Xhufi: 70-vjetori i Çlirimit po banalizohet, shfaqjen e Enver Hoxhës vetëm opozita kërkon ta përdorë politikisht

Zoti Xhufi, në një opinion të fundit për Javën,  profesor Puto shprehet thellësisht i zhgënjyer me përgatitjet anemike që po bëhen për 70 vjetorin e clirimit. Po ju si i shihni këto përgatitje?

Deri tani nuk kam parë ndonjë angazhim institucional për këtë datë të rëndësishme. Personalisht kam qenë ftuar në veprimtari shkencore e përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të organizuara nga Bashkia e Beratit, nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, nga Shoqata “Labëria”, nga Shoqata e Veteranëve të LANÇ, nga Shoqata “Devolli”. Di që Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka organizuar një konferencë ndërkombëtare mbi Shqipërinë në Luftën II Botërore. Di gjithashtu, që janë përkujtuar përvjetorë të krijimit të brigadave partizane, di që Rudina Xhunga vazhdon me këmbëngulje e pasion ciklin mbi Luftën Antifashiste, duke e transferuar emisionin e saj “Shqip” në vendet më domethënëse të asaj lufte, nga Borova në Bujan (ku pata kënaqësinë të ftohesha edhe unë). Kam parë në Berat e në Gjirokastër ndonjë monument të Luftës të rimëkëmbur ose të restauruar. Më në fund, di që kolegë të mij, si P. Milo, Xh. Gjeçovi e H. Kabaj kanë dërguar për shtyp studime monografike me vlerë për Luftën Antifashiste të popullit shqiptar. Pra, kemi një sërë nismash e veprimtarish, të organizuara nga shoqata, nga kryebashkiakë e nga njerëz vullnetmirë, ku rregullisht kanë “shkëlqyer” me mungesën e tyre ministrat e deputetët e koalicionit të majtë. E vetmja gjë, ku me sa di, ka vënë dorë qeveria, është financimi 30 milionësh që i ka bërë dy librave me autor…Uran Butkën dhe Çelo Hoxhën. Mos më pyesni se cili është subjekti i librave në fjalë. Mjafton emri i autorëve, për të kuptuar se ata nuk kanë fare të bëjnë me ngjarjen. Ah, po. Jam në dijeni që është krijuar një komision qeveritar për organizimin e aktiviteteve për 70-vjetorin, i cili komision nuk ka dalë ende nga “ilegaliteti” dhe në të cilin komision vendi i historianit i është besuar një “eminence gri” të Kryeministrisë, atij, që po merret me “rishpërndarjen” e godinave të erës fashiste dhe që çuditi botën, kur në një moment mallëngjimi u shpreh se “do ta kishte patur për nder të kishte qenë ministër kuisling”! Nga ana e saj, u duk se Ministria e Kulturës do bënte diçkaa të mirë, kur projektoi të mbulonte faqen ballore të Pallatit të Kulturës me disa banera që do evokonin ngjarje dhe personazhe të Luftës Antifashiste. U ftova edhe unë, bashkë me kolegë të tjerë historianë, të kontribuonim për projektin. Bashkërisht vendosëm të shpalosim në ato banera portrete të djemve e vajzave që ranë heroikisht në luftë me fashistët e nazistët, pamje të formacioneve partizane, pa harruar të prezantonim aty edhe batalionin italian “Antonio Gramshi” dhe përfaqsuesit aleatë. U robtuam për tre javë me radhë për të gjetur fotografi të përshtatshme e për të kompozuar idenë, dhe kur çdo gjë ishte gati, Ministria e Kulturës përmbysi çdo gjë, duke ofruar një variant të saj, “pa portrete e pa figura”. Shpresova që ajo Ministri, në mos idetë, të vlerësonte të paktën bukurinë. Sepse, veç virtyteve të tjera, që janë të panjohura për zënësit e atij pallati të kotësisë, që është Ministria e Kulturës, pra po thoja, veç virtyteve të tjera, Margarita, Vojua, Qemali, Fatua, Ndoci, Manushi, Lefteri, Pleurati, Ramizeja, Gjoka ishin vajza e djem gjithë hir e bukuri, që do zbukuronin sheshin “Skënderbeg” jo më pak se klerikët martirë të ekspozuar me rastin e vizitës së papa Françeskut. Në fakt, po ta mendosh thellë, nuk mund të shpresohej të gjeje ndonjë fije ndjeshmërie e angazhimi për 70-vjetorin e çlirimit në atë Ministri, ku punonjësit e saj, nga i pari tek i fundit, e kanë për nder të madh të prezantohen me fjalët hyrëse: “unë i përkas shtresës së të përndjekurve politikë”!  Si për të thënë: 70-vjetori i çlirimit nuk është festa jonë!

Keni botuar së fundi një material rreth atyre që i konsideroni si kuislingët shqiptarë. Cfarë ka mbetur për t’u thënë ende për këtë kategori që u shfaq sidomos gjatë luftës së dytë botërore?

Ç’mund të thuash e ç’mund të ndjesh për racën e kuislingëve, që u bënë menazherë të pushtimit e të pushtetit të huaj, që nuk folën veç për të hymnizuar fashizmin e Duçes e të Hitlerit, që nuk i përdorën armët, veç për të vrarë shqiptarë, për të vrarë Qemalin, Margaritën, Vojon, Perlatin, djemtë e Vigut e të Topanasë…Që me shërbimet e tyre, rrezikuan ta tërheqin Shqipërinë në krahun e shteteve fashiste dhe që, për këtë arsye, e rënduan pozitën e saj pas lufte duke rrezikuar një coptim të ri të saj. Mjafton të njihesh me faktet e dokumentat e botuara në librin e Prof. Arben Putos “Diktatorë e Kuislingë”, për të provuar turp e neveri për racën e kuislingëve e të kolaboracionistëve shqiptarë. Ndaj tyre, ne shqiptarët nuk duhet e nuk mund të mbajmë një qëndrim ndryshe nga ai që kanë mbajtur ndaj tyre qysh gjatë luftës aleatët anglo-amerikanë. Duke i denoncuar tek Shtabi Aleat kuislingët e kolaboracionistët shqiptarë, gjenerali britanik Edmund Davies,  deklaronte në dhjetor 1943: “Këta njerëz janë mësuar ta bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët dhe tani përpiqen ta bëjnë këtë rol edhe me ne: prandaj rekomandoj t’u bëhet atyre një paralajmërim i fundit, se pas luftës do të dalin para gjyqit si kriminelë lufte”.

Çfarë mendoni për angazhimin e historianëve të huaj, për rishikimin e historisë?

Ushqej nderim e respekt për kolegët B. Fischer e M. Schmied-Necke dhe për veprën e tyre historike. Por jam i bindur, që ata që kanë vendosur përfshirjen e tyre në shkrimin e teksteve të historisë së Shqipërisë për periudhën 1939-1990, nuk janë nisur nga arsye të karakterit profesional, por nga frikëra të papërligjura, nga dëshira për të evituar kriticizmin e pritshëm të opozitës dhe të historishkruesve të Institutit të të Përndjekurve. Unë jam i bindur, se sot historianët tanë zotërojnë të gjithë lëndën e nevojshme dokumentare, që kanë në duar edhe historianët e huaj.

Por, ndryshe nga këta, historianët shqiptarë kanë privilegjin që mund të shfrytëzojnë edhe dokumentacionin shqiptar, që për të huajt është shumë a pak i paarritshëm. Ata njohin institucionet shpirtërore e juridiko-politiko, sjelljet, doket, paragjykimet e shqiptarëve, që nuk janë pa domethënie në procesin historik të tyre.  Në këta 23 vjet të tranzicionit kemi parë se si studjuesit dhe profesorët e universiteteve publike dhe të institucioneve kërkimore janë keqtrajtuar, janë keqpërorur, janë dënuar me paga urie, janë shtrënguar të punojnë në kushte të pamundura, janë  nxjerrë jashtë nga godinat e janë kufizuar në liritë e tyre akademike. Tani, një kategori e tyre, ajo e pedagogëve dhe e studjuesve të historisë, privohen edhe nga e drejta për t’u mësuar historinë nxënësve e studentëve, që është edhe qëllimi dhe kuptimi i  jetës së tyre.

Një element delikat i festimeve të 70 vjetorit janë kthyer portretet e Enver Hoxhës që janë shfaqur. A mendoni se justifikohet reagimi i ashpër i një pjese të opinionit publik për këtë fenomen?

Në fakt, nuk kam pikasur ndonjë shqetësim të opinionit publik, kam parë vetëm një shfrytëzim të ethshëm të këtij fakti nga politika, përkatësisht nga opozita, e cila me këtë rast gjeti edhe një arsye për të “zhurmuar” efektet e vizitës së z. Rama në Beograd e në Preshevë. Por përtej politikës, unë e kuptoj ndjeshmërinë që tregojnë ndaj shfaqjes së portretit të E. Hoxhës edhe grupe të caktuara qytetarësh. Por edhe ata duhet të mundohen të kuptojnë ata pak veteranë që mbeten të lidhur pas figurës së udhëheqësit komunist. Në fund të fundit, ata e tundin portretin e Hoxhës në ngjarje që lidhen me Luftën Antifashiste, ku ai ishte padyshim protagonist, dhe një gjë e tillë nuk fshin përgjegjësitë e tij për privacionet e shumta dhe për represionin e ushtruar padrejtësisht mbi shumë individë e familje shqiptare pas çlirimit të vendit.

 

Edi Rama sapo ka mbyllur një vizitë të rëndësishme në Serbi. Si historian dhe diplomat, si e komentoni atë që la pas kjo vizitë?

Përtej gjithshkaje, unë vlerësoj më së shumti faktin që kjo vizitë rivendosi një postulat në marrëdhëniet midis Tiranës e Beogradit, i cili është respektuar vazhdimisht nga kryeministrat shqiptarë, nga Ismaail Qemali, tek Ahmet Zogu e deri tek Enver Hoxha. E kam fjalën për postulatin, i cili përcakton se marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin kalojnë domosdoshmërisht nëpërmes Prishtinës.  Qëkurse një ministër i jashtëm i qeverisë Berisha deklaroi, në 2006, se Tirana duhet t’i zhvillojë marrëdhëniet e saj me Beogradin pavarësisht Kosovës, në politikën tonë të jashtme u vu re një zhvendosje shqetësuese në marrëdhëniet me Serbinë dhe me Kosovën. Ndërsa marrëdhëniet me të parën u ngrohën, aq sa personazhe të dyshimtë të tipit Fazlliç, Mishkoviç etj. filluan të ngrenë shtratin e tyre ekonomik e politik në Shqipëri, lidhjet me Kosovën shkuan duke u lëshuar. Rilancimi i fuqishëm i marrëdhënieve me Kosovën, i bërë nga qeveria Rama, dhe në veçanti ripërfshirja e faktorit Kosovë (e Preshevë) në diskurin politik të një kryeministri shqiptar, tregon se koha e “heshtjes së madhe” ka mbaruar. Në këtë kuptim, politika dhe media serbe patën arsye të forta për t’u irrituar.

 

Sjelljet dhe fjalët e z. Rama në Beograd e Preshevë tërhoqën miratim e simpati të përgjithshme. Por, a mund të thuhet, në përgjithësi, se sjelljet e qeverisë Rama janë të pakritikueshme?

Nuk kam as informacionin dhe as tagrin të bëj një vlerësim të punës së qeverisë Rama. Por, nuk mendoj se sjelljet e saj janë të pakritikueshme. Mjafton të kujtoj komunikimin e papërshtatshëm të z. Rama me publikun pas vrasjes së 4 vetëve në një klub nate nga djali i një deputeteje socialiste. Ka momente kur heshtja është vërtetë e artë, dhe ky ishte, sipas meje, rasti. Nëse ndonjë fjalë duhej të shpenzohej atë ditë prej kryeministrit, kjo duhet të ishte vetëm për viktimat: askujt nuk i interesonin në atë moment të kobshëm keqardhjet e tij, aq më më tepër që ato ishin të shproporcionuara dhe në drejtimin e gabuar.

Nga ana tjetër, pas kthimit nga Beogradi, shohim që Kryeministrit është angazhuar në një tjetër konflikt të personalizuar me studentët dhe me profesoratin, përkatësisht me ata të Fakultetit të Gjeologjisë. Bashkohem tërësisht në vlerësimin që i ka bërë kësaj ngjarje të panevojshme dhe të padëshiruar Mero Baze në artikullin e tij, botuar në “Tema” të datës 13 nëndor. Vërtet të dëshpëron e të shqetëson ftohtësia dhe arroganca e treguar në mënyrë të përsëritur nga kryeministri ndaj një bote, siç është ajo akademike e universitare, prej së cilës ai u lançua në orbitën e politikës dhe tek e cila është mbështetur në momente të vështira. E tregoi këtë edhe në takimin e improvizuar me studentët e profesorët protestues të Fakultetit të Gjeologjisë, veçanërisht me replikat e pavenda e të padenja me një pedagog të vjetër të atij fakulteti, që meritonte respektin e kryeministrit, dhe jo stigmën e tij për vitet “e shkuara dëm” nën regjimin e Enver Hoxhës. Kryeministri dhe “eminencat gri” të pallatit kryeministror, nuk kanë asnjë të drejtë t’i rrëmbejnë Fakultetit të Gjeologjisë ndërtesën historike, ku u rritën e u formuan breza të tërë gjeologësh.

Drejtësia duhet të lahet e të pastrohet mirë, përpara se të hyjë në një ndërtesë si ajo, ku në dekada ka ngritur lavdinë e saj të merituar gjeologjia shqiptare. Kujtoj se ky është rasti i dytë, që qeveria i rrëmben në mënyrë të paligjshme ndërtesën një institucioni akademik. E bëri këtë para disa muajsh me ndërtesën e sapo të rikonstruktuar të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të cilën vendosi t’ia japë Ministrisë së Integrimit. Sot, pasuesit e institucionit ku punuan personalitete, si E. Çabej e A. Buda, janë rrasur nga 5-6 veta në një zyrë, për t’i hapur vend vajzave e djemve të Ministrisë së Integrimit, që si fillim hodhën edhe njëherë muret përtokë për t’i riformatuar “qelat” e destinuara për studjuesit, në zyra të “standarteve evropiane”. Mund të pritej që kryeministri të mendonte më shumë për kushtet e punës e të studimit, për ngritjen e pagave të pedagogëve e të studjuesve, që sot paguhen, për turp, me një rrogë që është më pak se gjysma e një pedagogu e studjuesi në Kosovë. Por, siç duket, kryeministri dhe eminencat gri të tij konsiderojnë më të rëndësishëm akaparimin e godinave të Tiranës së erës fashiste, a thua se kanë informacion që në qilaret e tyre do mund të fshihet ndonjë relikë e Duçes apo e Jakomonit, që pas qeverisë së Vidit, do të zbulonte edhe një provë tjetër të “Shqipërisë evropiane”.  Gjithsesi, siç po shohim, nëse me studjuesit e heshtur e kokulur të Qendrës së Studimeve Albanologjike “sekuestrimi” i godinës ndodhi pa çak e pa bam, me pedagogët e me studentët e Gjeologjisë duket se kryeministri dhe këshilltarët e tij nuk do ta kalojnë kaq lehtë.

SHKARKO APP