Zv.ministri i Jashtëm grek: Për marrëveshjen e detit besoj se do të gjendet një zgjidhje. S’kam koment për Vjosën

Nikolaos Chountis është personi më i përshtatshëm për të testuar klimën politike që ekziston në Shqipëri dhe predispozitën e qeverisë shqiptare në kuadër të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Eksperienca si raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian e ka ndihmuar të njohë edhe personalisht politikanët shqiptarë gjatë takimeve në Bruksel. Edhe pse është pjesë e një qeverie të re, si zv/ministër i Jashtëm i Greqisë i jep besimin e plotë prezencës diplomatike të Greqisë në Tiranë për të shprehur qëndrimet e Athinës zyrtare lidhur me problematikat që shqetësojnë të dy vendet.

Në këtë intervistë të shkurtër për “ResPublica”, Chountis zbardh qëllimin e vizitës në Tiranë, çështjet që janë diskutuar me palën shqiptare si qëndrimet e qeverisë së re greke lidhur me çështjen e kufirit detar.

Zoti Chountis vini në Tiranë jo më si raporter i Parlamentit Europian për Shqipërinë, por në cilësinë e zv/ministrit të Jashtëm të Greqisë. Nga ky këndvështrim si i shihni marrëdhëniet shqiptaro-greke?

Marrëdhëniet tona janë të mira, por mund të jenë akoma dhe më të mira . Nga kontaktet që pata këto dy ditë të qëndrimit tim në Shqipëri pashë se ekziston vullneti edhe nga qeveria shqiptare për të trajtuar së bashku problemet sa i përket të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, por edhe çështje të tjera në mënyrë që perspektiva e marrëdhieve tona të hapet. Si qeveri e re nënvizuam edhe njëherë mbështetjen e Greqisë për perspektivën integruese të vendit tuaj dhe njëkohësisht theksuam se beteja që po bën qeveria e re greke përmes negociatave të vështira me partnerët ndërkombëtarë është një luftë për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për Greqinë, por edhe për Europën dhe si rrjedhojë edhe për fqinjët tanë dhe popujt e Ballkanit Perëndimor që duhet të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Çfarë diskutuat me palën shqiptare gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë?

I diskutuam të gjitha çështjet, por këtë gjë e bën vazhdimisht edhe ambasadori dhe shërbimet tona diplomatike këtu, të cilat përpiqen t'u japin zgjidhje problemeve që preokupojnë të dyja vendet. Ajo që mund t'ju them është se nga bisedimet dhe fryma që hasëm tek autoritetet shqiptare konstatuam një vullnet miqësor për përballimin e problemeve, të cilin do të përpiqemi ta inkurajojmë në çdo rast. Një nga temat më të debatuara është ajo e kufirit detar.

Cili është qëndrimi i qeverisë së re greke lidhur me këtë çështje?

Ju e dini qëndrimin tonë, nuk ka nevojë ta përsëris. Mendoj se do të gjenden rrugët për zgjidhjen sa më të mirë të kësaj çështjeje. Takimet e mia dje dhe sot në Tiranë ishin një rast i mirë për të konfirmuar vullnetin tonë se ky nivel i mirë i marrëdhënieve që ekziston mes Greqisë dhe Shqipërisë mund të përmirësohet dhe të shtrihet në gjetjen e zgjidhjeve edhe për probleme të tjera. Nuk mund t'ju jap më tepër detaje lidhur me këtë temë.

 Sa do e ndihmojë përmirësimin e marrëdhënieve fakti se si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri tashmë kemi dy qeveri të majta?

Ju thashë, ajo që nevojitet për përmirësimin e marrëdhënieve dhe ngritjen e tyre në një nivel më bashkëpunues është pasja e vullnetit politik dhe jo identiteti ideologjik i njërit apo tjetrit. Ne pikërisht këtë kërkojmë, vullnetin politik, natyrisht duke mbrojtur interesat e popullit grek dhe këtë i kërkuam dhe qeverisë shqiptare të na shprehë se ka vullnetin politik për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona. Morëm konfirmimin se ky vullnet ekziston dhe në këtë kontekst besojmë se ekzistojnë edhe të gjitha kushtet për përballimin në mënyrën sa më të mirë të mundshme të të të gjitha problemeve.

Si qëndron çështja e lumit Vjosë, pala shqiptare ditët e fundit flet për një devijim për të cilin nuk është informuar?

E di ku doni të dilni, por nuk kam koment për këtë që thoni ju.

Respublica.al

SHKARKO APP