Zef Çuni: Restaurimi i shtëpisë së Fishtës bllokohet nga pronarët

 

Zëvëndësministri i Kulturës, Zef Çuni: Vendosja e pllakës së Sulejmanit në kalanë e Lezhës ishte e parakohshme. Nuk ka kushte për ruajtje.

Zef Çuni: Restaurimi i shtëpisë së Fishtës bllokohet nga pronarët

Intervistoi: Redjon Shtylla

Zef Çuni, Zëvëndësministër i Kulturës analizon me detaje situatat e krijuara së fundi në qytetin e Lezhës, ku pllaka e Sulltan Sulejmanit dhe shtëpia e At Gjergj Fishtës kanë marrë vëmendjen e opinionit publik. Në një intervistë për "Koha Jonë", Z.Çuni lidhur me debatin për këtë objekt, shprehet se" ka një keqkuptim si rezultat i ndjesive të ndryshme që ekzistojnë në këtë qytet dhe mesa duket qytetarët presin nga ne edhe punime të tjera arkeologjike, konservimi e restaurimi si dhe gjetjen e emblemave të tjera të periudhës ilire apo të Dukagjinëve si dhe luftën kundër ndërtimeve pa leje brenda akropolit që në fakt ne po e bëjmë". Për sa i përket shtëpisë së At Gjergj Fishtës, Z.Çuni ka qëndrimin e tij duke argumentuar se: "Për mua nuk është shumë shkencore dhe shumë e drejtë, që të jetë monument kulture shtëpia ku ka banuar Fishta, pasi njeriu gjatë jetës mund të jetojë në shumë vende, por në rastin kur shtëpia e lindjes nuk ekziston më, është gjetur kjo zgjidhje". Z.Çuni tregon për donacionet e reja, se ku do të përqendrohen dhe si marrëveshjet me Ministritë ku ka shtetas shqip-folës.

Z.Çuni prej disa javësh në fokusin e qytetarëve është rikthyer çështja e pllakës së Sulltan Sulejmanit në kalanë e Lezhës, pse qytetarët apo dhe grupe të ndryshme interesi e kundërshtojnë këtë pjesë të historisë e që realisht ka vite që ndodhet në Lezhë?

Pllaka e Sulltanit Sulejman është gjetur në oborrin e një shtëpie pranë kalasë së Lezhës nga arkeologu Frano Prendi në vitet '60-të, të shekullit të kaluar dhe që nga ajo kohë është ruajtur në muzeun e rrethit. Pllaka ka vlerë pasi ajo daton saktë rikonstruksionin e bërë kështjellës në vitin1522 dhe kjo është e rëndësishme pasi në mungesë të dokumentacionit shpesh herë i referohemi vetëm shekullit dhe jo datave të sakta. Ndërsa për sa i përket kundërshtive besoj se ka një keqkuptim si rezultat i ndjesive të ndryshme që ekzistojnë në këtë qytet dhe mesa duket qytetarët presin nga ne edhe punime të tjera arkeologjike, konservimi e restaurimi si dhe gjetjen e emblemave të tjera të periudhës ilire apo të Dukagjinëve si dhe luftën kundër ndërtimeve pa leje brenda akropolit që në fakt ne po e bëjmë. Ndoshta dhe në kushtet kur kalaja është pa roje 24- orë, vendosja e artefakteve të tilla ka qenë e parakohshme dhe e pamundur për tu ruajtur.

Shkarkimi i Z.Paulin Zefi nga posti i Përgjegjësit të Kulturës Kombëtare në qarkun e Lezhës lidhet me çështjen e Pllakës?

Shkarkimi i Z.Paulin Zefi nuk ka të bëjë fare me ngjarjen e pllakës sepse ai sipas statusit të nëpunësit civil nuk mund të shkarkohet brenda një dite, dhe duhet që të jenë marrë disa masa të një pas njëshme dhe Z.Zefi ka patur disa masa sepse ai nuk ka ditur të lidhë pasionin për punën  me të qenit zyrtar korrekt dhe që të ndjekë rrugën institucionale. Ai nuk ka vepruar sipas rregullave, nuk ka paraqitur projektet që ka thënë për objektet e tjera, nuk i ka sjellë kurrë në institutin e monumenteve. Reagimi i Paulinit në rrjetin social facebook, nuk është i duhuri sepse as unë apo dhe Ministrja Kumbaro nuk mund të lexojë statuset e gjithë nëpunësve në facebook. Mënyra që zgjodhi personi në fjalë nuk ishte ajo zyrtare, institucionale sepse ai si punonjës i degës së Shkodrës me qendër Lezhë, duhesh që çdo projekt ta paraqiste nëpërmjet drejtorisë rajonale duke ja dërguar zyrtarisht Ministrisë sepse kur bëhet fjalë për monumentet e kulturës nuk mund të kryejmë veprime pa kaluar në sektorët përkatës, në këshillin shkencor të IMK dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimit. Puna në administrate kërkon një etikë kur je brenda sistemit, nuk mund të kritikosh të tjerët për atë që ke detyrë ta bësh vete. Jo për shkak të detyrës politike që kam por për shkak të profesionit kam më shumë eksperiencë në fushën e trashëgimisë se zotëria dhe di mjaft mirë ku janë nevojat dhe ku çalon dhe puna dhe di të bëj dhe kritikë, po në jemi në qeverisje së bashku me administratën jo për të bërë kritikën e problemeve por për ti zgjidhur ato dhe ne po i zgjidhim hap pas hapi.

Z.Çuni si është gjendur Ministria përballë protestës ndaj shtëpisë së At Gjergj Fishtën, reagimi juaj mbi këtë monument kulture që mban statusin si Monument Kulture i Kategorisë së parë po që është kthyer në magazinë bujqësore për banorët aty pranë?

Unë personalisht me shtëpinë e At Gjergj Fishtës jam marrë shumë dhe kam ngarkuar Drkk Shkodër dhe sektorin e saj në Lezhë të verifikojnë gjendjen dhe të merrnin masa për restaurimin e saj. Në vitin 1990 Ministria e Arsimit dhe e Kulturës ka shpallur monument kulture shtëpinë ku ka lindur At Gjergj Fishta dhe ajo shtëpi ka ekzistuar deri në vitin 1994 dhe më pas është rrënuar, në kushtet e tranzicionit. Më vonë është shpallur monument kulture shtëpia ku ka banuar përkohësisht poeti në fshatin Fishtë, që për mua nuk është shumë shkencore dhe shumë e drejtë, sepse një njeri mund të banojë në shumë vende. Kjo shtëpi në vitin 2012 ka pasur një projekt restaurimi dhe është dhënë një fond por që pronarët kanë kundërshtuar restaurimin e saj, duke pretenduar që t'u jepen tre shtëpi të reja. Kërkesa e këtyre pronarëve është bërë në drejtorinë rajonale dhe më pas kanë njoftuar dhe Ministrinë. Shteti nuk është pronar i të gjithë shtëpive, por shtëpitë që kanë pronarë ka një ligj që përcakton që 60% e paguan shteti dhe 40% e paguan pronari për restaurim por në rastin në fjalë të gjithë shumën do ta  paguante shteti. Te trashëgimtarët e At Gjergj Fishtës, Ministria nuk mund të hyjë me forcë, me polici për të restauruar një monument sepse nuk do të kishte kuptim dhe kemi ndjekur rrugën për ti bindur që të pranojnë. Fondet në atë kohë janë transferuar sepse nëse nuk realizohen për një kohë ato digjen dhe janë transferuar për një objekt tjetër .

Konflikti me pronësinë në ato zona që janë pjesë e kulturës ka qenë gjithmonë problematike, çfarë planesh ka Ministria për ti dhënë fund këtij problem disa vjeçar? Po me shtëpinë e At Gjergj Fishtës çfarë hapash do ndjekë Ministria e Kulturës?

Ne kemi probleme të pronësisë por edhe të braktisjes së shtëpive monument kulture nga banorë që kanë ikur në emigracion dhe ky është një problem i madh, që mund ta reflektojmë në ligjin për trashëgiminë kulturore që po realizojmë por rastin në fjalë ne e kemi trajtuar me shumë kujdes dhe me dashamirësi sepse ka patur shumë donatorë. Për rastin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, së pari ka një keq informim nga ana e medies ndaj publikut sepse gjithmonë është marrë një palë për të dhënë versionin dhe nuk janë konsultuar kurrë me ne, me palën tjetër. Trashëgimtarët e Fishtës nuk kanë as dokumente pronësie kështu që edhe për të krijuar një punim aty, duhet të kesh një dokument pronësie dhe unë personalisht kisha ngarkuar sektorin e Lezhës që ti ndihmonte në hipotekë që të merrnin tapinë dhe nuk e kanë nxjerrë edhe sot e kësaj dite. Nga ana tjetër ka pasur dy grupe donatorësh, një shqiptar nga Norvegjia i quajtur Bardh Nengurra bashkë me disa shqiptarë nga Amerika e Kanadaja që kanë kërkuar të restaurojnë këtë shtëpi dhe kanë hapur dhe një numër llogarie ku kanë mbledhur një sasi të konsiderueshme fondesh. Ka qenë edhe një korrespodencë e një biznesmeni kosovar, i cili kishte shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me Ministrinë, Znj.Kumbaro ka komunikuar me të me email por që asnjëherë nuk ka ardhur për të na e prezantuar idenë e tij dhe donacionin e tij. Edhe për këtë rast është bërë shumë zhurmë mediatike pa të drejtë. Por pa diskutim që ne nuk do ta lëmë këtë shtëpi as në mëshirën e fatit, as  të pronarëve, apo të donatorëve  por me rastin e 145 vjetorit të lindjes te At Gjergj Fishtës, do realizojmë që ajo shtëpi si pjesë e monumenteve të kulturës kombëtare të restaurohet. Dhe në vendin kur ka lindur Fishta, edhe me ndihmën e donatorëve nga diaspora do të ndërtohet një memorial e që për fat të mirë është në rrugë, e mund të kthehet në një vend pelegrinazhi se është zonë turistike.

Z.Çuni, fondet që vijnë nga donatorë apo shtete të ndryshme në Shqipëri, a mos po fokusohen vetëm në ato pjesë të kulturës që kanë qenë nën sundim osman?

E rëndësishme për Ministrinë është ardhja e këtyre donacioneve dhe jo ku do të përqendrohet ky investim, pasi çdo monument në vetvete ka edhe shpirtin krijues të mjeshtërve shqiptar po edhe materialin rrethanor. Një rast i periudhës osmane është dhe xhamia e plumbit në Shkodër, unikale në Shqipëri për llojin e vet sepse mjeshtri shqiptar i jep nga bota e vet shpirtërore, edhe pse ajo është një arkitekturë e ardhur nga orienti. Materialet që janë përdorur për këtë kult i përkasin vetëm qytetit të Shkodrës. Objekte në vendin tonë ka plot, e ku disa janë kthyer nga kisha në xhami dhe ne i ruajmë të gjitha fazat e çdo monumenti të kulturës kur ato kanë vlerë. Kur ato janë në fazën e rrënimit ne i restaurojmë. Investimi që ka ardhur nga Turqia, nga donacionet janë konservimi dhe restaurimi i disa xhamive në Berat, Korçë, Gjirokastër dhe e rëndësishme është se ata kanë firma të specializuara që dinë të punojnë tek xhamitë me plumb, me fletë plumbi. Në Gjirokastër ata kanë financuar dhe për krijimin e një harte të gjithë monumenteve të kulturës aty. Ne kemi donacione nga fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, nga Fondi shqiptar i zhvillimit nga fondet e BE-së, nga ambasada te ndryshme e fondacione të huaja. Fototeka e Marubit si pjesë e digjitalizimit është financuar Regjioni i Friuli Venezia Giulia. Media nganjëherë nga mos marrja e një informacione të saktë, krijon ngjarje që nuk qëndrojnë dhe shkaktojnë disinformim.

Sa bashkëpunim ka midis Ministrisë së Kulturës me drejtoritë rajonale në Shqipëri dhe me Bashkitë?

Këto drejtori mbrojmë trashëgiminë materiale dhe jo materiale dhe varen nga Ministria e Kulturës. Bashkitë kanë vetë drejtoritë e kulturës, dhe bashkëpunimi me Ministrinë është sipas politikave që ne kemi. Zyrat në bashkitë e vendit janë të detyruara të respektojnë politikat që ka M.K, që ka shteti. Suksesi varet se sa bashkëpunues janë këto bashki, sa të gatshëm janë për të financuar dhe këtu bëhet dallimi midis atyre që tregojnë kujdes dhe ata e neglizhojnë detyrën. Kur ka aktivitete kombëtare ne bashkëpunojmë me bashkitë. Festivali Folklorik mbarëkombëtar i Gjirokastrës ka qenë një sukses mjaft i madh ,dhe ka qene një bashkëpunim  mjaft i mire mes Qarqeve te vendit dhe Ministrisë së Kulturës. Nga ana tjetër DRKK qe kemi ne në qarqe bashkëpunojnë ngushtë, me Drejtoritë Arsimore dhe Drejtoritë e Kulturës në Bashki në drejtim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në zonat përkatëse.

Z.Çuni ka marrëveshje bashkëpunimi Ministria jonë me Ministritë ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, në trevat shqip-folëse?

Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe me Ministrinë e Kulturës në Kosovë dhe jemi në vitin e dytë të kalendarit të përbashkët kulturor. Në fokus janë dhe specializimi i mjeshtreve nga Kosova sepse kanë patur më pak mundësi atje. Gjithashtu ne kemi një bashkëpunim me Ministrinë e Maqedonisë, ku kemi një protokoll të përbashkët dhe këto ditë po përgatitet Orkestra e Operës dhe Baletit për të dhënë një shfaqje në Manastir. Projekti i restaurimit dhe muzealizimit të ndërtesës se alfabetit shqip në Manastir është një nga pikat për të cilën ministria po punon. Ministria e Maqedonisë do të realizojë projektin për të bërë prezantimin me dyllë të gjithë personaliteteve që kanë marrë pjesë në atë kongres të organizuar në Manastir. Kontakte kemi dhe me trevat e shqiptarëve në Malin e Zi dhe duke qenë se janë në një numër të vogël rrethanat e tyre janë të ndryshme si nga shqiptarët e Kosovës por edhe ata të Maqedonisë. Një shembull për tu vlerësuar është dhe një burrë i moshuar rreth të 80-tave në Tuz të Malësisë z. Shtjefen Ivezaj, një atdhetar i vërtetë  që shtëpinë e tij e ka kthyer në muze etnografik. Këtë pasuri shpejt ne do të ndihmojmë që të inventarizohet. Po ashtu kemi kontakte edhe me federata të shoqatave kulturore të shqiptarëve në Itali e vende të tjera dhe me organizata kulturore nga trevat e banuara nga shqiptarët.

Familja dhe edukimi nëpërmjet kulturës, në këndvështrimin tuaj personal si e shihni këtë pjesë tek familjet shqiptare, sa ata edukohen për të pasur një kulturë vetjake?

Është në pikësynimet kryesore të Ministrisë edukimi i brezit të ri nëpërmjet kulturës. Ne kemi sektorin e edukimit nëpërmjet kulturës dhe kemi bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Të gjithë drejtoritë rajonale kanë marrëveshje me drejtoritë arsimore që gjatë gjithë vitit të kenë aktivitete kulturore, organizojnë ditën e trashëgimisë kulturore, ndihmojnë në pastrimin e siteve arkeologjike, kështjellave e monumenteve. Një brez i ri që vjen duhet ta kuptojë historinë dhe trashëgiminë tone kulturore jo vetëm duke lexuar në libra por duke e prekur vetë  me dore dhe do të binden se sa me rëndësi është ruajtja dhe mirëmbajtja e monumenteve kulturore por dhe të gjithë kulturës së vendit në përgjithësi. Gjatë këtyre dy viteve fenomeni i shkatërrimin, i rrënimit dhe i shkarravitjeve pothuajse nuk ekziston më edhe në saj të kësaj pune. Po fitoi edukimi që në hapat e para, rezultatet do të jenë në nivelin e duhur. Një vizitë në vende historike e pjesë e trashëgimisë kulturore është në me vlerë dhe sa me qindra shpjegimi leksionet në bankat e shkollës.  

SHKARKO APP