Ylljet Aliçka: Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë

 

Një histori tragji-komike ditën kur Nikita Hrushov kaloi pranë një fshati të internuarish në rrethin e Fierit

Periudhën e erret të historisë shqiptare, Aliçka e përshkruan nga perspektiva e njerëzve të thjeshtë. Në tregimet e tij veprojnë gra fshatare, rojtarë burgjesh, mësues fshati, studentë ose funksionarë çehovianë. Ngjarjet e tyre të pabesueshme janë shpesh për të qeshur ose për të qarë. Histori tragjikomike të së shkuarës dhe së sotmes, që krijojnë një mozaik të pasur të realitetit shqiptar. Duke marrë parasysh përvojat çeke me regjimin komunist dhe me kohën e tranzicionit, tregimet e Aliçkës u ofrojnë lexuesve çekë një krahasim të pakrahasueshëm…

Gjatë Luftës së Ftohtë, Shqipëria kishte imazhin e diktaturës më të egër në Evropë. Në listën e librave të ndaluar ishin Bibla, Kurani, veprat e Kafkës, Kunderës… “Atë çfarë shqiptarët përjetuan, ndoshta nuk mund të krahasohet me modelin tuaj”, thotë në intervistën për ISEDN shkrimtari shqiptar, Ylljet Aliçka.

Një nga romanet tuaja, me ndërkombëtarë, botuar dhe në frëngjisht, gati përfundoi në një proces kafkian. Si u krijua kjo çështje?

Bëhet fjalë për një roman timin “Rrëfenje me ndërkombëtarë” në vitin 2007, subjekti i të cilit ishin marrëdhëniet dhe kontaktet e shqiptarëve me botën e jashtme pas shumë vitesh izolimi. Pas hapjes së Shqipërisë me botën në vitet ‘90, krahas ndihmës ndërkombëtare për rimëkëmbjen e vendit, një pjesë e të huajve, njerëz normalë në jetën në vendet e tyre, me të ardhur në Shqipëri me misione diplomatike apo asistence për vendin, adoptonin sjellje të reja gati nënvleftësuese, gati në diskriminim, falë kjo mikpritjes së tepruar të shqiptarëve apo dhe viktimë e klisheve negative ndaj vendit. Ky është thelbi i romanit, në njëfarë mënyre demitizimi në jetën e tyre të përditshme i mbivlerësimit ndaj bartësve të përparimit. Pata momente jo të lehta ato kohë, gati u ndjeva fajtor për shkak se kisha dëmtuar interesat e vendit. Për librin pati reagime, si negative ashtu dhe pozitive, por  krahas telasheve, më solli dhe shumë lexues.

Si keni filluar me shkrimin e letërsisë?

Si çdo i ri i asaj kohe, kisha pasion leximin. Mbarova studimet për biologji, por dhe këtë zgjedhje e bëra nën ndikimin e letërsisë. Në fillim dëshiroja të studioja mjekësi, si Çehovi, por nuk ia arrita për shkak të profilit jo të përshtatshëm politik, (nuk kam qenë as i persekutuar, as i favorizuar. Gjithsesi m’u dha e drejta për të studiuar për biologji, frymëzuar dhe nga një personazh i Turgenievit, Bazarovi, në romanin “Etër e bij”. Biologji studioi (por nuk e mbaroi) edhe Enver Hoxha. Pas studimeve nisa punë në zona malore të rrethit të Matit. Atje gjeta shumë tema, që më vonë i shfrytëzova në tregimet e mia. Por fillimi i shkrimi tim lidhet më shumë me një rastësi. Disa miq më propozuan që të shkruaj ato tregime që u rrëfeja me gojë. Më vonë mësova të shkruaja edhe skenarët e filmave.

Mendoj se letërsia nuk lulëzonte në kohën e diktaturës së egër, apo jo?

Natyrisht, krahas periudhave bie fjala të hapura ndaj letërsisë së huaj, shumica dërmuese e veprave letrare nga vendet perëndimore ishte, ndoshta si dhe tek ju, në indeksin e ndaluar dhe leximi i tyre dënohej. Pas rënies së komunizmit më është bërë e njohur një listë autorësh të ndaluar perëndimorë, të renditur sipas një hierarkie të caktuar, në varësi të së cilës parashikohej në njëfarë mënyre një dënim i caktuar. Në vendin e parë ishte Bibla, pas saj paradoksalisht majtisti Jean-Paul Sartre. Në këtë listë zinin “vend të merituar” dhe shkrimtarë çekë, Kafka ose Kundera.

Është interesante se Bibla ishte në vendin e parë. Në Shqipëri është i pranishëm edhe Islami. Ishte në atë listë gjithashtu Kurani?

Po, edhe Kurani ishte i ndaluar, por kam përshtypjen më pak i rrezikshëm se Bibla. Kjo u ndikua nga fakti se regjimi konsideronte të krishterët, sidomos katolikët, si kundërshtarët më të rrezikshëm, sepse sipas tyre, ata kishin lidhje me botën perëndimore.

Si e keni ju dhe familja juaj lidhjen me besimin?

Le të themi agnostike. Siç ndofta e dini, Shqipëria u shpall nga regjimi komunist si vendi i parë ateist në botë dhe unë mund të them se jam rritur në mjedis dhe realitet ateist. Paraardhësit e mi i kanë takuar besimit bektashian. Bëhet fjalë për një degë shiite të islamit, besimtarët e së cilës dallohen nga sunitët që dominojnë në Ballkan nga epoka e perandorisë otomane. Bektashianët ruajnë disa zakone paraislamike dhe karakterizohen nga një tolerancë të madhe ndaj feve të tjera dhe me disa tipare të përbashkëta me krishterimin. Gjithsesi më duhet të them se përkatësia fetare në Shqipëri nuk  përbën boshtin kryesor identitar të shqiptarëve.

Pas leximit të tregimeve tuaja kam përshtypje se rrëfimin në disa prej tyre e keni tepruar pak, p.sh. në atë tregim ku përshkruhet vdekja e Enver Hoxhës në vitin 1985 dhe ku Ju shkruani për “matjen” e qarjes së njerëzve…

Y.A.Jo, në këtë tregim, nuk e kam tepruar aspak. Pas rënies së komunizmit u gjetën dokumente, në të cilat bashkëpunëtorët e Sigurimit përshkruanin “me metoda shkencore”, sa shumë lot njerëzit derdhën dhe me ç’mënyrë njerëzit qanin.

Bie fjala, në një rast tipik absurd, një grua e ndërmarrjes sonë, e cila rezultonte të kishte qarë shumë ato ditë,  raportuesi i Sigurimit  kish relatuar se “e merrte me shumë rezervë këtë të qarë”, pasi kish zbuluar se gruaja në fjalë kish humbur par disa javësh të birin dhe s’reshtte së qari për këtë humbje “duke bërë sikur qante për vdekjen e Enver Hoxhës, por do shihet e qara e saj në vazhdimësi”, thuhej në raport.

Në Pragë keni folur për frymëzimin tuaj për një nga tregimet, në të cilin rrëfeni për një çift të lodhur pleqsh që pushon mbi trotuar. Burri ndihet në siklet kur gruaja e tij vë kokën mbi këmbët e tij, por në momentin kur ai mendon se askush nuk i shikon, ia lejon dhe fillon t’i përkëdhelë flokët. Nga rrëfimi juaj kisha përshtypjen se nga sjellja e këtij burri, zakon ky i rëndë burrëror, mund të them se jeni konservator, që mbështeteni në vlerat tradicionale, ashtu si personazhi juaj që heziton të shpalosë ndjenjat e tij.

Jo, nuk e ndjej veten tradicional apo konservator, me sa më thonë, më tepër  “fajësohem” për liberal. Bie fjala gjyshja më akuzonte se nuk i ngjaja fare paraardhësve të familjes sime, të njohur si familje trimash me kontribut patriotik.

Në lidhje me tregimin në fjalë, është e vërtetë më pëlqejnë historitë e thjeshta rutinë, bie fjala e atij çifti të vetmuar pleqsh, që rigjejnë ngrohtësinë njerëzore te njëri tjetri, apo te gjunjët e njëri-tjetrit……

Në dhjetë vite të fundit vizitova tri herë Shqipërinë dhe nuk mund t’i shmangem përshtypjes se dhe në Shqipëri rritet roli i fesë. P.sh., po ndërtohen një numër i konsiderueshëm xhamish…

Me sa di një pjesë e tyre u ndërtua me fonde nga jashtë, kryesisht në vitet e para të demokracisë. I njëjti fenomen ka ndodhur dhe me objekte të tjera  fetare, si kisha ortodokse dhe ato katolike. Sot ka ligje që e disiplinojnë këto ndërtime.

Shqipëria është vend dinamik, me ulje ngritjet e saja, por them se kjo është rruga e natyrshme e zhvillimit të një vendi dalë nga një periudhë e gjatë diktatoriale, një vend  që përpiqet të gjejë vlerat dhe rrugën e tij drejt integrimit europian.

Ndryshim të ndjeshëm ka infrastruktura : rrugë të reja,  turizmi… Siç mund të jeni në dijeni vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i turistëve të huaj nga Gjermania, Çekia, Polonia, Italia…

Fatkeqësisht sivjet u vranë dy turistët çekë…

Po, kjo ishte një “njollë” që na shokoi dhe fatmirësisht dramatizimi i ngjarjes nga opinioni çek, nuk u ekzagjerua më shumë se pesha reale e vetë ngjarjes. Besoj se ngjarjet më vonë –manifestime solidariteti, i bindën bashkëqytetarët tuaj çekë për reagimin  e opinionit të gjerë shqiptar. Për pasojë vrasësi u kap shumë shpejt dhe u vërtetua se  ishte një kriminel i  sapodalë nga burgu. Kjo ngjarje mund të ndodhë  jo vetëm në Shqipëri. Nga ana tjetër është e vërtetë se që nga koha e krizës me fonde piramidale në vitin 1997, kur u vodhën depot ushtarake, shumë armë mbetën në duar jo të duhura.

E njihni kulturën letërsinë çeke?

Personalisht kam qenë i ndjeshëm dhe kam ndjekur me vëmendje “Pranverën e Pragës” dhe  pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë. Për këtë shkak u motivova mjaft nga leximi në italisht i një brezi poetësh çekë gati disidentë. Më vjen ndërmend Vietszlav Nezval..

Keni punuar disa vite si diplomat, ishit ambasador në Francë. Tani për dy vite jetoni dhe punoni në një universitet në Tiranë. Si duket jeta tani në Shqipëri?

Personalisht jetoj normalisht dhe më besoni se, në pikëpamje financiare, nuk u përkas shtresave të larta të shoqërisë. Jemi një vend normal, europian, me vlerat dhe të metat tona, por fatkeqësisht jeta normale me vlerat e saj nuk përbën lajm për opinionin ndërkombëtar e kryesisht atij mediatik.

Personalisht nuk ndiej asnjë nevojë që të iki nga Shqipëria. Prandaj më habit shumë fakti se në kuadrin e krizës aktuale rreth refugjateve ka pasur mjaft shqiptarë që kanë ikur nga vendi. Kjo në një kohë kur p.sh., në Shqipëri kanë ardhur rreth 20 mijë italianë për të punuar. Shqipëria është vendi i kontrasteve, por natyrisht nuk mund të them se nuk ka varfëri, kryesisht kjo në zona të thella.

Vala e re e emigrimit gati më duket si një psikozë. Dikush del për të kërkuar një jetë më të mirë dhe të tjerët në fshatin e tij thonë: Kur e bëri ai, mund ta bëj edhe unë. Shpresoj se së shpejti do ta kuptojnë se jeta mund dhe duhet të ndërtohet në vendin tënd.

Intervistë e shkrimtarit Ylljet Aliçka në gazetën qendrore çeke, ISEDN, me rastin e botimit të librit të tij në këtë gjuhë. Nga: Tomáš Lébr

SHKARKO APP