Vuçiç: Faleminderit për mikpritjen!

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë vlerëson mikpritjen që gjeti në Tiranë dhe është i sigurt se kjo nuk do të jetë vizita e fundit. Ai deklaroi se palët kanë pranuar qëndrimet e ndryshme të njëri-tjetrit dhe po shikojnë përpara, veçanërisht që të shfrytezojnë të gjithë mundësinë e bashkëpunimit ekonomik.

Kjo ishte vizita juaj e parë si kryeministër i Serbisë në kryeqytetin shqiptar. Cilat ishin përshtypjet që morët nga Tirana, zoti Vuçiç?

Nuk mund të them se arrita të shoh shumë nga Tirana. Por më pëlqeu qëndrimi këtu dhe jam thellësisht mirënjohës për mikpritjen e shqiptarëve dhe të kryeministrit Rama. Shpresoj se do të vij sërish në Tiranë.

Kryeministri Rama nuk bëri të njëjtën deklaratë për Kosovën, si në Beograd. A ishte kjo pjesë e marrëveshjes, që ju të vinit në Tiranë?

Jo, jo, aspak. Ai ishte në pozicionin, që mund të thoshte çfarë të donte. Ai tha atë që mendoi, unë thashë atë që mendova. Ishte nga të dyja anët e ndershme. Ne ishim të gjithë të sinqertë, ai përfaqësoi pozicionin e tij, unë përfaqësova pozicionin tim. Por ne u përqëndruam tek e ardhmja. Ne duam të mendojmë për të ardhmen dhe kjo ishte shumë gjë e mirë.

Ka një marrëveshje prej 7 pikash mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qeverisë serbe. Kur do të implementohet marrëveshja, për të cilën edhe ndërkombëtarët kanë pasur objeksione?

Ne po bëjmë më të mirën për ta implementuar, por këtu ka një marrëveshje mes serbëve, një numri jo të madh serbësh në Shqipëri me qeverinë shqiptare. Unë iu luta mikut tim, Edi Rama t’i presë ata, të flasë me ta, njëkohësisht unë do të bëj më të mirën për të drejtat e shqiptarëve, sepse duam të jemi shumë transparentë me qytetarët tanë në Preshevë dhe Bujanoc. Por sigurisht, ne duam që kjo të ndodhë njësoj me serbët në Shkodër, Vrakë, Fier dhe qytete të tjera.

Dhe në fund zoti Vuçiç, ishte një darkë më e mirë ajo në Beograd, apo ajo e mbrëmjes së të mërkurës në Tiranë? I mungoi kësaj darke zoti Daçiç dhe këngët e tij?

Ishte një darkë më e mirë këtu. Por unë mendoj se kolegëve tanë iu mungoi ai.

TCH

SHKARKO APP