Vendimi për negociatat, Calavera: Shansi në duar të politikës shqiptare

Intervista e Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Fqinjësinë dhe Negociatat për Ballkanin Perëndimor në “Ora News” 

 

Shqipëria është ylli i ditës për Ballkanin Perëndimor.

Sot, sigurisht, ne në këtë zyrë jemi shumë të lumtur për lajmin e mirë që kemi për Shqipërinë, sepse është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian ka rekomanduar që të hapja e negociatatve të anëtarësimit për Shqipërinë të vihet në tryezën e diskutimeve të vendeve anëtare. Dhe sigurisht për ne në këtë zyrë që jemi përgjegjës për Ballkanin Perëndimor është një ditë gëzimi dhe feste në këtë moment historik kur po ecim përpara në agjendën tonë të përbashkët për t’iu afruar Bashkimit Evropian.

Siç u tha edhe nga Komisioneri Hahn rekomandimi është me kusht, varet nga progresi konkret dhe i prekshëm në zbatimin e reformës së gjyqësorit dhe në veçanti ligjit të vetingut. Cilat janë saktësisht pritshmëritë tuaja?

Mendoj se përbën një mesazh shumë të rëndësishëm dhe jam shumë e lumtur që ma bëni këtë pyetje sepse sigurisht tashmë është tepër e rëndësishme të punohet në mënyrë intensive për zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Kjo sepse ky proces është i rëndësishëm për të nisur rrënjosjen e shtetit ligjor në vend dhe kjo është dhe ajo që presin vetë shqiptarët. Por gjithashtu edhe sepse një gjë e tillë do të na mundësojë të vazhdojmë përparimin drejt marrjes së vendimit për përcaktimin e një date për çeljen e negociatave.Dhe ky kusht lidhet realisht me tre aspekte:Sigurisht, ne tani po e shohim Shqipërinë të përgatisë gjithë paketën e ligjeve që janë të nevojshme për të shoqëruar aspektet ligjore të reformës së drejtësisë. Pastaj do të shohim konkretisht institucionet e nevojshme që do ta shoqërojnë këtë proces vetingu. Por në fund, ajo që duam të shohim janë rezultatet e prekshme. Ne duam të shohim që gjyqësori të reformohet konkretisht. Pra, këto janë kushtet që kemi. Ne duam ta shohim atë proces të lëvizë nga legjislativi, te ngritja e institucioneve dhe deri te nisja e procesit konkret të vetingut të gjyqtarëve në Shqipëri.

Ju lutem, më lejoni të jem më e drejtpërdrejtë. Zbatimi i ligjit të vetingut është kusht për rekomandimin apo një kusht per se për hapjen e negociatave?

Është një kusht per se nga pikëpamja se lidhet me një aspekt shumë të rëndësishëm të reformës së drejtësisë dhe ne themi se reforma e drejtësisë nuk duhet të mbetet thjesht në letër, por duhet zbatuar vërtet dhe kjo sepse qytetarët e duan dhe kanë nevojë për këtë dhe unë mendoj se do të jetë vërtet një reformë historike për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. Prandaj, ne po kërkojmë të mbështesim autoritetet dhe institucionet shqiptare që të sigurohemi se reforma është e suksesshme.

Pra, me zbatimin ju nënkuptoni prova të sakta dhe konkrete që sistemi është ndërtuar dhe institucionet po tregojnë rezultate, sepse kjo do të kërkonte të paktën dy vjet.

Mendoj se ky proces do të kërkoj mundësisht të paktën dy vjet sepse është një proces shumë i rëndësishëm dhe duhet kryer në mënyrë shumë të besueshme. Ne nuk po themi se komisioni do të presë derisa të vlerësohet edhe gjyqtari i fundit, por po themi se duam të kemi precedentë të besueshëm që procesi po funksionon si duhet dhe po shkon në drejtimin e duhur.

Pra, ju duhet e njëjta klimë konsensuale politike që Shqipëria pati për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, çka nuk po ndodh aktualisht me ligjin e vetingut dhe ligjin për institucionet që partia kryesore e opozitës ka deklaruar se do të sfidojë Gjykatën Kushtetuese.

Faleminderit për pyetjen. Së pari, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka të drejtën të shqyrtojë kushtetutshmërinë e këtij ligji dhe ne po presim që të bëhet shqyrtimi, dhe po presim opinionin e Komisionit të Venecias për këtë. Por ndërkohë po përgatisim terrenin së bashku me autoritetet për t’u siguruar që të mos humbasim kohë të çmuar, sepse koha është shumë e rëndësishme për të vazhduar progresin. Dua të përmend deklaratën që kemi nxjerrë, të hënën isha në Parlamentin Evropian në kuadrin e komisionit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, pati diskutime pikërisht mbi këtë temë dhe dua t’ju them se kam përcjellë një mesazh vlerësimi për atë që ka bërë Qeveria e cila ka ndjekur fuqimisht agjendën e reformave në këtë fushë për Shqipërinë, por edhe për opozitën, sepse kjo është një reformë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe me sa kuptojmë edhe ata e kanë dashur dhe kanë qenë të angazhuar me këtë reformë. Ky është një sistem politik shumëpartiak, ndaj sigurisht parti të ndryshme politike kanë mendime të ndryshme se si duhen bërë gjërat, por në të vërtetë kemi pasur shumë sukses për arritjen e konsensusit të duhur. Fakti që kushtetuta u ndryshua me unanimitet nga parlamenti juaj është vërtet lajm i mirë dhe fakti që me gjithë vështirësitë në nivel teknik dhe politik ka pasur konsensus të përgjithshëm që reforma duhet të vazhdojë edhe pse për momentin përshembull ne kemi një sfidë kushtetuese. Jam e bindur se e rëndësishme është që ne t’i japim procesit kapacitetin për të ecur përpara dhe që të kemi parlamentin shqiptar në qendër të këtij diskutimi qoftë në komisionet parlamentare teknik apo dhe në seancë plenare që të shtyjnë përpara reformën dhe ne, në nivelin tonë, jo vetëm Bashkimi Evropian por edhe partnerët tanë në këtë reformë, administrata e Shteteve të Bashkuara, të mund të japim të gjithë ndihmën e nevojshme.

Axhenda vendore në Shqipëri është fokusuar kryesisht te akuzat e Partisë Demokratike për trafikun e drogës dhe përpjekjet e qeverisë dhe forcave të policisë kundër kanabisit dhe trafikut të drogave të tjera. Jeni të kënaqur me nivelin e përpjekjeve të qeverisë në luftën kundër trafikut të drogave?

Është e vërtetë se lufta kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës është një shqetësim i madh, por është një shqetësim global, një problem që kërkon një përfshirje shumë intensive të autoriteteve në të gjitha nivelet dhe sigurisht edhe e të gjithë qytetarëve në të gjitha nivelet. Jemi të lumtur me faktin se ka pasur shumë bashkëpunim mes Guardia di Finanza në Itali dhe autoriteteve në Shqipëri në të gjitha vëzhgimet ajrore që janë bërë për të mundësuar shkatërrimin e të mbjellave e identifikuara dhe kemi qenë ekstremisht efektivë jo vetëm për një bashkëpunim mjaft të ngushtë por dhe me rezultate tepër konkrete, por në të njëjtë kohë është po aq e vërtetë se puna nuk mbaron këtu. Ka shumë punë për të bërë dhe shumë fusha për t’u përmirësuar. Ekziston nevoja për bashkëpunim më të mirë mes agjencive të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë, sepse në fund ne duam t’i shohim kriminelët pas hekurave dhe gjithë asetet që ata kanë gjeneruar në mënyrë të paligjshme të konfiskohen. Dhe kjo është një fushë ku duam të shohim më shumë progres.

Si ka performuar Shqipëria me pesë përparësitë si vend dhe ku qëndron krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Nëse sot jemi kaq të lumtur që patëm mundësinë të propozojmë rekomandimin është sepse Shqipëria që prej vitit 2014 kur nisi përafrimi me Bashkimin Evropian me statusin kandidat ka bërë progres të qëndrueshëm për këto pesë përparësi kyçe, por jo vetëm. Megjithatë, është e vërtetë që kjo nuk mjafton, progresi duhet të vazhdojë, duhet të konsolidohet, duhet përforcuar dhe duhet të ecim në të njëjtin drejtim pozitiv. Ne po shohim një prirje pozitive dhe duam që ajo të vazhdoje të ecë përpara. Ajo çka është e rëndësishme për mua si përgjegjëse e Ballkanit Perëndimor është se nuk e konsideroj si konkurs bukurie, të gjithë duan të dinë kush është më e bukur, të gjitha janë të bukura, por janë të ndryshme. E rëndësishme është që ju po bëni progres dhe që po përmbushni nevojat legjitime të qytetarëve shqiptarë dhe kjo është e rëndësishme tani për tani. Unë shoh se ju po ecni në drejtimin e duhur dhe kjo nuk është e mirë vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Çdo vend i rajonit që ecën përpara në drejtimin e duhur ndihmon vendet e tjera në rajon dhe kjo krijon një efekt pozitiv, prandaj sa herë shohim progres në Shqipëri ne jemi të lumtur, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin.

Pyetja e fundit, cilat janë shanset që rekomandimi të kthehet në vendim nga Këshilli i Ministrave në dhjetor?

Mendoj se kjo është një nga ato pyetje që unë do të doja t’ia ktheja politikanëve, partive politike dhe Kuvendit të Shqipërisë. Ky shans është në duart tuaja. Kemi para nesh një moment historik, nëse kryhet reforma e drejtësisë ky është një shans historik që Shqipëria duhet ta konsolidojë shtetin ligjor dhe t’u japë shpresë qytetarëve sot dhe brezave të ardhshme. Mendoj se jemi në një moment kur kemi një mundësi të prekshme para nesh dhe Komisioni Evropian do ta mbështesë plotësisht Shqipërinë me asistencën dhe ekspertizën tonë, për t’u siguruar që të mos e humbim atë moment historik, përkundrazi ta bëjmë këtë mundësi historike që të realizohet sa më shpejt dhe unë jam shumë e lumtur që kemi kaq shumë kapital politik të investuar në këtë fushë, por sidomos që kemi kaq shumë qytetarë në Shqipëri që e kërkojnë reformën dhe kjo është garancia më e mirë dhe unë dua t’i falënderoj qytetarët e Shqipërisë që kanë qenë kaq të sinqertë, sepse kjo është garancia më e mirë që gjithë partitë politike dhe Kuvendi i Shqipërisë do ta marrin këtë reformë seriozisht.

SHKARKO APP