Zeneli: Organizatat terroriste nën mbulesat fetare kërcënojnë vendin
Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Alban Zeneli
Intervistoi: Redjon Shtylla
Europa është në frikë e pasiguri, kjo e ardhur nga grupet terroriste. Deputeti i PD-së, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Alban Zeneli në një intervistë dhënë për “Koha Jonë”, ka shpjeguar se: “Xhihadistët me etni shqiptare kanë zënë postet më të larta në forcat e Kalifatit të Bagdadit”. Lidhur me sigurinë e Shqipërisë, ai shprehet se: “Burimet njerëzore të ISIS, armatimi, fshehtësia dhe logjistika janë një pikë e fortë që rrit mundësinë e kërcënimit edhe kundër Shqipërisë”. Jo vetëm në rolin e opozitarit, por si një njohës i fushës, Zeneli nënvizon se nuk punohet nga qeveria për luftën kundër terrorizmit sepse sipas tij, strukturat ushtarake, policore dhe të inteligjencës, janë mbushur me militantë partiakë të paaftë dhe të inkriminuar. Në përgjigje të akuzave të PS, lidhur me formularin e dekriminalizimit, deputeti Alban Zeneli pohon se formulari i tij nuk ka asnjë ngjasim me krimet që parashikon dekriminalizimi.
Z.Zeneli ju ende nuk kemi dhënë një prononcim tuajin në lidhje me akuzat e vazhdueshme të PS-së karshi formularit tuaj të vetëdekriminalizimit. Tashmë është zyrtarizuar kërkesa e saj dërguar prokurorisë ndaj jush dhe dy kolegëve tuaj. Pse keni heshtur deri më tani ndaj akuzave?
Më ka ndodhur një aksident fatkeq 24 vite më parë dhe unë e kam deklaruar. Aksidentet ndodhin, nuk njoh ndokënd që nuk i ka ndodhur një aksident në jetë. Unë nuk e di se çfarë do të kishte bërë Partia Socialiste, nëse nuk do të më kishte ndodhur mua ky aksident, apo nëse nuk do të ishte arratisur Flamur Noka nga Shqipëria e Ramizit. Si do ta kishte mbuluar dëshpërimin e saj nga kapja në krim, nga një duzinë banditësh me rekorde të tmerrshme kriminale, me të cilët erdhi në pushtet e me të cilët po ndan pushtetin. Ajo çfarë më ka ndodhur mua dhe që e kam deklaruar, sigurisht, nuk afrohet as nuk ka asnjë ngjasim me krimet që parashikon dekriminalizimi, me krimet që kanë kryer deputetë, të zgjedhur e zyrtarë të Edi Ramës në gjithë vendin.
Në raportin e fundit, DASH për Shqipërinë në lidhje me terrorizmin ka përmendur edhe furnizime të konsiderueshme me armë dhe municione që vendi ynë i ka siguruar forcave në Irakun verior. A është e mundur që një vend i vogël si ne të ketë prodhim armësh edh municionesh për të huajt?
Raportet e DASH janë shumë profesionale, serioze e të besueshme. Trafiku i armëve në Shqipëri është një problem shqetësues. Pak kohë më parë pamë se në Bari u kap një sasi e madhe armësh, municionesh e eksplozivi të nisura nga Shqipëria. Një kambanë alarmi. Një gazetare e “EuroNevvs”, e pyeti Kryeministrin për trafikun e armëve. Pak muaj më parë prokurori i anti-mafies së Leçes. Kataldo Mota theksoi problematikën e madhe, kur tha se përveç drogës, nga Shqipëria po mbërrijnë dhe armë. Të gjitha këto tregojnë se trafiku i armëve zhvillohet, ashtu siç zhvillohet ai i drogës, të gjitha këto me dijeninë e ministrit të Brendshëm, pa asnjë dyshim.
Gjithashtu, raporti ka vlerësuar legjislacionin shqiptar, i cili parashikon dënime për aktet e terrorizmit, por deri më tani kemi parë që jemi një vend, ku ka rekrutime. Çfarë po mungon në vend për të frenuar bashkimin e shqiptarëve në grupet terroriste?
Duke analizuar situatën e krijuar nga kërcënimet dhe sulmet e ISIS, kundër vlerave të qytetërimit perëndimor, e gjykoj se është detyrë e të gjithë ekspertëve dhe specialistëve të sigurisë, të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe drejtuesve shtetërorë për këtë kanosje reale. Ky ndërgjegjësim bëhet më i domosdoshëm sidomos kur shikohet mungesë vlerësimi i qeverisë në drejtim të këtij kërcënimi, i cili është shumë afër. Për të përcaktuar sa më realisht, nivelin e kërcënimit terrorist që përballet Shqipëria ndaj ISIS, duhet të merren parasysh dhe të analizohen me hollësi disa faktorë të rrezikut. Analistët perëndimorë të inteligjencës dhe specialistët anti-terror, i përmbledhin këta faktorë në; Ekzistencë, mundësi, qëllim, histori, objektiv, mjedis politik dhe mjedis i sigurisë. Kërcënimi nga ISIS vlerësohet të ekzistojë dhe është në gjendje për ta rritur aksesin në drejtim të vendit tonë. Media jonë dhe ajo ndërkombëtare kanë treguar pamje dhe transmetuar deklarata të eksponentëve të ISIS, të cilët janë aktivë si në Shqipëri ashtu edhe në të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri dhe Irak. Një numër jo i vogël luftëtarësh me kombësi dhe shtetësi shqiptare luftojnë në këto rajone. Ka një numër të madh të vrarësh të deklaruar dhe pranuar në një luftë që nuk është e jona. Kemi një gjyq në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kundër disa klerikëve myslimanë që kanë pranuar në një farë mënyrë mbështetjen për ISIS. Nga ana tjetër, Kosova dhe Maqedonia kanë numrin më të lartë në Europë të luftëtarëve xhihadistë në Siri për frymë popullsie. Xhihadistët me etni shqiptare kanë zënë postet më të larta në forcat e Kalifatit të Bagdadit, flitet shqip dhe bëhen thirrje në gjuhën shqipe. Mbi 100 shqiptarë etnikë janë vrarë për këtë luftë dhe disa qindra të tjerë pritet të kthehen më të radikalizuar, më të rrezikshëm dhe më të nënshtruar ndaj kësaj ideologjie. Shtrirja dhe pozita gjeografike e Shqipërisë ka lejuar në vitet ‘90 dhe më vonë, mundësinë për lëvizjen e lirë të grupeve dhe individëve, nëpërmjet saj drejt perëndimit. Duke shfrytëzuar infrastrukturën e dobët të kontrollit të kufijve kushdo i huaj mund të hynte në vite dhe të dilte lirisht nga vendi ynë duke e përdorur si urë për në perëndim. Burimet njerëzore të ISIS, armatimi, fshehtësia dhe logjistika janë një pikë e fortë që rrit mundësinë e kërcënimit edhe kundër Shqipërisë. Zotërimi i befasisë e bën ISIS të ketë shumë avantazhe në krahasim me sistemin e sigurisë së çdo vendi, jo vetëm të Shqipërisë. ISIS mund të godasë “kurdo” duke e zgjedhur vetë kohën, objektivin si dhe duke përzgjedhur gjithashtu, sulmuesin edhe mënyrën e sulmit. Sulmuesi për fat të keq mund të jetë edhe një shqiptar i radikalizuar që nuk është i dyshuar asnjëherë nga organet e sigurisë. Këto avantazhe, të cilat nuk janë të njëjta si në luftën tradicionale janë sfiduese dhe të vështira të neutralizohen nga sistemi i sigurisë. Qëllimi përcaktohet nga informacioni i grumbulluar nga shërbimet inteligjente dhe policore, për synimet e deklaruara të ISIS në drejtim të Shqipërisë. Me fundin e komunizmit, Islami në Shqipëri që pothuajse u zhdukur por Ballkani u bë një vend i pushtimit të Vahabistëve. Fillimisht mbërritën OJQ për të sjellë ndihma humanitare gjatë konflikteve të përgjakshme të luftës në ish- Jugosllavi, shoqata bamirëse, qëllimi i vërtetë i të cilëve ishte për të përhapur një interpretim militant të Islamit në popullsitë vendase. Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut të mohuara për dekada, filluan të aplikohen bashkë me besimin fetar të mohuar për 30 vjet. Por nga grupe dhe kategori të ndryshme personash kryesisht nga vendet e gadishullit arabik, kjo situatë e re u shfrytëzua, për të zhvilluar aktivitetet e tyre ekstremistë dhe ilegale. Organizatat terroriste nën mbulesat fetare, filluan të dërgojnë edhe në Shqipëri emisarë, për të themeluar njësitë dhe më vonë për të vepruar. Të mbështetur me shumë para, ata përdorën varfërinë dhe nisën të kenë një mbështetje midis të rinjve të rrënuar. Këta të rinj ishin shpesh të tërhequr nga mesazhi i vehabizmit, si dhe mbi mundësitë që këto organizata ofronin. Varfëria ekstreme e fundviteve ‘90, çoi në pranimin e çdo ndihme dhe fondacioni, pa verifikuar dhe pa paragjykuar qëllimin e tyre. Goditja e fundit e paralajmëruar në Bruksel tregoi se; ISIS kërkon objektiva spektakolare. Të godasësh Brukselin do të thotë se ke goditur zemrën politike të Europës që është BE-ja, dhe zemrën ushtarake të botës që është NATO. Shqipëria është një vend i vogël dhe gjykoj që nuk përmbush sa duhet kriterin e të qenurit “objektiv” i rëndësishëm strategjik dhe me interes të ISIS. Sot mjedisi i sigurisë është totalisht ndryshe, ne jemi anëtarë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake NATO, por nuk punohet nga qeveria për motivimin, mbështetjen, trajnimin e strukturave të sigurisë në luftën kundër terrorizmit, në terrenin real të luftimit. Strukturat ushtarake, policore dhe të inteligjencës, janë mbushur me militantë partiakë të paaftë dhe shumë herë të vërtetuar si të inkriminuar dhe pjesë e strukturave kriminale. Bashkëpunimi ndërmjet strukturave diplomatike arsimore, emigracionit, klerit mysliman, medias, shoqërisë civile dhe të shërbimeve inteligjente shqiptare dhe të gjithë vendeve të tjera; ndarja në kohë e informacionit që lidhet me këtë kërcënim; rritja e ekspertizës dhe profesionalizmit; si dhe analiza në kohë e faktorëve të kërcënimit, është çelësi i suksesit në këtë luftë të re.
Si pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, e si opozitë jeni shprehur se në vend ka pasur përgjime të krerëve të lartë të shtetit e jo vetëm. Ministri Tahiri është shprehur se pajisja e përgjimit u konstatua në paradhomën e zyrës së tij dhe tashmë i ka dërguar kallëzimin në prokurori. A duhet dikush të përgjigjet për këtë?
Qytetarëve nuk u intereson loja me thika pas shpine e Tahirit me vartësit e tij, e njerëzve të Ramës me njerëzit e Metës. Partisë Demokratike, opinionit publik dhe qytetarëve u intereson kur cenohet siguria kombëtare. Kur shkelet brutalisht Kushtetuta dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur me futjen e paligjshme të pajisjes së përgjimit dhe me përdorimin e saj, fakte tashmë të pranuara nga Drejtori i Policisë së Shtetit. Pas këtij krimi shtetëror me autorë të vërtetë Tahirin e Ramën, ndodhi një tjetër krim, njësoj i rëndë. Ndalimi i hetimit, pengimi i zbardhjes së të vërtetës dhe një sulm i paprinciptë e i pahapur më parë ndaj institucioneve të drejtësisë. Pra krimi u zmadhua u shumëfishua. Dhe kjo sjellje e Ramës dhe e Tahirit thjesht vërteton se skandali i skandaleve ka ndodhur, përgjimi i paligjshëm ka ndodhur.
Si e komentoni këtë çështje që në konflikt janë dhe institucionet?
Ne inkurajojmë prokurorinë dhe gjykatat ta zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje, të mos ndikohen nga presionet. Përgjegjësit duhet të dalin para ligjit në mënyrë që krime të tilla të mos ndodhin më në vendin tonë.