Zgjedhjet në SHBA, votohet edhe në Shqipëri

Shtetasit amerikanë kanë të drejtë të votojnë edhe kur nuk ndodhen fizikisht në SHBA. Ky njihet me termin ‘votim në mungesë’ dhe e kanë të drejtë të gjithë ata nënshtetas amerikanë që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Lorenc Gjoni, drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë është shtetas amerikan dhe votën e tij në zgjedhjet e datës 8 nëntor do ta japë nga Shqipëria.
Ai shpjegon se për ‘votimin në mungesë’ duhet të përgatitesh më herët, sepse ky proces kërkon kohën e tij. Për të votuar është i nevojshëm regjistrimi. Në rast se personi për ndonjë arsye ka ndryshuar adresë, atëherë ai duhet të riregjistrohet. Ky proces mund të bëhet me postë apo në rrugë elektronike. Në të dy rastet, dokumenti duhet të jetë i firmosur nga personi në fjalë e më pas të dërgohet në destinacionin e përcaktuar.
Gjoni thotë se ai është i regjistruar në shtetin e Ohajos dhe për këtë duhet të ndjekë procedurat që zbatohen aty. Fletëvotimi i mbërriti me email dhe kishte dy pjesë.
Në rastin e votimit fizik, paraqet regjistrimin dhe më pas merr fletën. “Kur kam votuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, unë kam pasur rastin të përdor dy metoda. Metoda e vjetër ishte me një makineri mekanike, tek e cila tërheq levën me numrin përkatës për secilën zgjedhje që është pjesë e votimit. Në të njëjtën kohë, ke mundësinë të tërheqësh një levë të madhe dhe të votosh për njërën parti ose tjetrën dhe vota numërohet për secilin kandidat të asaj partie (për president, senator, kongresmen, apo gjykatës). Pajisja mekanike njëkohësisht bën edhe numërimin. Ky i fundit nuk mund të shikohet deri sa të mbyllet votimi.
Metoda tjetër është elektronike, ku në një ekran me prekje dalin me radhë disa pyetje dhe duhet të shtypësh butonat që referojnë përzgjedhjet që bën. Për çdo rast kërkohen konfirmime. Natyrisht programi ka funksionet e plota, mund të votosh për një parti në vend që t’i marrësh të gjitha pjesët me radhë, mund të abstenosh, dhe ruhet evidencë nëse është i nevojshëm rinumërimi”, shpjegon z. Gjoni.
Në rastin e zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit ai sqaron se në adresën e tij i mbërriti fleta e votimit, për të cilën plotësoi rrathët përkatës dhe një tjetër fletë ku vendosen shënimet identifikuese dhe firma. Fleta e votimit futet në një zarf, ndërsa shenjat lihen jashtë këtij zarfi që kur të mbërrijë në destinacion do të ndiqet sërish i njëjti proces. Do të shihet fleta e identifikimit, do të vendoset një pjesë e kësaj flete në dosje për të konfirmuar se ka votuar me postë dhe më pas zarfi do të futet në kuti. Data e numërimit të votave të mbërritur me postë është më e hershme se data e votimit, por pranohen edhe votat që mbërrijnë deri më 18 nëntor po të jenë dërguar në kohë. Nëse dërgohet brenda datës 8 nëntor ajo duhet të numërohet. Nga Shqipëria postës i duhet nga 10 ditë deri në 15 ditë për të mbërritur në SHBA. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka gjithashtu një rol i cili është përshpejtues. Ajo që mund të bësh përmes këtij institucioni është se zarfin, i cili përmban fletën e votimit dhe të pjesën identifikuese që futen në një zarf tjetër, mund të përcillen duke u futur në ‘dosjen’ diplomatike. Ky postim kërkon më pak ditë për të mbërritur. Pra, ambasada ndihmon në lehtësimin e procesit”, thotë z. Gjoni.

Procesi

Dita e zgjedhjeve nuk është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse shkollat në shumë qytete mbyllen, pasi ato shërbejnë si qendra votimi.
Zgjedhjet zhvillohen në nëntor dhe fituesi zakonisht dihet në fund të ditës së zgjedhjeve, por nuk zyrtarizohet deri më 6 janar.
Kjo ndodh pasi Shtetet e Bashkuara përdorin një sistem të quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili cakton një numër të caktuar votash elektorale për çdo shtet, bazuar në numrin e popullsisë. Përveç dy shteteve, në të gjitha shtetet e tjera, kandidati që merr shumicën e votave, merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Kandidati i cili merr të paktën 270 nga gjithsej 538 votat elektorale bëhet president i ardhshëm i vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej rreth 200 vjetësh, i zhvillojnë zgjedhjet gjithmonë në të njëjtën ditë, më saktë të martën e parë pas të hënës së parë të nëntorit. (Pra nëse dita e parë e nëntorit bie e martë, zgjedhjet mbahen në të martën pasardhëse).
Vendimi për këtë ditë u mor në vitin 1845 nga Kongresi Amerikan.
Muaji nëntor u zgjodh sepse shumica e amerikanëve ishin fermerë e në atë muaj mbaronin vjeljet — nëntori ishte muaji mes përfundimit të të korrurave dhe nisjes së dimrit të gjatë e të ftohtë.
Dita e diel u përjashtua, sepse votuesit nuk mund të udhëtonin për shkak se për të krishterët ishte ditë pushimi nga çdo detyrë.
Infrastruktura në ato vite nuk ishte e zhvilluar, rrugët në shumë zona nuk ishin ndërtuar ende — ndaj shpesh njerëzve u duhej më shumë se një ditë rrugë për të shkuar në qendrat e votimit. Për këtë arsye, e hëna qe e pavolitshme si ditë votimi dhe u përjashtua. Ndaj u zgjodh e marta.
Amerikanët kanë të njëjtën Kushtetutë prej vitit 1788 (me shumë pak ndryshime) dhe ata kanë ruajtur të pandryshueshëm edhe ditën e votimit.

***

Flet Lorenc Gjoni, drejtor ekzekutiv i AmCham

Lorenc Gjoni

Sa i rëndësishëm është për ju procesi i votimit?
Për mua është tejet i rëndësishëm si proces, pasi ne në shtetin e Ohajos, përveç votimit për president, duhet të shprehemi edhe për kongresmenë e senatorë. Njërit prej senatorëve të Ohajos i mbaron mandati dhe duhet të rizgjidhet një i ri ose të vazhdojë mandatin ai që është aktualisht. Kjo është një zgjedhje që bëhet dy herë në çdo gjashtë vjet. Votimet për kongresmenë ndodhin më shpesh. Por, ajo që duhet të theksoj është se çdo njeri duhet të shprehë vullnetin edhe në garat e vogla.

Çfarë mund të na thoni nga pozicioni i drejtuesit ekzekutiv të AmCham, si vlerësohen nga dhoma këto zgjedhje, duke qenë se për herë të parë në garë është edhe një grua?
Nëse ndiqet fryma e popullit amerikan në këto vitet e fundit, garimi i një gruaje ishte i pritshëm, duke qenë se më herët, po për herë të parë, u zgjodh një president me ngjyrë. Kjo tregon zhvillimin e madh që ka pësuar demokracia dhe shoqëria në këtë vend për të lënë pas racizmin dhe paragjykimet, dhe se çdo gjë vjen në kohën e duhur.
Megjithatë, pavarësisht se cilët janë kandidatët në garë, ato mbeten zgjedhje tejet të rëndësishme. Në krye nuk do të vijë vetëm presidenti i SHBA-së, por do të ketë edhe një kabinet të ri, edhe nëse kandidati që fiton vjen nga e njëjta parti që është sot Presidenti Obama. I gjithë ky proces sjell ndryshime në SHBA dhe ato janë me ndikim në të gjithë botën.
Nëse do t’i referohemi strukturës së politikës amerikane mund të themi se roli i presidentit është më i kufizuar në politikën e brendshme sesa në atë të jashtme. Brenda vendit duhet të balancojë rrymat dhe interesat e ndryshme brenda partisë, ndërsa për jashtë vendit mund të ketë më pak ndërhyrje, por çfarë mund të bëjë kufizohet nga realiteti në terren.
Presidenti Obama është përpjekur shumë që të përkrahë dy marrëveshje të tregtisë së lirë me Paqësorin dhe Bashkimin Europian. Edhe pse ne nuk jemi pjesë e BE-së, kjo është një politikë që ka gjetur përkrahje sepse lindin mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të mirëqenies. Dy kandidatët kryesorë kanë shprehur rezervime për këto marrëveshje, ndaj mund të ketë ndryshime.

Për Shqipërinë, cili mund të jetë ndikimi nëse zgjidhet njëri apo tjetri kandidat?
Është e vështirë të thuhet me saktësi se cili do të jetë ndikimi që mund të ketë në Shqipëri, zgjedhja e njërit kandidat apo tjetrit. Nëse do të supozojmë se zgjedhjet do të fitohen nga Clinton, e cila përfaqëson të njëjtën parti si presidenti Obama, mund të presim që nuk do të ketë ndryshime thelbësore në politikën që do të ndiqet ndaj Shqipërisë dhe rajonit tonë, të paktën jo menjëherë. Do të vijojë të ndiqet një qasje e ngjashme, por sigurisht nuk do të jetë identike.
Situata do të jetë më e kuptueshme pasi të njohim lëvizjet dhe ndryshimet që bëhen në muajt e fillimit të presidencës.
Nëse president do të zgjidhet Trump, qasja do të ishte e ndryshme, duke qenë se edhe republikanët ndajnë qëndrime të ndryshme në politikën e jashtme. Për më tepër që në deklarimet gjatë fushatës dhe në debatet presidenciale duket qartë një qasje e ndryshme, më shumë izoluese. Por edhe në këtë rast do të ishte e vështirë të parashikosh qartë veprime konkrete, sepse fushatat dhe debatet kanë pasur tjetër fokus dhe nuk kanë bërë që kandidatët të shprehin më shumë detaje për zbatimin e ideve që kanë përmendur.

Çfarë duhet të mësojë Shqipëria nga mënyra amerikane e të bërit të fushatave elektorale?
Ajo që mund të vlerësojë në radhë të parë është mënyra sesi është ndërtuar sistemi. Ka qëndrueshmëri. Nëse një senator largohet nga detyra, në varësi të shtetit që ai përfaqëson, zëvendësuesi mund të vijë nga zgjedhjet ose me emërim nga guvernatori, por në çdo rast, ai nuk fiton një mandat të ri, por vazhdon atë të paraardhësit të tij.
Edhe në rastin e presidentit, në një moment të caktuar për zgjedhjet në mes të mandatit, atij mund t’i duhet të qeverisë me një Kongres ku shumicën mund ta ketë partia në opozitë. E kur kjo ka ndodhur, historikisht ka pasur rezultate të mira sepse janë bërë ato gjëra që ishin të rëndësishme dhe që mund të siguronin mbështetje nga të dy palët, ndërsa veprimet që anonin shumë nga njëra parti, hasnin oponencë të fortë.
Pra, një gjë që na mëson politika amerikane ka të bëjë me mbajtjen e qëndrimeve larg ekstremeve ideologjike, me një qeverisje për të gjithë popullin dhe jo vetëm për ata që votuan për fituesin, dhe si rezultat i kësaj, me politika më largpamëse.
Qëndrueshmëria duket edhe në mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve kur ka pasur rezultate që njëra palë apo tjetra nuk i pranonte. Metoda e ndjekur nuk ka qenë ajo e protestës me përdorim dhune, por është ndjekur procesi i parashikuar për këto raste bazuar mbi parimet e demokracisë dhe me transparencë.

SHKARKO APP