Vlahutin: Reforma në drejtësi, emergjencë kombëtare
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, në një intervistë ekskluzive për JavaNews, flet qartë e në mënyrë të drejtpërdrejtë për disa nga çështjet më të ndjeshme në vend, që lidhen me zbatimin e ligjit për “Demkriminalizmin”, nevojën urgjente për miratimin e Reformës në Drejtësi, nevojën për dialog politik për të hedhur pas të shkuarën, etj. Ajo nënvizon se nuk është normale “që njerëz të përfshirë në veprimtari kriminale, tani apo në të kaluarën, të kërkojnë poste publike”. Lidhur me Reformën në Drejtësi, ambasadorja e BE-së në Tiranë shprehet për JavaNews.al se nuk mund ta besojë se anëtarët e Parlamentit, pavarësisht përkatësive politike, do ta refuzonin me ndërgjegje miratimin e një reforme që për Shqipërinë do të thotë një pikë historike në marrëdhëniet me BE-në. “E vetmja arsye që mendoj pse ndokush nuk do ta mbështeste reformën është frika. Frika se do të bëhet drejtësi”, deklaron Vlahutin.
***
Komisioneri Johannes Hahn përmbylli një vizitë 2 ditore në Shqipëri, ku pati rastin të takonte thuajse të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe institucionalë të vendit. Si do ta përmblidhnit vizitën e tij, si dhe mesazhet që ai dha për miratimin e Reformës në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, por edhe krijimit të një kulture të re të dialogut politik në vend?
Mesazhet e Komisionerit Hahn ishin shumë të qarta. Komisioni Evropian është i kënaqur që Shqipëria po bën progres të qëndrueshëm, por ka ende shumë gjëra që duhen bërë dhe reforma për të përmbushur. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë e dinë këtë më mirë se kushdo tjetër, por për Komisionin ështe një shenjë e mirë që nuk ka pasur kthim pas dhe që ritmi i reformave është i qëndrueshëm. Shqipëria ka humbur shumë kohë në të kaluarën dhe nuk është as e lehtë, as e lirë të zëvendësohen gjithë mundësitë e humbura.
Komisioneri përsëriti gjithashtu nevojën për ta zbatuar plotësisht legjislacionin e dekriminalizimit dhe për të përfunduar plotësimin e rekomandimeve të OSBE-së për zgjedhjet. Edhe legjislacioni më i përkryer nuk ka kuptim nëse nuk vihet në jetë dhe nuk zbatohet.
Por, mesazhi kryesor i Komisionerit Hahn, krejtësisht i qartë, është nevoja që ky Parlament të miratojë një reformë drejtësie shumë të plotë dhe të thellë. Nëse kjo bëhet shpejt, por pa dyshim para verës, dhe nëse do të ketë shenja të zbatimit të sistemit të ri, Shqipëria do të mund të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe Shtetet Anëtare mund të konsiderojnë nëse duhen hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë.
Dhe kur them Shqipëri unë gjithnjë kam paraysh qytetarët e Shqipërisë: ky është një shans për ta, që ta ndryshojnë njëherë e përgjithmonë një sistem që varej nga lidhje personale dhe favore me një sistem që bazohet në institucione që i trajtojnë njerëzit në mënyrë të barabartë. Nuk do të jetë një ndryshim i kollajtë dhe do të marrë kohë por duhet të ndodhë.
Më lejoni të citoj sërish Komisionerin: “Kur vjen puna tek rruga evropiane e Shqipërisë, duhet të jemi të qartë: duhet të jetë një përpjekje kombëtare sepse është diçka që, megjithë opinionet e ndryshme politike, Opozita dhe Qeveria duhet të jenë në të njëjtën anë në mënyrë që të arrihet ajo që është në fakt interesi i qytetarëve, dhe, nëse jam i saktë, më shumë se 90 për qind e shqiptarëve duan më mirë heret se vonë të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Ky duhet të jetë objektivi kryesor dhe nuk i duhet hedhur faji njëri-tjetrit; gjithsecili duhet të shohë çfarë është e nevojshme në mënyrë që të merren vendimet dhe, nëse mundem, të mos ndërlikohen gjerat së tepërmi, të mos kushtëzohet një gjë me një gjë tjetër, çka i bën gjërat shumë më të ndërlikuara. Prandaj, le të përqendrohemi në atë që është thelbësore dhe të përpiqemi ta arrijmë… I kërkoj çdonjërit të ulet në tryezë, të bëjë përpjekjn e fundit dhe të arrihet një marrëveshje”.
BE-ja dhe ju personalisht, në emër të Bashkimit Evropian, keni investuar shumë për miratimin e Reformës në Drejtësi. Procesi mbetet ende i hapur, pasi palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Cili është mendimi juaj për paketën e draftit të reformës në drejtësi në dritën e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias? Çfarë përfitimesh konkrete do të kishin qytetarët shqiptarë dhe sistemi i drejtësisë nga kjo reformë?
Më lejoni t’i përgjigjem pyetjes suaj nga fundi – çfarë përfitimesh konkrete do të kenë qytetarët dhe sistemi i drejtësisë nga reforma. Do ta them shumë thjesht: drejtësi, siç kuptohet dhe zbatohet në demokracitë funksionuese, ku korrupsioni në çdo nivel, nga prokuroria tek gjykatat, është i pamundur. Drejtësia dhe korrupsioni e përjashtojnë njëri-tjetrin. Kjo, shpresojmë, të rikthejë ose krijojë besimin tek institucionet, që është një parakusht për funksionimin normal të një shoqërie.
Përfitimi i dytë është ekonomik, sepse kriteri kryesor për të cilin interesohen kompanitë e huaja në një vend kur u duhet të marrin një vendim nëse do të investojnë ose jo është zbatimi real i shtetit ligjor. Askush nuk do të donte të investonte shumë para në një mjedis ku rregullat e lojës nuk janë të qarta, ose kur ato ndryshojnë gjatë gjithë kohës, ose kur varen nga interesa personale korruptive. Një ditë më parë na u tha nga investitorë se një numër kompanish janë të kujdesshme me planet e tyre dhe se po presin zbatimin e reformës në drejtësi përpara se të vijnë.
Përfitimi i tretë është përmbushja e kritereve dhe standarteve për integrim të plotë në BE. Për këtë, reforma e thellë e gjyqësorit është domosdoshmëri, dhe mendoj se kjo tani është e qartë për të gjithë. Të gjitha reformat e tjera janë dretpërsëdrejti të varura nga reforma e sistemit të drejtësisë, dhe ndihma financiare shkon gjithashtu në këtë drejtim.
Paketa e reformës për të cilën është punuar, dhe të cilën e ka miratuar Komisioni i Venecias, ka disa elementete kyçe të cilat do të doja t’i përshkruaj në detaj: e para është lufta kundër korrupsionit në vetë gjyqësorin, por edhe në një qark që është i ndërvarur. Ja pse procesi i vlerësimit, që do të monitorohet nga afër nga ekspertët ndërkombëtarë, që të gjithë gjyqtarë me përvojë, është një pjesë qendrore e reformës. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët duhet t’i nënshtrohen këtij vlerësimi në mënyrë që të verifikohet se cilët janë njerëzit që nuk meritojnë të jenë në sistem dhe cilët kanë abuzuar me pozicionin për përfitime financiare për vete dhe për ata që janë të lidhur me ta. Ndershmërisht, po të isha gjyqtare apo prokurore, do të isha e para që do të kërkoja të shqyrtohesha, sepse nuk do të doja që puna ime si dhe kredencialet e mia profesionale dhe njerëzore të viheshin në pikëpyetje për shkak të sjelljes kriminale të disa prej kolegëve të mi.
Elementi i dytë jashtëzakonisht i rëndësishëm është një institucion prokurorie plotësisht i pavarur për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, i drejtuar nga një Prokuror i Posaçëm dhe i pavarur si nga Ministria e Brendshme, ashtu dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Në këtë moment, ndjekja penale nuk po e arrin atë çka kërkohet më shumë nga Shqipëria – rezultate solide në ndjekjen penale dhe në dënimin e rasteve të nivelit të lartë.
Elementi i tretë është ndarja e plotë e pushteteve, ashtu siç duhet të jetë në një demokraci. Pushteti ekzekutiv nuk duhet të ketë as të drejtë, as mundësi të ndikojë në ndonjë mënyrë te gjyqësori. Sistemi i emërimeve është përgatitur në një mënyrë që nuk do të jetë e mundur për askënd ta kontrollojë gjyqësorin sepse ka një numër flitrash dhe kontrolli e balancimi që e bëjnë emërimin përfundimtar shumë më tepër të bazuar në meritë se sa në përkatësinë politike.
Komisioni i Venecias ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ne të gjithë u jemi shumë mirënjohës. Ata e kuptuan me hollësi situatën në Shqipëri, se kur vjen puna te gjyqësori vendi ka ngecur dhe se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Ata kuptuan gjithashtu nevojën për qartësi mendimi, sepse fatkeqësisht në Shqipëri forcat politike më mirë bëjnë beteja mbi interpretimet sesa bashkohen për thelbin.
Ne të gjithë kemi investuar shumë në këtë reformë, sepse e ardhmja e Shqipërisë varet prej saj – kaq e thjeshtë është. Është puna ime, sigurisht, por unë shqetësohem edhe personalisht që Shqipëria dhe populli i saj të arrijnë më në fund aty ku janë përpjekur të shkojnë për një kohë shumë të gjatë dhe me shumë sakrificë.
Ju e dini se në këtë përpjekje, BE dhe ShBA janë partnerë të vërtetë dhe se ekspertët tanë kanë punuar së bashku dhe shumë fort për të përfshirë në draft standardet kyçe dhe praktikat më të mira.
Të gjitha palët politike thonë publikisht se janë të përkushtuara për reformën. Por, megjithatë, herë pas here, gjendet një tjetër arsye pse puna mundohet të ndërpritet. Sidoqoftë, jam shumë e sigurt se në fund paketa do të miratohet dhe ato pak çështje të mbetura do të zgjidhen shpejt.
Më shumë se 90% e qytetarëve shqiptarë kërkojnë reformë, gjithë sondazhet që kemi bërë na japin të njëjtin numër.
Ndershmërisht, nuk mund ta besoj se ndokush do të guxonte të mos respektonte vullnetin e njerëzve të cilëve janë zgjedhur t’u shërbejnë dhe në mënyrë të ndërgjegjshme do të refuzonte të miratonte një reformë që për Shqipërinë do të thotë një pikë historike në marrëdhëniet me BE-në.
E vetmja arsye që mendoj pse ndokush nuk do ta mbështeste reformën është frika. Frika se do të bëhet drejtësi.
Politikanët shqiptarë janë tejet nazelinj kur vjen puna te reformat e thella në vend. Shpesh llogari politike, elektorale, por edhe personale, ndikojnë thellësisht në vendimmarrje. Cili është vlerësimi juaj, si nxitëse e dialogut politik në vend që Shqipëria të plotësojë kushtet e vëna nga Komisioni Evropian, për natyrën shpesh personale sesi bëhet politikë në vendin tonë?
Nuk është e lehtë për mua ta them, por tani, pas një viti e gjysmë në Shqipëri, më duhet ta pranoj se ndonjëherë çuditem me këtë ndarje të thellë dhe me atë që duket si një mungesë totale besimi, të paktën nga jashtë, dhe parapëlqim për interesa të veçanta, qofshin këto personale, grupi apo partie.
Populli shqiptar meriton më mirë, ai meriton një dialog serioz dhe të pjekur për gjithë çështjet kryesore që janë kritike për zhvillimin e shtetit të tyre dhe në të mirë të jetëve të tyre individuale.
Lexova një analizë dje se vendet me indeks më të madh besimi janë shumë më të pasura se ato ku njerëzit nuk kanë besim të madh tek institucionet apo te njëri-tjetri. Jo se thjesht kjo mungesë besimi i bën gjërat jofunksionale, por është edhe shumë e kushtueshme në shumë mënyra të ndryshme.
Ne të gjithë shkojmë e vijmë, përfshirë politikanët, por institucionet mbeten. Për këtë duhet të jetë dialogu: si të krijojmë institucione në Shqipëri që t’u shërbejnë njerëzve pavarësisht se kush zgjidhet për të qeverisur.
Kultura e insinuatave, fjalëve lart e poshtë dhe e thashethemeve nuk është konstruktive. Ajo që nevojitet janë faktet dhe institucionet e afta që t’i mbledhin dhe t’i verifikojnë ato.
Shumë zyrtarë të lartë të BE-së dhe ShBA-ve i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare që të hedhë pas të kaluarën dhe te shoh nga e ardhmja, duke evropianizuar në këtë mënyrë jo vetëm jetën politike në vend, por edhe duke i dhënë fund një retorike politike që më shumë e ka dëmtuar vendin sesa e ka çuar atë përpara. Ju vini nga një vend me përvojë të ngjashme. Çfarë do të rekomandonit, nga përvoja juaj, që vërtet edhe klasa politike shqiptare të shohë nga e ardhmja?
Vendi im, si shumë të tjerë, ende po lufton me disa demonë të së shkuarës, por sa herë që ka pasur një ceshtje të një interesi të mirëfilltë kombëtare – dhe integrimi evropian është një çështje e tillë – të gjitha palët janë bërë bashkë. Pati një marrëveshje të nënshkruar në parlament sipas së cilës procesi legjislativ dhe zbatimi i reformave të BE-së u trajtuan me një përpjekje të përbashkët. Kjo nuk do të thotë se nuk pati shumë diskutime politike dhe mosmarrëvedhje, por procesi i reformave të lidhura me BE-në nuk u mor kurrë peng nga gara e brendshme politike. Kjo ka qene përvoja e të gjitha vendeve që kaluan me sukses bisedimet për anëtarësimin sepse niveli dhe sasia e reformave kërkojnë një bashkim forcash dhe fokusim të tërë shoqërisë.
Ballkani në përgjithësi e ka këtë kulturën “ose je me mua, ose kundër meje”, por kjo kurrë nuk ka sjellë ndonjë të mirë. Nëse ka një gjë që kultura politike evropiane na ka mësuar të gjithëve është se kompromisi është rruga e vetme për të zgjidhur problemet në një komunitet që do të jetojë bashkë, dhe që do të jetojë mirë.
Ju keni shumë të drejtë: retorika aktuale po e dëmton interesin e Shqipërisë në një kuptim shumë konkret. Ajo që duan njerëzit është shërim, jo plagosje.
Por kjo po ndryshon, do të ketë presion gjithnjë edhe më të madh nga publiku, presion gjithnjë e më të madh edhe nga procesi i reformave evropiane, për të zbatuar standarte të reja, mënyra të reja sjelljeje. Është një proces, merr kohë, kërkon lidership dhe përkushtim.
Shume vende të Ballkanit po mbyllin kufijtë përballë fluksit të emigranteve që vijnë nga Lindja e Mesme. A pritet që Shqipëria të kthehet në një strehë për këta emigrantë? A ka negociata me qeverinë shqiptare që ajo të përgatitet për një fluks të tillë? A ka një plan të BE-së për ta ndihmuar Shqipërinë në rast se ekspozohet nga dyndja e refugjatëve? A do të përdoret Shqipëria si një stacion ku do të strehohen për një kohë të gjatë emigrantët?
Shumë pyetje, por përgjigja do të jetë e shkurtër – ju jeni në dijeni të të gjitha masave që ka ndërmarrë BE-ja për të zbutur fluksin dhe për momentin rruga e Ballkanit është e mbyllur. Nëse kjo rrugë rihapet sërish dhe Shqipëria preket në ndonjë mënyrë, BE-ja do të ndihmojë njësoj siç ka ndihmuar gjithë vendet e tjera përgjatë rrugës, që nga financat deri te përforcimi i kontrolleve në kufi. Shqipëria nuk pritet të bëjë asgjë më shumë apo më pak se gjithë vendet e tjera në rajon. Kriza është një çështje e përbashkët dhe mund të zgjidhet vetëm nëse të gjithë së bashku punojmë drejt një zgjidhjeje.
Ju shpesh, qoftë edhe për natyrën e punës suaj, jeni në kontakt me politikanët shqiptarë. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë, cilat do të ishin mesazhet tuaja në adrese të qytetarëve shqiptarë? Cili do te ishte një lloj bilanci i kontributit të BE-së në lidhje me ambicien më të sinqerte të qytetarëve shqiptarë, por sidomos të të rinjve që Shqipëria të jetë një vend normal dhe sa më pranë familjes evropiane?
Puna është e tillë që ne punojmë kryesisht me institucionet, por ne punojmë për qytetarët, ata në BE dhe ata në Shqipëri.
Është thelbësore të punojmë me institucionet dhe me ata që qytetarët kanë zgjedhur që t’i përfaqësojnë, sepse parashikueshmëria dhe siguria institucionale janë themelore për procesin e zgjerimit. Institucionet janë për shtetin si themelet për shtëpinë – pa themele të qendrueshme, nuk ka stabilitet të përgjithshëm të sistemit.
Ka gjithashtu shumë njerëz në këto institucione që punojnë shumë fort për vendin e tyre, në kushte jo të lehta. Kjo është një kohë ndryshimesh, të thella dhe kërkuese.
Por i gjithë ky proces i madh reformash bëhet për t’i dhënë kujtdo një shans të barabartë. Çdo jetë është e çmuar.
Nëse do të kishte një mesazh nga ana ime, unë gjithnjë e përsëris: sovrani në një demokraci është qytetari. Kjo është e drejta juaj, por edhe përgjegjësia juaj. Zgjidhjet nuk vijnë nga jashtë, ato vijnë nga ju. Mos prisni që problemet tuaja të brendshme të zgjdhen nga jashtë dhe mos ua vini veshin atyte që mundohen t’ju thonë se ndryshimi në thelb nuk është i mundur. Është kjo nuk është thjesht një frazë, por një fakt që shumë vende dhe shumë kombe e kanë dëshmuar.
Viti 2016 mund të jetë një vit shumë, shumë i mirë për Shqipërinë. Sigurohuni që të mos e humbisni këtë mundësi. Shqiptarët meritojnë ta jetojnë jetën e tyre si të gjithë qytetarët e Evropës. Duhet të kërkoni atë që meritoni. – Intervistoi: Armando Meta.