Virion Graçi, zërat e dramës së pagojë të një fati njerëzor

 

Çmimi i madh kombëtar për veprën më të mirë letrare për vitin 2014, iu dha shkrimtarit Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”, për rrëfimin me shumë zëra të dramës së pagojë të një fati njerëzor, duke shfaqur njëkohësisht peripecitë e një populli të tërë. "Stina e hijeve", një projekt që do të kthehet edhe në një ngjarje teatrore, me regji të Armand Borës

Intervistoi: Violeta Murati

Keni marrë çmimin e madh të letërsisë; dhënë nga "shteti", mendohet garanci në seriozitetin e autorit dhe cilësinë artistike të veprës. Për ju është vlerësimi i parë më i lartë, ndërkohë që shpesh i keni trajtuar me ironi vlerësimet. Mund të kemi një përgjigje nga ju, përveç ndjesisë, çfarë prisni në ditët pas këtij çmimi?

Garancinë dhe autoritetin një çmimi nuk ia jep fakti se jepet nga institucionet shtetërore të kulturës apo nga institucione të tjera, por nga lista e emrave fitues në kohë e në vite, e ballafaquar me klasifikimin e pagabueshëm që bën juria KOHË-LEXUES. Është i pari vlerësim që më jepet nga Ministria e Kulturës, por vlerësime po kaq të larta unë quaj lexuesit, botuesit dinjitozë, me të cilët kam bashkëpunuar brenda e jashtë vendit, shkrimet kritike që nuk kanë munguar për veprat e mia. Vlerësimet i kam trajtuar me ironi, veçanërisht me autoironi në ligjërimin privat, shoqëror dhe do të vazhdoj ta bëj me ndershmëri edhe në të ardhmen, për ta zbutur sadopak grandomaninë, maninë e persekutimit apo narcizmin, të cilat në gradë të ndryshme na kapin jo rrallë. Sa i përket ligjërimit publik dhe atij shkencor, si studiues i letërsisë që jam, besoj se më dallon dashuria, respekti dhe përkushtimi për veprat dhe autorët me vlera të mirëfillta letraro-estetike.

Në ditët pas këtij çmimi, pavarësisht çmimit, unë po pres një rilindje të bukur të romanit në skenën e Metropol Teatër, me artistët e talentuar Armand Bora, Rozi Kostani, Feliks Bilani… romani vetë, pa rënë ende në sytë e kritikës, e kish gjetur rrugën për te lexuesi mjaftueshëm, kënaqshëm.
Romani i vlerësuar është Stina e hijeve. A mendoni se në krijimtarinë tuaj, ky është romani që prisnit realisht vlerësimin, apo e meritonit në raport me nivelin krahasues të kolegëve?

Nuk i mendoj çmimet letrare si mposhtje kolegësh, nuk mund të ketë një klasifikim sportiv me i pari, i dyti, i gjashti. Letërsinë e quaj bashkëprani dhe kur vendos ta botoj një vepër, mendoj se është në garë me bibliotekat e pasura të çdo lexuesi të kultivuar; e mendoj librin tim në garë, në bashkëprani, jo vetëm me 10-15 autorë shqiptarë, por me gjërat më të mira që janë krijuar e do të krijohen/botohen në vijimësi.
Është e natyrshme pyetja, ç'vend zë ky roman në krijimtarinë tuaj, si lindën ideja, nxitja për shkrimin e tij?

Jam i sigurt vetëm për faktin se ky është romani i shtatë i botuar prej meje. Të tjerat do të kem mundësi t’i gjykoj më vonë, nëse mbaroj si shkrimtar duke qenë gjallë si njeri. Ideja, nxitja erdhën nga një fakt i vërtetë, një prind fierak kish sjellë në veturën e tij si pasagjer të zakonshëm në ndenjësen e pasme vajzën, që i kish vdekur në Greqi…
Ka një metafizikë të panatyrshme ky roman në narracionin e tij, rrallë ndodh që abstragimi të këtë marrëdhënie mes reales dhe fantazisë. A mund të na thoni çfarë ajri, oksigjeni është parakusht për një shkrimtar si ky rast për ta krijuar rrëfimin e tjetrit?

Mjafton ndjeshmëria e duhur për fatin e çdo njeriu si të ishte vetja jote në tjetër fat; mjafton fabula e duhur dhe këndshikimi optimal. Dhe gjatë rishikimit të punës duhen shtuar tri masa akull mbi zemër.
Pse kjo ngjarje, pse një marrëdhënie kaq e ndërlikuar ajo e një raporti dashurie jo të natyrshme?

Nuk ka asgjë të panatyrshme pasi personazhet, të deheroizuar, por jo të depersonalizuar i rrëfehen njëri-tjetrit, nuk janë në raporte dashurie por në përkujtim të jetëve të tyre të parealizuara. Nuk kemi të bëjmë me një ngjarje, por me një tërësi ngjarjesh që shpresoj se japin një mozaik të pasur të përditshmërisë sonë.
Në ç’kontekst lexon hija e shkrimtarit? Ndoshta njohja, rinjohja, misteri, errësira – pse vazhdon kjo ide obskure në koshiencë? 

Natyrisht nuk kemi të bëjmë me një rrjedhë psikike të autorit dhe të jetës së tij të njimendtë, aq më pak me paqartësi të pavetëdijes. Janë personazhet ata që duke iu hapur shoku-shokut e nxjerrin veten dhe unin e tyre nga errësira e jetës së mëvetshme në dritat e skenës së madhe të jetës shoqërore.
Sikurse përmendët, pritet që kapitulli i dytë i romanit të vihet së shpejti në skenë me regji të Armand Borës. Ç'është kjo marrëdhënie me teatrin, si lindi kjo ide, dhe a jeni ne dijeni si do ta trajtojnë tekstin tuaj?

Ishte ideja, konceptimi dhe frymëzimi artistik-regjisorial i Armandit, unë u ndjeva i befasuar për mirë dhe do t’i përcjell me kërshëri hapat e realizimit deri në fund. Jashtë kësaj zgjedhjeje të A. Borës në punën time gati 15 vjeçare si ligjërues në universitet kam pasur privilegjin të merrem me pikërisht letërsinë antike greke dhe me estetikën…
Ekziston mendësia ndër botues se autorët shqiptare nuk janë të shitshëm, në fakt këtë ide, në ironi, na e përforcojnë posterat në panaire ku rrallë fokusohen romancierë shqiptarë, e sidomos pas '90-ës…

Nuk besoj se është e vërtetë absolute kjo e pashitshmërisë… Ka autorë shqiptarë që gëzojnë vëmendjen e lexuesit, ka që admirohen, ka të tjerë që nuk e gëzojnë, ose janë pak të lexueshëm, por nuk mund të themi një “jo” të prerë për të gjithë. Këtë “Jo” kategorike mund ta përdorin disa botues që ndërtojnë marrëdhënie nënshtrimi, madje marrëdhënie depersonalizimi të autorit në marrëdhëniet private për të shmangur një herë e mirë detyrimet e natyrshme ndaj shkrimtarit dhe punës së tij. Sa u përket posterave varet nga mundësitë financiare dhe mendësitë e botuesit i cili, në çdo rast shkon pas prirjes së publikut-turmë. Kam parë postera shkrimtarësh shqiptarë në stacione autobusësh, në dyert e ndërtesave të ndryshme publike, e kjo më duket një bezdi vizuale në dëm të çdo qytetari, e mbase, në dëm të vetë shkrimtarit që ekspozohet ngado si me qenë këngëtar diskosh ose boksier i peshave të rënda.

Për lehtësi shprehie e studimi mund t’i ndajmë shkrimtarët në para e mbas viteve nëntëdhjetë, por vetëm kaq, secili në fatin e tij. Megjithatë ka disa specifika: brezi para nesh e kish gati lexuesin, kureshtinë, pritshmërinë e një lexuesi të mirë që po i lexonte e i donte prej vitesh. Natyrisht botuesit, si producentë, si ndërmarrje ekonomiko-kulturore drejt tyre do të orientoheshin e do të investonin pasi fitimi, suksesi ishte gati i sigurt me ata. Marrëdhëniet e mia me botuesit kanë qenë dhe janë tepër të mira, korrekte, thuajse të përzemërta dhe me ata me të cilët nuk bashkëpunoj më. Për tetë librat e mi kam pasur me radhë katër botues. Kemi qenë pa përvojë sa i përket kulturës juridiko-ekonomike, por edukata njerëzore, mirësjellja e natyrshme na ka ndihmuar t’i kapërcejmë të papriturat e pakëndshme të ekonomisë së tregut pa mëri, pa dyshime të ndërsjella, pa grindje.

Si është marrëdhënia juaj me botuesit? A jua shesin librat? Cili libër ka pasur tirazhin më të lartë në shifra?

Librat e mi i shesin, përndryshe pse do t’i botonin??! Ma kanë dashur suksesin, jo si interes  i tyre shifror por në radhë të parë si dashamirës shpirtërorë të letërsisë shqipe. Secili libër ka pasur fatin e tij dhe jam më se i kënaqur. Shifra nuk jap pasi shumë gjëra kanë ndodhur në kohët e informalitetit financiar e tani na vijnë rrotull të tjera rregulla, ligje. Ajo që më gëzon është fakti se dhe botimet e mia të para kërkohen ende e pëlqehen, ndërkohë që lexuesit më janë shtuar në mënyrë progresive.

Ka kohë që na sillni vetëm romane. Çfarë ka ndodhur me poezinë te ju?

Po, po bëhen 20 vjet që po sjell vetëm romane dhe romanet i konceptoj si vend-strehimet e vetme, të sigurta të asaj poezi që mund të shkruaj unë. Botuesit e mi të fundit dhe miqtë e mi të jetës e të fillimeve letrare gati më lusin t’i botoj në një libër poezitë që më kanë ngelur. Besoj se, një ditë do të ketë dritë botimi dhe për ato, pavarësisht posterave të munguar të autorit.

MAPO

SHKARKO APP