigurisht kjo qasje progresive e mazhorancës qeverisëse u reflektua në votën që shqiptarët i dhanë Aleancës për Shqipërinë Europiane, e cila doli fituese e 75% të bashkive të vendit.
Ky rezultat dëshmon më së miri për punën e mirë të bërë nga maxhoranca por edhe mungesën e alternativave konstruktive nga opozita. Populli shqiptar është një popull i zgjuar. Askush nuk duhet të mendojë që mund të imponohet lehtë. Kur shqiptarët të duan ata të votojnë, në të kundërt të lënë në opozitë. Me 21 qershor shqiptarët votuan për mazhorancën, pasi kanë besim se ajo do e çojë vendin përpara.
A pati probleme koalicioni PS-LSI? Si funksionoi ky koalicion ne Gjirokastër?
PS-LSI përbëjnë boshtin e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ne dolëm me kandidatë të përbashkët, 75% e të cilëve rezultuan fitues dhe do drejtojnë bashkitë më kryesore të vendit duke nisur nga kryeqyteti e deri në skajet më të largëta të Shqipërisë. Unë përjetova një eksperiencë të jashtëzakonshme bashkëpunimi midis PS dhe LSI në Gjirokastër. Pavarësisht se kandidatja e bashkisë, Znj. Zamira Rami ishte e LSI, strukturat e PS punuan me devotshmëri për të siguruar fitoren. Shembulli i bashkëpunimit tonë ishte i jashtëzakonshëm ndaj dhe fituam bindshëm. Siç e përmenda më lartë, qytetarët shqiptarë dinë se si dhe për kë të votojnë, ndaj edhe në rastin e Gjirokastrës votuan për kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Europiane, si alternativa më e mirë dhe përfaqësuesja më e denjë për zhvillimin e kësaj zone gjatë katër viteve të ardhshme. Si deputet i LSI në këtë qark, jam i lumtur që LSI doli forcë e parë politike në rang qarku. Jam i sigurtë që filozofia dhe vlerat europiane që mbart kjo parti dhe gatishmëria e saj për të qenë në shërbim të qytetarit u reflektua në këtë rezultat spektakolar.
Fakti qe LSI nuk fitoi ne Vorë, Pogradec dhe Kukës ishte mungesë e koordinimit te strukturave në bazë, apo ka arsye të tjera?
LSI ka bërë një analizë të thellë në çdo bashki të vendit. Në këtë analizë janë evidentuar si strategjitë fituese ashtu edhe aspektet që kanë nevojë për ndryshim apo reformim. Në të gjithë vendin LSI do përforcojë strukturat e saj. Fitoren e 21 qershorit LSI nuk e sheh me arrogancë por me maturi. Z. Meta është shprehur përpara strukturave se kjo votë duhet të reflektohet në përmirësimin dhe përforcimin e strukturave të LSI-së, në mënyrë që kjo forcë politike të vazhdojë të jetë faktor kryesor i stabilitetit në Shqipëri. Ne kemi nevojë për njerëz të cilët pasqyrojnë ato vlera pozitive që ka LSI-ja, solidaritetin, përkrahjen për njëri-tjetrin dhe për njerëzit në çdo moment.
Pas dy vitesh qeverisje mendoni se ka ardhur koha për ndryshime në qeveri?
Unë besoj që qeveria ka bërë një punë të jashtëzakonshme brenda dy viteve. Ajo ka qenë nismëtare dhe realizuese e një sërë reformash të domosdoshme për vendin. Unë jam deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe mbështes të gjithë punën e bërë nga qeveria “Rama”. Në lidhje me nëse ka ardhur apo jo koha për ndryshime në qeveri, pajtohem plotësisht me kryetarin e LSI dhe njëkohësisht kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Z. Ilir Meta, që kjo çështje është atribut vetëm i Kryeministrit të vendit Z. Rama, i cili ka të drejtën për të vazhduar apo ndryshuar ekipin me të cilin ai qeveris vendin.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS Rama veçoi vetëm 4-5 ministra të PS-së që kanë pasur rezultate pozitive . Pse mungojnë pothuaj gjithmonë emrat e ministrave të LSI-së në analizat e Kryeministrit?
Siç e përmendët në pyetjen tuaj, Z. Rama e ka bërë një koment të tillë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS ndaj kjo nuk ishte analizë e qeverisë, por e Partisë Socialiste. Ministrat e LSI kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në qeverisjen e vendit. Në këto dy vite qeveria nuk ka qenë kurrë e ndarë sipas përkatësive partiake, por ka punuar si një ekip i vetëm duke dhënë më të mirën për ti shërbyer vendit.
Nga kampi i djathtë është spekuluar pas zgjedhjeve se PD nuk vjen në pushtet nëse nuk bën koalicion me LSI. Ka gjasa që ky debat të rikthehet më seriozisht në vitin 2017?
Fatkeqësisht, ka ndodhur gjithmonë në Shqipëri që opozita të merret me spekulime në vend që të bëjë opozitë konstruktive në shërbim të vendit. Termi "të vish në pushtet" nuk i përshtatet një vendi që aspiron të bëhet pjesë e BE, pasi nënkupton të sundosh dhe jo ti shërbesh qytetarëve të tu. LSI është një parti që i shërben qytetarëve dhe koalicioni PS-LSI përbën një mazhorancë solide qeverisëse e cila po i shërben dhe do i shërbejë shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë.