“Vetëvendosje”: Nuk do ta heqim bllokadën në Kuvend
Kryetari i Lëvizjes "Vetëvendosje" në Kosovë, Visar Ymeri, flet për DW, se pse opozita këmbëngul që ta bllokojë punën në Kuvend dhe ç'masa të tjera do të përdorë për të mos lejuar krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
***
Zoti Ymeri, kemi parë këto javët e fundit bllokim të kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës, bllokadë që u manifestua edhe me skena të dhunshme, deri në përdorimin e gazitlotsjellës. Kërkesa juaj është tërheqja e nënshkrimit nga ana e qeverisë nga dy marrëveshje, ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Deri në çfarë pike jeni në gjendje të shkoni që mos të lejoni jetësimin e këtyre marrëveshjeve?
Ne do ta vazhdojmë protestën tonë në sallën e kuvendit atë që po e bëjmë tash e disa javë, dhe po ashtu do të vazhdojmë me protestat e qytetarëve edhe në rrugë në mënyrë që këto dy marrëveshje të mos zbatohen në territorin dhe institucionet e Republikës së Kosovës, sepse, këto marrëveshje e cungojnë një pjesë të territorit dhe e rikonfigurojnë për së brendshmi Republikën e Kosovës në aspektin territorial dhe institucional, duke e dërguar atë drejt një federalizimi, i cili do të jetë përmbysje e karakterit unitar të Kosovës dhe përmbysje e parimit universal të barazisë së qytetarëve para ligjit. Si të tilla këto marrëveshje janë të papranueshme për ne, sepse e shndërrojnë Kosovën në një Bosnje të dytë dhe kjo jo vetëm që e defunksionalizon shtetin, por edhe e prapakthen Kosovën si shtet të pavarur.
Koalicioni qeverisës thotë se zhurma që po bënëopozita nuk ka të bëjë me marrëveshjet, por qëllim kanë marrjen e pushtetit. Sa janë të qëndrueshme këto deklarime të partive në pushtet.
Ne këto protesta po i bëjmë me një kërkesë të qartë e ajo është që të tërhiqen marrëveshjet. Nëse qeveria e refuzon një gjë të tillë, atëherë qeveria duhet të dorëhiqet, sepse qeveria nuk mundet në të njëjtën kohë të jetë qeveri e Republikës, ndërsa, në të njëjtën kohë t'i akomodojë interesat e Serbisë brenda Kosovës. Çfarëdo ndërhyrjeje e Serbisë brenda Kosovës është në kundërshtim me parimet e ekzistimit të shtetit të Kosovës dhe në anën tjetër është në kundërshtim edhe me interesat e qytetarëve. Pse po e them këtë? Sepse ndërhyrjet e Serbisë përmes bashkësisë së komunave ku ajo do ta ketë edhe peshën politike përmes financave dhe peshën ndërkombëtare, sepse është garant i marrëveshjes, do ta rëndojë Kosovën politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin social. Pra, as shqiptarët e Kosovës e as serbët e Kosovës nuk do të mund të jetojnë më mirë për shkak të ndërhyrjeve që po i bën Serbia, sepse qëllimi i saj përfundimtar është që ta defunksionalizojë Kosovën në mënyrë që të jetë më lehtë e kontrollueshme nga Serbia. Një Kosovë që kontrollohet nga Serbia nuk mund të jetë e mirë për qytetarët e vet. Në këtë kuadër siç e thash edhe më herët, ndërhyrja e Serbisë e rëndon dhe e falimenton Republikën e Kosovës. Një qeveri e mirë e Republikës së Kosovës do të duhej të ishte një qeveri, që nuk i pranon marrëveshjet e tilla, mirëpo, kjo qeveri në mënyrën më absurde të saj po insiston që këto marrëveshje të zbatohen dhe gjithë duke akuzuar opozitën që po duan të marrin pushtetin përmes protestës. Ne e kemi thënë se protesta jonë është në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve. Le të tërhiqet qeveria nga marrëveshjet dhe protesta përfundon.
E përmendet që nëse nuk tërhiqen marrëveshjet duhet të dorëhiqet qeveria. Si e mendoni dorëheqjen e qeverisë, që të ketë pastaj riformatim të saj në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit, apo të shkohet në zgjedhje të reja?
Dorëheqja e qeverisë do t'i hapte rrugë zgjedhjeve dhe zgjedhjet do ta përcaktonin se kush do ta qeverisë vendin. Në kushtet kur i kemi këto marrëveshje që po na rrinë si shpatë mbi kokë, nuk ka kushte për riformatim të qeverisë, sepse ky koalicion qeverisës e ka rrënuar Kosovën për së brendshmi dhe kulmin e këtij rrënimi po ja vendos me këto marrëveshje dhe tash një koalicion i tillë qeverisës nuk mund të sillet sikurse nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë, aq më tepër kur këta janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar në vend. Pra, qeveria po refuzon të jetë qeveri e Republikës dhe për këtë ajo nuk duhet të jetë aty. Nëse qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet, atëherë ajo do të detyrohet të tërhiqet përmes vullnetit të qytetarëve.
Zoti Ymeri, partitë në pushtet i mbështesin këto marrëveshje. Në mbështetje të tyre janë deklaruar të gjitha vendet perëndimore. A nuk mendoni se opozita është pak në numër për të kundërshtuar të gjithë këtë përkrahje që u jepet këtyre marrëveshjeve?
Një marrëveshje që të jetë e zbatueshme duhet të përkrahet nga populli. Ne si tri parti politike opozitare e kemi organizuar një peticion, ku më shumë se 200 mijë qytetar deri tash kanë nënshkruar në kundër këtyre marrëveshjeve, pra është e qartë se këto marrëveshje nuk përkrahen nga populli i Kosovës. Koalicioni qeverisës i përkrah, por, jam i bindur se anëtarësia edhe e këtyre partive nuk i përkrah këto marrëveshje. Pra janë një rreth i ngushtë njerëzish, që janë të korruptuar dhe për shkak të korrupsionit janë të shantazhuar, të cilët po i mbështesin dhe përkrahin këto marrëveshje. Ndërsa, sa i përket përkrahjes që e përmendet ju nga ambasadat e huaja në Kosovë, mendoj se këtu e kemi një situatë ku faji kryesor është te qeveria e Republikës së Kosovës. Në momentin kur qeveria po e nënshkruan një marrëveshje, atëherë, ambasadat e huaja po dalin në përkrahje të asaj marrëveshje, mirëpo, po të mos e përkrahte qeveria një marrëveshje, atëherë jam i bindur që as ambasadat nuk do ta përkrahnin. Një gjë duhet të thuhet troç dhe qartë, këto marrëveshje janë të rrezikshme dhe të dëmshme edhe për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, pra askush nuk po e do një Bosnje të dytë në rajon. Prandaj është koha që të gjithë ata që duan të mirën Kosovës dhe kanë kujdes për Kosovën, ta kuptojnë se të gjithë këto mekanizma që i kemi përdorur deri tash që kanë qenë kryesisht për plotësimin e kërkesave të Serbisë, ta kuptojnë se këto janë mekanizma të dëmshme për vendin dhe nuk dërgojnë drejt një stabiliteti dhe paqeje në rajon.
Zoti Ymeri, po shihet se ka dy qëndrime të ngurta, një nga pozita në mbështetje të marrëveshjeve dhe një nga opozita kundër marrëveshjeve. Keni menduar këto ditë për ndonjë zgjidhje të mesme, ndonjë kompromis apo diçka të tillë?
Së pari duhet t'i kuptojmë të dy qëndrimet, sepse çfarëdo analizë që e përjashton kontekstin politik, mendoj se është analizë e gabuar, sepse nuk i analizon të gjithë faktorët që kanë ndikuar për një qëndrim të tillë. Qëndrimi ynë është që ta mbrojmë Republikën dhe t'i pamundësojmë Serbisë ndërhyrjen në Kosovë që e kishte ilegale deri dje dhe tash po i formalizohet me bashkësinë e komunave serbe apo "Zajednicën", dëshiron t'i instrumentalizojë serbët e Kosovës në mënyrë që t'i përdorë ata për qëllime të vetat politike. Pra ne duam ta ndalim këtë ndërhyrje të Serbisë në Kosovë. Kosova është shpallur shtet i pavarur në vitin 2008 dhe brenda territorit të Kosovës nuk mund të ketë institucione të tjera përveç atyre të Republikës së Kosovës, ndërsa deri tash kemi institucione të Serbisë, të cilat qeverisin drejtpërdrejt nga Serbia në Kosovë dhe në përpjekjen tonë për ta ndalur Serbinë dhe përpjekjen e saj hegjemoniste në Kosovë, ne e kemi qeverinë e Kosovës, e cila është vendosur në një pozicion të lehtësimit të kësaj ndërhyrjeje në vend që edhe ajo të jetë me ne në kundërshtim të kësaj ndërhyrjeje. Pra nuk i kemi dy pozicione të ngurta. E kemi pozicionin mbrojtës të republikës që vjen nga opozita dhe qytetarët e Republikës dhe e kemi pozicionin e nënshtruar të qeverisë, e cila e bën këtë për përfitime personale dhe vazhdim të jetës në pushtet e kështu me radhë. Pra, ky është problemi kryesor, që po e shkakton këtë situatë krize në institucionet e Kosovës, e cila dorën në zemër, është reflektim i një krize afatgjatë për qytetarët e Kosovës. Prandaj mendoj se zgjidhja është reflektimi i qeverisë karshi këtyre marrëveshjeve të cilat po e dëmtojnë Republikën e Kosovës. Qeveria mund të thotë se këto marrëveshje janë të pazbatueshme, sepse kam reagim të qytetarëve. Kaq e thjeshtë është, por qeveria nuk po do ta bëjë këtë.
Zoti Ymeri e përmendet çelësin, i cili gjendet në duar të qeverisë, mirëpo, sa ndiheni ju përgjegjës për situatën e krijuar, nëse kemi parasysh faktin që në kuvend pamë skena dhune dhe potencialisht ajo dhunë mund të bartet edhe në rrugë?
Ne si deputetë, si opozitë e bashkuar, kemi vepruar karshi një situate të jashtzakonshmshme, që e ka krijuar qeveria. Ju e dini që qeveria e Kosovës karshi këtyre marrëveshjeve e ka shpërfillur kuvendin e Republikës, pra ka marrë vendime vet pa e pyetur fare kuvendin e lere më t'ia lerë në dorë kuvendit, kur dihet se kuvendi është organi më i lartë legjislativ që duhet të vendosë, pra kemi një situatë që qeveria i ka uzurpuar kompetencat dhe të drejtat që nuk i takojnë. Pra protesta jonë përveç se në mbrojtje të Republikës është edhe në mbrojtje të kuvendit dhe dinjitetit të kuvendit. Ne nuk do ta ndalim protestën tonë, sepse mendojmë se themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë i dhunshëm. Në njërën anë do të jetë shpërblim apo legalizim i një të kaluare shumë të dhunshme të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Mos të harrojmë se këto struktura janë përgjegjëse për vrasjen e shumë shqiptarëve, policëve të Kosovës, plagosjen e policëve ndërkombëtar dhe ushtarëve të KFOR-it, përfshirë edhe ata gjermanë.
Sa mendoni se situata e tensionuar politike në Kosovë mund të dëmtojë integrimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian. Jemi para nënshkrimit të MSA, vendimit për liberalizimin e vizave dhe shumë procese tjera?
Kushdo që e shikon Kosovën me thjerrëzat e një sistemi demokratik, në të cilin natyrisht se ka përplasje mes koncepteve të ndryshme politike, mendoj se më shumë sesa ta ndryshojë imazhin për atë se çfarë është Kosova, do të shohin se ku është problemi në këtë vend që ka një lloj mospajtueshmërie ndërmjet pozitës dhe opozitës. Pra kjo është mënyrë sesi kuptohen gjërat. E di që veprimet tona në kuvend kanë pasur një jehonë nëpër mediet ndërkombëtare dhe mendoj se kjo në një far mënyre e ka ridimensionalizuar këtë protestën tonë karshi bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Natyrisht asnjë njeri që nuk është dashakeq, që është neutral karshi asaj se çfarë po ndodh në Kosovë, nuk e ka mendimin e parë në kokë me ta parë atë situatë në kuvend se këta opozita qenkan të këqij dhe pozita qenkan të mirë ose anasjelltas. Pra një person neutral do të shpenzonte më shumë kohë që ta kuptojë se ku është problemi, sepse, askush nga ne nuk është në një gjendje të tillë që të hedh gaz lotsjellës për dëshirë, natyrisht se këto nuk janë veprime që ne i kemi ëndërruar apo dëshiruar. Këto janë veprime që ne jemi detyruar që t'i ndërmarrim, sepse, përndryshe do të zbatoheshin këto marrëveshje. Pra unë mendoj se edhe pse kjo mund ta ketë një lloj ndikimi në imazhin e Kosovës, mendoj se kushdo që do ta kuptoj se çfarë po ndodh në Kosovë, do ta kuptojë edhe arsyen e protestës që e bën opozita në këtë rast. Mendoj se themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe "Zajednicës", nëse themelohet, do të jetë një pengesë më e madhe, këtu nuk po flas për imazh, por do të jetë pengesë praktike dhe faktike.
DWelle