Viktor Tushaj: AKBN nxit investimet në fushën e hidrokarbureve

Shqipëria është një ndër vendet e pasura me burime natyrore dhe për Viktor Tushaj, kreu i ri i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, sfidë është hartimi i politikave efikase të zhvillimit të tyre. Në një intervistë për ATSH-në, Tushaj thotë se AKBN ka një mision shumë të rëndësishëm që fillon me promovimin e këtyre burimeve natyrore, e më tej ndjek hap pas hapi zhvillimin, licensimin dhe rritjen e efikasitetit të shfrytëzimit të tyre apo prodhimit.

***

Z. Tushaj, a ka interes për zhvillimin e burimeve natyrore shqiptare ?

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është një ndër institucionet më të rëndësishme që ka Shqipëria, sepse unë vazhdoj të jem e bindur në atë që ka më të rëndësishme një komb, që janë kapitalet njerëzore dhe burimet natyrore. E parë nga ky këndvështrim, AKBN ka një mision shumë të rëndësishëm që fillon me promovimin e këtyre burimeve natyrore, zhvillimin, licensimin dhe rritjen e efikasitetit të shfrytëzimit të tyre apo të prodhimit.

AKBN monitoron burimet natyrore të Shqipërisë të ndarë në katër sektorë, në sektorin hidrokarbur, minerar, metalor dhe jo metalor, në hidroenergjitikë dhe në energji të rinovueshme.

Padyshim që rëndësia më e madhe edhe për shkak të përfitimit që ka shteti shqiptar dhe publiku janë hidrokarburet, ku edhe për shkak të një historie jo të vogël mbi 200 vjeçare, sepse burimet natyrore kanë filluar të studiohen që në vitin 1800 për të filluar më pas edhe shfrytëzimin e puseve të naftës apo lidhjen e kontratave mirëfilli në këtë fushë. Përfitimi i shtetit në këtë fushë është i madh, një ndër burimet kryesore të zhvillimit ekonomik në Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë që sektorët e tjerë nuk kanë rëndësi, por i parë nga ky këndvështrim misioni i AKBN-së për promovimin, zhvillimin, për rritjen e efiçencës së shfrytëzimit të këtyre burimeve natyrore mbetet primar.

Që në krye të kohës që jam në krye të këtij institucioni jam përpjekur të studioj se kush janë hapësirat për të rritur mundësinë e promovimit të këtyre burimeve natyrore, në të gjitha fushat, por në mënyrë të veçantë në fushën e hidrokarbureve.

Ka shumë blloqe, zona për të cilat mund të intensifikohet bashkëpunimi me institucionet e ndryshme ndërkombëtare për shkak edhe të një fuqie jo të vogël që duhet financiare, ekonomike e teknologjike për të bërë kërkimet e duhura dhe për të bërë shfrytëzimin e këtyre burimeve natyrore. Por është me interes të shtoj se po kaq i rëndësishëm është edhe monitorimi i të gjitha procedurave me ato kompani që sot i shfrytëzojnë këto burime natyrore në Shqipëri.

Industria hidrokarbure duke qenë një ndër industritë më fitimprurëse sot në botë ka patur vëmendjen e shtetit shqiptar, për të lidhur marrëveshje të cilat nuk krijojnë ekuivioke apo konflikte. Hartimi i këtyre kontratave bën të mundur që burimi natyror të shfrytëzohet, publiku dhe shteti shqiptar të ketë përfitimin përmes rentës minerare, tvsh-së e tatim-fitimit, ashtu si edhe kompanitë përmes marrëveshjeve hidrokarbure të rregulluara.

Duke mos patur një informacion apo studim kërkimor të mirëfilltë, jo të gjitha blloqet kanë të njëjtën rëndësi. Për ato blloqe që ka informacion se ka burim lënde të parë janë disa kompani të cilat janë të interesuara. Disa kompani të njohura italiane, apo edhe suedeze me eksperiencë shumëvjeçare në këtë sektor janë në tratativa me AKBN-në për të lidhur marrëveshje, për të filluar procesin e kërkimit, zhvillimit dhe pastaj shfrytëzimit.

Z. Tushaj, AKBN i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit, a jeni ju në ‘luftë’ me Bankers ?

Historia me kompaninë Bankers është një histori që i ka fillimet e veta që në lidhjen e marrëveshjes së parë hidrokarbure me kompani të tjera që pastaj me blerjen nga Bankers morën emrin e saj.
Marrëdhënia me industrinë e naftës është një marrëdhënie delikate, ku shteti ka gjithnjë interesin e rritjes së investimeve hidrokarbure, pasi shfrytëzimi i puseve të naftës ka të bëjë me nivelin e investimeve. Nuk është si në investimet e tjera, pasi prodhimi i naftës varet nga intensifikimi i vazhdueshëm i investimeve në këto fusha.

Nuk është siç mund të jetë në fushën minerare, ku pasi të jetë hapur një pus minerar dihet e gjithë sasia e minerarit që mund të nxjerrësh. Në fushën e hidrokarbureve nuk është e tillë, pasi duhet kryer gjithnjë investim për të mbajtur shfrytëzimin e pusit në të njëjtin nivel sasie.

Dhe kjo është arsyeja e asaj që unë quaj delikate në marrëdhënien me industrinë hidrokarbure. Në fakt, industria hidrokarbure jo gjithmonë ka qenë korrekte me shtetin. Pa dyshim, kjo industri është e interesuar të rrisë sa më shumë volumin e investimeve apo siç e quajmë në gjuhën teknike, kostove të rikuperueshme për të ulur sa më shumë pjesën e tatim-fitimit, pasi këto industri paguajnë rentën minerare TVSH-në dhe tatim-fitimin. Por në momentin kur ata realizojnë fitim, paguajnë tatim-fitim në masën 50 % .

Pas rritjes së eksperiencës në AKBN, të fillimit të kuptimit të mënyrës se si do të funksionojë raporti, AKBN ka bërë auditime të herë pas hershme në këtë industri në mënyrë të veçantë te kompania Bankers, që është kompania më e madhe që ushtron veprimtarinë e saj në shfrytëzimin e në prodhimin e naftës.

Auditimi i bërë në vitin 2011, që është edhe ndër të parat nxori disa probleme e adresoi disa gjetje të cilat në gjuhën teknike u quajtën kosto të parikuperueshme gjë që kompania Bankers i kishte llogaritur si kosto të rikuperueshme për të balancuar bilancin e tyre të të ardhurave dhe shpenzimeve.

AKBN gjithnjë ka kërkuar edhe pas disa tratativave edhe me kompaninë Bankers të përmirësojë raportin e saj me shtetin shqiptar, duke mos futur kosto të rikuperueshme ato kosto që nuk janë të rikuperueshme, si dhe të ndjekë disa procedura që përcaktohen qartë në marrëveshjen e hidrokarbureve, që do të thotë, shpenzimet që kalojnë një limit duhet t’i nënshtrohen një tenderimi, konkurimi, procedure konkurruese gjë që kompania nuk e ka bërë.

Pas daljes së këtij raporti auditimi, kompania Bankers nuk ishte dakord dhe kërkoi të çojë çështjen në arbitrazh. Pas një negociimi u ra dakord që të pajtohej një ekip ekspertësh. Tashmë siç dihet raporti përfundimtar nuk ishte në favorin e qeverisë shqiptare dhe pas shumë diskutimesh që pala shqiptare ka bërë me avokaturën e shtetit, ministrinë, drejtoritë e linjës, por edhe ministrin dhe me avokatët që kanë mbrojtur çështjen në panelin e ekspertëve, pas shqyrtimit të të gjithë atyre elementëve e gjetjeve, pas edhe vlerësimit të të gjithë këtij raporti që ekziston mes gjetjeve e vendimit të panelit të ekspertëve, ne tashmë kemi marrë vendimin që çështjen ta çojmë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Pa dyshim ne duhet të vlerësojmë mirë se kush janë pritshmëritë e këtij ankimimi, pasi paneli i ekspertëve vendosën, sipas gjykimit tonë, njëanshmërisht për kompaninë Bankers në disfavor të shtetit shqiptar. Ne jemi të sigurtë se tashmë avokatura e shtetit me studion avkatore që do të angazhojë për mbrojtjen e palës shqiptare si dhe raportit të auditimit do të kërkojë të specifikohen ata elementë të cilët duhet që Gjykata e Arbitrazhit t’i marrë parasysh.

Janë disa gjetje, disa elementë që do të jenë në bazë dhe kryesor, ku studio avokatore do të ndërtojë strategjinë e saj, por duhet të theksoj se ne nuk jemi në luftë me kompanin Bankers.

Ne jemi të interesuar që me Bankers edhe me ndryshimin e strategjisë ku së fundmi është blerë nga Geo-Jade, një kompani shtetërore kineze, për të cilën ne jemi të bindur se do të rrisë në mënyre drastike investimet në këtë fushë.

Ne jemi të interesuar të rrisim investimet, të normalizojmë çdo marrëdhënie me kompaninë Bankers. Por duke iu nënshtruar ligjit shqiptar e marrëveshjes së hartuar për të rregulluar këtë marrëdhënie, por edhe licencë-marrëveshjen. Kështu që gjithë interesimi ynë është për të normalizuar këtë marrëdhënie, për të realizuar interesat e shtetit shqiptar dhe publikut që kompania të zhvillojë aktivitetin e saj në mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, por të paguajë edhe detyrimet palës shqiptare.

Z.Tushaj, a do të ulet renta minerare, ashtu siç premtoi ministri Gjiknuri në fillim të vitit ?

Po bëhen të gjitha përpjekjet për uljen e rentës minerare. Ende nuk ka një draft përfundimtar për uljen e rentës minerare. Edhe vet kompanitë që operojnë në këtë fushë po hartojnë një startegji.

Ne jemi në kontakt e bashkëbisedime dge me ministrinë pikërisht për të realizuar më të mirën e mundshme me qëllim që edhe kompanitë mos të penalizohen, por edhe shteti shqiptar të realizojë objektivat e veta.

Së fundmi, ka një rritje të vogël të çmimit të naftës gjë që i jep një energji pozitive gjithë kësaj industrie që të vazhdojë kërkimin, shfrytëzimin e prodhimin. Një ndër industritë më të fuqishme në botë, Shell po vazhdon kërkimin tek blloku 2 dhe 3 dhe është shumë e interesuar për lidhjen e një kontrate të re tek blloku 4 dhe në harkun e pak ditëve do të finalizojmë lidhjen e marrëveshjes në fushën kërkimore. Po i intensifikojmë marrëdhëniet edhe me kompani të tjera që kanë shfaqur interes. Interes i shtetit shqiptar është të rishikojë e moderojë për çdo gjë që ka të bëjë me nxitjen e investimeve në fushën e hidrokarbureve.

Si po zhvillohet energjia e rinovueshme ?

Ne jemi të interesuar ti promovojmë këto burime natyrore, sepse Shqipëria ka avantazh të madh për ndërtimin e paneleve diellore, duke qenë një vend me shumë ditë me diell, mbi 2 00 ditë me diell në vit. Ky është një favor dhe një nxitje nëse do të dimë ti promovojmë si duhet këto burime. Ka një ngërç lidhur me pronësinë e tokës, gjë që e pengon zhvillimin. Por, me qartësimin e strategjive të qeverisë në fushën e pronësisë dhe nxitjes së këtyre projekteve do të ketë interes të jashtëzakonshëm.

Ne duhet të fillojmë po ashtu, punën për ndërtimin e një strategjie të re në bashkëpunim edhe me ministrinë. Aktualisht nëse në sektorët e tjerë janë të qarta kompetencat e AKBN-së, në rolin e saj si një agjenci kombëtare që promovon, monitoron, etj. Duhet pak më tepër vëmendje drejt këtij sektori, sepse Shqipëria është një vend që ka burimet natyrore për të realizuar projekte të energjive të rinovueshme, sepse është një vend që ka intensitet e vazhdimësi ere.
Edhe biomasa po merr vëmendjen e duhur, duke qenë se është një sektor që nuk është zhvilluar sa duhet. Po punojmë për hartimin e strategjisë për zhvillimin e këtij sektori deri në vitin 2030, në funksion të gjithë asaj strategjie botërore që ka për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Mos zhvillimi i këtyre industrive vjen edhe për shkak se Shqipëria ka disa kuota dhe ne i realizojmë këto falë hidrocentraleve që në fund të fundit janë natyror. Por realizimi i këtyre kuotave nuk do të thotë që të mos zhvillojmë edhe burimin e energjive të rinovueshem siç janë panelet diellore, me ere biomasa. Diversifikimi i portofolit të burimeve të energjisë do të ulte kostot.

A ka një monitorim të HEC-eve në vend ?

HEC-et janë vazhdimisht nën monitorim. Janë rreth 564 HEC-e në 183 kontrata, ku 117 janë në shfrytëzim, prodhojnë energji dhe e hedhin në rrjet. 43 janë në ndërtim dhe 364 akoma nuk kanë nisur investimin e tyre. Ne po kërkojmë ti nxisim të gjitha, sepse detyra jonë është jo vetëm oponenca teknike e studimeve të fizibilitetit e projekteve të zbatimit, por edhe monitorimi i këtyre HEC-eve deri në përfundimin e kontratës së investimit të ndërtimit, por edhe monitorimi i gjithë shfrytëzimit pas vënies së tyre në shfrytëzim për shkak të taksës së ata i paguajnë shtetit shqiptar dhe ne i monitorojmë. Interesi ynë është vënia në punë edhe e këtyre 364 HEC-eve, pasi janë ndihmesë e jashtëzakonshme për industrinë hidroenergjitike.

Z. Tushaj a do të ketë anullim të vendimit për 2 HEC-et në Valbonë ?

Unë jam i mendimit të shikojmë mirë impaktin që HEC-et kanë në mjedis dhe turizëm. Zakonisht HEC-et me derivacion nuk kanë një impakt të madh mjedisor, sepse digat janë të vogla dhe nuk krijojnë impakt pasi nuk kanë basene të cilat sjellin përmbytje e krijojnë raporte të tjera me mjedisin. HEC-et të vogla të cilët shfrytëzojnë këto burime ujore me diga të vogla pa ndikim të madh në mjedis e turizëm. Pastaj duhet të gjykojmë mire mes përfitimit që realizojmë dhe impaktit minimal në mjedis. Dhe duke parë HEC-e të tilla që fillojnë në zona të mbrojtura por përfundojnë jashtë tyre duhet të përcaktojmë një raport.

Pa dyshim, lumi i Shalës e i Valbonës kanë një vlerë të papërsëritshme turistike. Këto kontrata janë lidhur në vitin 2009. Është gjykuar se përfitimi i të ardhura është më i mëdha se sa impakti në mjedis. Duhet parë nëse prishja e këtyre kontratave krijon probleme për shtetin shqiptar, pra nëse do të ketë konseguenca financiare që i paguan publiku shqiptar. Pikërisht, kjo është edhe arsyeja që duhet të shikojmë me shumë seriozitet vlerësimin e studimeve të fizibilitetit kur propozohen si zona për tu shfrytëzuar dhe pastaj edhe projektet e zbatimit me qëllim që të mos kemi pasoja dhe pendesa.Po ashtu duhet të ndiqen të gjithë hapat e duhur, nisur nga konsultimi i banorëve.

Nëse sot publiku i zonave atje nuk do të ishte ankuar ato HEC-e do të vijonin ndërtimin normalisht. Kjo do të thotë se sa i rëndësishëm është konsultimi e diskutimi me publikun për të sqaruar kush janë përfitimet dhe pasojat e këtij investimi. Nëse bëjmë një investim ku publiku nuk konsultohet, informohet për përfitimet që ka përballemi me disa pasoja ku prishja e kontratave të njëanshme do të sjellë kosto që bien edhe mbi vetë ata.

SHKARKO APP