Ylli Manjani: I vendosur të çoj përpara luftën kundër korrupsionit në drejtësi
Ylli Manjani, i propozuar nga kryeministri Rama për të qenë ministri i ri i Drejtësisë, e konsideron vlerësim dhe njëherazi përgjegjësi drejtimin e këtij institucioni. Në një intervistë për Ora News, Manjani deklaron se për reformën ne drejtësi duhet edhe konsensusi i opozitës dhe çdo partie tjetër parlamentare.
“ I jam mirënjohës LSI në radhë të parë e cila më propozon mua. Ne e kemi provuar dhe vendimarrjet uliraterale në këto 20 vite në kuptimin që njëri krah ka marrë vendimet që ka dashur, krahu tjetër merr prap vendime që do dhe kur vjen puna asgjë nuk bëhet e përbashkët, kurse ato që bëhen të përbashkëta janë shumë pak dhe po themi me jo pak defekte”.
Manjani zotohet të luftojë korrupsionin në drejtësi.
“Korrupsioni është pengesë e madhe duhet ta pranojmë. Jam mandatuar nga LSI dhe nuk po ju them ndonjë sekret, por jam mandatuar specifikisht për të qenë pjesë e një lufte, e një beteje antikorrupsion në çdo nivel”.
Në pritje te marrjes se detyres së re, Manjani ka idetë e qarta për prioritetet e punës që e pret.
Manjani vlerësoi edhe punën e bërë deri më sot nga ministri i dorëhequr, Nasip Naço, ndërsa preferoi të mos i pëgjigjet pyetjes nëse qeveria duhet të pësojë ndryshime të tjera.
Si e vlerësoni faktin se ju besua ju një detyrë e tillë në një moment kaq të rëndësishëm ku reforma në sistemin e drejtësisë është kryefjalë nga të gjithë klasës politike në vend?
Ylli Manjani: Jo vetëm për shkak të kësaj që thoni ju, por sidoqoftë është një vlerësim që unë i jam mirenjohës LSI në radhë të parë e cila më propozon mua që të jem pasuesi i Ministrit tonë të Drejtësisë, kolegut Nasip Naço . Është një vlerësim i jashtëzakonshëm. Sigurisht momenti bën punën e vet për shkak se reforma në drejtësi është projekti më i rëndësishëm i joni sepse ka të bëjë me reformën e shtetit, ka të bëjë më reformën e funksionimit të shtetit.Kjo reformë është e dyta reformë më e rëndësishme për shkak se kështu erdhën punët, jo për shkak se po i rendis unë, pas reformës territoriale administrative.Sigurisht kjo reformë ka sot një axhendë e cila drejtohet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi por Ministria e Drejtësisë ka gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur sepse nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese që propozohen por kemi një sërë ligjesh, projektligjesh, udhëzimesh,vendimesh të cilët janë shumë të rëndësishëm që duhet t’i hartojmë mirë, t’i shkruajmë qartë dhe ti japim një drejtim të qëndrueshëm njëherë e mirë kësaj situate sepse nuk mund të hymë pafundësisht në reformat e shtetit sa herë pushteti është i shqetësuar.
Z.Manjani keni deklaruar, LSI, por ju veçanërisht keni qenë dhe mbeteni eksponent i rëndësishëm sa i përket reformës në drejtësi e cila duhet të ngrihet mbi bazën e një konsensusi të gjerë politik. Kjo do të jetë rezultat i përfshirjes edhe i një konsensusi me opozitën?
Manjani: Tani ky është qëndrim i LSI. Ne e kemi pjekur gjatë këtë qëndrim dhe kemi arritur në këtë konkluzion për disa arsye.Së pari ju thashë po flasim për reformën e shtetit.Nuk është fjala që po bëjmë një ligj zgjedhjesh apo po bëjmë një ligj të zakonshëm, por është fjala për një ndërhyrje themelore në mënyrën sesi funksionon sistemi gjyqësor i cili i tejkalon disa mandate mazhorancash.Kjo është reforma të cilën ne kemi në kokë dhe e kemi projektuar tashmë.Së dyti është shumë e rëndësishme bashkëpunimi.Sepse bashkëpunimi që vjen për shkak të një dialogu politik është absolutisht ilaçi më i mirë për të shëruar çdo lloj plage që krijohet në sistem.Ne e kemi provuar dhe vendimarrjet uliraterale në këto 20 vite në kuptimin që njëri krah ka marrë vendimet që ka dashur, krahu tjetër merr prap vendime që do dhe kur vjen puna asgjë nuk bëhet e përbashkët, kurse ato që bëhen të përbashkëta janë shumë pak dhe po themi me jo pak defekte. Kështu që nga kjo pikpamje nevoja për bashkëpunim politik është e pazëvendësueshme. Së treti duhet të kuptojmë që partitë tona politike administrojnë burime njerëzore me shumë vlerë për reformën në drejtësi dhe jo vetëm.Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim po themi tre partitë kryesore por nuk mund të lemë jashtë vëmendjes Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ashtu siç nuk mund të lë jashtë vëmendjes as Partinë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut të cilat janë parti parlamentare. Kanë administruar pushtet në vite, kanë burimë njerëzore që i kanë të aktivizuara brenda strukturave të pushtetit, kështu që ne nuk mund ti lëmë pa i përfshirë të gjithë këtë përvojë të jashtëzakonshme që është krijuar në këto vite.Sa më shumë përvojë të ketë në këtë process, patjetër që është më mirë dhe reforma patjetër që do të jetë më e pjekur, më afatgjatë dhe më e qëndrueshme.Së fundi duhet të kuptojmë që ka dhe një llogari numrash. Me gjithë vullnetin që ka mazhoranca e sotme që qeveris vendin, përsëri numrat nuk mjaftojnë pra duhet një reformë konsensuale edhe për këtë efekt. Sigurisht është e fundit në listën e përparësive, por është e rëndësishme edhe kjo për të krijuar të gjithë kohezionin e nevojshëm në këtë reformë.
A do jetë Ministri i ri i Drejtësisë pra ju z. Manjani inisiatori kryesor që do të realizojë bashkëpunimin e përbashkët midis 3 grupeve parlamentare të partive PS, LSI dhe PD?
Manjani: Besoj që është ky mandati i Ministrit të Drejtësisë, detyrat e Ministrit të Drejtësisë janë të përcaktuara në kushtetutë në lidhe dhe në aktet e qeverisë . Nga kjo pikëpamje nuk ka pse të krijohen shumë konfuzione . Unë thash që kjo është një nismë që tashmë administrohet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe arsyeja pse është në këtë komision është pikërisht për të gjetur konsesusin kështu që Ministri i Drejtësisë thjesht është një kontribues në këtë proçes. Nëse emri, funksioni, detyra apo përvoja e Ministrit të Drejtësisë ndihmojnë në konsesus do të isha mëse i lumtur ta ofroja një gjë të tillë, pse jo.Por unë nuk kam ndonjë fuqi të mbinatyrshme ashtu siç askush nuk mund të ketë një fuqi të mbinatyrshme i vetmuar. Besoj që të gjithë partitë tona, të gjithë partitë parlamentare duhet të gjejnë një sinkron sepse veçanërisht jemi të gjithë dakort. Puna është që nuk po gjejmë dot atë formulën që të bëhemi bashkë.
Jeni shprehur shpesh përsa i përket ndryshimet kushtetuese, rasti i fundit ka qënë në një intervistë që keni dhënë për studion e lajmeve në Ora News dhe keni deklaruar që në këtë pjesë janë bërë hapa pas. Cili do të jetë roli i Ministrisë së Drejtësisë në ndryshimet kushtetuese?
Manjani: Hapat pas, hapat para apo hapat në vend janë çështje që kushdo krijon një opinion mbi bazën e asaj që lexon. Unë mbi të gjtiha jam profesionist në këtë vend. Unë mbetem jurist pavarësisht funksioneve apo detyrave politike. Ju lutem ju kërkoj të mirëkuptoni që edhe mua nuk më lejohet të jap më qëndrime personale apo qëndrime thjesht puro dhe vetëm profesionale sepse nuk dua të krijoj asnjë lloj ngëçi në komunikimin zyrtar për shkak të detyrës që sapo më është ngarkuar dhe ende nuk më është konfirmuar.Unë duhet të pres të gjithë hapat kushtetues siç parashikon kushtetuta sepse deri më sot kam vlerësimin dhe mbështetjen e LSI, kam mbështetjen e Kryeministrit të vendit të cilin e falenderoj.por më duhet të pres dekretin e Presidentit të Republikës , në vijim pastaj vendimin e parlamentit, në vijim përsëri Presidentin e Republikës për të bërë betimin se kështu është proçedura e emërimit të një ministri kështu që në detyrën që më është propozuar unë jam i detyruar që të flas në emër të Institucionit në emër të të tjerëve në emër të një harmonie shumë më të madhe sepse qëllimi është shumë më i mirë dhe shumë më i rëndësishëm se sa konstatimet e çastit apo konstatimet individuale. Unë mbetem i hapur për të organizuar tryeza bisedimi në kuptimin që të angazhohen sa më shumë ekspertë që të jetë e mundur në këtë histori . Por jo vetëm ekspertë. Edhe qytetarë normalë, përfaqësues të shoqërisë civile. Ligjet, e theksoj te ligjet dhe shteti nuk janë pronësi ekskluzive as e politikanëve as e qeverive as i opozitave dhe as i juristëve në tërësi. Por janë në pronësi të publikut.Janë në pronësi të qytetarit shqiptar dhe nga kjo pikpamjë qytetari shqiptar duhet të shprehet për pronën e tij , në kuptimin figurative e them këtë që duhet të jetë shumë aktiv për atë që kërkon të ndërtohet sepse fundi i historisë kush është? Na duhet të ndërtojmë një sistem gjyqësor që ti shërbejë njerëzve shpejt. Një nga projektet e mia më ambicioze dhe besoj unë është çështja e afateve. Mbetem një përkrahës që afatet në gjykim në hetim apo kudo që do ketë afate proçeduriale duhet të jenë të vendosura, të qarta sa më të shkurtra të jetë e mundur në mënyrë që njerëzve tu shërbehet shpejt gjithashtu.
Afate për të cilat ish-Ministri i Drejtësisë Naço ka denoncuar emra konkretë dhe gjyqtarë që kanë penguar, a do vijojë kjo traditë?
Manjani: Dhe unë do bëj të njëjtën gjë, patjetër që po.Por do duhet ti fiksojmë gjërat bashkarisht ndoshta edhe me ligje më të thjeshta. Jam përkrahës gjithashtu i pikëpamjes së ligjeve të thjeshta dhe të kuptueshme.Nuk është nevoja të jesh jurist për të kuptuar ligjin, sepse ligji është pronësi e njerëzve. Juristët dallojnë nga njëri-tjetri nga përvoja, por jo nga fakti se spekulojnë me ligjin. Se nuk mund të ndërtojmë dot sisteme transparente. Nuk mund të ndërtojmë dot as një luftë kundër korrupsionit nëse ligjet nuk janë të thjeshta, të shkruara qartë, me afate konkrete ku secili të dije se çfarë meriton në pretendimin që ka. Kjo është shumë e rëndësishme, nuk do të dëgjoni kurrë nga unë që ky ka faj, ai nuk ka faj, se nuk është detyra e Ministrit të Drejtësisë të përcaktojë fajësinë e askujt. Përkundrazi detyra e Ministrit të Drejtësisë është që të shërbejë dhe të marrë masa që shërbimi funksionon. Pra ai duhet tu shërbejë njerëzve, duhet tu shërbejë bizneseve, është shumë e rëndëishme kjo ta kuptojmë. Ne nuk mund të tolerojmë pafundësisht klimë të përkeqësuar qoftë edhe pa dashjen tonë apo pa fajin tonë të biznesit. Buznesi është partneri më i rëndësishëm i çdo qeverie dhe çdo shteti. Dhe mbi të gjitha duhet të krijojmë një klimë të besueshmërisë së njerëzve tek gjykatat. Por kjo besueshmëri do të vijë nëse ne do ti konsiderojmë gjykatat si vendi ku të gjithë janë të barabartë dhe jo si vendi ku dikush që është më i fortë shkon dhe tregon forcën dhe më i dobëti gjithmonë humbet. Jo. Para gjykatësit, para gjykatës jemi si para Zotit jemi të gjithë të barabartë. Ky është standarti që mendoj unë dhe mendon shumica dërmuese e juristëve por jo vetëm në këtë vend dhe për këtë jam i angazhuar.
Rasti i ish-Ministrit Naço ishte i veçuar nga ana e ndryshimeve në qeveri, pavarësisht arsyeve që e kanë detyruar ish-Ministrin e Drejtësisë për të dhënë dorëheqjen, jeni të mendimit se ka nevojë për ndryshime në këtë qeveri?
Manjani: Jam i mendimin si nënkryetar i partisë, si anëtar i kryesisë që zoti Nasip Naço ka një kontribut të jashtëzakonshëm në Ministrinë e Drejtësisë dhe për këtë ai meriton të gjithë përgëzimet tona si kolegë të tij, si miq dhe sigurisht që ne vazhdojmë dhe jemi miq. Nuk është se ndryshojnë gjërat për shkak të raporteve, nuk është politika që na bashkon apo na ndan. Naço është një jurist me përvojë, një jurist që ka kryer disa detyra publike dhe politike të vlerësuara nga LSI në vite. Më vjen mirë që Kryeministri Rama shprehu konsideratën e tij më të lartë për kontributin e zotit. Naço dhe kjo është një gjë që na gëzon. Pastaj çështjet pse këtu, pse aty, janë çështje që i takojnë secilit të bëjë analizat e tij apo vlerësimet e tij. Nga ana ime, nga ana jo jonë, si miq, si shokë, si kolegë, si kontribues në LSI, zoti.Naço ka vlerësimet maksimale.
Nuk mu përgjigjet, ka nevojë për ndryshime të tjera në qeveri apo jo?
Manjani: Faleminderit.
Janë shprehur ndërkombëtarët dhe miqtë tanë partner që në fillim të 2016 kemi hapjen e negociatave duke i mëshuar realizimit të reformës në drejtësi. A do të kemi deri në dhjetor rezultate pozitive në këtë drejtim?
Manjani: Ne punojmë çdo ditë dhe kjo është axhenda jonë. Ne duhet të punojmë çdo ditë sikur nesër po e marrim ftesën për të çelë negociatat për anëtarësim. Ky është projekti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Të gjithë kemi rënë dakort për Shqipërinë anëtare në BE.Absolutisht të gjithë, ajo që po na mungon janë disa elementë të komunikimit politik, disa projekte të cilat na shqetësojnë të gjithëve. Psh lufta kundër korrupsionit, korrupsioni është pengesë e madhe duhet ta pranojmë. Jam mandatuar nga LSI dhe nuk po ju them ndonjë sekret, por jam mandatuar specifikisht për të qenë pjesë e një lufte, e një beteje antikorrupsion në çdo nivel. Detyra ime është të marr masa që legjislacioni që përgatitet dhe ky është rol kushtetues i Ministrit të Drejtësisë, të jetë i harmonizuar me të gjitha nismat antikorrupsuion. Detyra ime është që në çdo proçedurë, ndërtim apo hiearki shteti, çdo mënyrë që do parashikohet për tu rregulluar, në çdo reformë pse jo, të kemi zërin dhe fuqinë tonë ligjore për të garantuar se në këtë shtet shërbehet, shërbehet jo duke vjedhur, shërbehet sipas rregullave, me transparencë. Unë këtë mision politik e kam nga LSI dhe të jeni i bindur që me këtë do të merrem.