Vasili: Vizita e Ramës në Preshevë, pozitive

Në gjykimin tuaj, vizita e kryeministrit Rama i përmirësoi, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit apo i la aty ku ishin?

Ky është një diskutim shumë delikat. Metri i përdorur për matjen e përmirësimit është një metër i cili ka elementë subjektivë dhe objektivë brenda tij. Shpesh ne notojmë në ujërat e subjektivizmit. Por, ajo pjesë që mbetet objektive, ishte një një gjë e duhur në kohën e duhur. Vizita ishte shumë mirë që u krye. Do të ishte një dështim i të gjithë hapjes së marrëdhënieve, por edhe mënyrës sesi dy vendet i qasen Evropës, nëse për arsye të ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen e famshme të futbollit do të shënonin ndërprerje të procesit dhe komunikimit. Do të ishte një “casus belli” për të mos komunikuar më. Çështja do të ishte dramatike. Në këtë mënyrë është ç’dramatizuar situata. Kemi hyrë në hullinë e komunikimit politik e diplomatik me gjithë vështirësitë që ky dialog ka, sepse kjo fqinjësi e jona ka shënuar ditët e saj me diell dhe ditët e saj gri. Të tilla ditë kemi pasur edhe me fqinjin tonë, Greqinë. Pra, Ballkani vetë është një gadishull jo fortë i lehtë për t’i administruar marrëdhëniet me njëri-tjetrin, por është e rëndësishme që kjo ndodh dhe krijohet një vijimësi në komunikimin në mënyrë të veçantë me shqiptarët në Luginën e Preshevës. Them vijimësi sepse vetëm pak vite më parë në vitin 2010, kur zëvendëskryeministri Meta vizitoi Luginën e Preshevës. Ishte vizita e parë e një zëvendëskryeministri shqiptar. Tani edhe kryeministri shkon atje. Jemi në rrafshin e krijimit të një vazhdimësie të komunikimit dhe bashkatdhetarët tanë atje, që ndihen tashmë shumë të qetë që dheu mëmë është Shqipëria. Megjithëse vizita u zhvillua në një sfond problematik, kjo gjithsesi nuk bëri që të ishim në planin që të mos kryhej kjo vizitë në Preshevë, pasi kjo do të ishte një notë negative, por edhe ajo u krye. Dhe në tërësinë e saj, vizita ishte pozitive, konservoi gjithçka ç’është arritur, pra nuk humbëm terren nga ajo që është arritur, sepse kanë një histori komunikimi marrëdhëniet me Serbinë. Ne kemi arritur të komunikojmë në vitet e vështira, ku menjëherë pas luftës u rihap ambasada ne Beograd. Ishte viti pas bombardimeve. Pra, u kalua një ngërç shumë i madh në atë kohë. Kujtojmë këtu, për rastësi një koleg i partisë sime, z. Haxhinasto ka qenë ambasadori i parë pas luftës. Pra, u rivendos një komunikim diplomatik dhe politik i rëndësishëm. Dhe kjo vizitë kishte rëndësi të madhe, sepse në fund të fundit nuk lejoi një rrënim të marrëdhënieve, por konservoi dhe sigurisht rihapi dialogun. Do të ishte e çuditshme që dialogu të ishte ‘vaj’, do të ishte ngritur në nivelet e hipokrizisë, por, edhe përplasja brenda dialogut tregon që përplasemi që të arrijmë të gjejmë ekuilibrat e përbashkët. Nuk do toja ta dramatizoja që në takime të ketë edhe debat. Kështu që mendoj se ishte një ngjarje pozitive.

Kur z. Rama u pyet sot nga gazetarët në konferencën për shtyp në lidhje me kthimin e vizitës që mund të na bëjë homologu i tij serb, ai u shpreh se shpresonte që të ndodhte sigurisht jo pas 68 vitesh, por pas 1 viti. E para, a besoni se kjo do të ndodhë? E dyta, nëse kjo ndodh, atëherë do të kishte një tjetër domethënie për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi?

Besoj që Vuçiç të vijë në Tiranë është shumë më normale. Unë e shikoj këtë në një fiziologji diplomatike normale tanimë, sepse u hodhën disa tema të mëdha, u diskutuan me dhe pa emocionalitet dhe është një kohë e tërë që gjakftohtësia bën rrugën e saj për një mijë mekanizma të tjera diplomatike, ndërkohë ka vizita të tjera. Mund të ketë një samit ku mund të ketë një pjesëmarrje tjetër në Beograd. Rifillon një komunikim intensiv dhe unë nuk e shikoj aspak të jashtëzakonshme vizitën e Vuçiç në Tiranë në raport me këtë që ndodhi. Pra, besoj që nuk do jetë një ngjarje e padëgjuar dhe do jetë një vizitë akoma më frytdhënëse, sepse në fund të fundit dihet që ambienti shqiptar nuk është i ngarkuar me paragjykime. Në fund të fundit ambienti serb, për një mijë arsye historike-politike-diplomatike, edhe të kompozimit politik që ekziston atje, ka ngarkesat e veta. Dhe besoj që një vizitë në Tiranë do të ishte në një klimë më të qetë, me të paqtë për të folur për politikën.

Z. Vasili, gjatë këtyre ditëve kemi pasqyruar shumë reagimet brenda hapësirës shqiptare dhe reagimet në Beograd, por kemi folur pak për reagimet ndërkombëtare. A keni ndonjë informacion se si është pritur nga ndërkombëtarët kjo vizitë? Duke iu referuar këtu edhe tek fokusimi i medias së huaj tek përplasja gjatë konferencës për shtyp…

Të biem dakord që e gjithë media vuan nga të njëjtat vokacione ndërkombëtarisht. Por le të mos fokusohemi tek kjo gjë sepse media në fund të fundit do të promovojë atë që tërheq vëmendjen më të madhe dhe është korrekte në këtë punë. Megjithatë, ka kaluar ky moment i nxehtë, përderisa Bashkimi Europian foli me nota shumë pozitive. Pra, institucionet flasin. Sigurisht Bashkimi Europian është shumatore e shumë opinioneve, nuk është një opinionin i shkëputur që vjen nga një njeri i shkëputur. Pra, në tërësinë e vet, Europa e konsideroi pozitive vizitën dhe një veprim të drejtë. Evitimi i vizitës sigurisht do të kishte qenë e kundërta dhe ç’dramatizoi dhe të ashtuquajturin ‘shkëmbim batutash’. Fjalët incident dhe provokim për mua janë dy fjalë absolutisht të tepruara, janë shkëmbime normale batutash, qoftë atë çfarë Rama tha, qoftë atë çfarë Vuçiç tha dhe çfarë Rama tha përsëri. Në fund të fundit jemi në planin e një diskutimi, të ndodhur pas një karikimi disa javor emocional të jashtëzakonshëm ku nacionalizmat shpërthyen aq sa nuk janë edhe në të vërtetë. Ka pasur njerëz që u bënë më nacionalistë seç janë. Pse jo në fund të fundit ishte edhe një mundësi për ta shprehur këtë gjë dhe besoj që pas kësaj sa herë do të ketë takime të tjera nuk do të ketë më arsye dhe dëshirë që t’i kthehen sepse do figurojë një gjë e kërkuar dhe e stisur.

Po përsa i përket darkës së përbashkët, a u ç’tensionuan pak gjakrat?

Edhe sarka është prova e madhe që politika e dy vendeve të cilat kanë një raport të ri me Evropën, kanë të dyja statusin e vendit kandidat, është e ndryshme. Ne i referohemi realitetit të 68 viteve më parë ndërkohë që ajo nuk ka qenë Serbi por Jugosllavi. Tito ishte President i 6 republikave. Pra realiteti ka qenë i ndryshëm nga ky i sotmi. Ajo ka qenë një Shqipëri nën diktaturën e proletariatit, jo pluraliste. Pra, të gjithë kanë ndryshuar dhe kështu duhet të ndryshojë edhe gjuha e komunikimit dhe ajo politika. Kështu që historia në këtë çështje nuk përsërit veten. Gjithmonë ka gjëra që ngjasojnë por ndërtohen në një kontekst krejt të ri. Kështu që të dyja vendet e kanë zgjedhur orientimin e tyre, Evropën. Edhe sjelljet e tyre në një farë mënyre ecin në këto standarde që quhen standarde evropiane. Në të kundërt do të ishin vende të papranuara në një kontekst evropian, i cili është shumë konservativ në drejtim të mënyrës së të menduarit, sjelljes politike dhe ndërtimit të shtetit dhe të marrëdhënies mes tyre.

Marrë nga “News 24”

 

SHKARKO APP