Vlashent Sata: Mbylli sytë, dëgjo “Hanën”
Intervistoi: Albina Gjergji –
Armiku më i madh një artisti është fakti që mendon se është i rëndësishëm, kur në fakt misioni i tij është përçimi i vetvetes dhe asaj çka arrin të krijojë tek të tjerët. Nëse ky kufi kapërcehet, duke i lënë më shumë vend pretendimit për dukje, atëherë raporti i shenjtë mes tij dhe publikut ka nisur të shembet. Vlashent Sata, nuk duket. Nuk është aspak pompoz,. Qëndron larg prozhektorëve dhe nuk ka gjasa ta kapërcejë ndonjëherë këtë kufi. Ai është ai që është. Artist që nuk lufton për të qenë vetvetja, pasi ai është i tillë. I madh në thjeshtësinë e tij. Mes tingujve!
Është 32 vjeç dhe si nëpër ëndërr, duket se deri tani i ka marrë jetës më të mirën e mundshme. Por pa harruar sfidat dhe sakrificat që i është dashur të përballet m'atanë Shqipërisë, në Francë. Para pak muajsh kantautori Sata mbajti një koncert recital në tokën e tij, i cili nga opinionet e shumë të pranishmëve rezultoi unik. E s'kish si të ndodhte ndryshe, pasi edhe muzika që ai lëvron nuk është e zakonshme. Folk miks Jazz & Pop, të cilën kur e dëgjon me sytë mbyllur – me, apo padashjen e tij – duket sikur të çon në Shkodër, tek jaret sensuale… në vendlindjen e babait të tij.
I vendosur në Francë prej disa vitesh, mund të na thuash sa Shqipëri ka brenda Vlashentit?
U bënë 13 vite që kur unë kam ikur në Francë. Nuk e di a mund ta quaj Shqipëri, por nëse Shqipëri quhen kujtimet kur ke qenë i vogël, prekjet e para të ndjeshmërive, ka shumë të tilla.
Andej me çfarë jeni i aktivizuar konkretisht?
Deri në qershor kam dhënë mësim, kurse tani muzika ime shoqëron baletin, bëj muzikë tek Konservatori i lagjes 12 dhe 5 të Parisit. Tani punoj më pak, që të mund të kem kohë më shumë për të punuar për veten dhe aktivitetin tim. Edhe në Konservator muzika ime është e pranishme, sepse bëj muzikën e spektakleve atje. Tani kam më shumë kohë të rri me veten të jem e sinqertë, pasi e kisha periudhë pushimi. Më pëlqen të rri në metro, qoftë edhe vetëm të shoh njerëzit çfarë bëjnë, çfarë pëlqejnë, çfarë paramendojnë, etj..
Kur ikën nga Shqipëria, pasi ke ardhur për disa kohë, çfarë nuk harron të marrësh me vete?
Është momenti më i vështirë kur iki prej këtu, sepse gjithmonë më ka mbetur pa bërë diçka. Pa bërë një shëtitje, pa iu rikthyer një kujtimi të dikurshëm, apo edhe pa bërë një xhiro tek liqeni artificial.
Meqenëse dolëm tek Liqeni Artificial, çfarë bën një këngëtar origjinal në një ambient "artificial"?
Është e vetmja hapësirë ku nuk shikon beton. Ndonjëherë gjërat që duken më shumë artificiale, janë pikërisht ato që të mësojnë më shumë dhe ai, liqeni ka raste që të flet më shumë se të gjithë detrat dhe ujërat e tjera.
Ke ndërtuar jetën në Francë. Sa mund, pasion, dashuri, sakrificë të është dashur për ta ndërtuar në mënyrën tënde, duke e nisur prej zeros?
Në Francë, nganjëherë më duket sikur të kem qenë në ëndërr gjithë kohën, që çdo gjë ishte e mundur edhe kur gaboja. Edhe nëse nisja një projekt dhe nuk ecte, prapë më dukej si ëndërr dhe i thoja vetes, "s'ka gjë, se kur të hap sytë, kjo nuk ka ndodhur"! Më është dashur shumë mund, sakrificë, pasion dhe në të njëjtën kohë asgjë, për të mbërritur deri këtu. Ka ardhur shumë natyrshëm, kam punuar shumë, por nuk e kam vënë re.
Si ka ndodhur "kapërcimi" yt nga Shqipëria në Francë?
Fillimisht ka qenë i vështirë, sepse këtu e nisa duke kënduar në skenën e lokaleve "live" dhe për një 18 vjeçar në Shqipëri ishte diçka jo e vogël. Ndërsa kur kam shkuar atje ishte direkt Konservatori dhe luaja në Piano Bar. Që prej çastit kur ti hipën në avion, vendi yt të duket vendi më i bukur në botë. Më kujtohet me sa shumë dashuri flisja atje për Shqipërinë, për vendin dhe njerëzit këtu. Nga puna në Piano Bar, fillova të punoja në konservator. Ka ardhur natyrshëm. Vitin e dytë më propozuan të jepja mësim në Konservator. Mendoj se kur jep mësim, mëson edhe më shumë ti vetë.
Ndërtimi i shtëpisë tënde në Francë, në kontekstin e jetës që ti ke krijuar atje, mendoj se nuk është vetëm falë aftësisë tënde, por edhe i "arkitektëve" të tu që në embrion…
Absolutisht. Nëse flasim për arkitektë prindërit, patjetër. Mbështetja e mamasë time dhe e babait ka qenë tepër e madhe. Babai ka qenë gjeni në muzikë dhe në një vend tjetër, do të kishte pasur një karrierë të ndritur. Po ashtu, është falë edhe një dashurie të pakushtëzuar, shumë të çmuar që kam qenë kaq shumë i mbështetur, sa më është dashur të mendoj vetëm për aspiratat e mia. Sigurisht shumë gjëra i kam bërë i vetëm.
Ju jeni shpërngulur si familje atje?
Fillimisht kanë ikur motrat dhe më pas unë. Ne kemi punuar ndërkohë që studionim dhe vështirësia ishte e madhe për një familje shqiptare modeste.
Një artist më shumë merr, apo jep Vlashent?
Në fakt, mendoj se unë hyj tek ato njerëz që japin shumë dashuri. Ideja është që duhet me mësu me dhan pa prit në këmbim. Kur ti nuk merr shumë, trishtohesh.
Je i trishtuar?
Po jam i trishtuar, sepse shoh që vëmendja për tjetrin është inekzistente dhe njerëzit që nuk kujdesen për tjetrin kanë probleme të mëdha për të dashur veten. Ti hipën në një autobus dhe sheh që një person nuk bën kujdesin minimal për dikë që ka në krah. Kjo është ajo pjesa që më trishton. Jam shumë i paaftë të ndryshoj diçka. Ajo që më prek janë njerëzit që arrijnë të ndryshojnë ambientin dhe të tjerët përreth si me magji. Këtë do mundohem ta pasqyroj edhe në këngë.
Sa e fuqishme mendon se është arma jote (muzika) tek njerëzit?
Aq sa ndonjëherë reagon edhe tek unë. Kur unë dëgjoj një këngë timen, ose që harroj të kujtohem që e kam bërë unë… ndodh të udhëtoj në një histori tjetër. Mendoj se edhe njerëzit mund ta përjetojnë kështu. Këtë e kam vënë re, sidomos pasi ka mbaruar koncerti i parë recital. Kam parë që grupmosha të mëdha ishin prekur. Më dukeshin shumë të vërtetë, sepse ishin shumë të thjeshtë. Kjo do të thotë shumë për mua, sepse ato e kanë përjetuar.
Lidhja jote me pianon, është po aq sa vitet që ti ke. A ka një "formulë pagëzimi" lidhja juaj?
Piano është mësimi im më i mirë, sepse piano është gjyshi që unë nuk kam patur asnjëherë, në kontekstin që ka qenë aty gjithmonë për të më mësuar diçka, pa forcë, pa zhurmë, pa dhunë.
A është pianoja jote një femër, ku nëse ti nuk jepesh i tëri as ajo nuk mund të të dhurojë më shumë se ç'merr?
E kam menduar gjithmonë mashkull pianon dhe asnjëherë femër, sepse e kam identifikuar me gjyshërit. E bukura e pianos është se, gjithmonë duhet të japësh maksimumin tënd, pa pritur asgjë në këmbim. Për mendimin tim, formula e kësaj është esenca e dashurisë, që ti jep pa menduar se do të marrësh. Në këtë lloj perifrazimi, pianoja nuk mund të japë diçka dhe ti e di këtë. Ky është edhe mësimi më i mirë njëkohësisht.
Tekstshkrues, këngëtar, kompozitor dhe instrumentist. Si bashkëveprojnë tek ty këto pasione dhe me cilën prej këtyre dashurive je i lidhur më shumë?
Të gjitha lidhen me njëra-tjetrën, duke bashkëvepruar dhe të gjitha janë të ndryshme. Këngët i mia i dallon, sepse kanë të gjitha një fabul, një moral, kanë një histori. Çdo këngë ka një të veçantë të saj. Që tek njohja e personazhit, më pas duhet t'i përshtatet ritmi i muzikës, ngjyra, akordi dhe instrumenti shoqërues. Ajo që për mua bën diferencën është thjeshtësia e çdo elementi që personifikon secilën.
Kujt i jep më shumë përparësi?
Eshtë thjeshtësia për të kaluar tek publiku dhe këtë e realizon fjala. Nuk është një element i shkëputur.
Krahasuar me pasionet e tjera, kitarra si vjen tek ty?
Ka ardhur si një formë demonstrate, revoltë ndaj sistemit klasik dhe shumë faktorëve të tjerë. Kitara ka qenë shoku më "funny" i gjithë shoqërisë që krijonte gjithë atmosferën. Nuk e kam pasur të lehtë t'i flisja një vajze që e doja, apo të bëja shakanë më të bukur në shoqëri dhe muzika më ka shërbyer për këtë.
Folku është shumë i pranishëm në muzikën që bën dhe zhanri që lëvron është stil ndryshe, miks folk-jazz-pop… domethënë jo shumë i rrahur në veshin e publikut tonë. Cila është kostoja, që një artist paguan në rastin kur numri i ndjekësve të tij është i vogël?
Nuk jam i trishtuar për feed-back, por për faktin që muzika e mirë nuk i transmetohet publikut, aq sa ai ka nevojë. Po t'ju serviret njerëzve më tepër ky zhanër, edhe ato do ta përqafojnë. Kjo duhet stimiluar tek publiku. Kostoja është që publiku është më i vogël në numër dhe kosto më e madhe qëndron tek ajo çfarë mungon si rezultat i të mos dhënit publikut. Më vjen në mendje një shprehje tani: Kultura kushton shumë, por mendo sa kushton injoranca.
Sa i rëndësishëm është popullariteti, në raport me atë çfarë servir tek publiku?
Kuptohet që armiku më i madh një artisti është fakti që mendon se është i rëndësishëm. Ajo çfarë ti ke nevojë është të ndash një histori të përbashkët. Ajo që unë tregoj është më tepër shqip, sesa çdo lloj gjuhe tjetër, të paktën deri tani. Popullariteti është i rëndësishëm, por nuk duhet të jetë hutues.
Si e sheh nivelin e muzikës tek ne, krahasuar me jashtë?
Këtu mendoj që është i pakënaqshëm. Po të ishte i kënaqshëm, të gjithë do të dëgjonin muzikë shqiptare. Fakti është që nuk e dëgjojnë. Muzika dëgjohet në radhë të parë, pastaj shikohet. Njerëzit më pyesin shpesh se, përse nuk kam bërë videoklipe, por muzika është ajo çfarë ka rëndësi.
Më kujto disa prej pjesëmarrjeve në festival…
"Kënga Magjike" ka qenë e fundit. Ka qenë edhe pjesëmarrja në "Top Fest", 3 herë.
Çfarë ke marrë nga festivalet?
Dua të gjej pjesën pozitive, sepse nuk kam marrë shumë. Dua të them që kam njohur njerëz, edhe pse nuk është ky qëllimi i festivaleve. Në një farë mënyrë më ka ndihmuar të prezantohem tek publiku dhe ka qenë një eksperiencë e mire, por mendoj që ka ardhur koha që festivalet të mos jenë më me çmime dhe të mos humbasin vlerën.
Nëse mendon se nuk duhet të jepen çmime, çfarë mendoni se do ta bëjë diferencën mes një artisti të vërtetë dhe një artisti që thjesht ka këngë të bukur-populiste?
Ka shumë agresivitet mes artistëve për të mbijetuar dhe sigurisht e kuptoj. Duhet kuptuar se festivali edukon dhe do të frymëzojë të bukurën në shpirtin e atyre që dëgjojnë dhe do të mund t’i mbushin shpirtërisht për vite më radhë kur të këndojnë këngët, me të cilat janë rritur. Por sidomos kanë marrë shumë emocione.
Më thuaj një këngë, këngëtar, apo artist që ty të ka mbetur në mendje gjatë 24 viteve të fundit?
Të them të drejtën, kënga që më kujtohet ka qenë "Një serenatë për ty" e dy vellëzerve arbëreshë, kurse për pjesën pas viteve '90 është e vështirë.
Do të aktivizohesh sërish në festivale, Vlashent?
Nuk e di, por jam shumë skeptik nga mënyra sesi organizohen dhe funksionojnë. Po ashtu edhe nga rezultatet e deritanishme.
Mendoni se Elton Deda do të jetë një nga influencuesit pozitivë, duke qenë se do të jetë Drejtor Artistik i Festivalit të RTSH-së?
Shpresoj që ai të ruajë energjitë e tij, si një artist që nuk ka bërë kompromise dhe t'u jepet hapësira artistëve të vërtetë. Uroj që ky festival të jetë diçka me funksion për popullin dhe jo thjesht një biznes.
Ka një këngë që ti e do më fort se të tjerat?
Të gjitha kryejnë një funksion të caktuar, kur je i gëzuar, apo i trishtuar. Kënga që mua më prek më shumë është "Bab’".
Po për publikun, kur do ta prezantosh albumin tënd të parë?
Kënga "Bab’" është regjistruar dhe është shfaqur në 13 shtator, ndërsa albumi është regjistuar në Prishtinë dhe Ministria e Kulturës na ka mbështetur. Shpresoj të rivij sërish së shpejti. Albumi besoj do të prezantohet në dimër dhe titullohet "Hana".
Pse "Hana"?
Sepse “Hana” është një këngë që unë nuk di as vetë ta kuptoj, apo shpjegoj. Është diçka tepër mistike. Hana do të thotë gjenezë dhe ka një simbolikë të fortë.
Është femër "Hana"?
Mund të jetë femër, por akoma më shumë historia e gjithsecilit.
A është edhe femra e tillë si "Hana", që digjet dhe soset tek një mashkull?
Nuk besoj se sosja, apo djegia ka gjini.
Më thuaj 3 emra artistësh të mëdhenj shqiptarë Vlashent?
Lukë Kaçaj, Gjergj Fishta dhe Migjeni.
Diçka të fundit?
Shpresoj të kem mundësinë të vij të luaj sa më shumë këtu dhe jo vetëm në Francë.