Vasili sulmon analistët: Kanë fantazi te pamatshme

 

Për Petrit Vasilin, nënkryetar i LSI-së dhe kreu i Grupit Parlamentar të saj, koalicioni qeverisës ka vazhdimësi edhe pse mes dy partnerëve kryesorë, PS e LSI, k edhe divergjenca. Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit Çim Peka për SYRI.net, Vasili  i emërton si normale edhe kundërshtitë që partia e tij ka ndonjëherë për veprime të qeverisë.

Nënkryetari i LSI-së, shprehet se, Ilir Meta është në gjendjen e tij më të mirë shëndetësore edhe pse ai ka pësuar një ndryshim të madh fizik. Gjatë intervistës Vasili kujton edhe kohën e bashkëqeverisjes dhe thotë se, secili drejtues ka taktika të ndryshme të drejtimit të shtetit.

MË POSHTË LEXONI TË PLOTË INTERVISTËN E PETRIT VASILI PËR SYRI.net:

“Mendje jo të shëndosha” u shprehët para pak ditësh për gazetarët të cilët po raportojnë mbi përplasjet Rama-Meta. Andi Bushati i konfirmon, Andi Bejtja nuk ju kushton rëndësi, Mero Baze i përgënjeshtron. A mund të kem një përgjigje të Petrit Vasilin si dëshmitar dhe jo si nënkryetar i LSI-së. Dmth një përgjigje të sinqertë jashtë kamuflimeve politike. Çfarë po ndodh me raportet Rama-Meta? Kur janë takuar për herë të fundit?

Jam shprehur qartë për njerëz, që kanë të gjithë të drejtën e tyre të çlirojnë hamendjet dhe fantazitë në kufijtë e pamatshëm që liria të jep, por që janë në këtë rast shumë tutje realitetit. Unë jam njeri i politikës dhe për politikën flas, nuk jam as dëshmitar i fantazive të ngjarjeve të pandodhura, as ushqyes i kërshërive të varfëruara nga vera anormalisht e nxehtë e këtij viti, që me sa duket ka dehidratuar arsyen dhe fantazinë e disa shkruesve e opinionistëve, që në mungesë të lëndës së parë e gjetën më të udhës ta inventojnë atë, por edhe këtu janë përsëri në të drejtën e tyre në përdorimin e lirisë, me të gjithë dimensionin që ajo ofron, por edhe me riskun e bjerrjes se arsyes që lind nga përdorimi i rëndomtë e pa fantazi i saj si dhe ngecjes në luftën e brendshme me komplekset personale të ndonjërit.

Megjithatë askush nuk duhet keqkuptuar, pasi sfidën për të qenë racionalë dhe të ftohtë në arsyetim, jo subjektive dhe të paanshëm janë shumë të paktë ata, që arrijnë ta fitojnë  dhe kësisoj në bulevardin e gjerë mediatik gjenden edhe mjaft nga ata që nuk ecin dot, por ulen në buzë të trotuarit dhe hedhin gurëza, fishkëllima të lodhura dhe belbëzitje epileptike, te dërmuar nga dëshpërimi që ngjarjet nuk ndodhin siç duan ata dhe se si liderë të caktuar në vend të rrënohen e bien, përkundrazi shkëlqejnë dhe ngrihen lart.

Për të qene konkret, raportet mes LSI dhe PS, sepse besoj është korrekte të flasim për raportet mes dy forcave politike bashkëpërgjegjëse kryesore për qeverisjen e vendit, se sa për raporte të personalizuara, janë raporte bashkëpunimi politik të sendërtuar me një marrëveshje politike të lindur në 1 prill (2013 , shënim i redaksisë) e ku në atë hulli ecën edhe aktualisht duke kaluar suksesshëm dy sprova elektorale në 2013 dhe 2015. Besoj qe ky raport politik institucional dhe rezultatet e prodhuara prej tij shterojnë këtu hamendjet dhe supozimet me të cilat nxehtësisht u mbush vera mediatike e sivjetme. As nuk kam pasur asnjë interes të di se kur takohen, darkojnë apo flasin ne telefon dy njerëz të politikës dhe ky lloj kurioziteti nuk ka qenë ndonjëherë ai që mbush jetën time apo që konturon arsyetimin tim politik pasi mendoj se një marrëdhënie nëse funksionon dhe është e vërtetë, mund të zhvillohet edhe pa këto tradicionalizma takimesh shpesh formale dhe pse jo hipokrite

A keni kontestime për qeverisjen, ne raste se po kush janë ato? Çfarë ka bërë keq qeveria “Rama”? A do të ketë ndryshime në qeveri dhe a mendoni se ju ka ardhur radha të bëheni ministër sërish?

Nuk besoj se kontestimi është termi i duhur në këtë rast. Natyrshëm që kemi ide të ndryshme në raste të caktuara dhe është normale të jetë kështu pasi kemi identitete politike të ndryshme dhe procesi i një qeverisjeje, që mëton të jetë e suksesshme e ka të pashmangshëm debatin qoftë ky edhe i fortë pasi do te ishte një provë përgjegjshmërie  dhe jo e kundërta. Do të vazhdojmë edhe në ardhmen të jemi shumë të vëmendshëm dhe kërkues në drejtim të rritjes se kualitetit të qeverisjes pasi vetëm kjo sjell rritje të besimit të publikut tek qeverisja dhe rezultatet e qëllimet e mira të saj. Ekonomia për shembull kërkon përgjigje sa më të prekshme dhe të shpejta dhe natyrshëm ne jemi të vëmendshëm dhe shumë aktivë lidhur me qëndrimet strategjike që duhen ndërmarrë lidhur me këtë kryeçështje te qeverisjes. Sa i përket aparatit qeveritar Edi Rama ka tagrin kushtetues dhe politik të drejtojë qeverinë dhe të siguroje efikasitetin maksimal të saj si dhe ai vetë të vlerësohet e monitorohet politikisht për këtë. Po kështu është pjesë e detyrës së tij të vlerësojë punën e ministrave e të propozojë ndryshime nëse atij i duhet kjo gjë. Edhe këtu jam i keqardhur që nuk jap dot asnjë kontribut për fabulat hamendësore mediatike për të ardhmen e përbërjes së qeverisë.

Në aspektin e korrektësisë se koalicioneve, kush ka qenë më korrekt në bashkëqeverisjen me ju, Sali Berisha kryeministër apo Edi Rama kryeministër?

Një filozof i shquar ka thënë që “çdo krahasim çalon” ndaj duke i besuar fort kësaj sentence nuk e quaj të udhës të bej krahasime. Diferenca e vetme qëndron në faktin se për thuajse tre vite unë kam qenë ministër në qeverinë që drejtohej nga Berisha dhe sigurisht jam shumë i qartë për mënyrën e drejtimit të tij, ndërkohë që me Edi Ramën raporti i bashkëpunimit është i një natyre krejt tjetër. Sigurisht e përbashkëta është që në të dy këto koalicione luajaliteti dhe korrektesa e LSI-së kanë qenë të njëjta dhe inspiruesi i një modeli të tillë bashkëpunimi pa thika nën mëngë dhe pa fjalë pas shpine ka qenë Ilir Meta. Sa i takon të tjerëve mendoj se gjykuesi me gjakftohte dhe objektiv është opinion publik i cili nuk mungon të bëjë vlerësime dhe të nxjerrë konkluzione për këdo dhe për çdo veprim.

Ju personalisht do të donit të ishit ministri i Sali Berishës apo i Edi Ramës? Pasi Ilir Metës nuk besoj se do ti vijë radha të drejtojë qeveri.

Përtej sensit provokativ elegant të pyetjes tuaj eksperienca si ministër më ka mësuar që themelore është korrektesa maksimale dhe ndershmëria në kryerjen e një funksioni tepër të rëndësishëm shtetëror dhe mbi të gjitha përmbushja e pritshmërive të publikut në sektorin shtetëror që të është ngarkuar të drejtosh, besoj që cili është kryeministri nuk është problemi më i rëndësishëm, pasi askush në qeverisje nuk ka një raport të personalizuar me qeverisjen, por raporti është me përmbushjen e detyrës dhe krijimit të një klime besimi sa më pozitive me njerëzit për tu dhënë atyre shpresë dhe optimizëm se problemet e shumta të akumuluara mund të zgjidhen.

Keni qenë nënkryetar i Lulzim Bashës në Bashki. A mendoni se do të jeni ndonjëherë në koalicion sërish me PD-në? Nga selia blu tashmë të gjithë e përjashtojnë për veç Fahri Balliut që duket se i mungon një “Metë blu”?

Eksperienca në bashkinë e Tiranës është pa dyshim një eksperiencë e vyer politike dhe njerëzore që ndihmon mjaft për të njohur gjithmonë e më shumë problematikat e larmishme dhe shpesh shume delikate e të dhimbshme që njerëzit kanë. Kjo ka qenë edhe një sprove bashkëpunimi politik në atë kohë me PD-në të cilës unë dhe kolegët e tjerë të LSI-së në bashkinë e Tiranës i kemi qëndruar me korrektesë dhe luajalitet politik ashtu siç është edhe vija e sjelljes së natyrshme të LSI-së. Më pas unë dhashë dorëheqjen për arsye të impenjimeve politike si zv/.kryetar i LSI, ndërsa kolegët e tjerë me pas, PD i largoi masivisht nga bashkia e Tiranës duke treguar një dimension shumë larg të qenit luajal dhe respektues për meritokracinë, megjithatë unë e kam mirëkuptuar sjelljen arkaike dhe të egër të PD-së në atë kohë pasi nuk është e lehtë që të jesh gjakftohtë dhe luajal në politike, këto ishin dimensione të vështira për PD. Unë kam mbështetur edhe publikisht qëndrimet dhe deklaratat e kolegut tim dhe liderit të demokratëve në parlament z. Paloka për këtë çështje dhe vazhdoj ti mbetem këtij qëndrimi.

A keni frikë nga një koalicion PS-PD? A po ju shantazhon Edi Rama duke heshtur për një takim me Fatos Nanon?

Natyrshëm kjo pyetje në tërësinë e saj ka pak ose aspak të bëjë me LSI. Frika jonë e vetme është që të mos zhgënjejmë besimin e elektoratit, i cili na ka besuar votën e tij si dhe përgjegjësinë politike për ta përfaqësuar gjerësisht në politiken shqiptare dhe kjo është një përgjegjësi shumë e madhe dhe e rëndësishme. Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me PS-në dhe i qëndrojmë konstruktivisht dhe korrektësisht asaj. Kjo  është mënyra e zgjedhur nga ne për të bërë politikë. Çdo hamendje e juaja nuk është as pjesë as e diskursit dhe as e arsyetimit e veprimit tonë politik. Gjithashtu unë s’mund të behëm pjese e juaja, që nëpërmjet pyetjes që bëni, me komentet e mija të kontribuoj në prishjen e pushimeve serioze te z. Nano.

Së fundi, unë kam kohë pa kontaktuar me kryetarin tuaj Meta. Është abuzuar me shëndetin e tij. Si është Ilir Meta me shëndet? E ka dobësuar “dieta e qeverisjes” me Edi Ramën apo kjo humbje peshe është zgjedhja e tij?

Mbase kjo është pyetja me komode për arsye se profesioni ma lejon. Ilir Meta në 25 vitet e fundit nuk ka përjetuar moment më të mire shëndetësor se ky aktuali. Të qenit në majat e politikës shqiptare dhe ndryshimi fizik pozitiv i dukshëm i tij, natyrshëm që do tërhiqte vëmendjen e opinionit dhe këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Do t’jua sugjeroja edhe mjaft miqve të mi ta ndiqnin këtë shembull nëse duan të jetojnë gjatë dhe shëndetshëm.

SHKARKO APP