Zijadin Sela: Po përgatitet konflikt i ri etnik kundër shqiptarëve
Intervistë me Ziadin Selën, kryetari i komunës Strugë në Maqedoni. “Politikanë shqiptarë flasin për Brukselin, por shohin nga Moska”
Nga Zenepe Luka
Ziadin Sela këtë 7 prill mbush 2 vjet si kryetar i Komunës së Strugës. Kandidati i PDSH doli fitues në balotazhin me kandidatin e koalicionit të bllokut maqedonas, Vlladimir Koçoski. Fitorja ishte jo vetëm politike. Pas shumë kohësh Struga rikthehej me një drejtues nga radhët e shqiptarë. Dy vite më pas, Sela flet për "KOHA JONE" per zhvillimet në Strugë, por edhe gjendjen e shqiptarëve sot në Maqedoni. Parashikimet janë të zymta. Ai thotë se po përgatitet një konflikt i ri etnik në këtë vend, i nxitur nga partitë maqedonase. Ndërsa kritikon politikanët shqiptarë në Maqedoni se “flasin për Brukselin, por shohin nga Moska”. Kritika ka dhe për qeverinë shqiptare në Tiranë, e cila sipas tij nuk ka bërë asnjë hap për afrimin e shqiptarëve.
Ju flisni për herë të parë në një gazetë në Shqipëri, publiku në Tiranë ju njeh si politikan dhe Komunës së Strugës dhe politikan. Por dimë shumë pak për ju para se të ishit një personazh politik mes Shqiptarëve të Maqedonisë?
Kam lindur në vitin 1972, në fshatin Livadhi të Strugës. Rrjedh nga një familje e formuar me taban kombëtar dhe arsimdashëse. Shkollën e mesme e kreva në Prishtinë, në drejtimin matematiko-natyror dhe më pas vazhdova studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës (1992-1998). Gjatë krizës-luftës së Kosovës, më 1999, jam angazhuar me ekipet e Kryqit të Kuq ndërkombëtar dhe në vitin 2000-2004, ushtrova profesionin e mjekut në Poliklinikën e Veleshtës. Në vitet 2004-2006, punova në Qendrën medicinale- Ndihmën e shpejtë (Urgjencën) në Strugë. Dy vitet e ardhshme u ngarkova me detyrën e drejtorit të Inspektoratit Sanitar, në kuadër të Ministrisë së shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë. Në vitin 2009, zgjidhem kryetar i Degës së Partisë Demokratike Shqiptare në Strugë, detyrë që e ushtrova deri në vitin 2011, kur si bartës i listës së deputetëve të PDSH-së, zgjidhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë, Që nga viti 2013, kryen detyrën e kryetarit të Komunës Strugë.
Z. Sela kemi parasysh thënien tuaj në ditën e fitores më 7 prill të vitit 2013 se: Struga u bë përjetësisht shqiptare. Çfarë ka ndryshuar?
Për të qenë korrekt unë kam fituar zgjedhjet të raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 24 mars, raundin e dytë më 7 prill dhe raundin e tretë më 21 prill të viti 2013. Fitorja ime si kandidati për Strugën, siç duket nuk ju shkonte për shtat pushtetit sllav dhe vasalëve shqiptarë, që bëjnë pjesë në të dhe pikërisht për këtë, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, gjykata administrative vendosi që të ketë edhe një raund të tretë në Strugë. Pas fitores i kam pyetur sllavomaqedonasit, që ishin bërë bashkë kundër kandidaturës sime “A doni më?”. Unë nuk mendoj se Struga u bë përjetësisht shqiptare, sepse fitoi Ziadin Sela. Jo, Struga ka qenë dhe do të mbetet me shumicë shqiptare, ndërsa pronësia e saj është e qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politikat dhe politikanë me mendësi të vjetër, kanë bërë që në të kaluarën, në kundërshtim me vullnetin e shumicës (që është shqiptare) të udhëheqë pakica sllavo-maqedonase. E keqja është që kjo mendësi e vjetër politike shfaqet në çdo cikël zgjedhor të pushtetit lokal në Strugë. Ju pyesni çfarë u arrit? Demokracia, vullneti i shumicës, e drejta ngadhënjeu mbi të keqen, qytetari dënoi me votë pushtetin, populli i dha shuplakë regjimit, i cili është drejtuar kundër shqiptarëve në Maqedoni.
Cila është situate ekonomike e Strugës, çfarë ka ndryshuar pas dy vjetësh?
Pushteti lokal në Maqedoni është pushtet teknik, që ka kryesisht kompetenca në rregullimin e infrastrukturës, sjelljen e planeve urbanistike dhe pak kompetenca për arsimin. Them pasi, pasi pjesa më e madhe e kompetencave i takon Ministrisë së Arsimit. Sa i përket ekonomisë, komuna ka pak mundësi ligjore dhe financiare për ti dhënë suport ekonomisë lokale. Përkundrazi, kuadri ligjor sa i përket zhvillimit ekonomik i vendos komunat në një konkurrencë jot ë drejtë. Kam parasysh zonat e lira ekonomike, që menaxhohen nga pushteti qëndror. Politikat janë sjellë që nga viti 2008 dhe për hir të së vërtetës kjo lloj politike ka rezultuar me qindra investitorë të huaj mbi 50 mijë vende të reja pune. Eksporti i Maqedonisë është më i lartë se ai i Kosovës dhe Shqipërisë bashkë. Në plan të parë kjo duket si arritje, por edhe ky zhvillim ekonomik është bërë me prerje etnike. Këto zona të lira janë hapur nga ana e pushtetit qendror vetëm për qytetet që janë etnikisht të pastra me sllavomaqedonë, por jo në qytetet me shumicë shqiptare. Kjo çështje e rëndësishme lidhe edhe me një ironi.
Cila është ironia z. Sela?
Sepse që nga viti 2008, që është sjellë kjo politikë e zhvillimit ekonomik, Ministria e Ekonomisë, udhëhiqet nga kuadër i Ali Ahmetit. Kështu ka vazhduar edhe me tre ministrat e tjerë radhazi, që marrin votat e shqiptarëve. Këto zona të lira ekonomike i bëjnë direkt konkurrencë komunave, ose ofrojnë kushte më të mira për biznesin. Toka shitet në marrëveshje direkte dhe për 1 euro metri katror dhjetë vite kjo kompani janë të liruara nga TVSH-ja dhe punëtorët subvencionohen nga ana e buxhetit të shtetit. Në këto kushte jo të barabarta, investitorët e huaj shkojnë në zonat e lira ekonomike. Të tilla komuna shqiptare nuk ka, prandaj edhe zhvillimi ekonomik ka ngecje. Përkundër këtyre lloj politikash me dy standarde, përsëri kemi arritur që të kemi një zhvillim nga biznesmenët vendas. Në Strugë janë hapur disa fabrika, që kanë çuar në zbutjen e papunësisë, gjithsesi jo në nivele të kënaqshme. Ka përmirësime sektori i turizmit, që është veprimtaria më e rëndësishme e qytetit tonë. Kemi një investitor të huaj dhe Struga ka hotelin e parë me pesë yje në brigjet e liqenit të Ohrit, ku janë hapur rreth 300 vende të reja pune.
Janë shtuar turistët e huaj dhe cilat janë marrëdhëniet me Shqipërinë në këtë fushë?
Turizmi është një ndër veprimtaritë, me të cilën krenohemi. Rritja e cilësisë në këtë sektor, ka sjellë shtimin e numrit të turistëve. Ka një rritje progresive të turistëve që vijnë nga vendet e BE, sidomos nga Holanda. Sa i përket marrëdhënieve me Shqipërinë, do të parapëlqeja të flas në lidhje me marrëdhëniet me shqiptarët nga Shqipëria, se janë të ndara nga njëra-tjetra. Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë, i trajton si çështje të politikës së jashtme. Ishte përjashtuese lidhja turistike ujore në liqenin e Ohrit, ndërmjet qytetit të Pogradecit dhe Ohrit, ku u përjashtua nga kjo linjë qyteti i Strugës. Jo vetëm struganët, por edhe shqiptarët e Maqedonisë u përjashtuan. Unë e kuptoj tendencën e sllavëve, që sa më shumë ta pamundësojnë komunikimin ndërshqiptar, kjo nuk përbën risi, janë bërë për një shekull këto përpjekje. Risi përbën kontributi, që Qeveria shqiptare, bëri atë që nuk e ka bërë asnjë qeveri: Shqiptarët nga Shqipëria hijeshojnë Strugën. Prej vitesh është zhvilluar turizmi familjar mes shqiptarësh. Vijnë çdo vit me familje në të njëjtën kohë, sat ë krijohet përshtypja se nuk është vetëm turizëm. Por një ritual i shqiptarëve, që bëhen bashkë në qytetin, ku buron Drini i Zi, për të cilin L:asgushi thoshte se është mesi i Shqipërisë.
Pamë në qytet që ju keni vendosur tabelat e qarkullimit edhe në gjuhën shqipe,keni prishur ndërtimet pa leje. Dëgjuam që edhe jeni kërcënuar për ti ndalur këto prishje, ia dolët mbanë?
Tabelat janë vendosur fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj maqedonisht. Nuk duhet të ketë kompromis për gjuhën, të cilën e flet shumica e popullatës së Strugës. Gjuha është shkaku, që unë si Kryetari i Komunës, dy vite me radhë, kam bojkotuar Mbrëmjet Strugane të Poezisë, një manifestim ndërkombëtar, i cili si institucion është i pushtetit qendror. Manifestim në të cilin flitet në të gjitha gjuhët e botës, ndërsa pushteti sllavomaqedonas, ku bëjnë pjesë edhe ca shqiptarë, pamundësohen që të flitet gjuha shqipe. Gjuha e shumicës së Strugës. Me fjalë të tjera I bie ti shkosh në shtëpi tjetrit dhe të injorosh gjuhën dhe kulturën e tij. Për mua, po jo vetëm është mungesë edukate, primitizëm. Lidhur me ndërtimet pa lejë dhe kërcënimeve që më janë bërë, nuk më bën aspak përshtypje. Kam qenë i kërcënuar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme. Kur kam qenë deputet në Parlamentin e Maqedonisë, për qëndrimet që mbaja dhe që tani me aferën e përgjimeve që dolën, kanë qenë të drejta. Jam kërcënuar edhe tani për qëndrimin që mbaj kundër kaosit dhe përsëri nuk më bën përshtypje. Është mëse normale, që kaosi ti kërcënohet rregullit. Kam prishë pjesën më të madhe të këtyre objekteve të ndërtuara pa leje, kam qenë i vetëm përball mafies urbane, gjyqësorit dhe pushtetit qendror, dhe ia kam dalë. Kjo, pse jam me të vërtetesën, në interes të qytetarit. Ishte një premtim që dhashë gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe jam krenar përpara elektoratit, që më dha votën.
Ju vlerësojnë bashkëqytetarët maqedonas, çfarë vend zënë në administratën e Komunës?
Duhet të pyesnit ata, nuk e kam zakon të flas në emër të të tjerëve. Struga përveç shqiptarëve, sllavomaqedonas ka edhe turq, rom, vlleh.Të gjithë janë të përfaqësuar sipas numrit të popullatës.
Qytetarët ju mbështesin për punën që bëni, por duket se keni krijuar problem të mëdha në partinë që ju bëri kryetar. Çfarë po ndodh në PDSH?
Me të drejtë konstatoni, se kam krijuar problem në partinë time. Po kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë z. Mendu Thaci, që ka çuar në humbje partinë në 5 cikle zgjedhore radhazi, me dy mandate kryetar partie. Ky nuk është problem, por zgjidhja e problemit. Kam kërkuar demokratizimin e brendshëm të partisë, respektimin e rregullave që janë në statut. Ky është civilizim, progres. Unë kam vepruar konform dëshirës së anëtarësisë së PDSH, për reformë dhe ndryshim brenda partisë dhe kjo, jo për egoizëm. Me këto veprime, kam kthyer shpresën për fitore tek anëtarësia e gjerë dhe gjykoj se kjo është përgjegjshmëri, respekt ndaj atyre që janë esenca e partisë dhe kurrë nuk është problem i partisë. Kjo ka bërë që të kthehet shpresa për një të ardhme më të mirë dhe më me dinjitet të shqiptarëve në Maqedoni, që janë shumë të zhgënjyer nga partia e BDI-së që drejtohet nga Ali Ahmeti. Ndaj të njëjtëve, që morën gjakun e bijve më të mirë të shqiptarëve në vitin 2001, paranë e diasporës shqiptare nëpër botë, djersën e tyre, votën e shqiptarëve për 13 vjet me radhë dhe që sot ua shpërblejnë me procese të monuara politike, me burgjet të mbushura me shqiptarë. Me varfëri dhe mungesë perspektive. Përbuzje dhe turp nga ky grusht njerëzish të shitur dhe pa kurriz, që nuk dallojnë aspak nga “Shqiptarët e ndershëm” të Sllobodan Milosheviçit në Kosovën e viteve 90-të.
Si e përballuat akuzën që ju bëri kryetari i PDSH, Thaçi se “Ziadin Sela është psikopat, Garipi kriminel, tradhtar?
Njësoj si përballova edhe thirrjen publike të z. Thaci, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur unë isha kandidat për kryetar në Strugë. Në një tubim zgjedhor në Strugë, ai u shpreh.”Ju struganët jeni njerëz me fat. Nuk ka shqiptar në botë, që nuk do të kishte dëshirë për të votuar z. Ziadin Sela, por vetëm ju e keni këtë fat. Unë nuk kam ndryshuar, jam po ai Zuadin kur isha anëtar i PDSH, ai që u zgjodha kryetari i Komunës së Strugës. Jam i njëjti “psikopat”, që isha ndër shqiptarët në botë, gjithmonë sipas z.Thaçi. Prandaj, as Ziadin Sela nuk është psikopat, as ata që më mbështesin nuk janë kriminelë e tradhtarë. Thjeshtë ne nuk ishim të përshtatshëm për fazën tjetër të përpunimit politik të z. Thaci. Deshi të më përulë, të më thyej krenarinë, të shëndrrohem në servilin e radhës, një pakurrizor më shumë në rrethin e tij të afërt. Deshi një humbës më shumë në gjashtëshen e humbësve, që kryesohet nga ky i shtati.
Do të ketë paqe në radhët e PDSH?
Thaçi është larguar nga kreu i partisë, nga anëtarësia e gjerë në Kongresin që mbajti Lëvizja për Reforma në PDSH, që u mbajt në 21 mars të këtij viti. A do të ketë paqe? Nuk kam asgjë personale me Thaçin apo dikë tjetër. Ai duhet të dorëzojë vulën e partisë, që e mban padrejtësisht. Në kongresin e fundit PDSH solli statut të ri, ku vihet theksi edhe formimi i një organi partiak, që quhet “Këshilli për politika strategjike”. Në statutin e ri të partisë kufizohet në dy mandate kryetari i partisë. Si kryetari aktual i PDSG që jam, ku i dihet pas katër ose tetë vitesh, mund të jemi anëtarë të barabartë në KSP, unë dhe ai. Kjo është sfida e politikës.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja si kryetar Komune me Qeverinë, mendoni se deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, janë një zë i vetëm për të mbrojtur interesat e shqiptarëve?
E keqja është se deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, kanë qenë vetëm zë dhe jo veprime korrekte, sikurse duhet të jetë politika. Këto zëra mundohen të krijojnë një iluzion tek shqiptarët, se dikush po i mbron ata. Realiteti është krejt ndryshe. Zërat çirren çdo ditë se shqiptarët diskriminohen në ndarjen e buxhetit të shtetit, gjë që është e vërtetë. Janë pikërisht duart e tyre, që në vazhdimësi votojnë buxhetin diskriminues. Nuk ka asnjë buxhet shteti, që nga pavarësia e Maqedonisë dhe deri më sot, që është kundërshtuar me votë nga deputetët shqiptarë. Ata e dënojnë harxhimin e parave të qytetarëve shqiptarë në projektin kontravers”Shkupi 2014”, por përsëri e votuan këtë buxhet. Të njëjtat zëra janë për projektin e ndërtimit të “Korridorit të tetë”, por votat e tyre e devijojnë këtë korridor, dukë lënë Strugën jashtë. Deklarativisht këta zëra se heqin prej goje, Kosovën, Shqipërinë, NATO-n, BE-në. Ndërsa vota e tyre janë të orientuara nga Moska dhe Beogradi. Këta zëra janë shurdhues dhe nuk pushojnë duke thënë se “Struga është shqiptare, por duart e tyre votojnë buxhetin, ku nuk është parë asnjë investim kapital në Strugë, ku nuk është paraparë asnjë cent për kulturën në këtë qytet me shumicë shqiptare. I sheh tek zgërdhihen ministri me kryetarin e komunës të dy sllavomaqedon. Ministri sfidon kryetarin! Nëse i harxhon këto para shumë shpejt do i jap edhe 1 milion euro të tjera. Ky është kontributi i deputetëve shqiptarë në parlament, këto janë marrëdhëniet e mia si kryetari i Komunës së Strugës me pushtetin qendror.
Një mendim i juaj lidhur me skandalin e përgjimeve që po përflitet nga opozita maqedonase.J anë përfshirë politikanë shqiptarë?
Pa diskutim që janë përfshirë edhe politikanë shqiptarë, përndryshe nuk do të kishin kuptim përgjimet. Proceset e montuara politike në Maqedoni as nuk nisin dhe as nuk përfundojnë me rastin e Lube Boshkovskit,që e nxori si skandal opozita. Nisin dhe vazhdojnë me proceset e montuara ndaj shqiptarëve, që kanë qenë sistematike. Duke nisur nga nisur nga Ladorishti, Bit Pazari, Gostivari, Sopoti, Brodeci, Monstra. Them vazhdojnë akoma sepse edhe vetë afera e përgjimeve ka rrezik që të shëndrrohet në një proces të montuar politik ndaj shqiptarëve.
Ku e mbështesin këtë z. Sela?
Po ju argumentoj; të dy subjektet politike maqedonase edhe VMRO-DPMNE qeveritare edhe LSDM opozitare çelësin e daljes nga kriza e shohin tek shqiptarët. E para, nëpërmjet nxitjes së një konflikti të kontrolluar etnik, ndihmuar edhe nga partneri shqiptar në qeveri, për vetë faktin se një konflikt i mundshëm etnik, e kalon në plan të dytë aferën e përgjimeve dhe do të fajësonte direkt për prishjen e stabilitetit të shtetit LSDM opozitare. Tjetra: LSDM opozitare është e vetëdijshme se nuk ka forcë ta përmbys qeverinë Gruevski dhe e vetmja formë për ta detyruar këtë të fundit të pranojë kushtin e tyre për qeveri teknike, do të ishte një konflikt i mundshëm etnik. Në të dyja rastet janë shqiptarët mish për top. Momenti në të cilën ndodhet afera, është shumë i papërshtatshëm politikisht për shqiptarët. Të dyja subjektet politike shqiptare që kanë deputetë në Parlament, janë pjesë e Qeverisë Gruevski, me fjalë tjera shqiptarët janë pa opozitë të përfaqësuar në Parlament. BE është e vetëdijshme për këtë, për pasojë në takimin e Brukselit, shqiptarët u përjashtuan tërësisht nga bisedimet. Kjo është një goditje e rëndë për shqiptarët në Maqedoni, këtë radhë e ardhur nga Brukseli. Kjo situatë ishte pasojë e luftës së pakuptimtë të BDI- së Ali Ahmetit dhe partisë së Menduh Thaçit, për tu bërë me çdo kusht pjesë e Qeverisë. Në këtë situatë raporti Qeveri-Opozitë në Bruksel, do të ishte tre me një, për pasojë në takimin ku bisedohet për të ardhmen e Maqedonisë, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë shqiptar. Kjo është e dhimbshme. Dëgjojmë shpesh të flitet edhe nga politikanë në Shqipëri, ndërsa Ali Ahmeti nuk pushon duke e cituar nëpër medium se “shqiptarët janë shtetformues në Maqedoni”. Si mund të luajnë atë rol, kur përjashtohen nga bisedimet në Bruksel? Ka vetëm një zgjidhje, një rrugë. Situatën e zgjidh largimi nga Qeveria Gruevski z. Ali Ahmeti dhe z. Thaci. Kësisoj shqiptarët do të bëhen pjesë e bisedimeve.
Sipas jush, çfarë dëshmuan përgjimet?
Dëshmuan edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme, se gjyqësori është i terrorizuar. Deri tani LSDM ka kursyer politikanët shqiptarë edhe pse po ashtu është e fshehtë publike se vasaliteti i tyre ndaj qeverisë, është i kushtëzuar me korrupsionin,që ata e kanë ushtruar ndër vite. Siç duket edhe z. Zaev duke mos nxjerrë asgjë për politikanët shqiptarë, do të vazhdojë ti mbajë të shantazhuar, por të njëjtët aktorë politikë shqiptar, që të vazhdojë vasaliteti tani edhe me pardon të ri. Përgjimet nuk do të kenë asnjë kuptim nëse nuk zbulohen prapaskenat e monuara politike ndaj shqiptarëve. Nëse nuk vendoset mekanizmi i të cilit do të pengonin politizimin e procesit gjyqësor në të ardhmen, nëse nuk do të dekriminalizohen aktorët politikë në vend. Zgjidhja vjen nëse sa më shpejt krijohet qeveri teknike. BE duhet të japë zgjidhjet juridike nëpërmjet Gjykatës Speciale për Maqedoninë, si pjesë dekriminalizimit regjional, që po ndodh ne Ballkan. Seriozisht duhet menduar, që prokurori publik në të ardhmen të zgjidhet me vota direkte nga qytetarët, ashtu siç edhe kryetarët e gjykatave themelore të zgjidhen ne zgjedhje direkte lokale nga qytetarët.
Në Shqipëri, me cilin politikan keni marrëdhënie miqësore? Cili është opinion juaj për Qeverinë Rama?
Pas ndarjes shekullore mundohemi të kompensojmë gjithë këtë distancë kohore, duke u bërë shumë shpejt miq politik me njëri tjetrin. Për mendimin tim. Miqësia politike bën edhe gabimin kryesor. Mesa duket përfitimi është i ndërsjellët. Babai (politikanët nga Shqipëria), bëjnë sikur kujdesen për shqiptarët jashtë Shqipërisë administrative, ndërsa i biri (politikanët nga Maqedonia), bëjnë sikur kanë bekimin e shtetit Amë, për ta shitur tek shqiptarët, natyrisht vetëm atëherë kur duhet të mbijetojnë politikisht. Kjo lloj miqësie u sjellë dëm shqiptarëve në përgjithësi. Shqiptarët në Maqedoni, tani e dinë ekzakt fotosesionin e radhës të liderëve të tyre politikë, madje edhe se kur do të ndodhë. Sa herë mëkatojnë tek ne, lahen (fotografohen) tek ju.
Po për qeverinë Rama çfarë mendoni?
Gjykoj se konsolidohet Shteti i së Drejtës, për atë çka ëndërrojnë shqiptarët. Lufta që po i bën Qeveria krimit të organizuar në Shqipëri, është një fitore e madhe. Duhet këmbëngulur për përmirësuar dialogun politik. Por kam një mendim, që nuk mund të rri pa e shprehur, meqë më dhatë mundësinë të flas për një gazetë në Shqipëri. Gjykoj se Qeveria Rama vepron me dy standarde në lidhje me Kosovën dhe shqiptarët e tjerë. Është për tu përshëndetur takimi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, vendimet që morën në takimin e fundit. Po për shqiptarët e Maqedonisë, mos ndoshta i sheh si një çështje e brendshme e Maqedonisë, pra si politikë e jashtme e shtetit shqiptar? Janë të mëdha pritjet që kanë shqiptarët e Maqedonisë ndaj Kryeministrit z. Edi Rama, lidhur me moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit, që është shendruar në një pikëpyetje të madhe për ardhmërinë e shqiptarëve në Maqedoni.
Cili është bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe kulturore me Shqipërinë, kur dihet që Struga është shqiptare?
Pothuajse janë inekzistente, këtu natyrisht bëjnë përjashtim vetiniciativat e qytetarëve shqiptarë, këndej dhe andej kufirit. Vitin e kaluar në kuadër të manifestimeve kulturore gjatë sezonit turistik, komuna e Strugës dhe qytetarët e saj, kishin kënaqësinë të ishin nikoqirë të “Sumer Fest” , themeluam një festival te ri, që quhet “Ktu fest”, kishim kënaqësinë që për një javë rresht të kemi mysafirë të festivalit, Margarita Xhepën, Robert Ndrenikën, Enver Petrovcin etj. Në kuadër të festivalit folklorik”Këngë Jeho”, patëm mysafirë të festivalit Mirush Kabashi, mbrëmje poetike me prof.Agim Vincën, sidoqë, sikurse ju shpreha, buxheti për kulturën është minimal. Shikoj në bashkëbisedimin tonë, që e përsërisni disa herë “Kur dihet që Struga është shqiptare”, a mund t’ju drejtoj unë një pyetje: Po shteti shqiptar e di këtë gjë? Po Ministria e Kulturës e di? Përse Ministrisë nuk i bie në mënd që në “Strugën shqiptare”, të sjellë trupa teatrale, artistë, që janë aq shumë në numër në Shqipëri? Kam bërë një takim me Ministren e Kulturës, kërkova bashkëpunim me shtetin shqiptar, por ka kaluar gati dy vjet nga ai takim e premtim i zonjës Kumbaro dhe nuk e ka mbajtur fjalën, ne kemi humbur shpresën. Nga një anë është mirë kur nuk ëndërron, sepse përvesh krahët e tu.
Një pyetje e fundit z. Sela, sidoqë i takon privatësisë tuaj. Jeni i vetmi politikan në Maqedoni me flokë të gjata, që padyshim ndikojnë në karizmën tuaj, keni menduar se një ditë do të jeni ndryshe?
Me këtë pyetje, po më detyroni të dal nga modestia ime. Fakti, që jam i vetmi politikan me flokë të gjata, më bën ndryshe nga të gjithë të tjerët. Nëse do të më pyesni nëse kam menduar ndonjë ditë të jem konvencional? Nuk e besoj.